Iljaz Kaca – mësuesi, studiuesi, arkeologu dhe qytetari i palodhur


Na la dhe Iljaz Kaca…! Na iku shoku, miku, mësuesi, arkeologu i pasionuar, studiuesi dhe autori i disa botimeve shumë të rëndësishme historike, jo vetëm për Dibrën, por edhe për historiografinë kombëtare.
Na iku një aktivist shoqëror, bashkëpunues e i palodhur, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ngritjen e funksionimin e shoqërisë civile në Dibër. Mua më ka ikur njëri nga mbështetësit e bashkëpunëtorët më të përkushtuar, në atë që shpejt u bë nisma, qëllimi e objektivi mbarëpopullor, për gjithë Dibrën, realizimin e projektit jetik për rajonin, ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Janë ditë, muaj, vite bashkëpunimi, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në jetën time. Ka qenë një kohë kur ku gjendej njëri prej nesh, gjendej edhe tjetri, kohë kur falë pasionit dhe besimit në atë ide, ti sfidoje moshën…
Ndërsa i kujtoj ato vite, nuk mundem ta përmbaj e ta mposht lëmshin që më mblidhet në grykë, që më ligështon e më lag sytë…, ndjesi që provova edhe ditën e 29 nëntorit, kur më në fund, Rruga e Arbrit u lëshua, nisi jetën e saj, e ëndrra jonë u bë realitet. Tek shikoja nga ura e hekurt, lart, drejt fshatit Shkallë, m’u kujtua 24 qershori 1998, kur ishim nisur në këmbë për në Xibër. Kishim ecur gjithë ditën… muzgu i mbrëmjes na zuri në Shkallë, para shtëpisë së Hasan Dalliut, i cili nuk na la të vazhdonim, por na dha konak. Ajo natë është nga netët e mia me të paharruara.
Unë i kujtoja këto, ndërsa Ti nuk ishe aty atë ditë të inaugurimit …dhe po të mos kisha Bujarin në krah, unë do të ndjehesha krejt i vetëm, nuk kisha me kë t’i ngjallja kujtimet e mia. Bujari dhe unë kishim kujtime nga ajo kohë…
Ti nuk ishe Iljaz, …pesha e moshës…, por as Hamiti, as Bajram Totraku, as Maliq Bitri, as Kalosh Tomçini, as…as… ishin shumë ata që mungonin, që nuk ishin aty të gëzonim atë ditë… Ti nuk ishe atë ditë aty, por dhe ishe… ishe në themel të këtij projekti epokal, ti i paharruari ynë Iljaz Kaca, bashkë edhe me shumë e shumë të tjerë, që keni vënë përpjekjet, kontributin në themel të kësaj vepre, ishit e do të jeni gjithmonë.
Për mikun dhe shokun tonë të shtrenjtë, nga ky mëngjes i zymtë dhjetori e në të ardhmen koha ka një kuptim tjetër, ka kuptimin e veprës së tij. Ti i shtrenjti ynë Iljaz na le veprën tënde, shembullin tënd, devocionin dhe përkushtimin tënd për të mirën shoqërore, ndaj do të mbetesh gjithmonë i paharruar.
U prehsh në paqe dhe u nderofsh përjetë!