Pse qesha nga poshtë me Kryeministrin tim


Nga ABDURAHIM ASHIKU

Ai kishte mbledhë ca çupëlina dhe po u tregonte një përrallë…

Në mes të ditës…

Në mes të dimrit…

Në mes të Dibrës…

…Na ishte një herë e një kohë një…

Larg e larg, 9 male kaptuar…

Vendasit i thoshin liqen. 

Në fakt ishte hurdhë, nga ata që natyra i mbush me kova nga qielli dhe ia mbyll daljen, e burgos, e kalb, e baltos… 

Uji fle, qerpiku nuk i lëviz…

Erë e rëndë. Parfum kalbësirash, plehu, simfoni  e valle bretkocash…

I pastruam të gjitha. 

Një më një, copë më copë. 

Me të gjitha mjetet: me fshesa, sfurqe, buldozerë.

Me punë me pare e punë pa pare, vullnetare… 

Dritë e bëmë. 

Mbollëm qark e rreth pemë, shumë pemë: akacie, selvi, shelgje, lule…

Është bërë gjëja më e bukur. 

Të shkosh atje rinohesh, merr frymë, ajër të pastër mbushur me ozon.

Është bërë pika turistike më e frekuentuar…

Për vendasit…

Për ardhanakët nga e gjithë Shqipëria…

Për të huaj nga Amerika dhe Australia…

Ndërkohë në ekran fotopamjet vraponin njëra pas tjetrës…

Duartrokitje…

Në ekran nja tre-katër vajza, të bukura si zana malesh.

Qeshnin dhe duartrokisnin…

Ai vazhdoi…

Kështu do ta bëjmë edhe Skavicën, bukuri  të bukurive të Shqipërisë. Me një liqen të madh, me vila si në bregdetin e Himarës time dhe të Koços. Pata thënë se në pleqëri bashkë me Koçon do të pushonim e pinim kafe te rrapi në Dhërmi. E ndryshova. Do të vij të pleqëroj në Dibër. Do bëj një vilë në fjordin e Setës. Do të jetë më i bukuri edhe se fjordet e Norvegjisë. Pa le ai i Veleshicës me Sllovën e Elez Isufit port jahtesh, jahte nga bosët serbë të “Ballkanit të hapur”…

Mos harroni edhe hapësirën e bukur të Luznisë, Brezhdanit, Cetushit e Ushtelencës, urën e varur që do të lidhë rrugën “Nëntë Malet e Dibrës”, rrugë që do të jetë si një gjerdan kopjues i tërë pasqyrës perëndimore të liqenit të Skavicës…

Më e bukur nga të gjitha do  të jetë pasqyra liqenore e fushës së Muhurrit, Kastriotit dhe Fushës së Çidhnës. Por bukuria e kësaj bukurie do të jetë “Rruga e lidhjes së Prizrenit”, qyteti i ri i Kastriotit. Buzë liqenit ai do të jetë ma i bukur se Pogradeci e Struga, qytet modern…

Një profesion i ri do të lulëzojë gërmadhash, profesioni i peshkatarit. Dibra nuk do të ketë nevojë më të rrisë lopë, dele, dhi, pula, kuaj e gomarë. Nuk do të ketë nevojë dibrani të lë kockat për një kosh me misër e një magje me grurë. Do të mbjellë rasat peshku e do të vjelë troftë, ballëgjerë e koranë. Edhe peshkaqenë. Pse jo, edhe krokodilë… 

Do të ketë fabrika peshku ku do të punësohen mijëra gra e vajza… 

Qark liqenit të Skavicës, që një gazetar që ka tradhtuar Dibrën duke u arratis jashtë këtij vendi të bekuar që lulëzon si asnjëherë e quan hurdhë, do të lulëzojë jeta, do të mbijnë si kërpudhat pas shiut vila, akuodrome, pishina për kampionate evropiane e botërore garash nga njeri breg në tjetrin, fusha vaterpoloje sa dibranët do ta harrojnë kërkesën për stadium futbolli…

Eh sa bukur do të jetë. Lumë kush të rrojë e në Dibër do të gëzojë. 

Duartrokitje…

Duartrokitje…

Duartrokitje frenetike e buzëqeshje që shpërthejnë në qeshje…

Qeshje fëminore…

Tek i shikoja në ekranin e vogël tërë atë gëzim e hare më erdhi edhe mua, 1000 kilometra larg, të qesh.

E provova…

Nuk më doli lart…

Më doli poshtë…