ÇSHENJTËRIMI


Tregim alegorik

Nga Xhafer Martini

Në një katund njerëzit shkonin dhe faleshin tek një trung lisi. Nuk i binte kujt ndërmend për të ndërtuar xhami se puna, sipas tyre, bëhej njësoj. Vetëm një burri kjo gjë nuk i dukej për së mbari. Të falesh pranë një druri, sipas tij, do të thoshte se i besoje atij druri dhe drurëve të tjerë, shkurt, i besoje çdo sendi të natyrës, çka ishte një mëkat i madh. Ky burri duroi sa duroi e një ditë mori sopatën dhe u nis për ta prerë lisin. Në udhë i doli Qoftëlargu, i figuruar si njeri, pikërisht ai që i shtynte njerëzit të faleshin tek një dru, me qëllim që t’i hidhte në prehërin e mëkatit.
– Ku po shkon me këtë sopatë? – e pyeti Qoftëlargu burrin.
– Do të pres lisin ku falen njerëzit.
– Lisin nuk ke për ta prerë, – i tha Qoftëlargu me vendosmëri dhe i zuri rrugën.
– Ec dhe më mbaj, – i tha burri i gatshëm për t’u përleshur për të përmbushur misionin e vet.
U kacafytën mu në rrugë. Burri që donte të priste lisin, ndjeu një fuqi të madhe në veten e tij që nuk e kishte provuar kurrë. Megjithëse Qoftëlargu ishte shumë i fortë, burri u bë dhjetë herë më i fortë dhe i dukej sikur po matej me një fëmijë pesë vjeç. E zdruqi mirë Qoftëlargun, i cili nuk pati ç’të bënte dhe u largua. Burri që doli fitimtar, kapi sopatën dhe filloi të presë lisin. Po trungu qe i trashë dhe nuk mund të pritej për një ditë, aq me tepër që ai humbi shumë kohë duke u mundur me Qoftëlargun. E la ta vazhdonte punën të nesermen. Ditën tjetër u ngrit më heret e shkoi tek lisi. Qoftëlargu i kishte zënë prapë rrugën. I tha:
– Lisin nuk ke për ta prerë!
– Largohu se ta bëj më keq se dje. Të më kishte ndodhur mua si të ndodhi ty, nuk dilja më këtu. Po ti qenke i pafytyrë.
– Sot nuk kam dalë për t’u mundur me ty, por për t’u marrë vesh, – i tha me të butë Qoftëlargu, duke krijuar përshtypjen që ishte i arsyeshëm.
– Për çfarë do të merremi vesh? – e pyeti burri.
– Do të të japë çdo ditë tri lira veç mos ta presësh lisin. Mendoje vetë ç’propozim është ky!
Burri vërtet u mendua. “Kjo punë po më del me leverdi të madhe, ” – tha ai me vete dhe filloi të arsyetonte ndryshe: “Ta zëmë se e preva lisin, ç’fitova? Asgjë! Do të ruaj nga mëkati ca njerëz që nuk e meritojnë, ata nuk do ma dijnë për nder. Nëse unë i largoj nga ky mëkat, ata bëjnë njëqind të tjerë. Sikur të mos e pres lisin, sot marr tri lira, neser tri të tjera e kështu me radhë. Për pak kohë bëhem i pasur dhe shikoj hallin tim…”
– Po më dhe çdo ditë tri lira, nuk e pres lisin, – i tha burri Qoftëlargut.
Qoftëlargu hapi qesen dhe i dha tri lirat.
– Neser dua tri të tjerat, – tha burri.
– Do të t’i sjell në shtëpi, mos u bej merak, – i tha Qoftëlargu.
Burri vuri sopatën në krah dhe u kthye nga rruga pa e përmbushur misionin që i kishte vënë vetes. Shkoi tek shtëpia dhe neser priti t’i shkonin tri lirat. Nuk i shkuan. Priti pasneser, tjetërpasneser. Nuk i çoi kush lira. U zemërua shumë, por priti edhe dy javë. Askush nuk shkoi me i çue lirat. Mori vendim të pakthyeshëm për ta prerë lisin. Vuri sopatën në krah dhe drejt e tek vendi. Qoftëlargu i doli para, si dy herët e tjera. Burri i tha:
– Ti nuk m’i prure lirat dhe unë do ta pres lisin.
– Pare nuk ke për të marrë dhe lisin nuk ke për ta prerë, – i tha me ton tjetër Qoftëlargu. – Merr rrugën dhe shko në shtëpi, ndryshe t’i thyej hundët.
– Largomu nga udha se ti ma di hujin, – i tha burri që kishte sopatën në dorë.
Qoftëlargu jo vetëm nuk ia liroi udhën, por iu hodh në grykë që t’ia merrte shpirtin me duar. Burri mundi t’i shmangej, por pati përshtypjen që e shtrënguan jo dy duar njeriu, po darë çeliku. Qoftëlargu ishte bërë dhjetë herë më i fortë, apo ai ishte bërë dhjetë herë më i dobët, këtë burri nuk arrinte ta ndante, por e kuptoi se me të nuk ia dilte dot. Puna ishte të shpëtonte gjallë kësaj radhe…Deshi t’ia mbathte, por Qoftëlargu e kapi dhe bjer e bjer, deri sa burri nuk jepte më shenjë jete. Qoftëlargu e la, se nuk donte ta mbyste fare. E ngriti nga toka si thes me patate dhe i tha:
– Këput qafën e mos u duk më këtu.
Burri iku në shtëpi shpirt e trup dërrmuar. “Si ndodhi kështu, – thoshte me vete ai. – Atë ditë ky njeri m’u duk si bashkë leshi, kurse sot nuk luante vendit, ma sa luan mali !”
(Marrë nga libri Kanuni i Dibrës, Botimet M&B, Tiranë 2016)