Ndahet nga jeta veterani Besim Bajraktari


Më 14 shkurt  2022, u nda nga jeta në mënyrë të papritur veterani Besim Bajraktari nga Dohoshishti i Dibrës. Edhe lisat e fortë, ata që u kanë bërë ballë rrebesheve e stuhive ndër dekada, një ditë rrëzohen për dhe, në tokën ku janë ngulur fort rrënjët e tyre. Besim Bajraktari u nda nga jeta në mënyrë të beftë mëngjesin e asaj të hëne, kur qe ngritur si çdo ditë tjetër dhe familjarët e prisnin në tavolinë për të ngrënë mëngjesin, por ai atë ditë nuk zbriti. Iku si një zog që pasi ka bërë vend në një degë peme, ka soditur gjithçka rreth e qark dhe papritur ngrihet në fluturim, ikën pa kthim drejt lartësive, drejt qiellit të pa fund ku kërkon një strehë të re. 

Ikja e tij pa paralajmërim tronditi në radhë të parë familjarët e tij, gruan e fëmijët, vëllezërit e kushërinjtë, bashkëfshatarët dhe banorët e Peshkopisë e të mbarë vendit, kudo që kishte të njohur. Largimi i tij la pa fjalë miqtë dhe shokët e shumtë kudo ku ka punuar e ka kaluar, të cilët e njihnin si një burrë me vlera të rralla, i punës e i kuvendit, i fjalës e i besës, i mendimit e i shakasë, por dhe i vendimeve të vështira, model i mikut, shokut, drejtuesit dhe familjarit.

 Besim Bajraktari lindi në Dohoshisht  më 6 maj 1938 në një familje të ndershme e punëtore dhe me tradita të spikatura patriotike. U rrit e u edukua me vlerat e veçanta si fjala e mbajtur, dashuria për punën dhe për njerëzit, respekti për të tjerët dhe kujdesi për familjen, por dhe dashuria deri në vetmohim për fshatin, Dibrën dhe mbarë vendin. Pasi kreu arsimin 7 vjeçar, në vitin 1953 shkoi në Tiranë ku bëri një kurs për tregti dhe në moshë 15 vjeçare filloi punë në këtë sektor në fshatin e tij, deri në vitin 1955.

Ai u rrit e u formua nën kujdesin e vëllait të madh, Shemsiut, i cili ishte model i tij. Por i vëllai u nda shpejt nga jeta në moshën 40 vjeçare, që në vitin 1970. Kështu Besimit i ra herët barra e familjes, por ai e mbajti me dinjitet atë. 

Në vitin 1955 filloi punën në Kooperativën bujqësore të Dohoshishtit si përgjegjës blegtorie, kur ishte vetëm 17 vjeç. 

Në vitin 1956 u martua me Meribanin, me të cilën lindën e edukuan më së miri 6 fëmijë, 3 djem dhe 3 vajza, Nexhmiu, Mevludi, Festime, Nusrete, Nevruz, e Florina.  Ata u rritën e u formuan me edukatën e familjes dhe kulturën e kohës e janë sot punonjës të nderuar dhe familjarë e qytetarë shembullorë. Më i madhi midis tyre, Nexhmiu, është një ekonomist i njohur në Tiranë, drejtor i një Banke të nivelit te dytë dhe derë e hapur për çdo dibran që troket në derën e tij. 

Pas shërbimit ushtarak, në moshën 23 vjec, Besimi do te emërohet Kryetar kooperative buqësore, në fillim në Hotesh dhe me vonë në atë të Luznisë.

Puna e tij u vlerësua si mjaft e mirë dhe në shtator të vitit 1963 u dërgua në shkollën 3 vjeçare të Kryetarëve te kooperativave buqësore në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës, ai ishte përsëri kryetar në Luzni deri në maj të vitit 1972. 

Në vitet 1972-1975 ishte kuadër kryesor në zonën e Maqellarës.

Gjatë viteve 1975-1977 u dërgua si një dorë e fortë në Kooperativën Okshtun, ku bëri një punë shumë të mirë dhe i solli ndryshim e përparim asaj zone e ku la miq e shokë dhe përmendet gjithnjë për mirë . I dha emrin e tij asaj periudhe, atje thonë shpesh “në kohën e Besim Bajraktarit”. Kur nje mik i Besimit, mjeku Nazmi Koçi, njoftoi të vëllain Seferin per humbjen e Besimit, ai si moshatar e mik që e kishte i tha Nazmiut: Shko vëlla në përcjelljen e Besimit, shko edhe për mua se jam i pa mundur, bile jo vetëm për mua, shko për gjithë Okshtunin që e kishte si djalin e vet.

Në vitet 1977 deri 1987, Besim Bajraktari ishte Kryetar i kooperativës në Maqellarë, njëra ndër ekonomitë më të mëdha e me probleme në rreth. Pas vitit 1987, ai u largua nga bujqësia dhe punoi si N/drejtor e Drejtor në tregti dhe me pas drejtor i bazës së bujqësisë në rreth. 

Pas vitit 1991, njeriu me eksperiencë të madhe u shkëput nga puna në shtet dhe krijoi biznesin e tij ku me punën dhe mundin e tij e të familjes eci përpara. 

Besim Bajraktari do të mbahet mend si burrë i fortë, njeri i drejtë e pa kompromis sidomos me eprorët e vet, i dashur e punë mbaruar me popullin dhe të gjithë hallexhinjtë që kërkonin ndihmën e tij, i fjalës e i besës, shembull për tu ndjekur nga të tjerët.

Respekti dhe dashuria e popullit për të, për familjen dhe fisin e tij u tregua dhe me rastin e ndarjes së tij nga jeta. I gjithë qyteti i Peshkopisë, fshatrat për rreth, të ardhur nga Tirana dhe nga rrethet, nderuan familjen dhe të afërmit e tij. Ata i siguruan këtij njeriu të mirë e drejtuesi shembullor për disa dekada, një përcjellje madhështore, siç ai meritonte dhe siç dibranët dinë ta bëjnë . Ai prehet në një lëndinë të bukur në fshatin Dohoshisht, pranë të vëllait, Shemsiut dhe të afërmvet tij, në një vend ku shihet Korabi e Deshati, qyteti i Peshkopisë dhe fshatrat sipër tij. 

Kujtimi dhe nderimi për të do të rrojnë përjetësisht për atë çka ishte, për atë çka bëri, për atë çka na la. 

Hekuran Kola, Shemsi Zuna, Irfan Zebi, Nazmi Koçi, Bajram Krashi