‘Bacë’ Baftjar Zajmi i Dohoshishtit të Dibrës


Një nga njerëzit më interesantë që njoha në Veri, një njeri që do të dëshiroja të më dilte diku papritur dhe ta ftoja për një kafe.

Nga Petro Mejdi

Një imazh
Imazhi i tij më ka mbetun i patretun në kujtesën time, a thua se jam ndarë dje prej tij dhe jo para 41 vjetësh. Ai ishte një njeri kompleks, një karakter i veçantë, në të ndërthureshin konservatorizmi, patriarkalizmi, mençuria, pasioni për leximin, sidomos të librave historikë, kapriçoja, fanatiku, shpirti revoltues ndaj padrejtësisë. Fliste ngadalë, me një mënyrë bindëse, rrjedhojë këto të përjetimeve midis burrash që shquheshin për përdorimin mençurisht të fjalës. …

Baca
Që Baca, kështu dëgjova që t’ i thërrisnin me shaka kolegët, një prosonim që ia vuri vetë vetes, është ai shaluar mbi kalë (në foton që shoqëron shkrimin), nuk është vetëm se ishte më i madhi në moshë, por se ishte dhe pak….bajraktar, kështu thoshte, se nuk rridhte nga një fis dosido, por nga Zajmët e Dohoshishtit. Ishte një njeri i çuditshëm, i veçantë, një tip njeriu, i panjohur deri atëherë për mua që isha i sapodalë nga auditorët dhe jugor. Ai si personalitet, si karakter, si ngjizje dokesh, zakonesh, virtytesh e sjelljesh, ishte pjellë e odave, mexhliseve dhe kuvendeve dibrane, ndoshta më i vogli i familjes, ose ndoshta më i përkëdheluri, të cilin, me siguri, babai dhe gjyshi e mbanin para gjunjëve, dhe ai thithte çdo gjë të atyre kuvendeve, u mëkua me mençurinë e atyre njerëzve, që një intelektuali, sidomos jugor, nuk u besohej se ata pleq me kësula të bardha, me tirqe e xhamadanë, do të ishin aq të mençur, por ata zotëronin alegorinë dibrane dhe që t’ i kuptoje duhet të zbërtheje alegorinë, as përfaqësuesit e organeve sekrete të shtetit nuk i kuptonin se ku rrihnin me ato tregime që rrëfenin, veç po të tradhëtoheshin nga brenda.
Në Veri kuptova se ka dy interpretime të historisë; ai zyrtari, i cili është dhe më i dyshimti në vërtetësinë e tij, pasi ajo, historia, shkruhej nga fitimtarët dhe ai i odave, i cili ishte më pranë së vërtetës, që nuk ka interpretime të qëllimta, por historia thuhet dhe përcillet siç ka ngjarë.
Unë çuditesha me Baftjarin, me guximin e tij për të gjykuar njerëz aq lart kupolës së shtetit, kur binte fjala për Haxhi Lleshin, ai gjithmonë e emërtonte presidenti, duke ulur kokën, ndoshta për të fshehur diçka nga fytyra, nga sytë, për atë që thoshte me zë të ulët, gati sa thoshje se po i flet vetes: “Hajt mor, presidenti, kur iku nga Zogu u strehue tek jugosllavët”. Dhe me pak ironi përsëriste një varg nga një këngë e njohur e kohës me çifteli “Në Zogjej të Dibrës këndon bilbili”. E këndonte kështu që në zërin e tij fshihej një ironi dhe sarkazëm e lehtë. Ai e dinte rrezikun e kësaj që thoshte.
Shumë ngjarje të historisë të lexuara në botimet historike baca i redaktonte sipas versionit të dëgjuar nga dëshmitarë të ngjarjeve historike, ose të dëgjuara në bisedat e odave dibrane. Fliste në një mënyrë të tillë për historinë e Dibrës, që unë nuk e kisha ndeshur dhe dëgjuar. Katër grykët, Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Gryka e Homeshit, Nëntë malet e Dibrës, nuk thoshte Fushë Çidhën, por në Fushalie, Çidhna është përtej Drinit, thoshte me nënkuptim. Përmendte dhe fliste me një simpati të fshehur mirë emra fisesh si Demajt, Hoxhajt, Aliajt, Elez Isufi dhe Cen Elezi, Dali Ndreun etj. Tallej me zogistët dhe antizogistët, me revolucionarët pa shkak, me atentatorët, me komunistët, të cilët gjenin strehë te Pashiqi dhe në Jugosllavinë e Titos. Ato vite në Ostren me Baftjarin kreva dhe studimet për Histori, një histori e palexuar ndër libra. Mbaj mend se si reagonte kur lexonte librin e një veterani dibran, kur nuk ishte dakord me të thoshte duke turfulluar: “Budalli”.
Biseda ndizej kur në të merrte pjesë dhe Pëllumb Cami nga Gjorica. Ngjanin në kuptimin e historisë. Kur hapeshin biseda të tilla historike midis Baftjarit dhe të tjerëve, në fillim largoheshin komunistët mësues, edhe drejtori. E dinin mënyrën e gjykimit të historisë nga Baca dhe nuk donin të ishin dëshmitarë për ato që ai thoshte. Baca vetëm kur dialogonte me Sul Katën, mësuesin specialist nga Maqellara, atij nuk i kundërshtonte. Kisha vënë re se ata të drejtorisë dhe Partisë në shkollë, dhe ishin disa, kishim organizatë bazë, sikur druheshin t’ i mprehnnin thikat me Baftjarin. Ai vinte nga një fshat afër qytetit, njihte në komitete e seksion, dhe mendonin se ai mund t’ u bënte keq. Por Baca ishte burrë i mençur dhe serioz. Nuk merrej me vogëlima.

Intermexo: in memoriam: Fiqiri Topi i Sopotit.
Një ditë Baftjari po i thoshte me zë të lartë një kolegu, Fiqiriut, nga Sopoti i Zerqanit: “Or Fiqiri, o ty të hangërshin ujqit”. (I tha kështu se ai ikte në të ngrysur përmes pyllit të Ramnagorës për në Sopot.)
“Pse m’thu kështu, o Baftiar”, – dëgjoja përgjigjen e Fiqos, me një të folur si e marrë zvarrë, ndaj dhe kur fliste Fiqiriu duhej të ishe shumë i vëmendshëm për ta kuptuar.
“Pse nuk martohesh?”, – ia ktheu Baca si për sqarim se përse e kishte nëmur.
U çudita kur e dëgjova nga goja e Baftjarit këtë këshillë miqësore. Ai dhe vetë ishte beqar. Kur e pyesnin Baftjarin se pse nuk martohesh, ai nuk përgjigjej menjëherë, qëndronte, të shikonte në sy dhe thoshte: “Nuk ka lind hala ajo cucë për mu, unë e du nga inkubatori. Ku ku, po a ke besë në cucat e sotme?!”
Fiqiriu nuk e keqkuptonte Baftjarin, bile ai ishte mbrojtësi i tij, diçka si kujdestar. U fliste nxënësve të fillores, disa djemve nga Tolajt e Lagjes së Gurit, Nakamen, i thonë në gjuhën e tyre vendasit, të cilët nuk rrinin mirë në orën e mësimit, dilnin nga dritaret. I gjori Fiqo, pas mësimit, dhe e kishte mësimin pasdite, shkonte deri në Sopot, afër Zerqanit. “Kam nanën vetëm – më tha një ditë, “s’un e la fillikat”.
Kur nuk gjente fletore për nxënësit, shkonte deri në Smollnik dhe Tërnovë. Drejtori këto i mbante mend dhe i përmendte në raportet e mbledhjeve të këshillit pedagogjik, si për t’ u marrë shembull. Fiqiriu i dëgjonte dhe skuqej i tëri, nuk ishte i mësuar që ta lavdëronin në kolektiv.
Një ditë kjo vërejtje e Baftjarit ndaj Fiqiriut mori përmasa më të mëdha. Ja dhe dialogu: Baftari: – Pse nuk martohesh, or Fiqiri?
Fiqiriu: – Sun gjej, o Bafjar. Ja, merr S (një mësuese nga Tirana). Nuk më merr, i dukem i keç (i keq, i shëmtuar), tha Fiqoja dhe rrotulloi pak sytë problematikë dhe filloi të skuqej.
– Merr L, këmbënguli Baca, duke i marrë me radhë të gjitha mësueset beqare.
– E kam milet, (e kam timen), or Baftjar.
– Mirë, merr E.
– More ku jeta, atë e ka Petro, – thirri si duke bërtitur Fiqoja.
Këtë herë Fiqoja jo vetëm që u skuq i tëri, por dhe u zemërua.
Fiqiriu ishte mësues i fillores. Para disa vjetësh e kishin pushuar nga puna. Nuk e mbaj mend arsyen. Kishte vetëm nënën. Ja bënë për inat dhe ai i shkruajti Enver Hoxhës. Aty ku nuk e priste Fiqon e thërrasin në zyrat e Partisë në Peshkopi dhe i thonë për përgjigjen e Enverit dhe se në shtator do të emërohet përsëri në arsim. Ndaj dhe i ziu Fiqo punonte shumë në klasë.

Baca martohet, por fati kishte për të dhe një gotë të hidhur.
Po të jetoje me bacën bindeshe se ai nuk e kishte shumë problem beqarinë. Ishte një kuzhinier i mbaruar. Ishte mjeshtër në gatimin e makaronave të skuqura. Gjente momentin kur ua hidhte ujin e zier që më parë dhe ato, makaronat, lëshonin një aromë të këndshme dhe nuk ngjiteshin. Me atë bukë që kishte kooperativa, makaronat ishin një zgjidhje ideale. Ato ashtu siç i gatuante Baftjari nuk të mërziteshin, edhe pse hanim shpesh.
Nuk e di nëse Fiqoja e vuri në jetë këshillën e Baftjarit për t› u martuar, por vetë Baca, edhe pse e vonoi dhe disa kohë, u martua. Më së fundi ai gjeti një vajzë të mirë dibrane, ashtu siç ai e donte, të urtë, të ndershme e punëtore. Këto nënkuptonte ai kur thoshte se e donte nga inkubatori. Dhe krijoi familje të madhe. I erdhën në jetë katër fëmijë. Por jeta, kishte ruajtur një gotë të hidhur dhe për Bacën. I vdes vajza gjatë lindjes. Dhe ngushëllimin e gjeti te fëmija që lindi dhe i malcoi pak plagën e vajzës.

Skicimi i një portreti
Mund ta përfshish në burrat e gjatë, pak i bëshëm, gjithmonë me kostum, e mbaj mënd ngjyrë kafe të errët, këtë imazh kam në kujtesën time, nuk ishte i modave dhe i salltaneteve, nuk e kam parë kurrë të këndojë dhe vallëzojë, vinte vetëm në mbrëmjen për Enverin, më 16 Tetor, nuk mundej që t› i shmangej, në kishim në shkollë një organizatë bazë dhe bashkime profesionale, që i shfrytëzonin këto raste. Dhe nuk e bënte se ishte kundër, jo, kështu ishte prerë si karakter. Flokzi, me një çetinë që mbulonte ballin e gjerë, kjo ngjante pak rinore. Kjo çetinë e kishte bërë me një huq, kalonte shpesh dorën mbi flokë për të disiplinuar çetinën, që kur i binte mbi ballin e gjerë, e tregonte pak më të ri, pak çapkën. Vinte i zeshkët, më shumë me ngjante me një ngjyrë gruri të dendur, kur ne shokët shikonim gjurmë të mëdha këpucësh në dëborë, thoshnim me shaka se para nesh ka kaluar baca, kur ecte i hepohej trupi, a thua se do të rrëzohej si lisi nga era, nuk e kam dëgjuar që të merret me thashetheme, as me biseda që fshihnin intimitete, kur ishim grup dhe takonte të kalonin ato vajzat e gjata dhe të bukura të Ostrenit, ai as mirëmëngjesi nuk u thoshte, përkulte pakëz kokën, sa për mirësjellje, kishte krijuar miq ostrenas, ishin nga ata të veprave të mëdha në ndërtim, që vinin nga kantieret, çoku e pinte ndonjë gotë rakie kumbulle, ashtu si dhe ne të tjerët, e shoqëronte me turshi që na sillnin nxënësit, shokët e tij ishin nga ana e Shupenzës e tutje, rrinte me Xhemalin, farmacistin e talentuar, them i talentuar, se Xhemal Hyseni bënte më shumë se sa një shitës i thjeshtë ilaçesh,, me Kujtimin, dentistin, por miku i tij, me të cilin ngjanin në njohuritë e thella për historinë, sidomos për atë që nuk e gjeje në libra, ishte Mehmet Loka, veterineri nga Tirana. Baftjari i lëshonte udhë Metit, nuk i kundërshtonte për të gjitha, megjithëse Baca i ruhej Metit, kishte frikë nga ai, jo nga ai vetë, por nga ca biseda të tij gjithë alegori, atëhere Baca i shmangej me marifet bisedës. Unë dhe disa të tjerë, të cilët kishim diçka në biografitë tona, “ trembeshim “ nga bisedat e të dyve. Më shumë frikë kisha nga prania në bisedat e Mehmet Lokës, ai e kishte me sistemin ku jetonim, Baca nuk fliste për aktualitetin, atij i dhimbte fakti që historia e Shqipërisë, dhe sidomos e Dibrës, nuk ishte shkruar realisht, ashtu siç ai e kishte dëgjuar në odat dibrane. Por thoshte histori të tilla që në librat shkollorë dhe politik thuheshin ndryshe. Por shoqëria jonë bëhej më e madhe kur takoheshim me agronomët, ekonomistët, oficerët e ushtrisë dhe ata të sigurimit. Në doje që ta vrisje Bacën ishte që të mos e dëgjoje me kujdes, ose më e keqja ta ndërprisje. –Burrat e ndigjojnë deri në fund njani – tjetrin, thoshte Baca gjithë zemërim. Ai që e zëmëronte shpesh ishte një koleg i fillores, ndodhte që dhe ai të dëgjonte Bacën dhe kur para sheshit të shkollës kalonte ndonjë për të cilin ai kishte antipati, fërkonte duart, duke i afruar tek gjunjët dhe thërriste pa përcaktuar se kujt, në gjuhën e vendit: – Doxhdollnik (salamandër). Baftjar Zajmi ishte armik i kuadrove mediokër, partiakë dhe shtetërorë. Kur ishte i detyruar që t’ i dëgjonte nëpër mbledhje, ulte kokën njësh me syprinën tavolinës ose bangës së nxënësve, dhe skroftinte për një çast, sa për të shkarkuar mllefin, që të mos e thoshte hapur dhe me zë qëndrimin dhe përshtypjen që i bënë ato që thoshnin sekretarët dhe instruktorët.

Një kapitull me pak humor
Baftjari kishte tre hobe; të lexuarit, lojërat e tavolinës dhe të shikonte ndeshje ndërkombëtare futbolli. Për të parë ndeshjet e kupave të Evropës, televizor kishte në vatrën e kulturës, por ne donim ndeshjet që jepte Shkupi, shkonim te ndonjë koleg ose në shtëpitë e nxënësve. Më ka rastisur disa herë që me Baftjarin të shoh ndeshje në shtëpinë e Flamurit dhe Islam Muçës. Në një ndeshje të kupave të Evropës midis Cervena Zvezdës dhe një skuadre gjermane, komentatori (Atanas Kostovski) përmendi shpesh fjalën greshi, që në sllavisht do të thotë gabim, gabim në pasim. Baca, i cili, edhe pse punoi disa vjet në Ostren, nuk mësoi thuajse asnjë fjalë. Aty nga fillimi i pjesës së dytë, kur vëmendja jonë ishte te loja, ai thotë: “Sa lojtar i madh ky greshi!” Ne qeshëm me të madhe. Ishte orë e vonë dhe me siguri të tjerët e familjes kishin rënë për të fjetur. “Or Bacë Bajrami, greshi do të thotë gabim, jep pasa të gabuara”.
Ai nuk foli. Ndoshta i erdhi inat që nuk e mësoi gjuhën e vendit. E kisha vënë re që nuk i pëlqente kur kolegët dhe nxënësit flisnin atë gjuhë në mjediset shkollore. Nxënësit nuk flisnin kurrë para tij. As në mensë nuk përdorte fjalë sllave. “Me sllavët jemi vra në shekuj”, thoshte Baca. Dhe nuk e kishte si justifikim, por po thoshte një të vërtetë historike. Ne të gjithë, herë dhe për shaka, i drejtoheshim kuzhinieres: “Kara imat sa jadime? (Çfarë ka për të ngrënë)? Dhe ajo rreshtonte gjellët: “Komomani (patate) pirinxhi (pilaf), graf (fasule) kromid (qepë. E vetmja fjalë që e kuptova, është një greqizëm) mleko (qumësht), mleko kisello (kos) etj…

Epilog
Baca nuk bënte kurrë atë që nuk ia thoshte zemra, që nuk ishte pjesë e karakterit të tij. Ai këtë e quante pjesë të patriotizmit të tij. Dhe Baca ishte dhe është patriot. E përshëndes. I them se është një nga ata njerëz të njohur në udhët e jetës, të cilin do të doja që ta takoja, ta pinim një kafe së bashku.