“Kush është “dibranët”?


Në Muzeun Historik Kombëtar u shfaq premiera e filmit dokumentar nga Donika Mustafaj, prodhim i RTSH.

Në mënyrë të përmbledhur do thënë se Donika Mustafaj synon nëpërmjet kësaj vepre të kuptojë dhe të shpjegojë për publikun se edhe dibrani i sotëm si shqiptar i mirë duhet t’i përvetësojë me krenari virtutet e të parëve të vet dhe t’i pëcjellë ato te pasardhësit.

“Kush është “dibranët” është filmi i ri dokumentar i Donika Mustafajt, prodhuar nga RTSH. Më parë ajo është bërë e njohur për publikun dhe vlerësuar lart nga kritika për veprat e saj si “Jetë pezull”. “Magjia klarinetë”, “Ustai i fundit”, kushtuar mjeshtrit të madh Laver Bariu, “Një amerikane në Tiranë”, “Fëmijëria peng”, “Autografi” apo “Marramendja”. Në realizimin e kësaj vepre morën pjesë kameramanët Arben Ahmetli dhe Igli Murati, Juxhin Dushku si operator zëri, Gjergji Pano kreu montazhin dhe Ermal Bardhi miksazhin.
Në punët e saj të mëparshme, Donika Mustafaj ka hulumtuar disa herë në çështje të identitetit kombëtar shqiptar, duke u ndalur posaçërisht në trashëgiminë tonë muzikore, parë kjo përmes një instrumenti të mrekullueshëm, siç është klarineta, përdorimi i të cilës shtrihet në pjesën më të madhe të trevave shqiptare, apo edhe përmes krijuesve të shquar të muzikës shqiptare, siç është Zef Çoba apo siç ka qenë i tillë Laver Bariu. Në këtë vazhdë është edhe filmi tjetër i saj “Një amerikane në Tiranë”. Por kësaj here autorja ka përdorur si pasqyrë veprën e piktores amerikane Lea Christina, krijuar gjatë një periudhe disa vjeçare në Shqipëri, duke kërkuar të zbulojë aty, si në një laborator, çfarë frymëzimesh i kanë ngjallur identiteti dhe peizazhi shqiptar një artisteje të ardhur nga një mjedis krejt tjetër kulturor, historik e shoqëror, siç mund të jetë një piktore amerikane.
Kërkimet mbi identitetin kombëtar shqiptar, Donika Mustafaj i ka vazhduar edhe në filmat dokumentarë “Jetë pezull”, “Fëmijëria peng”, “Autografi” apo “Marramendja”, kësaj here duke u përqëndruar posaçërisht te transformimet që ka pësuar ky identitet gjatë dekadave të fundit me ardhjen e demokracisë dhe hapjen e vendit tonë ndaj zhvillimeve të natyrshme të një shoqërie të lirë. Autorja shqyrton ndikimin që kanë në sjelljen shoqërore të individit shqiptar shthurja e të drejtës zakonore, Kanuni (“Jetë pezull”), apo treguesit e mirëqenies, siç është paraja bashkë me simbolet e kësaj mirëqenieje, siç është vetura. Në këto vepra, autorja hedh një vështrim sociologjik mbi identitetin dhe ngre disa shqetësime të mprehta.

Stafi i realizimit të dokumentarit gjatë premierës së filmit

Ndërsa në veprën më të fundit, Kush është “dibranët”?, Donika Mustafaj përqendrohet tek një nga bashkësitë krahinore më të spikatura të Shqipërisë, dibranët, të cilin ajo nuk e ka zgjedhur rastësisht. Ajo vetë është dibrane. Autorja nuk e fsheh që nxitjen e pare për këtë vepër e ka marrë nga “borxhi” që ndjente ndaj vendlinjes së vet. Pra, është një vepër e konceptuar në zanafillë si një himn për virtutet e dibranëve. Por himn në gjuhën artistike të Donika Mustafajt nuk do të thotë zbukurim dhe as rënie në folklorizëm. Ajo ka qëmtuar me seriozitet dhe realizëm në trashëgiminë e pasur kulturore dhe zakonore të kësaj krahine, e cila ndahet përgjysmë nga kufiri shtetëror midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke nxjerrë në pah kryesisht ato virtute me vlerë të dyfishtë: edhe si përbashkuese të dallueshme midis dibranëve, edhe si arterie lidhëse jetike me identitetin kombëtar të shqiptarit. Nëpërmjet një paradoksi gjuhësor të theksuar qysh në titull, autorja synon të tërheqë vëmendjen te fakti se “dibranët” nuk janë një grumbull njerëzor me një fyryrë të përbashkët, por janë secili veç e veç individualitete me personalitet të qartë.
Duke u kujdesur për të mos rënë në kultin e të shkuarës, Donika Mustafaj shqyrton rrethanat historike dhe kulturore gjatë të cilave ka ndodhur rrënjosja e këtyre virtuteve në karakterin dhe në mënyrën e jetesës së dibranit. Ajo është e vetëdijshme se këto rrethana nuk gjenden më në realitetet e sotme shoqërore ku jetojnë dibranët. Por kjo nuk e lëkund aspak bindjen e saj se një trashëgimi e tillë përbën një thesar shumë të çmuar dhe të dobishëm për edukimin e brezave të rinj në përballjen e tyre të natyrshme me sfidat e zhvillimit të shoqërisë së konsumit në kontekstin e hapjes dhe të globalizmit. Një trashëgimi e tillë duhet të jetë për brezat e rinj sot siç është rrënja për pemët.
Në mënyrë të përmbledhur do thënë se Donika Mustafaj synon nëpërmjet kësaj vepre të kuptojë dhe të shpjegojë për publikun se edhe dibrani i sotëm si shqiptar i mirë duhet t’i përvetësojë me krenari virtutet e të parëve të vet dhe t’i pëcjellë ato te pasardhësit.
Filmi dokumentar Kush është “dibranët”? përbën një arritje të re në krijimtarinë e Donika Mustafajt dhe shënon rritje të dukshme në pjekurinë e saj si artiste. Premiera e tij u organizua ne sallën UNESCO të Muzet Historik Kombëtar nga Shoqata e Intelektualëve Dibranë.