20 milionë euro shtesë për tunelin e Murrizit


Nga Ola Xama*

Në mesin e vitit 2019, kur ndërtimi i Rrugës së Arbrit ishte në fazë intensive, kompania Gjoka 87 mori vendimin për ta braktisur zonën e punimeve të tunelit të Murrizit.
Siç shpjegon raporti i grupit të inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit, terreni, për shkak të materialeve me përmbajtje argjilore, ishte shumë i lëvizshëm, çka detyroi kompaninë të merrte vendimin për braktisjen e kantierit dhe nisjen e studimit për të ndërtuar në një gjurmë tjetër.
“Ana perëndimore shfaqi shenja të proceseve intensive gjeodinamike, të tilla si rrëshqitjet e mëdha të dheut. Në këto kushte nga zbatuesi i punimeve është kërkuar të bëhet një gjurmë e re e tunelit me kushte më të mira gjeologjike-inxhinierike”, – thuhet në oponencën teknike që Instituti i Ndërtimit bëri për projektin e Alternativës B të Tunelit të Murrizit, ku dhe argumentohet vendimi për ndërtimin e tunelit në një zonë tjetër.
Edhe pse kompania në disa raste tentoi të përforconte strukturën e tunelit me ndërtimin e pilotave dhe forcimin e mureve mbajtëse me beton dhe hekur, lëvizjet ndodhnin në pjesën tokësore, duke e bërë veprën të paqëndrueshme.
Në preventivin e koncesionarit shpenzimet për këto punime kapin vlerën 10 milionë euro, faturë, e cila është dorëzuar për kompensim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kostoja e ndërtimit të tunelit të ri arrin në 145 milionë euro, 10 milionë euro më shumë se alternativa e parë, faturë, e cila po ashtu pretendohet të paguhet nga buxheti i shtetit.

Debate se kush duhet t’i paguajë kostot
Prej disa muajsh Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet t’i kthejë një përgjigje palës koncesionare, nëse do ta njohë si “shkak kompensimi” faturën shtesë për punimet në tunelin e Murrizit.
Juristja Ledina Mandia, ish-Avokate e Shtetit, sqaron se “Neni 29, pika C e kontratës koncesionare përcakton një rast për shkak kompensimi, kur Koncesionarit i kanë lindur ose do t’i lindin kosto, që nuk do t’i lindnin. Në një rast të tillë ai e fiton të Drejtën e Kompensimit, nëse ka vënë paraprakisht në dijeni Autoritetin Kontraktor dhe Inxhinierin e Pavarur për ngjarjen dhe humbjen e pritshme.”
Debatet lidhur me pagesën e kostove shtesë janë përqendruar për të zbuluar, nëse ka përgjegjësi pala koncesionare si projektuese e segmentit për rrëshqitjet që ndodhën e nëse i ka bërë të gjitha matjet e duhura.
“Koncesionari merr përgjegjësi të plotë për ecurinë e projektit, përshtatshmërinë e skicave ekzistuese të projektimit dhe për çdo informacion tjetër që i është dhënë, përveçse kur përcaktohet shprehimisht si shkak kompensimi”, – thuhet në kontratë, por po ashtu kontrata i njeh kompanisë të drejtën për kompensim, nëse gjatë zbatimit të saj kanë dalë probleme gjeologjike, që nuk mund të njiheshin më parë.
“Koncesionari nuk do të jetë përgjegjës për dëmtime, defekte, riparime dhe vonesa në zbatimin e punimeve, të cilat janë shkaktuar si rezultat i përbërjes gjeoteknike, gjeologjike të tokës apo defekte të rrugës, të cilat nuk mund të diheshin apo të zbuloheshin nga koncesionari, duke zbatuar kujdesin e zakonshëm, profesional dhe duke zbatuar metodat e njohura dhe të përdorshme inxhinierike”, – saktësohet më tej në kontratë.
Burime zyrtare thanë për Investigative Network Albania, se kompanitë që mbikëqyrin punimet e kësaj rruge, GR Albania dhe Gauff Gmb, të cilat janë kontraktuar nga shteti shqiptar për të bërë kontrollin e punimeve, kanë dalë në konkluzionin se defektet kanë ndodhur për shkaqe të paparashikueshme gjeologjike, duke miratuar pagesën e faturës në favor të kompanisë koncesionare, Gjoka 87.
“Shpimet në malin Starvec për testimin e tokës janë bërë në 35 metra thellësi, ku është konstatuar tokë solide, duke i hapur rrugë ndërtimit të veprës, por, kur kanë nisur punimet, është kuptuar që pas thellësisë së 35 metrave kishte lëvizshmëri të tokës. Më pas në testimet e tjera për të ndërtuar tunelin në zonë tjetër, janë kryer shpime deri në 130 metra për t’u siguruar që nuk do të kishte lëvizje të tokës”, – tha një burim zyrtar, i cili kërkoi të mbetej anonim.
“Ky ishte një nga variantet më të lira, pasi mund të përdoreshin metoda të tjera për të vazhduar tunelin në të njëjtën gjurmë, por që do të kërkonin kosto të mëdha apo që në një variant tjetër mund të shkaktonte masakër mjedisore”, – shtoi ai.
Në këtë pikë ish-Avokatja e Shtetit, Mandia, sqaron se nuk ka vend për dyshime.
“Nëse është konsideruar shkak kompensimi, do të thotë që kjo është pranuar si e tillë nga Autoriteti Kontraktor dhe Inxhinieri e në këtë rast Koncesionarit i lind e drejta për kompensim”, – përfundon Mandia.
Investigative Network Albania dërgoi disa kërkesa për informacion në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për dy muaj rresht, por edhe pas ankesave të kryera nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale e vetmja përgjigje që ka arritur të sigurojë është se ministria do të respektojë kontratën koncesionare, pa u shprehur se kush do t`i paguajë kostot shtesë të ndërtimit të tunelit të Murrizit.
Lidhur me kostot shtesë të ndërtimit të alternativës së dytë të tunelit, Ministria e Infrastrukturës shtoi se “kjo vlerë është sipas parashikimeve të kontratës së koncesionit dhe shtojcave të saj, të miratuar me vendimin e sipërcituar. Ju informojmë se, çdo kosto për projektin “Alternativa B- Tuneli i Murrizit/Hyrja Tiranë” është pjesë e përcaktimeve ligjore në kontratë dhe brenda detyrimit financiar në kontratën në fuqi”, por pa sqaruar, nëse detyrimi financiar për tunelin e ri do të konsiderohet shkak kompensimi apo jo.
Por MIE, edhe pse thotë se risku i projektimit të veprës duhet të mbahet nga privati, saktëson se koncesionari ka kryer të gjitha matjet dhe se defektet ishin të paparashikueshme.
“Qëllimi dhe objekti i kontratës është hartimi i një projekt-zbatimi, në përputhje me Standardet e Projektimit për zgjidhjen më të mirë teknike dhe ekonomike. Gjatë realizimit të projektit dhe gjithashtu në implementim janë kryer studime dhe investigime sipas standardit, por dukuritë dhe fenomenet natyrore, sidomos ato të nëntokës, jo gjithmonë janë të parashikueshme”, – përfundon përgjigjen e saj për INA MEDIA-n Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Burime konfidenciale pranë Avokaturës së Shtetit thanë për Investigative Network Albania se ka patur diskutime lidhur me pagesën e dëmeve gjatë shembjes së tunelit dhe miratimit të projektit tjetër.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar një sqarim ligjor pranë Avokaturës së Shtetit se kush do të duhej të paguante diferencën, por deri tani nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Vetë ministria në kërkesën për informacion konfirmoi “negociatat” për kostot shtesë.
“Ka patur korrespondencë të vazhdueshme me Avokaturën e Shtetit, lidhur me këtë kontratë koncesionare”, – pranon MIE.

145 milionë euro për tunelin e ri të Murrizit
Projekti i ri i tunelit zgjat me 500 metra gjatësinë e tij, nga 3.3 kilometra, që ishte në variantin e parë, në 3.8 kilometra në të dytin. Sipas të dhënave zyrtare, tuneli do të përbëhet nga dy tuba, një për emergjencat, që do të shërbejë si tunel shërbimi me diametër më të vogël dhe një tjetër me përmasa më të mëdha, ku do të lejohet qarkullimi normal i automjeteve.
Instituti i Ndërtimit ka kërkuar edhe në këtë projekt që të kryhen shpime shtesë me sondë, edhe pas studimeve të tjera gjeologjike që ka bërë firma koncesionare, pasi “vetëm në këtë mënyrë do të evitohen problematikat që ndodhën edhe në rastin e tunelit të parë”.
Në bazë të preventivit të dorëzuar nga kompania koncesionare, vlera e tunelit të ri arrin në 17.5 miliardë lekë (ose 145 milionë euro), nga 16 miliardë lekë që kushtonte varianti i parë, duke u bërë kështu tuneli më i shtrenjtë, i ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.
1 kilometër i këtij tuneli do të kushtojë 38.1 milionë euro, ndërsa ai i Llogorasë ka një vlerë prej 23.3 milionë eurosh për kilometër dhe ai i Kalimashit është ndërtuar me një kosto mesatare prej 21 milionë eurosh/km. Lidhur me këto kosto Instituti i Ndërtimit ka kërkuar sqarime për disa zëra.
“Për të bërë vlerësimin e kostove të ndërtimit duhet të ishin paraqitur volume metrike të ndërtimit”, por është shprehur parimisht dakord me vlerën, pasi zërat e tjerë të preventivit janë paraqitur konform rregullave.
Deri tani kanë mbetur 400 metra për t’u hapur në tunelin e emergjencës, ndërsa punimet në tunelin kryesor janë në fillim të tyre. Kjo ka bërë që kompania dhe mbikëqyrësi i punimeve të kërkojnë shtyrje të afateve për përfundimin e veprës për në gusht të vitit 2022.
Rruga e Arbrit është aksi i parë që qeveria zbatoi për projektet koncesionare të ndërtimit në infrastrukturën rrugore, duke përdorur formën e partneritetit publik-privat, ku propozohej që vlera e investimit të kryhej nga kompania, ndërsa shteti do të niste vitin e dytë pas realizimit të 25% të volumit të punimeve pagesën e kësteve për 13 vjet, duke paguar një interes në vlerën e 40 milionë eurove. Investimet e kompanisë Gjoka Konstruksion bashkë me problemet në tunelin e Murrizit për këtë segment janë 235 milionë euro, ndërsa shteti do të paguajë në fund 348 milionë euro.

Marrë nga INA.media. Botuar me shkurtime. Shkrimi i plotë gjendet në lidhjen më poshtë:
https://ina.media/?p=4009&fbclid=IwAR2hGb6e1aWJ2pjQ4dbbQDCxSQ9_D6VFM5wvRpOIPYcm9OBHJ4Vuk096kHQ