Motra ime, Shqipja


Nga Osman Xhili

Motër e dashur! Ti sapo mbushe 80 vjeç dhe unë mbeta për pak i hutuar. Krahas një komenti apo postimi të thjeshtë në rrjetet sociale, desha të të dhuroj diçka apo të të bëja një surprizë të vogël. Nuk di vërtet! Ti sot jeton në Kanada, larg nesh. Pasi u mendova dhe pak akoma, vendosa të të kushtoja një shkrim, që është fare pak për veprimtarinë tënde, me të cilën çdo njeri mund të krenohej pa frikë.
Ti ishe gjithë kohës një nxënëse dhe mësuese e shkëlqyer. Prindërit tanë kënaqeshin me arritjet e tua. Në vitet e mëvonshme, krahas mësimeve, shquheshe dhe në aktivitete të ndryshme, që zhvilloheshin me raste festash e përvjetorësh të ndryshëm.
Ishte 25 prilli i vitit 1953, dita e kufirit. Një moment i tillë vlerësohej shumë asokohe dhe shkolla shtatëvjeçare e Maqëllarës jepte një koncert me këngë e recitime për kufitarët e postës së Bllatës. Mes shumë nxënësve të tjerë të talentuar, motra Shqipe, atëherë në klasën e gjashtë, u paraqit me një recitim mjaft të bukur e prekës. Titullohej “Vdekja dhe ushtari”. Tregonte për një ushtar sovjetik, Vasil Terkinin, të plagosur rëndë në frontin e luftës. Dhe pse kanë kaluar shumë dekada që atëherë, motra Shqipe akoma i mban mend mbi 30 strofë të kësaj poezie.
Lufta ndizej flakë e zjarr,
Thellë fushës me gjëmim,
Vasil Terkini, ushtar,
Dergjej shtrirë si i pafrymë…
Njerëzit e shumtë që ndiqnin koncertin vërtet u mrekulluan nga interpretimi brilant i vajzës trupvogël dhe e duartrokitën gjatë. Këto do të ishin vetëm hapat e parë të saj në rrugën e gjatë të suksesit, që arrihet pas vështirësive të panumërta.
Shqipja e mbaroi shtatëvjeçaren me rezultate të shkëlqyera. Ishin vite të hershëm dhe vendi kishte shumë uri për mësues, qofshin këto dhe pa përfunduar shkollimin e plotë. Motrën e kërkuan të punojë si mësuese me fëmijët e kopshtit. Ajo kujton se i erdhi një kontroll nga seksioni i arsimit të rrethit. I dërguari i seksionit të arsimit, Xh. Berisha, mbetet i habitur nga njohuritë që kishin fëmijët e kopshtit dhe kompetenca në të shpjeguar e edukatores së re. Ishte kjo punë dhe këto vlerësime pozitive, që edukatorja e re të kalojë tashmë si mësuese në cikël të ulët, punë që e vazhdoi derisa doli në pension.
Ishte viti 1961, kur Shqipja largohet nga shtëpia prindërore për tu bërë nuse e Fidallarëve të Grevës. Ajo mbaron shkollën pedagogjike në Tiranë dhe në Elbasan, duke kompletuar njohuritë në shkenca dhe pedagogji, gjëra këto që do t’i transmetonte më së miri te nxënësit e saj. Shumë drejtorë me të cilët punoi, Tush Topuzi, Avni Fida, Kimete Kata, Gani Hoxha e të tjerë, thonë fjalët më të mira për Shqipen dhe se nuk ishte nevoja të kontrollonin klasën e saj. Ata madj dëshironin që ajo të mbante gjithnjë klasën e parë, pasi ishte bërë një metodiste shumë e zonja. Nuk kishte raport në mes apo në fund të vitit, që mbante drejtoria, dhe të mos përmendej emri i saj si mësuesja më e dalluar e kolektivit.
Në një nga kontrollet që vinin nga lart, Todi Lubonja veçon mësuesen e përkushtuar Shqipe Fida, duke shkruar tek gazeta “Mësuesi” e asaj kohe. “A e njihni?” – fillonte artikulli. “Të gjithë duhet të marrim shembull prej saj.” Dhe vazhdonte më pas, duke përshkruar me detaje arritjet dhe punën e saj shembullore.
Pak kohë më pas, seksioni i arsimit në rreth propozon mësuese Shqipen për dekoratën “Naim Frashëri”. E menjëhershme ishte përgjigjja pozitive dhe në koleksionin e medaljeve dhe certifikatave të fituara u ishte shtuar dhe një tjetër, shumë e rëndësishme si kjo.
Aktiviteti i përditshëm i mësuese Shqipes ishte shumë i ngjeshur e rezultativ. Ajo ishte mësuese, ishte nënë me shumë fëmijë, por dhe një aktiviste shoqërore, që kërkonte përparim në çdo fushë të jetës. Zgjidhet kryetare e gruas për fshatin. Bashkë me shumë shoqe të saj, si Lule Korumin, Fllanxa Hoxhën e shumë shoqe të tjera punojnë fort për të gjallëruar jetën e fshatit me aktivitete e veprimtari të ndryshme.
Në një nga kongreset e gruas, që mbaheshin në Tiranë, motra do të ishte njëra nga delegatet e këtij Kongresi. Në përfundim të punimeve ata vizitojnë ferma të ndryshme dhe përfitojnë nga eksperienca e grave të suksesshme.
Por ky nuk ishte i vetmi kongres ku mori pjesë. Në cilësinë e anëtares së këshillit për frontin demokratik të rrethit, ajo merr pjesë si delegate e njërit prej kongreseve të këtij forumi të rëndësishëm për kohën.
Për shumë vite me radhë Shqipja do të zgjidhej si anëtare e këshillit të bashkuar për zonën e Melanit. Me vërejtjet e sugjerimet e saj konstruktive bëhej pjesë e zgjidhjes së problemeve të ndryshme, që shtroheshin për diskutim.
Shqipja pranoi dhe një varg detyrash të tjera shoqërore, por unë do të desha ta përmbyll këtë cikël me të qenit si kryetare gjykate për fshatin. Ishte vërtetë çështje delikate për kohën të ishe në një pozicion të tillë. Duhej të jepje dënime dhe për pak gojë ushqim që lopa e fshatarit përlante nga prona kooperativiste apo se një fëmijë i vogël ishte tunduar të marrë ca kokrra qershi nga një pemë diku pranë shtëpisë së tij. Por më e bukura mund të ishte se kooperativa i kishte marrë dhjetëra pemë, disa dynymë apo hektarë tokë, familjes në fjalë. Kryetarja e gjykatës i mendonte të gjitha këto, bile vetë ajo i kishte dorëzuar me hir apo me pahir disa hektarë tokë. Ndaj përpiqej që të jepte dënime sa më minimale, pasi i donte dhe i dhimbseshin njerëzit e thjeshtë e të varfër.
Në gjithë këtë front të madh angazhimesh ajo kurrë nuk harroi atë më kryesoren, familjen. Fati e deshi që të kishte për bashkëshort një burrë fisnik, Murat Fidën. Bashkë krijuan një familje vërtet për t’u pasur zili, plot tre vajza e dy djem, siç ishin të mëdha familjet e asaj kohe. Fëmijët u rritën, u shkolluan, por morën dhe një edukatë të shëndoshë, që të ishin pika referimi në shoqëri. Të tria vajzat: Zamira, Liljana dhe Sosina mbaruan shkollimet e larta për mësuesi. Zamira mbaroi për gjuhë të huaj dhe letërsi. U martua në Bellovë me inxhinier Maksin, zbritën në Peshkopi, më pas ndërtuan shtëpi në Tiranë, ku u bë nëndrejtoreshë shkolle. Por fluturimi i saj nuk u ndal sërish. Aplikoi dhe fitoi një lotari kanadeze dhe ka mbi njëzet vite që punon e jeton familjarisht atje, duke fituar dhe një profesion tjetër, si specialiste dentare. Katër fëmijët e vajzës tjetër, Liljanës, kanë mbaruar shkollimet e larta për inxhinieri, ashtu si Veliu, babai i tyre dhe po bëjnë emër në këtë profesion të vështirë. Po kaq e talentuar Sosina, me dy fakultete të kryera dhe me fëmijë shumë inteligjentë.
Dy djemtë; Avdiu me emrin e gjyshit dhe Armondi mbaruan gjimnazin dhe nuk arritën dot të vazhdojnë shkollimet e larta. Jo se u mungonte inteligjenca, por donin t’i bëheshin krah familjes. Emigruan në Greqi, ku punuan e fituan, blenë truall e ndërtuan shtëpi të bukura në Tiranë. U martuan me dy zonjusha të nderuara, Mondën, mësuesen e përkushtuar dhe Mozën, menaxheren perfekte nga familja Biba e Qafëmurrës. Sot ata menaxhojnë secili biznesin e tij, kurse fëmijët e tyre po plotësojnë dëshirën e etërve për shkollime të larta.
Para dy vjetësh fshati ynë bëri një aksion të rëndësishëm për rrethimin e varrezave, mbjelljen e bredhave dhe ndriçimin. Me të marrë vesh për këtë nismë të bukur, motra Shqipe, bashkë me vajzën e saj, Zamirën, dërguan një shumë të konsiderueshme të hollash, si kontribut për aksionin tonë. Ajo nuk e harron origjinën, vendin ku u lind, u rrit dhe hodhi hapat e para të shkollimit dhe edukatës.
Jeta e njeriut është sa e bukur, aq dhe me goditje e vështirësi. Në këtë betejë motra ka humbur bashkëshortin dhe vajzën e mesit, Liljanën. Zemra e saj është pikëlluar jo pak, po sërish ka ditur të menaxhojë dhimbjen, kur sheh aq shumë fidanë të shëndetshëm, që e rrethojnë dhe zbukurojnë jetën e saj.
Motra Shqipe, shqipja e maleve që fluturon në lartësi e ka ndalur fluturimin në Kanada. Atje kanë krijuar një oaz të këndshëm pune e jete dhe shumica e familjes është transferuar atje. Është bërë disa herë gjyshe e stërgjyshe dhe i mëson nipërit e mbesat me të njëjtin përkushtim si nxënësit e shkollës dikur.
Urime motër e dashur! Sa më shumë vite të lumtura pranë familjes tënde të mrekullueshme!