EDHE NJËHERË PËR SKAVICËN


Çfarë janë S-443 dhe S-485 dhe cilat janë fshatrat që fshihen nga harta?

S-443 ose h=443 m është kuota (izoipsi) e projektuar e digës së hidrocentralit në variantin e parë. Kjo kuotë e sjell liqenin që do të krijohet mbi urën e Topojanit. Pra e pushton edhe grykën e Hoteshit, që ndan pellgun e Dibrës në jug nga ai i Peshkopisë (Dibrës së Poshtme) në veri. Me këtë kuotë zhduket Dibra e Poshtme. 

 

Po S-485? h=485 është kuota (izoipsi) e projektuar për digën e Skavicës në variantin e dytë (sipas inxhinierëve partiakë pas 10 ose 15 vjetësh). Në këtë variant përmbytet komplet fusha e Gjoricës, aty ku është shkruar historia e Dibrës (kundër Hajredin Pashës), pra përmbytet edhe Dibra e Sipërme deri afër fshatit Bllatë.

 

 

Nga ADRIATIK BALLA, 

doktor i shkencave gjeografike.

NË VEND TË HYRJES

Kundër ndërtimit të Skavicës shprehen intelektualët, arkeologët, gazetarët, specialistët e çdo fushe, qytetarët e përgjegjshëm, thuajse i madh e i vogël. Pro tij shprehen dy-tre fshatarë të cilëve u kanë thënë se me ndërtimin e Skavicës mund të kultivojnë pafundësisht troftën (Salmo Trutta). “Peshq” të tillë që e hanë “karremin” ka në çdo vend, apo siç thotë populli “pyll pa derra s’ka”, por kulmi i ironisë arrin kur pushtetarët nuk dëgjojnë zërin e ajkës së mendimit dhe qytetarisë në Dibër. Si ka mundësi që asnjë krah politik në qarkun e Dibrës, në garë për zgjedhjet e prillit, nuk e përmend Skavicën?

Në kohën e monizmit u bënë, për hir të së vërtetës, disa vepra të mira, përfshi këtu dhe hidrocentralet. Do të ishte ndërtuar edhe “Skavica”, sigurisht, por edhe pse i frikshëm ai sistem kishte, sidoqoftë, logjikën e peshores (sa fitojmë e sa humbasim). Kam folur me inxhinierë që kanë firmosur për hidrocentralet e tjerë dhe thonë që ky projekt u la për një kohë tjetër, sepse, nëse ndërtohej, më shumë kishte humbje se fitime. Tani që politikës po i shteron retorika e dalë boje prej 30 vjetësh (tranzicion ekzemplar me pasoja të rënda për shoqërinë), del dhe një herë në skenë “Skavica”. Dhe, siç ndodh zakonisht, pas këtyre projekteve fshihen plane korruptive e të errëta.

 

DISA TË DHËNA PËR HIDROCENTRALET MBI LUMIN DRIN DHE PIKËPYETJET E SKAVICËS

 

Hidrocentrali i Vaut te Dejës, vënë në punë në nëntor 1971, ka 5 agregate dhe një fuqi 250 MW. Prodhimi vjetor i tij është 1.1 miliard kilovatorë (Pano N., “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, 2015).

Hidrocentrali i Fierzës është vënë në shfrytëzim në nëntor 1978. Ka fuqi të vendosur prej 500 MW dhe punon me 4 agregate. Prodhimi vjetor i tij është 1.8 miliard kilovatorë (po aty).

Hidrocentrali i Komanit filloi ndërtimin më 1979 dhe përfundoi më 1985. Ka fuqi të vendosur 600 MW dhe punon me 5 agregate. Prodhimi vjetor i energjisë është 2 miliard kilovator (po aty).

Nuk ka të dhëna të sakta se sa do të jetë fuqia e hidrocentralit të Skavicës, sepse deri tani është ecur me supozime e hamendësime ordinere. E njëjta gjë vlen dhe për hidrocentralin e Ashtës, deri tani imagjinar. 

Hidrocentrali i Skavicës, për shumë arsye, nuk do të ketë prodhim që do të shpëtojë dhe zgjidhë përfundimisht çështjen e energjisë, prandaj këtu dalin disa përfundime e ngrihen disa pikëpyetje që kërkojnë sqarim.

1.Hidrocentrali, nëse ndërtohet, nuk do të ketë prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike që të plotësojë përfundimisht nevojat e vendit, kjo është më se e sigurt.

2.Nuk ka argument të mjaftueshëm që do të shpëtojë Shkodrën dhe Lezhën nga përmbytja, të gjithë ata që i mëshojnë këtij fakti abuzojnë.

3.Nëse vihet në balancë përfitimi ekonomik midis produkteve bujqësore e blegtorale krahasuar me hidrocentralin, peshorja anon nga e para dhe këtë e ka vërtetuar edhe sistemi i kaluar dhe specialistët seriozë të atyre viteve.

4.Mund të fitohet një hidrocentral me jetëgjatësi 100, 200 ose 300-vjeçare, por përmbytet një histori mijëravjeçare.

5.Kryesorja: Si do të mund të shpërngulen mijëra familje, si do të kompensohet dëmi i tyre ekonomik, ku do të vendosen ata, çfarë pune do të bëjnë?

6.Kush do të përfitojë nga hidrocentrali? Sa prej këtyre përfitimeve shkojnë në interes të publikut?

7.Cilat do të jenë pasojat (efektet) anësore fiziko-gjeografike pas ndërtimit të Skavicës, në aspektin gjeologjik-hidrogjeologjik, gjeomorfologjik, klimatik, në florë dhe në faunë?

8.A është marrë parasysh mendimi i publikut? Nëse po, a ka pasur një referendum dhe cili ka qenë rezultati i tij?

9.Kush janë specialistët që kanë firmosur “pro”, si i kanë emrat, ku kanë punuar dhe çfarë botimesh paraprake kanë bërë ata për këtë çështje. Cili ka qenë argumenti i tyre?

10.Më mirë një Dibër pa hidrocentral, apo një Shqipëri pa Dibër? – Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja.

 

ÇFARË JANË S-443 DHE S-485?

 

Për ndërtimin e Skavicës po qarkullojnë lloj-lloj variantesh, njëri me kuotë më të ulët, i cili do të ishte krejtësisht katastrofë pasi nuk do të kishte rendimentin e kërkuar si dhe një kuotë të digës më të lartë që do të shkaktonte një katastrofë akoma më të madhe, një fatkeqësi kombëtare, pasi do ta zhdukte luginën e Drinit të Zi. S-443 ose h=443 m është kuota (izoipsi) e projektuar e digës së hidrocentralit në variantin e parë. Kjo kuotë e sjell liqenin që do të krijohet mbi urën e Topojanit. Pra e pushton edhe grykën e Hoteshit, që ndan pellgun e Dibrës në jug nga ai i Peshkopisë (Dibrës së Poshtme) në veri. Me këtë kuotë zhduket Dibra e Poshtme. 

Po S-485? h=485 është kuota (izoipsi) e projektuar për digën e Skavicës në variantin e dytë (sipas inxhinierëve partiakë pas 10 ose 15 vjetësh). Në këtë variant përmbytet komplet fusha e Gjoricës, aty ku është shkruar historia e Dibrës (kundër Hajredin Pashës), pra përmbytet edhe Dibra e Sipërme deri afër fshatit Bllatë.

I pashë me kujdes hartat topografike, një për një, dhe u përpoqa të krijoj vetë izoipsin e liqenit të ardhshëm në variantin e parë dhe të dytë. Nëse zbatohet edhe varianti i dytë është një fatkeqësi e madhe kombëtare, sepse praktikisht i bie të zhbëhet Dibra, zemra e atdheut etnik.

 

VENDBANIMET QË ZHDUKEN 

NGA HARTA

 

Ja disa prej fshatrave të njohur, të ndodhur pranë lumit Drini i Zi, që përmbyten nga “Skavica” (mos harrojmë se mbi këto kuota vihen në diskutim edhe shumë fshatra të tjerë që kanë tokën e bukës nën kuotën e digës, si dhe një brez 5-10 m lartësi mbi digë që bëhet i papërdorshëm):

-Draj-Reç dhe Zall-Reç (340 m)

-Zall-Dardhë (350-400 m)

-Lugjaj

-Shenlleshi

-Zall-Kalis

-Fushë-Cidhna (360-400 m), si dhe lagjet që shtrihen në anët e përrenjve Shtumbat, Blliçe, Laçaj etj.

-Arrasi (370m)

-Mustafe (disa lagje)

-Kishaveci (390-500 m)

-Kandri (Fusha e Thatë)

-Vajmëdhenj dhe Kalaj

-Disa lagje të Sinës (vendlindja e Kastriotëve), 450-500 m 

-Bresti i Poshtëm dhe Fushë-Kastrioti (450-550 m)

-Kuben dhe Rreth-Kalaj

-Fushë-Muhuri (400-500 m)

-Fusha e Brezhdanit (400-420 m tek ish-stallat)

-Katundi i Ri (430 m)

-Një lagje e Selanit dhe një lagje e Hoteshit

Me S-485 dëmtohen edhe:

-Gradeci dhe Kovashica (480 m)

-Homeshi, Okshatina, Boçeva, Gjorica (450-550 m)

-Izoipsi 500 m i afrohet fshatit Bllatë e Poshtme

 

PËRFUNDIMI: “PO” HIDROCENTRALEVE, “JO” ATIJ QË VARROS DIBRËN

Hidrocentralet janë gjë e mirë, energji e pastër, por ato ndërtohen atje ku logjika ekonomike është e shëndetshme. Të përmbytësh Dibrën ka pasoja të rënda.

1.Detyrohen të shpërngulen mijëra banorë (afro 20 mijë). Edhe sikur t’u ndërtohet gratis një qytet, shkohet në kolaps, pasi kjo popullatë nuk është e përgatitur (kualifikuar) për treg pune tjetër nga bujqësia dhe blegtoria, plus shërbimet që nevojiten kudo që t’i akomodosh.

2.Zhduken  fshatra të tërë dhe krejt toka e tyre bujqësore dhe lugina e Drinit të Zi është nga më pjelloret e Shqipërisë. Një hidrocentral më shumë nuk është më mirë sesa një hambar më pak. Mos harroni, hidrocentralet kanë një jetëgjatësi të caktuar (sepse vjen një ditë e mbathen nga depozitimet), kurse fusha (lugina) është brez pas brezi.

3.Dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme lidhja shpirtërore e banorëve me zonën.

4.Varroset historia e lavdishme e Dibrës, histori mijëravjeçare, ku spikat si “Olimpi”, Historia e Skënderbeut, heroit të vetëm kombëtar të shqiptarëve. Nuk ka Skënderbe pa Dibër e pa Dibër nuk ka Shqipëri.

5.Në luginën e Drinit të Zi, nuk do të oshëtijnë më këngët e Azis Ndreut, Qerim Sulës e shumë e shumë artistëve me nam të kësaj toke, por nën mjegullën që do të krijohet dhe nga thellësia e liqenit do të dëgjohet vetëm zëri i bretkosave. Shpata e Kastriotit do të zëvendësohet me kallamat buzë kënetës. Këtu vdes dhe mbyllet historia.

 

NË VEND TË MBYLLJES…

Që të mos dëgjojmë nesër bretkosat, duhet ta ngremë zërin sot, ndryshe “Skavica” e varros Dibrën. “Këshillat” se me ndërtimin e liqenit do të vijë jeta përrallore, me turizëm unik, peshkim fantastik dhe udhëtim biblik, janë përralla që nuk i hanë as budallenjtë.

P.s. Ky status shpreh mendimin tim personal, të bazuar në disa fakte. Mund të jetë një gjykim emocional, por nxitimi për të bërë projekte pa i analizuar mirë dhe pa marrë mendimin e banorëve është, në pikëpamjen time, abuziv.

A.BALLA

 

Më mirë një Dibër pa hidrocentral, apo një Shqipëri pa Dibër?

Një prononcim brilant, shkencor e shoqëror.
Më erdhi në adresën time të ngushtë.
Po kush është Adriatik Balla?
Një njohës i fisit të tij më flet për rrënjë të kohës së Skënderbeut, për kontributin luftarak në betejën e Vajkalit në vitin 1465, rrënjë që vazhdojnë të jenë e të nxjerrin filiza e lulëzojnë në të njëjtin truall si shekuj më parë.
Adriatiku ka mbaruar universitetin e Tiranës në degën gjeografi me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 2015 mbrojti doktoraturën  për të arritur në shkallën shkencore “Doktor i Shkencave”.
Konkurroi disa herë për një vend në universitet por dyert  nuk u hapën për një djalë Bulqize.
Profesionin e gjeografit e ushtron për kënaqësinë e tij duke qenë i pranishëm me shkrime në revistat albanologjike.
Kësaj radhe erdhi në adresën time me një shkrim prestigjioz duke na sjellë një vështrim shkencor për luginën e Drinit të Zi dhe protestën e tij intelektuale që ajo të mos mbytet nga hurdha e Skavicës.
“Unë jam dibran, po bëj detyrën time. Shkruan në facebook. Nuk jam kundër hidrocentraleve, por jam kundër HEC-eve që shkatërrojnë mjedisin e sidomos atyre që shkatërrojnë Dibrën”
Le ta dëgjojmë këtë zë që me modesti e përfundon studimin e tij shkencor:
“Ky status shpreh mendimin tim personal, të bazuar në disa fakte. Mund të jetë një gjykim emocional, por nxitimi për të bërë projekte pa i analizuar mirë dhe pa marrë mendimin e banorëve është, në pikëpamjen time, abuziv.

A. Ashiku