Ëndrrat e Lulzimit, nga bujqësia e blegtoria, deri te turizmi


Nga Osman Xhili

Është shumë vështirë të gjesh dikë nga fshati i Obokut, në Maqellarë e të mos jetë i dalluar në tregti, bujqësi e blegtori. Lulzim Abazi bën pjesë tek ky grupi i dytë i njerëzve, pra që i janë përveshur bujqësisë e blegtorisë dhe përpjekjet e tij ka kohë që kanë çelur lule e dhënë fruta të shëndetshëm. Secili prej nesh do të dëshironte ta kishte Lulzimin në grupin e miqve të tij të nderuar, pasi nga njerëzit e punës vetëm mirësi e lumturi përfitojnë të tjerët.

Pas shumë vitesh në emigracion, Lulzimi kthehet në vendlindje, për të mos u kthyer më andej. A nuk i mjaftonte vallë vendlindja për të mbajtur dhe ushqyer familjen e tij? A nuk ishte toka e tij po aq pjellore, sa dhe ajo italiane? Vështirë të gjendej lloj fruti, apo perime që nuk prodhohej në fshatin e tij, madje shumë organike, pasi dhe vaditja bëhej me ujërat e kristalta të maleve, që ngrihen krenarë sipër fshatit.

FRUTA DHE PERIME
Një hektarë tokë Lulzimi e ka të mbjellë me pemëtore. Tre dynymë mollë të llojeve Starking, Grin Smith dh Jona Gold janë mbjellë para shtatë vitesh e tani janë në kuota maksimale. Po kaq sipërfaqe është e mbjellë me qershi dhe pjesa tjetër që plotëson sipërfaqen është mbjellë para tre vitesh me lajthi. Të gjitha këto janë një aset i çmuar i kësaj familje dhe pse shpesh tregu është i vështirë dhe problematik. Por as këtu frutat nuk kanë të mbaruar, pasi Lulzimi zotëron dhe dy zabele me gështenja dhe dushqe, ku krahas kuintalëve me fruta, ai siguron dhe drutë e dimrit për familjen e tij.
Kultivimi i perimeve është po aq i shtrirë në kohë për familjen e Lulzimit . Ai për çdo vit mbjell gati pesë dynymë me kultura të ndryshme . Këtë vit arriti të marrë 40 kuintalë patate “Agria”, shumë të shijshme e të pëlqyera nga tregu. Lulzimi prodhon 100 kuintalë domate të llojit “Ahmati”. Ai i sistemon bimët në rreshta të gjatë, të sistemuar në katër kate, me një prodhimtari që e shpërblen mundin e bërë. Këtyre shifrave u shtohen dhe 50 kuintalë lakra të prodhuara, 40 kuintalë qepë, 5 kuintalë hudhra, kunguj e plot asortimente të tjerë. Duhet theksuar se këtë vit çmimet e shitjes për fermerin kanë qenë mjaft të leverdishme. Falë dhe kësaj dukurie, pa frikë mund të themi se vetëm nga perimet Lulzimi fitoi gati sa rroga vjetore e tre mësuesve. Normalisht, është dashur shumë punë e sakrifica për të ardhur në këtë përfundim, por familja e bashkuar ka ditur të bëjë realitet synimet e fillimvitit.

SYTË DHE NGA BLEKTORIA
Që kur u kthye nga emigracioni, Lulzimi ndërtoi një stallë të madhe me sipërfaqe, 100 metër katror, ku futi 100 kokë dhen. Tetë vjet Lulzimi u shërbeu atyre dhe dhentë i shërbyen atij, duke i dhënë qumësht e qengja. Më pas e ndërpreu këtë aktivitet, jo se ishte i pakënaqur, por se donte të eksperimentoje me të tjera prova, për të parë rentabilitetin e secilit .Tre ose katër lopë janë gjithmonë prezente në stallën e tij, por ai dëshiron të ndryshojë strukturën. Mendon ti heqë ato dhe të marrë pesë apo më shumë lopë të racës Simental nga Kosova.
Lulzimi e kupton se terreni kodrinor dhe malor i fshatit të tij është mjaft i përshtatshëm për mbarështimin e dhisë. Ai mendon të krijojë një tufë prej 50 kokësh si fillim dhe më pas duke parë e duke bërë.
Në udhën e vështirë të këtij biznes, Lulzimi ka pasur mbështetje familjen e tij, bashkëshorten e palodhur dhe dy djemtë, Albinin dhe Premtimin, që tashmë i janë bërë krahë dhe po ja lehtësojnë mjaft situatën. Atij i dhanë mbështetje edhe shumë fermerë të tjerë të Maqellarës, pa ndihmën e të cilëve nuk do ishin arritur këto rezultate.
Fondacioni “Agrinet Albania” me qendër në Korçë, ishte njëri prej tyre. Drejtori Tomi Pikuli, profesor Ylver Bylykbashi e shumë të tjerë u bënë miq të ngushtë të fermerëve dibranë, duke u dhënë gjithë eksperiencën dhe teknologjinë për të arritur rezultatet e dëshiruara.Me ndihmën e tyre ata u bashkuan në shoqatë, organizuan festa e takime të ndryshme, mësuan së bashku si të bëjnë trajtimet kimike kundër shumë sëmundjeve e dëmtuesve të tjerë. Përfituan eksperienca nga pothuaj gjithë Shqipëria, por jo vetëm. Vijuan me vizita në Kosovë, në Maqedoni, në Greqi e shumë vende të tjera.
Jo pak me interes për Lulzimin dhe gjithë fermerët e Dibrës ishte bashkëpunimi me organizatën “World Vision”. Prej tij u përfituan fidanë arash, gështenjash, apo fidanë lajthish. Jo vetëm kaq, por dhe pula për vezë, arka frutash 20 kg dhe pompa spërkatëse ishin pjesë e këtij projekti.
Një tjetër fondacion u tregua shumë bujar për Lulzimin dhe fermerët e tjerë dibranë. Bëhet fjalë për “Saredin” dhe koordinatorin e tij të shkëlqyer, ekonomistin Dali Horeshka. Lulzimi përfitoi një traktor tëri “Londin” me 50 kuaj fuqi, por do të thoshim që dhjetë fermerë të tjerë nga Maqëllara e patën të njëjtën mundësi.
Të gjithë këta fondacione, organizata, apo miq të mirë e bujarë e bënë më të lehtë ecjen e Lulzimit dhe të fermerëve të tjerë drejt objektivave gjithnjë në rritje. Ata u dhanë të kuptojnë se kjo botë qenka shumë diverse, se nuk paska vetëm ujqër e tigra, por dhe njerëz të mirë e me zemër të madhe, që dinë të dhurojnë nga pasuria e tyre, për ti bërë të tjerët të lumtur.
Krahas bujqësisë e blegtorisë, Lulzim Abazi i ka hedhur sytë drejt turizmit. Ndoshta nuk u shprehëm në mënyrën më të bukur, pasi krijuam idenë se dy të parat janë një gjë, kurse turizmi është një gjë tjetër. Në fakt, të tre këto vektorë shkrihen e bashkohen në një të vetme dhe i shërbejnë njëri tjetrit. Lart fshatit të tij Obokut, atje ku dushku i liron pa luftë vendin ahut, aty ku fillojnë livadhet alpine, Lulzimi ka në zotërim një pronë të bukur prej gati gjashtë dynymë. Aty ka pyje, ka drunj ahu, drunj pishe, aty ka burim me ujë të kristaltë, aty ka aguliçe, hithra, mullaga, lisna. Ka dhe mollë e qershi të egër, kurse pak më lart shtrihet populacioni i boronicës.
Ideja e ngritjes së një bujtine në këtë vend, nuk është as e re dhe as e rastësishme. Që para katër vitesh Lulzimi kulloste këtu tufën e tij të dhenve dhe shijonte bukuritë përrallore të këtyre lartësive. Por nuk ishte i vetëm. Turistë çekë, polakë dhe italianë bashkoheshin hera herës, në mënyrë spontane, duke marrë në këmbim dashuri, mikpritje, besë dhe ushqimet bio të stanit. Që nga fshati i Popinarës deri këtu duhet hapur një rrugë vetëm pesë kilometra. Më tej disa shtëpiza guri, apo druri, një kuzhinier i mirë, që mund të jetë njëri nga djemtë e Lulzimit. Qumështi, mishi, djathi që pritet me thikë, mollët, arrat e plot asortimente të tjerë do tu serviren miqve që do të vijnë nga larg dhe nga afër. Ëndrra e Lulzimit nuk është larg, nuk është e parealizueshme. Vetëm pak guxim, pak vizion, pak ndihmë dhe ajo do të shndërrohet në realitet.