Dibra, qarku i bukurive përrallore të trashëgimisë glaciale në Shqipëri


Një vështrim gjeografik mbi liqenet akullnajore të qarkut Dibër

Nga Adriatik BALLA, Doktor i Shkencave Gjeografike
Florian Fusha, Doktor i Shkencave Gjeografike dhe Antropologjike, Firence-Itali

Hyrje
Liqenet akullnajore janë një nga pasuritë e çmuara të vendit tonë. Shumë pak është folur për vlerat e tyre të rralla shkencore, peizazhore, turistike, ekonomike e natyrisht fiziko-gjeorafike, dhe shumë pak është bërë për t’i mbrojtur këta “sy të kaltër” në zemër të maleve shqiptare.
Gjatë Kuaternarit, klima është ftohur e ngrohur disa herë, duke krijuar të ashtuquajturat periudha akullnajore (glaciale) midis të cilave shtriheshin periudhat ndërakullnajore (ndërglaciale). Njihen 4 periudha akullnajore gjatë 2 milionë vjetëve të fundit, por në territorin shqiptar kanë lënë gjurmët e tyre akullzimet e Rissit (i parafundit) dhe akullzimi i fundit që njihet si Vyrmian (Würm). Akullzimi i fundit është shtrirë në lartësinë mbi 1100-1300, e nëpër luginat e Alpeve edhe poshtë kësaj lartësie. Tre tipe akujsh janë regjistruar në këtë periudhë akullzimi që nisi 115 mijë vjet më parë e përfundoi 10 mijë vjet më parë. Tipi i parë është akulli luginor, me trashësi deri në 200 m, sot në reliev shfaqet me luginat e lugjet akullnajore në relievin e lartë në Alpe, Korab etj. Tipi tjetër është ai i pllajave, në lartësitë mbi 1500 m, gjurmët e të cilit nuk janë shumë të ruajtur për shkak të erozionit pas akullnajor ndërsa tipi i tretë është ai i cirqeve, ku format e erozionit akullnajor nga ky tip ruhen më mirë se kudo tjetër në relievin malor mbi 1300 e sidomos në lartësitë 1600-1800 m. Më të shprehura format e relievit akullnajor të cirqeve janë të shprehur në Alpe, por edhe në vargmalin e Korabit dhe atë të Lurës, vargjet malore në rrjedhjet e mesme të Shkumbinit e Devollit, në Gramoz etj. Në fundin e cirqeve, gropat e krijuara nga zhvendosja e akujve dhe shkrirja e tyre çoi në mbushjen me ujë dhe shndërrimin në liqene, të cilët ruhen deri në ditët e sotme.
Liqenet dhe format e relievit akullnajor janë më të ruajtura në zonat që ndërtohen nga shkëmbinjtë magmatikë ultrabazikë, pasi këta lloj shkëmbinjsh janë të patretshëm kimikisht dhe të padepërtueshëm, prandaj këto forma ruhen më mirë se në shkëmbinjtë karbonatikë dhe mbi shkëmbinjtë terrigjenë. Parë në këtë kuadër, masivet malore të Lurës, Balgjait, Dhoksit, Shebenikut, Valamarës etj, mbajnë grupet kryesore dhe numrin më të madh të liqeneve akullnajore. Në të gjithë Shqipërinë, të evidentuar nëpërmjet hartave topografike 1:25000 dhe imazhet satelitore të 20 vjetëve të fundit, janë 225 liqene akullnajore dhe karsto-akullnajore, por vetëm afro 100 prej tyre mbajnë ujë gjithëvjetor dhe janë të shëndetshëm plotësisht. Të tjerët janë me ujë të përkohshëm, të karakterit stinor, ose me ujë vetëm për një muaj apo dhe për disa javë kur shkrin bora në pranverë.
Qarku i Dibrës, ka plot 115 liqene të tillë, por vetëm 55% e tyre mbajnë ujë vazhdimisht, të tjerët janë ose në proces tharje të pakthyeshëm, ose me ujë të përkohshëm e me tipare jo shumë të qarta.

1. Liqenet e Lurës

Liqeni i madh i Lurës (foto nga Artur Nikolli, maj 2021)

Lura është simboli përfaqësues i liqeneve akullnajore në Shqipëri. Në masivin magmatik të Kunorës së Lurës ndodhen afro 20 liqene, por vetëm 15 prej tyre mbajnë ujë thuajse gjithëvjetor. Grupi kryesor është ai i liqenit të Madh, ku ndodhen 6 liqene, por liqeni i Madh bën diferencë pasi në kapacitetin maksimal ujor ka sipërfaqe afro 11.7 hektarë (të gjitha shifrat që jepen nga AZM Dibër dhe në literaturë nga autorë të ndryshëm më herët duhen marrë me rezervë. Autorët e këtyre radhëve kanë mbi 15 vjet që monitorojnë situatën e tyre në të gjithë Shqipërinë dhe po botojnë me bashkëautorë monografinë “Liqenet akullnajore të Shqipërisë”). Liqenet e tjerë rreth e qark tij kanë sipërfaqe maksimale jo më shumë se 2-3 ha, ku spikasin i Rrasave, i Lopës, i Tushës etj.
Një liqen i bukur, por disi i vetmuar ndërmjet majës së Kunorës dhe Nezhdës së Lurës, është ai i Hotit, me sipërfaqe maksimale 2 ha, liqen relativisht i thellë, i rrethuar me pyje, por të dëmtuar disi vitet e fundit. Më në jug, në vazhdim të Nezhdës së Lurës, shtrihen dy grupe liqenesh. Fillimisht liqeni i Zi dhe liqeni i Thatë, bashkë me një tjetër të paemër, që përbëjnë një trio unike në këto lartësi, me ujë gjithëvjetor, ngjyrë blu të thellë dhe të rrethuar me pisha që u japin bukuri mahnitëse. Në skajin më jugor të Nezhdës së Lurës, shtrihen dy liqene të veçantë, që janë ai i Kallabekës dhe i famshmi liqen i Luleve, i pari me sipërfaqe 4 ha e tjetri me 1.5 ha. Bimësia halore që i rrethonte është dëmtuar së tepërmi vitet e fundit dhe është vënë në rrezik vetë liqeni i Luleve, nga ku ka marrë emrin për shkak të një zambaku të bardhë uji që lulëzon në qershor (Nymphaea alba).
Liqenet e Lurës janë përfshirë që nga viti 1966 në parkun me të njëjtin emër, i zgjeruar vitet e fundit edhe me atë të Zall-Gjoçajt. Por edhe pse zonë e mbrojtur, bimësia në park është dëmtuar në 20 vjetët e fundit , duke krijuar një situatë aspak të këndshme.

2. Liqenet e Balgjait

Grupi i liqeneve të Allamanit në masivin
e Balgjait (foto e autorëve, korrik 2021).

Për nga numri, përmasat dhe disa tipare morfohidrografike, liqenet akullnajore të Balgjait shënojnë kulminacionin e trashëgimisë glaciale në Shqipëri. Veçantia tjetër e këtij masivi është se liqenet ndahen sipas kreshtave ujëndarëse në katër bashkitë e qarkut, pra Dibrës, Bulqizës, Matit dhe Klosit, ku secila bashki përfaqësohet me më e pakta nga një grup liqenesh. Në periudhën ujëshumë dhe në fund të pranverës kur shkrin masivisht bora, në të gjithë Balgjain numërohen deri në 45 liqene, prej të cilëve grupin më të madh e përbën ai i Allamanit, me afro 20 liqene në total por shumica me ujë të përkohshëm. Në këtë grup 4 janë liqenet që bëjnë diferencë, ai i Hysen Begut me sipërfaqe maksimale 12 ha, i Allamanit me 4.5 ha, liqeni i dyfishtë i Allamanit me 5.5 ha, si dhe liqeni i Dhive me një bukuri mahnitëse me 1.7 ha.
Grupi i dytë më i madh është i Kacnisë, ndoshta liqenet më të bukur akullnajorë të Shqipërisë, që krahasohen me ata të Lurës por ndoshta janë edhe më të bukur. Në periudhën ujëshumë numërohen mbi 15 liqene, të ndarë në dy nëngrupe, së pari liqenet e mirëfilltë të Kacnisë, që janë të sistemuar që gjysmëshekulli më parë si pasojë e shfrytëzimit të ujt të tyre për ujitje nëpërmjet një kanali vaditës që shkon deri në Maqellarë, si dhe nëngrupi i liqeneve të Bataqeve, që janë unikalë për nga bukuria. Në grupin e parë spikasin liqeni i Zi (i madh) i Kacnisë, me 9 ha në maksimum, ai i Shtrungës me 6.5 ha, i Barzanës me 2 ha, liqeni “Yll” i fshehur mes kreshtash shumë të larta e të mprehta të Balgjait verior (1.8 ha) etj. Në grupin e Bataqeve nga 7 liqene gjithsej 4 mbajnë ujë gjithë vitin, me sipërfaqe maksimale secili deri në 2 ha, ku spikasin ai i Milloshit, i Kalisë etj. Ndërmjet grupit të Allamanit dhe atyre të Kacnisë spikat një grup më i vogël me 3 liqene gjithsej, ku diferencën e bën liqeni i Kolo Madhit, pranë majës së kotecit të Ramës, liqen me sipërfaqe maksimale deri në 4 ha, por me bukuri të madhe.

Liqeni i Zi (madh) në grupin e liqeneve
të Kacnisë (foto e autorëve, korrik 2021).

Po në Balgjai, i rëndësishëm është dhe grupi i liqeneve në Balgjain qendror, ku spikat në shpatin perëndimor liqeni i madh i Balgjait, me sipërfaqe afro 5 ha, që e përmend dhe autori italian Sestini që më 1940. Pranë tij shtrihet një liqen më i vogël por me bukuri të veçantë. Në shpatin lindor, para një shekulli (referuar hartave topografike) shtriheshin plot 9 liqene, të fushës së Balgjait, por nga ata që mban ujë thuajse gjithë vitit është vetëm njëri, kurse të tjerët po shkojnë drejt tharjes përfundimtare. Drejt zhdukjes janë edhe liqenet në cirqet akullnajore të Balgjait jugor, pranë majës së Kreshtës, si pranë lugut të Valit, ai i Dragunit në shpatin juglindor etj.

3. Liqenet e Martaneshit
Martaneshi ka një numër të madh liqenesh akullnajore, e me përmasat nga më të mëdhatë e këtij lloji në Shqipëri. Për nga sipërfaqja, liqenet e Martaneshit zënë afro 30% e të të gjithë liqeneve akullnajore të Shqipërisë, kurse për nga numri zënë 10 %. Diferencën në Martanesh e bëjnë dy liqene, ai i Sopeve dhe liqeni i Zi i Valikardhës, që përbëjnë edhe dy liqenet më të mëdha të këtij tipi në Shqipëri. Liqeni i Sopës është me origjinë të gropës akullnajore, por formimi i tij ka edhe natyrë artificiale për shkak të digës, e cila ka krijuar një liqen me sipërfaqe maksimale 34 ha. Kurse liqeni i Zi i Valikardhës, që llogaritej nga Sestini në vitin 1940 si më i madhi i këtij tipi në Shqipëri, me sipërfaqe 21 ha, sot është një liqen me sipërfaqe mesatare 16.5 ha, ujërat e të cilit shfrytëzohen nga një HEC pranë fshatit Valikardhë. Ky liqen është unik në Shqipëri për nga thellësia, pasi shkon deri në 60 m dhe është liqeni me volumin më të madh ujor nga ky lloj në Shqipëri. Me përjashtim të liqenit të Sopeve, që është disi i vetmuar (të tjerët pranë tij po thahen në mënyrë të pakthyeshme), liqenet e tjerë të Martaneshit janë në grupe. Grupi më i madh është ai i Tërnovës, ku spikat liqeni i Zi, dy liqenet e Bardhë (5 dhe 8 ha), si dhe liqeni i Sopotit (7 ha në maksimum). Përveç tyre, ndodhet dhe një ujëmbledhës me sipërfaqe maksimale 15 ha, por ai ka marrë jetë vitet e fundit si paspojë e ndërhyrjeve humane.

Liqeni i Zi i Valikardhës në masivin e Martaneshit (foto e autorëve, qershor 2021).

Grupi i dytë më i madh është ai i Dhoksit, mbi qytetin e vjetër të Bulqizës, me 6 liqene gjithsej, ku spikasin për bukurinë e tyre mahnitëse, thellësinë e konsiderueshme dhe pastërtinë e ujërave. Spikat ai i Skënderit, me 3.2 ha, i Koçhysës me sipërfaqe maksimale 3 ha, liqeni i Thatë (Duriçeve) me 4.5 ha maksimalja, i Gjuricës (1.5 ha), si dhe dy liqene tek Gatelli (nga 0.5 deri në 1 ha). Midis grupit të Tërnovës dhe të Dhoksit shtrihen liqenet e majës së Lopës, të cilët po shkojnë drejt zhdukjes përfundimtare, si pasojë e dëmtimit të pyjeve dhe cektësisë së tyre.

4. Liqenet e vargjeve të Skënderbeut
Këtu bëhet fjalë për afro 10 liqene në total që po shkojnë drejt zhdukjes së plotë, pozicionuar në shpatet lindore e verilindore të vargut të Skënderbeut, që përfshihen administrativisht në Bashkinë e Matit e të Klosit. Këta liqene ndodhen në grupin e majës së Liqenit (afro 1700 m), një grup tjetër pranë Gurrës së Kuqe, si dhe një minigrup në malin me Gropa ku ndahet qarku Dibër nga ai i Tiranës. Këta liqene janë më të rrezikuarit sot në Shqipëri, për shkak se kanë përmasa të vogla, janë të cekët, një pjesë ndodhen në shkëmbinj gëlqerorë ku ka humbje të ujit në rrugë nëntokësore, prerje pyjesh, shfrytëzim për ujitje etj.

5. Liqenet e Korabit

Liqeni i Zi i Radomirës (foto Artur Nikolli, 2021)

Në të gjithë vargun e Korabit (Koritnik-Deshat) ka afro 20 liqene akullnajore, me sipërfaqe të vogël (deri në 0.2 ha). Natyrisht, ata kanë karakter sezonal, pra marrin konture të qarta vetëm kur shkrin bora në fund të pranverës, sikurse ndodh në gropat e Korabit, pranë Portave të Korabit, në rrafshin e Korabit, bjeshkën e Inoskës, bjeshkën e Zonjave etj. Tre liqene janë për tu evidentuar në këtë masiv, liqeni i Gramës, më i madhi në të gjithë Korabin, gropa e të cilit është me origjinë akullnajore, por liqenin vetë e ka krijuar njeriu nëpërmjet argjinaturës gjysmëshekulli më parë, me sipërfaqe maksimale 8 ha, liqeni akullnajor krejtësisht natyror i Zonjës (sipërfaqe maksimale 1.8 ha), i cili ka luhatje të konsiderueshme të nivelit, si dhe liqeni i Zi i Radomirës, 0.4 ha, i rrethuar me pisha dhe me bukuri të veçantë. Liqenet në Korab, duke qenë të karakterit stinor, vlen të vizitohen vetëm në fund të pranverës e në fillim të verës, kur kanë nivelin e tyre maksimal. Kujtojmë që liqenet e vegjël akullnajorë të Korabit janë të varur krejtësisht nga shkrirja e borës.

Përmbledhje
Siç shihet, qarku i Dibrës ka në gjirin e vet një prej pasurive natyrore më të çmuara, sepse liqenet akullnajore konsiderohen të tillë në çdo vend europian që ka të tillë. Rasti i menaxhimit të suksesshëm të këtij lloji është në Alto Adige në Italinë veriore, ku liqenet menaxhohen me kritere strikte shkencore. Profesor Perikli Qiriazi shprehet se objekte të tilla natyrore bota i ruan si sytë e ballit, atje edhe shkencëtarët marrin leje për t’i vizituar. Sot Shqipëria ka një numër të konsiderueshëm prej tyre dhe duhen menaxhuar me kujdes që të mos zhduken përfundimisht. Prandaj lipset që ata të qëndrojnë larg ndërhyrjes humane. Por mund të shfrytëzohen për turizëm, nga grupe të ndryshme alpinistësh dhe atyre që pëlqejnë ecjet malore (hiking), apo shëtitjet për ajër të shëndetshëm etj. Përmirësimi i infrastrukturës, duke afruar rrugët e shtruara pranë tyre, si dhe ngritjen e bujtinave me dru, pa bërë ndërhyrje të tjera në mjedis, mund të jetë e efektshme për ngritjen e një lloj turizmi mjaft efikas dhe pa e dëmtuar natyrën. Ritheksojmë se liqenet akullnajore janë një pasuri e madhe e vendit dhe e turizmit malor në Shqipëri, e në këtë kuadër, qarku i Dibrës spikat në të gjithë vendin për përqindjen e konsiderueshme të kësaj pasurie, nisur nga dy element themelorë: prania e madhe e vargjeve malore (Korabi, vargu i Lurës, malësia e Martaneshit etj) dhe pozicioni lindor i tij. Duhet që secili nga ne të bëjë më të mirën për ta ruajtur këtë pasuri dhe që të ruhet duhet që njeriu të qëndrojë sa më larg ndërhyrjeve për qëllime shfrytëzimit të ujit e njëherësh të ndalohet rreptësisht prerja e pyjeve. Sa më të shëndetshëm të jenë pyjet aq më të shëndetshëm do të jenë edhe liqenet. Në kushtet kur klima globale po ngrohet, pozita e këtyre ojekteve hidrografike bëhet e vështirë dhe shumë prej tyre janë sot në kushtet e mijetesës.