Dr. Nevruz Bara, kirurgu me shpirt human


Nga Shaqir Çerpja

Historia e Dardhës i ka themelet në heroizëm dhe në qëndresë heroike përballë armiqve e pushtuesve të huaj. Në historinë epike të Dardhës ka themelet, buron e merr jetë arti, folklori, kënga dhe vallja. Dardha shquhet dhe është e afirmuar për art e artist. Dardha shquhet dhe është e afirmuar edhe për njerëz të dijes, intelektualë e profesionist. Njëri prej tyre është Nevruz Bara. Ai mësoi, studioi, punoi me shumë vullnet e këmbëngulje dhe ngjiti shumë suksesshëm shkallët e dijes e të karrierës profesionale. Me punë dhe nëpërmjet punës, duke punuar me pasion dhe përkushtim maksimal në shërbim të njerëzve, ai krijoi një profil të spikatur njerëzor dhe profesional dhe me shumë mirënjohje dhe respekt është çmuar e vlerësuar nga të gjithë njerëzit që e njohin, veçanërisht nga ata që u ka shërbyer dhe u shërben.
Nevruz Bara është biri i denjë dhe djali i bekuar i Dardhës dhe Dibrës, nga të cilat merr dhe të cilave u jep krenari. Ai u lind në pranverë të vitit 1962 në Zall-Dardhë. U lind, u rrit dhe u edukua në gjirin e një familje të thjeshtë, por shumë të respektuar e të nderuar, jo vetëm në zonën e Dardhës, por edhe më gjerë. Dy prindërit e tij, Ramadan e Xhilkë Bara, dy njerëz të dashur e dashamirës, të qetë e të urtë, shumë punëtorë, të papërtuar dhe të palodhur, punuan me shumë përkushtim dhe i rritën dhe i edukuan fëmijët e tyre me dashurinë për njëri-tjetrin, për njerëzit, për punën e shoqërinë. Dhe, fatmirësisht, të gjithë fëmijët e tyre u bënë shembullorë. Shembullorë në familje, në shkollë, në punë, në shoqëri.
Shkollën 8-vjeçare dhe shkollën e mesme i kreu në vendlindje me rezultate shumë të mira. Ishte djalë dhe nxënës i qetë, i urtë, i sjellshëm, i kulturuar dhe shumë korrekt. Ishte nxënës shembullor. Shembullor në sjelljet, shembullor në mësime. Rezultatet e larta në mësime, por edhe cilësitë e veçanta njerëzore, karakteri, vlerat e virtytet e spikatura njerëzore e ndihmuan, i hapën derën, shtegun dhe udhën për të vazhduar studimet e larta në degën e zgjedhur dhe më të preferuar, jo vetëm atëherë, në atë kohë, por edhe në këtë kohë, për mjekësi. Sigurisht, kjo nuk ishte një mundësi e shans i rastësishëm, por ishte një përzgjedhje e studiuar mirë dhe e konsultuar e dakortësuar midis organeve vendimmarrëse në bazë e në rreth. Ishte një vlerësim i madh për Nevruzin, por më shumë se vlerësim për Nevruzin, ishte shans për njerëzit që do t’u shërbente Nevruzi.
Në periudhën 1982-1987 vazhdoi, kreu dhe përfundoi studimet e larta në fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Tiranës dhe u diplomua mjek i përgjithshëm. U kthye në vendlindje, ku u emërua mjek në qendrën shëndetësore në Zall-Dardhë. Ndonëse i ri, jo vetëm në moshë, por edhe në punë e profesion, ai e nisi punën me shumë dëshirë, punoi me shumë vullnet e përkushtim për të kryer detyrën, për t’u shërbyer njerëzve, banorëve të vendlindjes, dërnjanëve të Dardhës së tij, të Dardhës sonë, por edhe më gjerë. Dashuria për punën dhe profesionin, kultura e komunikimit dhe shërbimit, gadishmërisë për t’u shërbyer njerëzve kudo e kurdo, në çdo kohë, ditën e natën, jo vetëm në qendrën shëndetësore, por edhe në çdo fshat, në çdo lagje, shtëpi e familje, bënë që puna e tij të çmohej e vlerësohej shumë, ndërsa Nevruzi të respektohej nga të gjithë banorët, në të gjithë fshatrat e Dardhës, por edhe nga banorët e fshatrave përreth. Puna dhe përkushtimi i tij tërhoqi vëmendje dhe mori vlerësim edhe nga institucionet shoqërore e shtetërore në bazë e në rreth, të cilat e përzgjodhën Nevruzin, që të vazhdonte e studionte më tej, për t’u specializuar, që t’i shërbente, jo veç vendlindjes, por edhe vendit e atdheut. Pas dy viteve punë të suksesshme në qendrën shëndetësore në Zall-Dardhë, Nevruzi iu dha e drejta dhe në periudhën 1990-1994 përfundoi studimet post universitare, ku u specializua kirurg i përgjithshëm. Sigurisht, në vetëdijen e tij prej intelektuali të formuar, studimet post universitare dhe specializimi për kirurgji, ishin një vlerësim i madh. Më shumë se shans për Nevruzin, ky ishte një shans për njerëzit që do t’u shërbente Nevruzi. Sigurisht, në vetëdijen e tij, ndjente përgjegjësinë e madhe, që kishte profesioni delikat i mjekut kirurg. Dhe, tek ndjenja e përgjegjësisë për profesionin e mjekut kirurg, niste dhe buronte dëshira, vullneti, energjia, përkushtimi dhe këmbëngulja e Nevruzit për të përvetësuar në rrënjë e themel, teorinë shkencore dhe praktikën profesionale, jo vetëm për të justifikuar besimin e organeve shtetërore e shoqërore, por në radhë të parë, për të qenë i aftë, në lartësinë e detyrës dhe kërkesave të kohës, të punës e të profesionit, për t’u shërbyer njerëzve, jo vetëm me dëshirë, durim e përkushtim, por edhe me besim, siguri dhe kurajë profesionale.
Pas studimeve postuniversitare dhe specializimin për kirurg i përgjithshëm, emërohet mjek kirurg në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku punoi në periudhën 1994-2016, plot njëzetë e dy vjet. Gjatë kësaj periudhë të gjatë pune dhe shërbimi në Spitalin Rajonal të Lezhës, krahas punës e shërbimit si mjek kirurg, ka kryer edhe specializime të ndryshme, punë e detyra të tjera. Në periudhën 2010-2016 ka kryer edhe detyrën e drejtorit të Spitalit Rajonal Lezhë. Gjithashtu, në periudhën 2009-2013 ka qenë edhe anëtar i këshillit të bashkisë Lezhë. Ndërsa në periudhën 2004-2014 ka qenë edhe pedagog i jashtëm në fakultetin e shkencave mjekësore. Ka kryer specializime të ndryshme, brenda e jashtë vendit, si në Itali, Zvicër etj.
I pajisur me dije dhe aftësi teorike e praktike, me eksperiencë e përvojë profesionale, në periudhën 2010-2015 vazhdon studimet plotësuese në Universitetin e Mjekësisë, ku merr gradën shkencore “Doktor shkencash”.
Gjatë punës shumëvjeçare në Lezhë, Nevruzi fitoi eksperiencë e përvojë, jo vetëm profesionale, shërbeu me përkushtim dhe dha kontribut të çmuar, jo vetëm për spitalin, por edhe për qytetin dhe krijoi profilin e një intelektuali të formuar, një profesionisti të aftë e të përkushtuar, të një drejtuesi të zot e kompetent. Sigurisht, puna e gjatë si mjek, por dhe si drejtor spitali, e ka ballafaquar Nevruzin me shumë pengesa e vështirësi, me problematika të vështira dhe të ndërlikuara, por ai, me kurajë, me zgjuarsi e mençuri, me kulturë e tolerancë, i ka përballuar, i ka kapërcyer dhe i ka zgjidhur me sukses.
Që në fillim të punës së tij në Lezhë, Nevruzi u ambientuar me punën dhe qytetin, u miqësia me qytetarët. Në Lezhë punoi, jetoi, shërbeu, fitoi përvojë, krijoi, ndërtoi e ngriti karrierën e tij profesionale, njohu njeriun e jetës e krijoi familjen e tij të re, rriti dhe edukoi fëmijë. Lezha e priti si djalë, si mjek dhe e përcolli si hero, por përsëri e pret si hero.
Pas një pune të sukssesshme e jete të bukur në Lezhë, ku Lezha dhe Nevruzi lanë gjurmë të çmuara në jetën e njëri tjetrit, në vitin 2016 Nevruzi transferohet në Tiranë dhe emërohet e nis punë kirurg në spitalin “Shefqet Ndroqi” (sanotorium), ku punon me përkushtim dhe kurajë në shërbim të njerëzve, duke u ballafaquar me vështirësi , lodhje, mundim e stërmundim, duke qenë direkt i ekspozuar me rrezikun e sëmundjeve të ndryshme, veçanërisht me epideminë e korona virusit. Njëkohësisht është edhe pjesë e stafit akademik, pedagog në universitetin “Aldent”. Nevruz Bara, në vitin 2018, ishte i pari mjek në shkallë vendi, që iu përgjigj thirrjes emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë, për të shkuar e shërbyer përkohësisht kirurg në Spitalin Rajonal të Kukësit, ku mungonte mjeku kirurg.
Dr. Nevruz Bara ishte dhe është në krye e në ballë të punës, në ballë të vështirësive. Ai është korrekt, i përgjegjshëm, i përkushtuar dhe i papërtuar për t’u shërbyer njerëzve. Mendimet, fjala, këshillat dhe sugjerimet e tij përcjellin mirësi, japin e mbjellin shpresë dhe krijojnë besim.
Ajo që e dallon dhe e bën të veçantë, ajo që e bën personazh dr. Nevruz Barën, është zemërbardhësia dhe shpirti human i tij. Ai e ndjen në zemër dhe e përjeton në shpirt dhimbjen fizike të pacientit dhe vuajtjen shpirtërore të familjarëve të tyre. Dhe punon maksimalisht për t’u shërbyer atyre, pa asnjë dallim e paragjykim. Me punë të palodhur, me përkushtim maksimal dhe shërbim korrekt, dr. Nevruz Bara ka krijuar profilin njerëzor, intelektual dhe profesional. Modeli i tij i spikatur si njeri, si intelektual dhe si profesionist, i bën nder dhe nderon punën, profesionin dhe detyrën e mjekut, por i bën nder dhe nderon dhe vendlindjen e tij, Dardhën dhe Dibrën.
Dr.Nevruz Bara është njeri fisnik dhe mjek model, me shpirt human.