Pesha e gruas


Tregim nga Osman Xhili

Sabri Allamani po mendonte të fejojë e martojë, vajzën e fundit, Sabrijen. Kishte martuar pesë fëmijë deri atëherë, tre djem dhe dy vajza dhe kjo e fundit do të mbyllte ciklin e martesave . Një rezultat i barabartë, gjithsesi, tre nuse të marra dhe tre vajza të dhëna. Duke qenë dhe vetë mësues, kishte dashur ta shkollojë dhe më tej, por Sabria nuk kishte shkuar më shumë se shkolla e mesme. E kishte dashur shumë fëmijën e vogël, si bekim nga Zoti, ndaj kishte ngulmuar që dhe emrin ta kishte disi të ngjashëm e të afërt me të tijin. Shumë njerëz e fise të mira kishin ardhur për ti kërkuar dorën vajzës, por çuditërisht, tek fëmija i fundit, ai po stepej jo pak e nuk po vendoste akoma.
Por, një ditë teksa po mendonte për fëmijët dhe familjen, Sabriu u ndje disi në faj, se mos me hezitimin dhe refuzimet e tij, po i shkatërronte fatin vajzës. I dha udhë mendimit se duhej të bëhej disi më i vendosur në vendimmarrje. Kërkesën e parë serioze që do ti vinte në derë, do ta pranonte për mik. Një djalë nga fisi Delia, nga një fshat jo shumë larg e pati këtë fat. Ai u bë i fejuari e më pas burri i vajzës së Sabri Allamanit .
Në ato kohra, familja e djalit në një mënyrë a në një tjetër, sipas traditës, duhej tu paguante një shumë të hollash, miqve të palës tjetër. Nganjëherë, një nga burrat me qeleshe, e hiqte atë nga koka dhe e shtrinte drejt mikut, që ajo ti mbushej me para. Herë tjetër dikush nga pala e vajzës hidhte një shkrepse në drejtim të miqve. Kjo nënkuptonte, që pas numërimit të kokrrave në të, që zakonisht ishin pesëdhjetë, të konvertoheshin me po kaq kartmonedha mijëshe, që për kohën ishte një shumë e madhe. Kishte raste kur pala e vajzës thoshte se nuk jemi gati këtë vit për dasëm. Kjo do të thoshte se duhej një shumë parash e më pas arrihej dakortësia, pasi hidheshin në tavolinë datat e mundshme nga të dyja palët.
Sabri Allamani u konsultua me të shoqen dhe vendosën që të mos u kërkonin gjë miqve. Ata ishin në gjendje të mirë ekonomike. Nuk kishin pse ti rëndonin miqtë, kur vetë vajza e tyre do të ishte një nga personat që do ta paguante këtë dënim. Erdhi dhe dita, kur mes miqve do të përcaktohej viti dhe data e dasmës, që në gjuhën e popullit quhej “prerje e paçit”. Miqtë erdhën. Babai i djalit, daja dhe njëri nga djemtë. Nga të vajzës, ishte Sabriu, një xhaxha, dy vëllezërit dhe dy disa kushërinj të parë. U pinë kafet sipas zakonit dhe miqtë po prisnin se sa do të ishte shuma e kërkuar dhe si do të kërkohej ajo. Por nga ana e Sabriut as shkrepse nuk u hodh, as qeleshe për tu mbushur me para dhe asnjë kërkesë tjetër e këtij lloji. Meqë kishte ardhur koha për tu ngritur, vetë miqtë pyetën nëse ishte nevoja për ti ndihmuar me diçka.
-Jo, nuk është nevoja, të nderuar miq! – foli Sabriu. Ne duam vetëm respektin tuaj, siç do ta keni ju respektin tonë. Le të dalim pak jashtë traditës, duke krijuar një traditë akoma më të mirë.
Miqtë mbetën disi të habitur. Ngulmuan sërish për të lënë një shumë të vogël parash, por jo dhe ajo nuk u pranua. Nuk u mbetej gjë tjetër vetëm se të shtrëngonin duart, duke uruar për një miqësi të përjetshme.
Dasma e vajzës nuk kishte ndonjë emocion të veçantë, pasi Sabriu kishte bërë plot pesë të tilla. U ftuan plot miq e shokë, mish e pije me bollëk, urime për një miqësi sa më të gjatë, Sabria nuse me vello të bardhë e fotografi të shumta bardhë e zi të asaj kohe.
Kishin kaluar tashmë dy muaj që nga ajo ditë. Njerëzit e burrit e donin, por nganjëherë nusja e re kishte dëgjuar dhe fjalë nënçmuese për të. Sa herë që ajo mund të bënte ndonjë gabim të vogël, vjehrra dhe dy kunatat lëshonin disa romuze si nën zë, por që gjithsesi vinin deri te veshët e Sabries. – Hë, se nuk e kemi blerë shtrenjtë nusen, aq e ka kapacitetin- Sa herë që thente ndonjë pjatë, apo nuk kishte fshirë oborrin si duhej, ato do të thoshin se nuk jemi shpenzuar shumë për të. Ndonjëherë tjetër ishin shprehur për të se qenka peshë e lehtë.
Këto fjalë e romuze e mërzitnin pa masë nusen e re. Vallë, ky ishte shpërblimi për gjestin fisnik të babait të saj, që nuk u kërkoi para, siç kishin bërë shumë të tjerë, në mos të gjithë? Ajo kishte lënë shtëpinë ku kishte lindur, prindërit dhe njerëzit e saj të afërm, për të ngritur këtu folenë e re. Do ti donte njerëzit e burrit, ashtu siç priste që dhe ata ta donin po njësoj. I qe ankuar të shoqit dy tre herë, po ai nuk kishte guxuar ta qortonte të ëmën.
Kur njerëzit e burrit e dërguan për të qëndruar një javë te shtëpia e prindërve, Sabriu e pyeti vajzën se si po kalonte te shtëpia e burrit. – Mirë o baba, ashtu do të mësohemi pak nga pak. Por kjo përgjigje sikur nuk e bindi Sabriun. I dukej vajza disi e mërzitur, disi pa oreks, disi e dobësuar. Ai kishte qenë mësues gjithë jetën dhe njihte mirë psikologjinë e nxënësve, jo më vajzën e tij. – Ti diç më fsheh, moj bijë? A dhe nga ne prindërit mban sekrete? Mos nuk të japin ushqim mjaftueshëm? Vajza qeshi lehtë, duke e siguruar që vërtetë ushqimi ishte i mjaftueshëm dhe për të mos e lodhur babain me hamendësime të tjera i tregoi shkakun e vërtetë.
-Tani po e kuptoj arsyen, foli Sabriu mendueshëm. Domethënë, respektin tim për të mos i gjobitur e tu merrja paratë para dasmës, ata ma paskan marrë për dobësi. Dakort, e rregullon babai këtë punë.
Java e qëndrimit të vajzës kaloi shumë shpejt, sikur të qe një ditë e vetme. Kishte ardhur dita për ta dërguar Sabrien te shtëpia e burrit të saj, por babai nuk po thoshte asgjë, a thua kishte harruar ditën. Kaluan dhe tre ditë të tjera. Sabria nuk po e kuptonte çfarë kishte vendosur babai dhe i vinte zor ta pyeste. Kur ishin mbushur plot dhjetë ditë në oborrin e shtëpisë së tyre u shfaq vjehrri, hypur mbi një kalë me shilten mbi samar. Sabriu e pa nga dritarja dhe doli në oborr për ta përshëndetur. U futën brenda, u rregulluan në shiltet e mbushura me lesh delje, u pyetën për shëndetin dhe për punën e ndërkohë u bënë kafetë gati.
O miku Sabri! – foli vjehrri i vajzës. A thua kam gabuar unë, apo ke gabuar ti?
-Përse o mik, ku e kishe fjalën?-bëri Sabriu, kinse nuk e kuptoi ku po e rrihte miku muhabetin.
-Po sikur e patëm lënë që ta sillje ti para tre ditësh nusen tonë në shtëpi. Ose, po tëna kishe thënë se ishe i pamundur, do të vinim ne ta merrnim.
– O mik i nderuar!- e mori fjalën Sabriu. As unë nuk kam gabuar dhe as ti. Tjetërkund është problemi. U krijua një heshtje për pak kohë, që prishej vetëm nga zhurma e shurdhër që bënte kafeja, kur e thithnin burrat nga filxhanat. Më pas dhe një tringëllimë e lehtë, kur ata uleshin në tabaka.
– Ju erdhët të më kërkonit vajzën para dasme dhe unë dola nga tradita, duke mos pranuar t’ju merrja paratë. Më dukej, se ashtu po e shisja vajzën dhe po fyeja miqësinë e re. Ju, këtë ma paski marrë për dobësi. I keni thënë vajzës se ti nuk vlen, se ti aq peshë ke dhe plot fjalë të tjera nënçmuese. Tani, mesa duket, paska ardhur koha, që unë të reflektoj e ta ndreq gabimin tim. Jo më pesëdhjetë, siç është zakoni, por njëqind mijë lekë dua të mi sillni, nëse doni ta merrni vajzën time për nuse. Në të kundërt, brenda javës do ta martoj tjetërkund.
Miku përballë mbeti për një moment i tronditur. Kishte dëgjuar disa muhabete grashë, por nuk u kishte dhënë shumë rëndësi. Tani ishte vënë para dy alternativash për të zgjedhur. Në ato kohra gruaja ndahej dhe ikte vetëm për moral, apo për vjedhje. U ngrit në këmbë dhe një nerv po lëvizte në faqe, ashtu i pabindur. Sabriu e luti të qëndronte për drekë, por miku i tha se kishte lënë disa punë për të bërë dhe doli te dera. Tha se do ta bisedonte me djemtë dhe do ti luante fjalë brenda dy tre ditëve.
Kur arriti vjehri te shtëpia, pa e pasur nusen me vete, të gjithë u habitën. Ata e kuptuan që kishte ndodhur diçka e rëndë dhe mendja u shkoi se mos nusja kishte qenë e sëmurë. Të vërtetën do ta mësonin nga goja e kryefamiljarit. U tregoi se ku qëndronte problemi dhe u tha djemve se duhej ti gjenin lekët që ishin kërkuar e të shkonin të merrnin nusen në shtëpi. -Shumë mirë na e bëri! I kishi thënë se është pa vlerë. Paguani tani dyfishin e vlerës!
Një pjesë të parave i kishin vetë, një pjesë i gjetën në shokë dhe miq. Në krye të dy ditëve vjehrri shkoi sërish te shtëpia e nuses. Piu kafenë si i zënë në faj, la paratë që i ishin kërkuar në tabaka dhe kërkoi leje të niset. Ndërkohë dhe Sabria ishte bërë gati për të shkuar me të. Kaluan disa javë nga kjo ngjarje. Te shtëpia e burrit askush nuk fliste më me nënçmim e romuze, por e trajtonin me shumë dashuri e respekt.
Një ditë Sabriu bëri një vizitë dhe hëngri drekë te shtëpia e miqve. Kur po bëhej gati për të dalë, la në tabaka njëqind mijë lekët që u kishte kërkuar para disa javësh. Paratë e kishin bërë efektin dhe nuk i duheshin më.