Udha e një Gjenerali


Nga Haki Përnezha

Gjeneral Bitri: “Përjetoj emocionet e një ëndrre tek e cila guxova të besoja. Nderin dhe privilegjin që më bëhet sot ia dedikoj një “liste” të gjatë njerëzish me të cilët më lidhin 36 vite në Forcat e Armatosura.
Faleminderit atyre me të cilët kam punuar e punoj. Me kanë ndihmuar e mësuar të çmoj integritetin, virtytin dhe moralin. Kanë qenë e janë shembuj frymëzimi e lidershipi. Më kanë dhënë besim, më kanë mbështetur e më kanë vlerësuar e për këtë ju jam edhe mirënjohës.

Ministri i Mbrojtjes: “Ishte një promovim i merituar. Në kuadër të Aleancës apo dhe në kuadrin rajonal kemi rol të rëndësishëm për të luajtur. Për këtë na duhet dije, na duhet forcë e kompletuar dhe përgjegjshmëri. Njerëz si gjeneral Bitri vijnë në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në pozicionin e duhur. Respektoj kontributin jetësor të gjeneral Bitrit në Forcat e Armatosura dhe inkurajoj ushtarakët e tjerë dhe ato që tani rekrutohen të shohin këtë rrugëtim të suksesshëm dhe të motivohen”.

Më 13 janar në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes u organizua një ceremoni zyrtare, ku kolonel Bilbil Qazim Bitrit iu dorëzua grada e lartë “Gjeneral brigade”, të akorduar nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, me dekretin nr. 13409, datë 5 janar 2022.
Ceremonia e vendosjes së gradës u zhvillua në praninë e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, komandantëve të forcave dhe atyre mbështetëse, kolegëve dhe familjes së gjeneral brigade Bitri.
Në fjalën e tij ministri Peleshi u shpreh i gëzuar që në kuadër të procesit të promovimit të ushtarakëve me gradë madhore, Forcave të Armatosura dhe “trupës” së gjeneralëve të promovuar pak javë më parë i shtohet dhe një gjeneral brigade.
“Ishte një promovim i merituar. Në kuadër të Aleancës apo dhe në kuadrin rajonal kemi rol të rëndësishëm për të luajtur. Për këtë na duhet dije, na duhet forcë e kompletuar dhe përgjegjshmëri. Njerëz si gjeneral Bitri vijnë në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në pozicionin e duhur. Respektoj kontributin jetësor të gjeneral Bitrit në Forcat e Armatosura dhe inkurajoj ushtarakët e tjerë dhe ato që tani rekrutohen të shohin këtë rrugëtim të suksesshëm dhe të motivohen”, – u shpreh ministri i Mbrojtjes.
Gjeneral brigade Bitri, duke ndarë emocionet me të pranishmit në ceremoni, u shpreh se: “Përjetoj emocionet e një ëndrre tek e cila guxova të besoja. Nderin dhe privilegjin që më bëhet sot ia dedikoj një “liste” të gjatë njerëzish me të cilët më lidhin 36 vite në Forcat e Armatosura. Faleminderit atyre me të cilët kam punuar e punoj. Me kanë ndihmuar e mësuar të çmoj integritetin, virtytin dhe moralin. Kanë qenë e janë shembuj frymëzimi e lidershipi. Më kanë dhënë besim, më kanë mbështetur e më kanë vlerësuar e për këtë ju jam edhe mirënjohës. Faleminderit familjes, në mënyrë të veçantë gjysmës time më të mirë Valbonës, që ka sakrifikuar për të ma bërë më të lehtë punën, por dhe djalit dhe vajzës që, megjithëse ju kam munguar, më falin”.
Ky vlerësim solli gëzim jo vetëm tek të afërmit dhe familjarët e Bilbilit, por edhe në gjithë komunitetin e zonës së Çidhnës. Në historinë e gjatë të luftërave që Çidhna ka zhvilluar kundër pushtuesve të huaj, ka nxjerrë pafund komandantë e oficerë, të cilët, edhe pse pa shkollim ushtarak, herë pas here janë vënë në krye të sfidave luftarake dhe kanë shkëlqyer, por Gjeneralë nga Krahina e Çidhnës janë të pakët e Bilbili është njëri ndër ta, në gjoksin e të cilit, këto ditë, u vendos grada e lartë ushtarake.
Nderimi që iu bë ushtarakut të lartë Bilbil Bitri ishte diçka që pritej, nëse kujtojmë rrugëtimin e gjatë e të suksesshëm që ai ka pasur që nga vitet e shkollës së mesme në fshatin Fushë Alie (1985) e deri në shkollimin dhe kualifikimet e larta e specializimet e kryera deri në ditët e sotme. Rrugëtimin drejt dijes, pas përfundimit të shkollës së mesme, edhe pse nuk ish zgjedhja e tij, e nisi në bankat e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, të cilën e kreu me rezultate mjaft të larta. Menjëherë pas përfundimit të Akademisë Ushtarake Bilbili filloi karrierën në ushtri si komandant toge, por në zemrën e tij tashmë ishte ndezur dëshira për të thelluar studimet në fushën ushtarake. Dhe kjo dëshirë iu plotësua Bilbilit, i cili fitoi një bursë studimi në Akademinë Ushtarake në Ankara. Vitet kaluan dhe pas përfundimit me sukses të këtyre studimeve, Bilbili kthehet në Shqipëri.
Akademia Ushtarake “Skënderbej”, ku ai kishte hedhur hapat e para si ushtarak e ftoi të fillonte punë si pedagog deri në vitin 2003, kohë kur ai kaloi me repartin Komando. Ishte koha kur në Irak dërgoheshin forca paqeruajtëse për të kontribuar në ruajtjen e paqes. Edhe Shqipëria do të kishte kontigjentin e saj në atë konflikt dhe komandant i misionit të 3-të paqeruajtës shqiptar u caktua major Bilbil Bitri.
Kjo përvojë me paqeruajtësit në Irak do të linte gjurmë të thella në jetën profesionale të komandant Bitrit. Fusha ushtarake, që tashmë ai i ishte përkushtuar, ju shndërrua në pasion i cili shtohej çdo ditë e për këtë, ai, nuk do t’i ndahej udhës së dijes. Vjeshta e vitit 2006 e gjeti në auditorët e Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu” dhe pas përfundimit të saj me rezultate të shkëlqyera, kolonel Bitri u përzgjodh nga Komanda Qendrore Amerikane si përfaqësues i Shqipërisë që do të merrej me koordinimin e veprimeve me koalicionin ushtarak.
Duke parë profesionalizmin e lartë dhe përkushtimin në punë si dhe aftësitë e tij në fushën ushtarake, Bilbil Bitri në vitin 2009 u emërua zv/përfaqësues ushtarak kombëtar në Komandën e NATO-s në Virgjinia USA. I ndodhur në mjedise ku përpunoheshin politikat e mbrojtjes së Aleancës më të madhe ushtarake, NATO-s, Bilbili kuptoi se karriera brilante e deritashme kërkonte plotësimin e studimeve në fushën së cilës tashmë i ishte përkushtuar.
Për këtë arsye, menjëherë pasi kreu me sukses detyrën në zyrat e NATO-s, u regjistrua në Kursin e Lartë të Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura, të cilin, si dhe në rastet tjera, e përfundoi me rezultate të larta. Tashmë kolonel Bilbil Bitri ishte një ndër oficerët më të kompletuar që kish shërbimi ynë i FA-së, ndaj dhe Shtabi i Përgjithshëm i saj e emëroi Drejtor të Kabinetit të Shefit të Shtabit dhe pak kohë më pas Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit e Monitorimit të Mbrojtjes.
Kudo ku shkoi e punoi Bilbili rrezatoi kulturë, korrektesë dhe profesionalizëm ndaj dhe rrugëtimi i tij drejt dijes do të vazhdonte. Në vitin 2016-2017 ai fitoi të drejtën për të ndjekur Kolegjin e Luftës në USA, të cilin e përfundoi me sukses, duke fituar edhe “Master shkencor” në studimet strategjike.
Në revistën “Mbrojtja” të shtatorit 2018, kolonel Bilbil Bitri konsiderohet “…ndër ushtarakët më me eksperiencë” dhe më poshtë, po kjo revistë ushtarake vlerëson se koloneli zotëron “…eksperiencë të jashtëzakonshme dhe nivelin e lartë profesional…”.
Pas këtyre vlerësimeve dhe kualifikimeve të njëpasnjëshme, kolonel Bitri, emërohet Drejtor i BE-së dhe NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes. Pak më vonë, koloneli emërohet në Komandën e Forcave Tokësore e më pas Shef i Shtabit të FT, detyrë që e vazhdoi deri në vitin 2019. Gjatë kësaj periudhe Bilbili kreu me sukses një tjetër Master Shkencor, tashmë në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Old Dominium University në Virgjinia dhe UET. Menjëherë pas këtij kualifikimi kolonel Bitri u emërua Drejtor në Shtabin e Përgjithshëm e më pas Drejtor i Drejtorisë së Operacioneve dhe Stërvitjes në Shtabin e Përgjithshëm. Që nga janari 2021 kolonel Bitri kryen detyrën e Drejtorit të Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Pas gjithë kësaj paraqitje të kolonel Bitrit, përmendim se në «gjoksin» e tij prej dekadash janë «mbërthyer» një numër i pafundëm medaljesh e dekoratash të dhëna si nga autoritetet shqiptare, edhe nga ato ndërkombëtare. Si njohës i mirë i disa gjuhëve, Bilbili është ftuar si lektor dhe ka referuar në shumë konferenca ndërkombëtare. Referimet e shumta në seminare, kurse, specializime në vende si Holandë, Gjermani, Turqi, Amerikë etj., janë shoqëruar me një numër botimesh të tij të karakterit ushtarak e strategjik.
Gjithë ky aktivitet brilant e i ngjeshur i ushtarakut Bilbil Bitri bëri që edhe Presidenti ta vlerësojë me gradën e lartë “Gjeneral Brigade”.
Kjo gradë e lartë ushtarake tashmë nuk ndodhet vetëm në kraharorin e ushtarakut të nderuar Gjeneral Brigade Bilbil Bitrit, por edhe në zemrat e çdo banori të Çidhnës dhe Dibrës, të cilët u gëzohen pafund sukseseve të bijve të tyre.
Rrugëtim të mbarë Gjeneral Bilbil Bitri!

 

 

Ky vlerësim solli gëzim jo vetëm tek të afërmit dhe familjarët e Bilbilit, por edhe në gjithë komunitetin e zonës së Çidhnës. Në historinë e gjatë të luftërave që Çidhna ka zhvilluar kundër pushtuesve të huaj, ka nxjerrë pafund komandantë e oficerë, të cilët, edhe pse pa shkollim ushtarak, herë pas here janë vënë në krye të sfidave luftarake dhe kanë shkëlqyer, por Gjeneralë nga Krahina e Çidhnës janë të pakët e Bilbili është njëri ndër ta, në gjoksin e të cilit, këto ditë, u vendos grada e lartë ushtarake.
Gjithë ky aktivitet brilant e i ngjeshur i ushtarakut Bilbil Bitri bëri që edhe Presidenti ta vlerësojë me gradën e lartë “Gjeneral Brigade”.
Kjo gradë e lartë ushtarake tashmë nuk ndodhet vetëm në kraharorin e ushtarakut të nderuar Gjeneral Brigade Bilbil Bitrit, por edhe në zemrat e çdo banori të Çidhnës dhe Dibrës.

Në «gjoksin» e kolonel Bitrit prej dekadash janë «mbërthyer» një numër i pafundëm medaljesh e dekoratash të dhëna si nga autoritetet shqiptare, edhe nga ato ndërkombëtare. Si njohës i mirë i disa gjuhëve, Bilbili është ftuar si lektor dhe ka referuar në shumë konferenca ndërkombëtare. Referimet e shumta në seminare, kurse, specializime në vende si Holandë, Gjermani, Turqi, Amerikë etj., janë shoqëruar me një numër botimesh të tij të karakterit ushtarak e strategjik.