Nazmiu, shtatore diturie te ish nxënësit e tij


Nga Selman Mëziu

Ishte ditë e nxehtë gushti. Në udhën që kalon pranë shkollës tetë vjeçare Fushë Muhurr kishte një shtresë pluhuri. Lëvizjet ishin të kursyera. Sa kaq udha vërtet mori një shkëlqim, ju shtua bukuria. Ndodhin zbukurime të tilla. Ju kujtoi se ndodhin rrallë në këto vite. Oborri i shkollës ishte i shkretuem. Rrethuar me trina prej binarësh me pamje joshëse. Ndërtesa e shkollës së vjetër ka formën e shkronjës U. Eh ato mure, ajo çati, natyrshëm më trazojnë kujtime të shumta vegjëlie! Ato, sa herë kur ndodhem pranë tyre më biskojnë emra mësuesish e mësuesesh, librash, orësh dituri natyre, gjuhe shqipe, fizkulturë, këndimi, aritmetike edhe abetare.
Ndalova mësuesin tim, duke i thirrur si gjysëm shekulli më parë. “Mësues, mësues jam unë Sela”. Kështu më thërriste ai kur isha ulur në bankot e kësaj shkolle si nxënës. E përqafova me mall Nazmi Hamit Mëziun. Kapelja republike i hijeshonte ballin e fytyrën me mollëza të ngritura me dy sy të zes nën vetullat që merrnin hark në afërsi të hundës me kurriz paksa të ngritur. Trupi ishte i pakët, me një xhaketë që i shtonte volumin trupor.
Sa kaq filloi të recitoi qetë me një buzëqeshje të amël pjesë nga ‘’Lahuta e malsisë,, të Gjergj Fishtës. Ja dhe vargjet: ‘’Persè flamuri kuq e zí, Sod mâ s’pari, bukurí; Porsì fleta e Engjllit t’ Zotit, Po valvitë mbí tokë t’ Kastrjotit.,, Ai vazhdoi për disa minuta. Më habiti kujtesa e tij e plleshme. Këto ai i mësoi nga libri i këndimit kur krijimtaria e Fishtës lejohesh të mësohej në shkolla në vitet ’50. Muzikaliteti i recitimit të vargjeve më dëshpëroi thellë kur kujtova 6 shkurtin e vitit 1967. Pas kësaj date letërsia u përgjysmua mizorisht. Por ja që edhe rilindka. Fatë lumësi e gjenive.
U ulëm në një tavolinë në klubin përball shkollës. Nazmiu, edhe pse ka vite i shpërngulur në Kamëz pranë kryeqytetit Tirana, katër apo pesë muaj i kalon në fshatin e lindjes Fushë Muhur. Ajri i freskët, gjelbërimi i pemëve të shumta rreth shtëpive, arat me misra, udhët dhe udhëzat i risjellin mallin e fëminisë e të rinisë së hershme. Ato vite i sjellin purpuri kujtimesh nga më të thekurat. Në shtëpinë e vogël me qita, pjekun në diell, mbuluar me kashtë thekri, lindi ai më 2 prill 1939. Pak ditë para se qiellin shqiptar ta mbulonin me pamje të frikshme e zhurmë tmerruese, aeroplanët e pushtuesve italian. U rrit nën buqitjen e pushkëve, në aromën e barotit dhe me urinë për bukën e gojës, mbushur me tmerret e luftës. Pasi mbaroi shkollën pedagogjike në Tiranë në moshën 16 vjeçare fillon detyrën e mësuesit. Ushtelenza me shkollën e saj e pritën mësuesin njomëzak Nazmiun krahëhapur.
Krahina ku lindi po rritej si ekonomi e si banor. Kërkesat edhe për mësues shtoheshin. Në detyrën e mësuesit grishën mësuesin e diplomuar. U prit me plot dashuri e respekt nga drejtori Muhamet Xhambulla. Filloi në këtë tempull të dijes ku mësonin bijtë e bashkëfshatarëve të tij. Korrektësia në detyrën e tij, përvetësimi i artit të të shpjeguarit ishin treguesit cilësor të vazhdimësisë së punës e cila zgjati pesëmbëdhjetë vjet. Mbushur me punë të gjithëfarëshme e detyra të shumta.
Më ndillnin kënaqësi pemët frutore pas shkollës. Në pranverë hynte nëpërmjet dritareve era e kandshme e luleve të mollëve. Kishte ndodhur që ndonjë nxënës shkruante dy ose tre strofa poezi kushtuar pranverës lule shuma ta këtij kopshti magjik. Atë e kishte krijuar mësues Nazmiu. Aty lulëzonin lule që prodhonin gjithëfarë frutash, që nga qershia e deri te ftoi, arra e lajthia. Kjo përdoresh si bazë prodhuese për nxënësit muhurrak. Aty mësonin që nga mbjellja me farë, shartimin e pemëve. Shërbimet kulturore, mbledhja e frutave etj. Ato mësonin të dashuronin tokën, punën, prodhimin e ndjenin shijet e frutave të tyre. Kënaqësi pune, djerse, të mësuarit teorik e praktik ishin të tjera gjëra qe përfitonin. Kështu që vogëlushët merrnin shprehitë e bujkut, pemëtarit, agronomit të ardhshëm. Mësues Nazmiu ndiqte me kujdes punën e tyre me durim kujdes e këmbëngulje për t’iu mësuar gjithçka.
Përsëri mësues Nazmiu transferohet si mësues e bazës prodhuese të Shkollës Pedagogjike Peshkopi në vitin 1968. Ai atje gjen një mjedis të ngrohtë mësuesish dhe nxënësish. Krahas shuma punëve ai fillon edhe si disenjator. Shkrimi i tij gjithë formësh, skicat, pikturat e futën muhurrakun mësues në udhë të reja njohje, pune krijuese, zbukurues duke zbuluar një mjeshtër të kaligrafisë e të paraqitjeve me plote hijeshi të kandeve te ndryshme që vareshin mureve të korridoreve ose klasave. Udhëtimi ishte i lodhshëm nga vendlindja në qytetin e Peshkopisë. Ai bëhej me makina rasti edhe mbi zhavorre, ose duke shkuar në kambë.
Një natë tetori të viti 1967 ai ftohet te shtëpia e Dan Mëziut në Kodër të mëzeze. Merr me vete çantën me pajisjet e dizenjatorit. U ulën pranë votrës. Zjarri digjte qetësisht drutë e çara të dushkut. Xhevzia e kafes ishte vendosur mbi prushin e ndezur. Mullirin e kafes e mbushi gjyshi me kafen e sapo pjekur dhe filloi ta bluante. Tabakun e filxhanave e solli Ganiu ku hodhi kafen në ato. Oda kundërmonte aromë të kandshme kafeje. Nazmiun e ulën në krye të vendit. Ai e dinte mirë se para ardhësit e tij kishin banuar te shtëpia e madhe në këtë kodër. Pastaj ishin larguar dhe ndërtuar shtëpinë në korridorin ose rrypin e tokës të fisit Mëziu, që fillonte nga buzë Kodras sa Rame e vinte deri në fillimin e rrafshes të Thanxës. Pasi pinë kafen diskutuan me Ganiun simbolet që do të skaliteshin në gjur. Në bisedë e sipër u vendos që të vizatoheshin shqiponja, pëllumbi, emri i zotit të shtëpisë dhe viti i fillimit të punimeve. Shqiponjës nuk i vendosën në mes yllin.
Drita elektrike ndriste në dhomën shtruar me mutaf e lëkura delesh edhe pse llambat ishin të vogla. Korrenti merresh nga hidrocentrali i Fusha Muhurit. Ai ishte ndërtuar buzë murrës nën shtëpinë e Nus Lalës. Fletët e hekurta për të sjellë dinamon silleshin nga forca e ujit të vijës të Zallit. U vizatuan me laps nga Nazmiu, shqiponja, pëllumbi, shkronjat e numrat dhe pastaj u prenë format dhe u përcaktuan ngjyrat. Kuptohet shqiponja e zezë, pëllumbi i bardhë, shkronjat ta zeza. Ishin këto modele të krijuara në këtë natë tetori vjeshte, që edhe sot ndodhen të skalitura nga Gani e Sinan Mëziu në shqemat e dyerve e qoshet e gdhendura në shtëpiat e Xhetan Ismrisa, Emin e Ramadan Meziu. Mjerisht këto vepra arti ta skalitura me shije në gjurët marrë në Sukë të Leke do të zhduken nga xholi i Skavicës. Pas qindra vjetësh arkeologët do t’i zbulojnë e historianët do të shkruajnë historinë.
Përqark oborrit të shkollës në Fushë Muhurr kishte plepa kanadez të krasitur fort. Mbaheshin të tillë prej vitesh. Në punën prodhuese mësues Nazmiu ju mësonte nxanësve të shkollës të prisnin filizat një vjeçare disa metra dhe nga këto të prodhonin kalema dhjetë centimetra gjatësi. Ato i dërgonin në fidanishten e Zall Sinës. Nga këto prodhoheshin me qindra fidana plepi, një ose dy vjeçar, ku shpërndaheshin në gjithë Dibrën për t’u mbjellë. Kjo punë bëhesh çdo vit, me mijëra kalema priteshin, baheshin tufa, futeshin në arka dhe dërgoheshin në fidanishte, ku nguleshin në toka lymore të formuara nga prurjet e ngurta të Drinit të Zi.
Ishte marsi i vitit 1971 kur mësues Nazmiu na tha se këto dy orë do të mbjellim plepa. Morëm lopata e bela në bazën prodhuese të shkollës dhe shkuam në bregun e majtë të lumit Murra, përball dyqaneve e Kullës së Kuqe. Aty na priste tekniku i pyjeve Xhetan Prençi. Pasi e piketuam ranishten ku kishte pak shelgje e verrinj, filluam hapjen e gropave dhe mbjelljen. Ato ishin fidanat që kishin ardhur nga kalemat tonë. Ne i mbollëm. Ato vegjetuan qind për qind. Aty pastaj u krijua Parku Dine Doda. Siç shkruan shkrimtari Halil Rama në librin ‘’Muhurri histori dhe personalitete,,. Bukuria natyrore e krijuar me freskinë e ujit të lumit Murra, tërhoqi me qindra vizitor e klient par të shijuar një kafe ose ngrënë një drek me trofta murre. U shkatërrua pas viteve ’90, por nga cungjet dhe rrënjët janë zhvilluar përsëri plepat. Aty u derdh djersa e jonë rinore me drejtues mësues Nazmiun e Xhetanin, bij të krahinës së Muhurrit.
Puna e mësues Nazmiut në brezni të shumta, duke mësuar abetaren e deri në historinë e gjeografinë e Shqipërisë ka mbetur shtatore diturie te ish nxanësit e tij. Për 28 vjet iu shërbeu muhurrakëve për shkollim. Tani ai ndjen lumturi kur ish nxanësit e respektojnë, e ftojnë në përvjetorë, festa etj.
Prandaj në 81 vjetorin e lindjes, gjithë ish nxanësit dhe kolegët e urojnë me gjithë zemër: Edhe njëqind vite të lumtura!
25. 03. 2022