Sofra e kullës së madhe në Lashkizë


Nga Shaqir Çerpja

Që nga koha kur u ndërtua kjo kullë, gati dy shekuj më parë, vitet dhe koha kanë ecur. Kanë ndryshuar brezat, ka ndryshuar dhe kulla, por nuk kanë ndryshuar themelet e saj. Kanë ndryshuar njerëzit, pasardhësit dhe trashëgimtarët e kullës, kanë ndryshuar edhe miqtë e saj, por nuk ka ndryshuar tradita, bujaria dhe mikpritja e kullës së Xheladin Hysës.

Kulla e Xheladin Hysës në Lashkizë

Lashkiza është fshat i thellë malor i Dibrës. Ka terren të thyer malor, me brinja e shpatet të pjerrëta, rrethuar me kodra, maja dhe male. Ka pak tokë rrafshe dhe pak tokë arë të punueshme. Për këto arsye, por edhe për shkak të dimrit të ftohtë e mungesës së infrastrukturës, gjatë tri dekadave të fundit, popullsia e këtij fshati ka lëvizur, janë larguar nga ky fshat dhe janë vendosur në zona të ulta, në Tiranë, Durrës, etj. Lashkiza është shquar për patriotizëm,  atdhedashuri dhe histori epike. Përkundër mundësive të pakta dhe të kufizuara për jetesë, banorët e Lashkizës janë shquar për zemërbardhë, mikpritje e bujari, siç ishte dhe është kulla, shpia dhe familja e Xheladin Hysës dhe pasardhësve të tij.

Ky fshat, fshati Lashkizë,  e ka marrë këtë emër, shumë më heret se të popullohej e të banohej nga banorët e parë të saj. Tregojnë se shumë herët, kur akoma nuk ishte populluar, ky vend ishte pyll, ku dominonte lajthia, por edhe shkoza, lisa e shkurre të tjera. Në krye të rrefshes e rrëzë shpatit shkëmbor ishte dhe është një burim i madh uji. Ishte një vend e një pyll shumë i mirë për kullotje e bagëtive e sidomos për kullotje  e dhive. Dhe, një ditë vere, një bari që po kulloste dhitë aty, po pushonte pranë burimit të ujit dhe kur u ngrit dhe u largua, harroi aty kizën (këmesë e vogël). Dhe, kur në mbrëmje u kthye me tufën e dhive në shtëpi, familjarët e pyetën se nga e kishte kullotur tufën e dhive, ai u tregon drejtimin nga i kishte kullotur dhitë dhe u thotë e u tregon se atje, tek burimi sipër pyllit me lajthi e rrëzë shpatit shkëmbor, kishte pushuar dhe atje kishte harruar edhe këmesën e vogël, kizën. Edhe të nesërmen, bariu, tufën e dhive e kishte çuar dhe e kishte kullotur përsëri aty,  ku e kishte kullotur edhe një ditë më parë. Kishte shkuar tek burimi dhe aty kishte gjetur edhe kizën, që e kishte harruar një ditë më parë. Dhe, kur në mbrëmje kthehet me tufën e dhive në shtëpi dhe familjarët e pyesin se nga i kishte kullotur dhitë, ai u përgjigjet shkurt: -Te lash krizën. Dhe që nga ajo kohë, shumë shekujt më parë, burimi i ujit dhe vendi morën emrin “Lashkizë”, (lash + kizën) lashkizën).

Më vonë vendi u popullua dhe u krijua fshati Lashkizë.

Mbi truallin e gurtë të Lashkizës malore, në krye të qendrës së Lashkizës dhe pranë burimit të madh të ujit, rreth dy shekuj më parë u hodhën themelet, ngriti muret dhe u lartësia e hodhi shtat kulla e madhe trekatëshe e Xheladin Hysës. Ishte kullë e madhe me tre kate,  rrethuar me avlli të lartë dhe me portë të madhe avllie sa mund të hynte e të dilte kali apo mushka me ngarkesë. Shumë vite pas ndërtimit të saj, disa dekada më parë, për nevojat e familjes, kulla u modifikuar pjesërisht. Kati i tretë i kullës u hoq dhe kulla u zgjeruar në anën anësore. Por, sidoqë kulla u modifikuar, përsëri kulla është aty, në atë vend, në atë truall,  mbi ato themele. Kulla vazhdon të jetë si më parë, e fortë, e qëndrueshme, e përdorshme, e banueshme. Ka ndryshuar pjesërisht vetëm forma dhe pamja e kullës, por nuk ka ndryshuar emri, tradita, bujaria dhe mikëpritja e kullës  së parë, të vjetër e të madhe, kullës së Xheladin Hysës në Lashkizë.

Bashkëshortët Xheladin Hysa dhe Baftie Kaca – Hysa

Kulla e Xheladin Hysës në Lashkizë ishte dhe është dëshmitare e historisë shekullore, historisë së rreth  dy shekujve, jo vetëm të Lashkizës dhe Dardhës, por edhe më gjerë. Bile, kjo kullë nuk është vetëm dëshmitare e historisë, por është edhe  pjesë e historisë. Kjo kullë ka qëndruar në ballë të historisë, të luftës dhe të ngjarjeve të tjera të kohës, jo vetëm duke strehuar patriot e luftëtar të shquar, por duke pritur plumba e flakën e zjarrit të barbarëve sllavë, të pushtuesve serbë,  të cilët dy herë i vunë zjarrin kullës, por kullën nuk e dogjën, kulla qëndroi e qëndron e fortë, si shkëmbi i Shkaurranit, sipër kullës e pranë kullës.

Kulla e madhe e Xheladin Hysës është trashëguar nga disa breza dhe tani përdoret nga nipat e stërnipat e Xheladin Hysës.

Kjo kullë kishte e ka emër jo vetëm në Lashkizë e në Dardhë. Por edhe në zonat e tjera. Ajo kishte  emër e zë, jo  vetëm për  lartësinë dhe madhësinë e saj, por për besën, mikpritjen dhe bujarinë. Dera e kullës ishte e hapur dhe sofra ishte e shtruar për dashamirës, miq e udhëtarë. Në atë kullë kishin ardhur e në sofrën e asaj kulle ishin ulur shumë burra me shumë zë dhe emër, prijësa të luftës e patriot të shquar të  çeshtjes sonë kombëtare,  si Elez Isufi e Suf Xhelili dhe miq të familjes si Mena i Lurës, etj. Bujaria shtronte dhe mbushte sofrën e Xheladin Hysës e besa ruante kullën, sofrën dhe miqtë. Varfëria fshihej, varfëria nuk fliste, sepse në këtë  kullë fliste e këndonte besa, bujaria dhe mikpritja.

* * *

Që nga koha kur u ndërtua kjo kullë, gati dy shekuj më parë, vitet dhe koha kanë ecur. Kanë ndryshuar brezat, ka ndryshuar dhe kulla, por nuk kanë ndryshuar themelet e saj. Kanë ndryshuar njerëzit, pasardhësit dhe trashëgimtarët e kullës, kanë ndryshuar edhe miqtë e saj, por nuk ka ndryshuar tradita, bujaria dhe mikpritja e kullës së Xheladin Hysës. Sigurisht, bujaria dhe mikpritja ka edhe shumë kosto, jo vetëm ekonomike. Në kullën dhe për kullën e Xheladin Hysës, sofra, bujaria dhe mikpritja e kësaj kulle, pati jo vetëm kosto ekonomike. Por më shumë se kosto ekonomike, pati kosto politike.

   Pas vendosjes së sistemit komunist në Shqipëri, pushteti dhe diktatura komuniste në Shqipëri, ndërtoi dhe përdori një strategji të egër për të dobësuar familjet dhe miqësitë e familjeve me reputacion, me peshë, me zë dhe me emër, në të gjithë vendin, por veçanërisht në veri, ku kjo strategji e egër u shoqërua me dhunë të egër, me dënime, internime e pushkatime. Dhe, pas ndëshkimit të rëndë ndaj familjes së madhe të pasardhësve të Elez Isufit e Suf Xhelilit, të familjes së madhe të Cen Elezit, si dhe dënimit dhe vrasjeve të shumë djemve e burrave të Menës në Lurë, radha i erdhi edhe Xheladin Hysës, se ishte miku i tyre dhe, sigurisht, i kishte prit e përcjell si miq. Se, kulla e Xheladin Hysës për miqtë kishte dhe jepte bukë e besë. Dhe pushteti e diktatura komuniste sajoi, montoi, ndërtoi e ngriti akuza absurde dhe Xheladini u burgos, u dënua dhe bëri disa vite burg. Por, me gjithë burgosjen dhe dënimit me disa vite burg të Xheladinit, kullën nuk e trembi as dënimi, as hija e persekutimit. Kulla nuk e ndryshoi traditën, nuk e zbehu e nuk e zvogëloi bujarinë dhe mikpritjen, nuk e mbylli derën dhe nuk e ndërroi e nuk e fshehu sofrën.

   Por edhe miqtë e Xheladin Hysës nuk u trembën nga hija e persekutimit politik të kullës. Miqtë nuk e ndalën rrugën. Përsëri, në kullën e tij vazhdonin të vinin miq e dashamirës. Bile vinin edhe nëpunës e pushtetarë të kohës. Familja e Xheladin Hysës ishte familje e madhe, me shumë anëtarë, me rreth të madh miqësor, me shumë hyrje e dalje dhe ndonëse nuk kishte burime të mjaftueshme të ardhurash, çuditërisht, familja e tij, në çdo periudhë kohe kishte gjendje ekonomike  të qëndrueshme dhe të stabilizuar.

* * *

Nga martesa e parë, Xheladin Hysa pati vetëm një djalë, Xhemaliun, i cili mbeti jetim, sepse nëna e tij vdiq në moshë shumë të re. Ndërsa nga martesa e dytë me Baftie Kacën nga fshati Tartaj,  nuk patën fëmijë. Por, fatmirësisht, djali i tij, Xhemaliut  u rrit, u martua me Bardhe Laçin nga Gjurrë-Reçi dhe patën shumë fëmijë, pesë djem e katër vajza, njëra nga të cilat vdiq në moshë të vogël. Dhe, Xheladini e Baftia nuk e ndjen mungesën e fëmijëve të tyre, sepse u bënë me shumë nipa e mbesa dhe shtëpinë e kishin plot, sytë plotë e zemrën plotë.

Edhe pse Baftia nuk lindi fëmijë, martesa me Baftie Kacën ishte fat për Xheladin dhe fat e mbarësi për familjen, shtëpinë dhe kullën e Xheladinit, sepse Baftie ishte një grua zonjë, një grua burrneshë,  fisnike, e zonja, e gjallë dhe energjike, e zgjuar, e shkathët dhe e papërtuar, jo vetëm për punë, por  dinte të drejtonte dhe administronte ekonominë familjare. Ishte grua e fortë dhe nismëtare, guximtare dhe krenare.

Edhe pse Baftia nuk lindi e nuk pati fëmijë, as ajo as Xheladini nuk e ndjen mungesën e dashurisë prindërore, sepse të gjithë nipat dhe mbesat e tyre, fëmijët e Xhemaliut e Bardhes, i deshtën dhe i respektuan gjithmonë, gjithë jetën. Të gjithë e deshtën si nënë dhe e  thirrën “Nëna e madhe”. E thirrën “Nëna e madhe”, se ajo e meritonte këtë emër, se ajo i donte dhe kujdesej për ta tamam si nënë. Ajo ishte “nënë e madhe”, se ishte si nënë, jo veç për nipat e mbesat, fëmijët e Xhemaliut e Bardhes, por për gjithë fëmijët e lagjes, fisit e fshatit të Lashkizës.

Baftie Kaca e ka merituar respektin e të gjithëve, prandaj, ajo dhe emri i saj kujtohen e do të kujtohen me shumë respekt e mirënjohje.