Zgjedhjet në Dibër mbahen nën hijen e “Dosjes 184” dhe projektit të Skavicës


Banorët e Dibrës e shohin përballjen 6 marsit për kreun e bashkisë më shumë si garë për vendin e dytë, ndërsa kërkojnë që kandidatët të kenë një qëndrim të qartë mbi projektin e HEC-it të Skavicës që prek mbi 2 mijë familje.

Nga SAMI CURRI/Birn  

Foto: Tabelë kundër ndërtimit të HEC “Skavicë në fshatin Blliçe. Foto: Sami Curri / BIRN

Banorët e Dibrës, në harkun kohor të shtatë viteve kanë ndërruar 5 kryetar bashkie – tre të zgjedhur dhe dy të emëruar. Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ata do u drejtohen sërish kutive të votimit për të votuar kryetarin e gjashtë, për një mandat pak më shumë se një vit.

Por këtë herë fushata për kryebashkiakun e ri, nuk ngjall shumë interes, pasi banorët e quajnë “muhabet të mbyllur”. Në garë përballë socialistëve në pushtet dhe me kontroll të çdo institucioni, qëndron një opozitë e përçarë.

“Opozita po të ishte e bashkuar këta (socialistët) i qëronin si portokall. Fitoren e sigurt. Po tashi PD e ndarë, dihet ajo,” tha Kujtim Murra, një pensionist që po bënte shëtitjes e mbasdites në bulevardin “Elez Isufi” në Peshkopi.

Mungesa e interesit dallohet edhe në shëtitoren kryesore të Dibrës, e cila dikur me afrimin e zgjedhjeve mbushej me flamuj dhe postera elektoral, ndërsa në këto zgjedhje nuk shihet asgjë e tillë.

Haxhi Paci, njësoj si miku i tij Kujtim Murra thotë se nuk sheh se si këto zgjedhje mund ta ndryshojnë drejtimin e bashkisë. Ai ankohet se Dibra ka ngelur në legjenda si “kreshnike” dhe “trime”, ndërsa sot problemet e shumta dhe politika e ka vënë për poshtë këtë zonë.

Kandidatët për postin e kryetarit të bashkisë në këto zgjedhje janë katër. I pari në fletën e votimit është Premtim Kryemadhi, një arsimtar që kandidon nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë”, i cili është krijuar nga LSI, por mbështetet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe një fraksion i Partisë Demokratike. Luan Haka është në garë si kandidat i Partisë Demokratike.

Nga koalicioni i majtë i Socialistëve në pushtet në garë për kryetar është Rahim Spahiu. Ndërkohë në garën për kryetar të Bashkisë Dibër do të jetë edhe një 26 vjeçar, Dritan Torba si kandidat i Partisë Lëvizja e Re.

Botohet me shkurtime. Shkrimin e plotë mund ta lexoni në versionin print ose PDF, ose online në versionin origjinal: 

https://www.reporter.al/2022/03/04/zgjedhjet-ne-diber-mbahen-nen-hijen-e-dosjes-184-dhe-projektit-te-skavices/