Një bisedë e ngrohtë me profesor Bajram Xhafën


Profesor Bajram Xhafa

“I ke bâ Atdheut nji shërbim mjaft të madh zojë, por sigurisht që nuk mund ta kuptoni tani këtë gjë. Jam i bindur se pas 10 a 15 vitesh do ta kuptoni mirë dhe ju çfarë pune keni bâ duke mos i përkitur direkt fushës për të cilën keni shkruar. Unë jam krenar për ju”.

Nga Ervina Toptani

Libri im i parë “Esad Toptani dhe shqiptarët në vështrimin europian” u botua në korrik 2017. Unë kisha pak muaj që isha kthyer në Shqipëri nga Brukseli. Dalja e librit ishte disi e vonuar pasi prisja që të dilte që një vit më parë, në 2016, megjithatë u gëzova shumë kuptohet.
Por doja të tregoja diçka tjetër në fakt.
Kishte rreth dy javë që libri kishte dalë në librari, fillimisht në Tiranë tek librari “Adrion” e tek “Albania” e në Shkodër në Parrucë besoj. Unë nuk bëra asnjë njoftim për daljen e librit përveç një lajmërimi të vogël me katër rreshta në faqen time të Facebook. Unë nuk isha aspak aktive në rrjete sociale në atë kohë, kam vetëm pak kohë, rreth një vit e ca që kam filluar të ndaj herë pas here shkrimet e mia me miqtë virtualë në faqen time të FB.
Pra, dalja e këtij libri nuk përbënte ndonjë lajm për askënd. Kisha vendosur ta lë të lirë, që të shpjegohem: ky libër nuk kishte nevojë për mua që të lexohej e të tërhiqte vëmendjen e atyre që duan të dinë, sidomos për atë periudhë të njohur pak e keq nga shqiptarët në përgjithësi. Unë kisha pasur kaq shumë nevojë për këtë libër. Gjithçka që disponoja, në dokumente, autorë, mendime, artikuj, emra të mëdhenj gazetarësh, historianësh, politikanësh, studiuesish etj., të fillim shekullit të 20-të e ca të tjerëve shumë më të hershëm, i kisha sjellë të gjithë së bashku në një libër të vetëm, me përkushtimin, dashurinë, asnjanësinë e saktësinë më të madhe që mundesha. Kisha udhëtuar nëpër Europë në shërbim të mbledhjes së dokumentacionit të kërkuar e kam njohur njerëz të mrekullueshëm me dëshirën për të më ndihmuar, si në Europë, Amerikë, etj. Ky libër ishte më i madh se unë por unë nuk e kisha kuptuar kur e shkruaja atë.
Pas dy javësh nga dalja e tij në librari, diku nga data 26 korrik, një mëngjes të nxehtë, bie telefoni. Numrin nuk e njihja. Zotëria që më telefonoi kishte një zë te butë, të paqtë e foli me një dialekt të ëmbël e të dashur për mua, me atë shkodran. Po e sjell bisedën në ligjeratë të drejtë:
– T’me falni, a flas me zojën Ervina Toptani?
– Po, unë jam. Kush jeni ju lutem?
– Mirmjesi zojë, uroj mos t’ju besdis. Unë jam nji zotni prej Shkodret. Bajram Xhafa ma thonë emnin, profesor universiteti në degën e historisë se s’po du me i thanë vedit historian.
– Gëzohem shumë z. Bajram. Jam e lumtur që komunikoj me ju. Unë ju njoh mirë nga librat tuaj e jam e nderuar të bëj këtë bisedë me ju.
– Kam 2 javë që të njoh zojë, domethanë qysh prej se kam lexu librin tuj e po du me ju kërku nji nder. A mund të më dedikoni nji pasdite kohë? Kam shumë nevojë me ju taku e me bisedu për librin. Do të vij unë kasten në Tiranë për ju, s’ka nevojë me ardh ju n’Shkodër.
– Do të jetë kënaqësi takimi me ju profesor. Mund të takohemi që nesër, por vij dhe unë me shumë dëshirë në Shkodër.
– Jo jo, nuk asht nevoja. Unë me thanë të drejtën nuk e dija që ishte botu ky libër por qysh ato ditët e para të daljes së tij, nji mëngjes herët, në ora 7, me bie telefoni e ishte nje miku im që ka shkrue mjaft e asht njohës shumë i mirë i historisë, me emën të madh në Shqipni, që më thotë: “akoma se ke lexu Esadin e zojës Toptani? Shpejt me u veshë e me shku n’Parrucë me e gjet”. Kështu të njoha ty nëpërmjet Esadit. E kam studju me shumë seriozitet e dua të di mbi dokumentet e autorët që shpalosen aty.
Të nesërmen pasdite, ne u takuam diku rreth ores 1 të drekës e kafja përfundoi në 8 të mbrëmjes. Çdo faqe e librit ishte shënuar me ngjyrë të kuqe, të zezë e jeshile sipas seksionit të mendimit që i korrespondonte ngjyrës së përdorur. Folëm mjaft, komentuam dokumentet, autorët, emrat e pushtetarëve të kohës që përmenden në libër, historianët, të vërtetat e shtrembëruara, kujtime të vetë profesorit që ka qenë i pari historian besoj që ka kërkuar qysh në vitet e para të post-komunizmit rishikimin e figurës së Esad Toptanit.
Biseda në fund përfundoi me një shprehje që nuk do ta harroj kurrë pasi ishte gjëja më e bukur që dikush i atij kalibri, një njohës i shkëlqyer i fushës së historisë, një zotëri në moshë të madhe krahasuar me mua e një profesor mjaft i nderuar, mund të më thoshte.
“I ke bâ Atdheut nji shërbim mjaft të madh zojë, por sigurisht që nuk mund ta kuptoni tani këtë gjë. Jam i bindur se pas 10 a 15 vitesh do ta kuptoni mirë dhe ju çfarë pune keni bâ duke mos i përkitur direkt fushës për të cilën keni shkruar. Unë jam krenar për ju”.
Nuk besoj se jam ndjerë ndonjëherë më krenare, me përulësinë më të madhe, se në atë moment. M’u mbushën sytë me lot nga emocioni. E sa herë gjendem përpara profesorësh e doktorë shkencash, sidomos të huajve që janë të ftohtë e gati-gati të ngurtë, më kumbojnë në vesh si atë mbrëmje fjalët e profesorit shkodran.
Atë pasdite në fakt, mora konfirmimin se ky libër nuk kishte vërtet aspak nevojë për mua, as për promovim, as për artikuj gazetash, as për ftesa në emisione televizive siç ndodh shpesh këto kohë, që të lexohej apo të kërkohej. Ai e kishte gjetur rrugën vetë e do të shkonte aty ku përkiste. Të njëjtën praktikë ndoqa dhe me librin e dytë “Mafia në familjen time”.
Këtë shkrim për herë të parë po e shkruaj pas 5 vjetësh nga dalja e këtij libri që unë e dua shumë fort. Ai tashmë nuk gjendet më në librari edhe pse është ribotuar disa herë e kurrë nuk është promovuar nga askush, as nga unë vetë që e kam fort përzemër.
Duke qenë se para pak kohësh lexova një analizë shumë të mirë nga një zotëri i nderuar që e përmendte librin “Esad Toptani dhe shqiptarët në vështrimin europian”, vendosa të ndaj këtë moment të këndshëm me ju në kujtim të daljes së këtij libri në librari në korrik 2017 e sigurisht në formë falendërimi e respekti për profesor Bajram Xhafën.