“NGJIZJA E PAPËRLYEME”, një ndër romanet me të bukur, që sjell të plotë e të pjekur shkrimtarin Agron Tufa


Romani rrok tema shumë të mprehta politike në mënyrën e tij si: krimet e komunizmit, vëllavrasja, dhuna, terrori psikologjik,  diktatura, vendosmëria obsesive për t’i qëndruar besnik stalinizmit, shoqëria e nëpërkëmbjes së të drejtave të njeriut, angushtia e lirisë së individit. Këto tema të mprehta vijnë si një realitet në dialog të fuqishëm me atë që konsideron letërsia, letërsia e nivelit të lartë që operon me të gjitha mjetet e saj për të sjellë para nesh tabllonë e një shoqëri të tronditur.

Nga BASHKIM HOXHA

Që në fillim dua të them se “NGJIZJA E PAPËRLYEME”  është një ndër romanet me të bukur, më të thellë, që sjell të plotë e të pjekur shkrimtarin Agron Tufa. Është një libër më i madh se sa rrok vështrimi im që nuk jam marrë me kritikë e studime letrare. Këto shënime që dua të ndaj me ju, i entusiazmuar pas leximit të këtij romani kaq tronditës, janë një ftesë për lexim.

Në fillim të romanit thuhet se ai i kushtohet grave ruse dhe të huaja që ndanë bashkë me ne tragjedinë kombëtare. Më tej, këtë respekt autori ka zgjedhur ta shpreh më së miri përmes personazheve të skalitur, por mos prisni të lexoni thjesht një kronikë politike  të atyre ngjarjeve dramatike që fati u ngjizi disa të huajve në këtë atdhe të tyre të  dashurisë dhe urrejtjes.

Sigurisht romani është dhe mund të lexohet si një roman politik.

Por në këtë trajtim me ngarkesë dramatike të politikës që ka mundur të realizojë autori, politika nuk vjen drejtpërdrejtë si e tillë. Ajo vjen në një formë të përkryer letrare përmes historive njerezore, vjen  e ashpër, rëndon mbi fate njerëzish. Nëqoftëse do të bëjmë ndonjë krahasim, mund të themi se në këtë roman politika është kurdoherë e pranishme, ashtu siç rëndojnë retë e zeza në një kohë të keqe dhe shkaktojnë ngacmimin e plagëve kur koha do të prishet. Autori na e sjell politikën, jo duke përshkruar retë, por duke u fokusuar tek dhimbja e plagëve, të plagëve që shkakton në fatet njerëzore politika.

Romani rrok tema shumë të mprehta politike në mënyrën e tij si: krimet e komunizmit, vëllavrasja, dhuna, terrori psikologjik,  diktatura, vendosmëria obsesive për t’i qëndruar besnik stalinizmit, shoqëria e nëpërkëmbjes së të drejtave të njeriut, angushtia e lirisë së individit. Këto tema të mprehta vijnë si një realitet në dialog të fuqishëm me atë që konsideron letërsia, letërsia e nivelit të lartë që operon me të gjitha mjetet e saj për të sjellë para nesh tabllonë e një shoqëri të tronditur.

Autori nuk qëndron në sipërfaqe skematike të trajtimit të këtyre termave, ai ka shkuar në thelb të politikës duke e ndjekur atë në veprimet e saj, ka depërtuar deri atje sa në një mënyrë emocionale na ka dhënë të beftë se si e vënë atë në veprim instiktet njerëzore: njeriu, vazhdimisht njeriu është në fokus me thellësitë e ndriçuara dhe të errta të shpirtit.

Nuk është një politikë me terma të përditshmërisë, është një politikë së cilës i bëhet radiografia në zemrat e cfilitura te personazheve dhe kjo i jep dhunës, mungesës së lirisë përmasën e saj të plotë, tronditëse dhe neve na jep një vepër te realizuar artistikisht.

Sa ç’është politik, ky është edhe një roman i fateve njerëzore dhe mund të lexohet edhe si një roman i fuqishëm dashurie.

Historia e dashurisë së Ljuba Borisovnës me Martinin, treshja klasike Martin-Ljuba-Viktor i ka dhënë autorit mundësinë ta zbërthejë dashurinë,  këtë ndjenjë të pasiegueshme në raportet e saj filozofike me jetën, me individin, në dhënien kuptim të jetës së secilit personazh, që e përjeton dashurinë në mënyrën e vet, dikush të pastër, dikush perverse, dikush tjetër obsesisve në një përplasje të kudo gjendur të besnikërisë dhe të tradhëtisë.

Misteri i shtatëzanisë së Ljubës me dorëshkrimin e romanit “Pjella” të Martinit tëe munguar, teoria kuazi shkencore e latinistit Zef që ka njohur jetën në anën e saj më të errët në kampe dhe burgje dhe që rehatinë e tij të vërtetë e gjen midis librave, i japin kuptim metaforës së fuqishme të ngjizjes së papërlyeme, duke e shenjtëruar ndershmërinë dhe besnikërinë e duke goditur tradhëtitë dhe spiunimin  dhe shoqërinë e dhunës dhe të  terrorit ndaj individit.

Përsiatjet e Zinaidës pragmatiste, dyshimet dhe dilemat e Ljubës, (interesant është fakti që kapitulli ku flet Ljuba është ndërtuar me shumë pikëpyetje), perversion i hetuesit e i Nesho Dragoit, spekulimi e Dafinës që mjet të spuinllikut ka dashurinë,  kompleksiteti i ndjenjës së Viktorit (kapitulli i rrëfimit të së cilit në ndryshim nga ai i Ljubës ka shumë pikëçuditëse, ashtu si veprimet e tij që janë pa dilema), përmasat dramatike të ndjesive që rëndojnë mbi fate njerëzish, të gjitha këto të marra së bashku,  janë në tërësinë e vet një traktat sublim për dashurinë, duke e zbërthyer atë në të gjitha planet, të zhgryer në jetën njerëzore dhe të pastruar në ëndrra qiellore.

Ky roman mund të lexohet edhe si roman i besnikërisë dhe tradhëtisë.

Tradhëtia ndaj komunizmit e Bashkimit Sovjetik, siç perceptohet nga njëra palë,  besnikëria e palës tjetër ndaj stalinizmit, tradhëtitë e fshehta bashkëshortore, tradhëtitë e miqve përmes ndjesive të fshehta dhe spiunimeve, besnikëritë tinzare të miqve ndaj aparatit represiv, qëndrimi me dinjitet ne hetuesi i njerëzve të ndershëm si Samuili, spiunllëqet e dashnoreve me shpirtra të shitur, vazhdimësia e pjellave për të kryer sërish krimet e etërve, janë dhjetra episode që e kundrojnë jetën njerëzore edhe si një raport të besnikërisë me tradhëtitë në interferencë të njera tjetrës.

Ky roman mund të lexohet edhe si një roman misteri.

Misteri i shtatëzanisë së Ljubës me dorëshkrimin e romanit “Pjella” të Martinit tëe munguar, teoria kuazi shkencore e latinistit Zef që ka njohur jetën në anën e saj më të errët në kampe dhe burgje dhe që rehatinë e tij të vërtetë e gjen midis librave, i japin kuptim metaforës së fuqishme të ngjizjes së papërlyeme, duke e shenjtëruar ndershmërinë dhe besnikërinë e duke goditur tradhëtitë dhe spiunimin  dhe shoqërinë e dhunës dhe të  terrorit ndaj individit.

Ky roman mund të lexohet edhe si roman i fjalës së gdhendur letrarisht, i fjalës së zgjedhur me ngarkesë të madhe mendimi.

Me fraza ku natyrshëm veprimit i vishet edhe meditimi i thellë dhe dialogu intelektual e jetësor, (shpesh herë filozofike dhe të shprehura në sentenca), me shkuarjen e pacipë deri në thelbin e gjerave: tek instikti, me historitë tepër të gjetura, që sjellin dhimbje apo gezime, me trishtime apo dyshime, ky roman zë një hapësirë të munguar ne hierarkinë e letërsisë bashkëkohorë dhe ngjitet në lartësitë e saj më të mira.

Ky roman mund të lexohet edhe si të gjitha këto mënyra së bashku, si letërsi e mirë, letërsi e vlerave, ku një ndër vlerat kryesore është e vërteta dramatike.

P.S.

Ka edhe një mënyrë tjetër për të lexuar këtë roman: duke vrarë mendjen gjatë leximit për të gjetur ngjashmërinë me njerzit që kemi njohur realisht në jetë. Po kjo do ishte mënyra më e padobishme, sepse në këtë mënyrë nuk do të shijonim dot të plotë mjeshtërinë e autorit në gdhendjeve dhe plotësimin e personazheve letrarë, do të humbnim magjinë e trillimit letrar e kapriçion artistike që plotëson jetën dhe e kthen atë në letërsi të bukur e të fuqishme.

*Marrë nga gazeta exlibris.al