Bulqiza sërish në udhëkryq


Nga Martin Cukalla

Pa mohuar dy arritje të bujshme të AlbChromit në Bulqizë, përfundimin e hapjes së traverbankut të Klosit dhe ndërtimin e pusit nr. 9 që mundëson shfrytëzimin e mineralit të pasur të kromit në nivelet 17-22 e ndoshta deri në nivelin 24 – veprimtarinë tjetër të saj do ta çmoja të dështuar.

Miniera e kromit në Bulqizë. Foto: Mahir Jangulli

Nuk bëhet fjalë për krahinën a për qytetin, dhe as gjithë minerën që përfshin vendburimin e Kromit të Bulqizës. Këtu flitet për zonën veriore të Bulqizës, minierë që menaxhohej nga Grupi Balfin si pjesë e koncesionit të AlbChrome që nga viti 2007.
Ishte për t’u përshëndetur kalimi në dorë të biznesit shqiptar të degës më të rëndësishme minerare të vendit, asaj të kromit, me shpresën që ecuria do të ishte jo thjesht fitimprurëse për koncesionerin, por edhe për shtetin shqiptar, komunitetin bulqizak dhe punëtorët e minierës.
Dhe unë publikisht e përshëndeta.
Tani, thashethemi që qarkullonte tash sa vjet, vjen si lajm i trishtë se AlbChrome u shit tek grupi turk “Yldirim”.
Pa mohuar dy arritje të bujshme të AlbChromit në Bulqizë, përfundimin e hapjes së traverbankut të Klosit dhe ndërtimin e pusit nr. 9 që mundëson shfrytëzimin e mineralit të pasur të kromit në nivelet 17-22 e ndoshta deri në nivelin 24 – veprimtarinë tjetër të saj do ta çmoja të dështuar.
Nuk do të kishte rëndësi asnjë vështrim i kësaj çështjeje, nëse nuk do të çmonim zonën “Bulqiza Veri” si të vetmen ku aktualisht nxirret krom nga blloqe minerare të pacënuar. Minierat e tjera që rrodhën nga copëzimi i Bulqizës e Batrës, e që numërohen mbi 50 të tilla, nxjerrin krom nga punimet e vjetra e zgjatimet e tyre, çka në termin minerar do të thotë që kemi të bëjmë me miniera në shuarje.

Qeverisja aktuale dhe autoritetet lokale të Bulqizës kanë në dorë tani, (më pas do të jetë vonë, mendoj unë) ta ruajnë edhe për 15-20 vjetët e ardhshëm nivelin e prodhimit e të punësimit të sotëm në minierat e Bulqizës, ose aty në Bulqizë do shihen stoqet e gurëve që u nxorrën dikur nga galeritë, shtëpi të braktisura qytetarësh dhe do të lexohet një histori e përmbyllur kromi.

Për perspektivën e afërt, kjo përkthehet se po vjen një vit që prodhimi aty të ndërpritet.
Të shmangësh zonën veriore të Bulqizës nga prodhimi i kromit do të thotë të shmangësh perspektivën e prodhimit të kromit të pasur në vendin tonë. Dhe të mos harrohet se, me këtë krom janë të lidhura ngushtë dhe dy qendrat e metalurgjisë së tij: Elbasani e Burreli.
Nëse do vlerësohej që dështimi në AlbChrome lidhet me politikën, flitej se pas kësaj qëndron rënia e një politikani të lartë me interesa ekonomike në koncesion, nuk do përceptohej si dështim.
Dështimi ekonomiko-financiar është më i dukshmi; pusi 9 konsumoi 26 milion e Euro nga rreth 14 milion të parashikuara në projektin fillestar dhe jo vetëm për shkak të një shpërthimi hidrogjeni shkatërrues që ndodhi në të. Këtë shifer unë e përkthej në rëndimin e kostos së mineralit me rreth 45 dollarë për ton krom të shitur.
Më tej mund të numërojmë si dështime:
• Shteti, komuniteti lokal dhe punëtorët nuk përfituan çka kishin shpresuar;
• Edhe disa problem teknike që lidhen me thellësinë kritike ku zhvillohet aktualisht shfrytëzimi, nuk gjetën zgjidhjet e përshatshme tekniko-ekonomike;
Dhe më e rëndësishmja.
• Kufijtë e trupit për të shtuar rezerva të reja të mineralit të kromit, nuk u shtynë në asnjerën anë të kësaj pjese të vendburimit.
Grupi Balfin i dha duart AlbChrome dhe pak rëndësi ka tanimë, fitoi apo humbi nga “loja” me Bulqizën.
Rendësi kanë dy gjëra:
• Koncesionin e kromit e mori një firmë turke, dhe pa e paragjykuar, theksoj që Turqia është një nga tre vendet e para në botë me prodhim të konsoliduar të kromit të paktën në 70 vjetët e fundit.
Tregu i kromit vuan përherë jo pasojat e mungesës së tij në treg, por faktin qe ka përherë tepricë minerali, çka favorizon konsumatorët dhe vë në vështirësi shitjeje prodhuesit tanë edhe pse aftësitë metalurgjike të kromit shqiptar janë më të mira se ai qe prodhohet tjetërkund.
Politika zhvillimi në burimet minerare të një vendi tjetër bëjnë, jo vendet që i prodhojnë ato minerale, por vendet që i konsumojnë.
Dhe së dyti:
• A po i kërkohet koncesionarit të ri një program gjeologjik kërkim-zbulimi për të përtërirë, nëse mundet, gjendjen e rezervave të kromit të pasur? Po marrëdhënia e tij me komunitetin dhe puntorët si do jetë?
Qeverisja aktuale dhe autoritetet lokale të Bulqizës kanë në dorë tani, (më pas do të jetë vonë, mendoj unë) ta ruajnë edhe për 15-20 vjetët e ardhshëm nivelin e prodhimit e të punësimit të sotëm në minierat e Bulqizës, ose aty në Bulqizë do shihen stoqet e gurëve që u nxorrën dikur nga galeritë, shtëpi të braktisura qytetarësh dhe do të lexohet një histori e përmbyllur kromi.
*Martin Cukalla është inxhinier i industrisë minerare, i cili për mëse 35 vjet ka drejtuar sektorët më të vështirë të minierave shqiptare nga jugu në veri të vendit. Ka një eksperiencë të madhe në fushën e shfrytëzimit të minierave, por edhe të drejtimit të tyre. Cukalla ka mbajtur detyrën e ish-zv. ministrit të Industrisë së minierave dhe ish-drejtor i Minierës së Bulqizës para viteve ’90-të.
https://www.bulqizaime.al/serish-ne-udhekryq-bulqiza/