Ora e tokës


Zhvillohet aktiviteti “Ora blu e Drinit” nga gjimnazi “Fiqiri Dine”

Nga Osman Xhili

Ndonëse tingëllon disi e çuditshme, që dhe toka paska një orë të vetën, por kjo tani është bërë realitet. 15 vite më parë në Sidnei të Australisë lindi një lëvizje me emrin që përmendëm më sipër. Lindi si nevojë, lindi si domosdoshmëri për të shpëtuar, tokën, natyrën, florën dhe faunën, biodiversitetin, në gjithë kompleksitetin e tij. Dhe pse ka një ditë të tokës, që është 22 prilli, “Ora e tokës” kremtohet të shtunën e fundit të muajit mars të çdo viti.
Shumë shpejt, kjo lëvizje u zgjerua aq shumë, sa dhe vetë nismëtarët e saj nuk do ta kishin besuar. Lëvizja e quajtur “World Wide”, përfshiu vende dhe kontinente, duke u jetësuar në gati 180 shtete.
Natyrisht dhe Shqipëria nuk mund të mos bëhej pjesë e kësaj nisme botërore dhe nismëtari i saj do të ishte Romeo Hanxhari. Më pas, ka një kronologji në vite, se si ajo erdhi dhe në Dibër, për tu bërë e pranishme dhe për të nxitur aktivitete të ndryshme, në nder të saj. Në vitin 2011, një ish nxënëse e gjimnazit të Maqëllarës, fton në Tiranë një grup gjimnazistësh për tu njohur me nismën në fjalë. Një vit më vonë, “Ora e tokës”u festua dhe në Maqëllarë. Ishte viti 2012, kur kremtohej dhe 100 vjetori i pavarësisë. Nxënësit u ndanë në grupe sipas fshatrave, u bë pastrimi i mbeturinave, të hedhura pa kujdes nga banorët, u stimulua lëvizja me biçikleta dhe u programua mbjellje pemësh nga të rinjtë e shkollave. Krahas nxënësve të gjimnazit në këtë nismë të bukur u përfshinë dhe ato të nëntëvjeçares. Simbolikisht u bë dhe fikja e dritave për një orë, shoqëruar kjo me një darkë familjare, ku të kishte sa më shumë produkte bio.
Një vit më vonë, nisma u zgjerua akoma më shumë me një risi “Firmos dhe ti për orën e tokës”. Madje këtij firmimi ju shtua dhe një tjetër firmë, ajo për “Rrugën e Arbërit”. Nismëtari i këtij peticioni, Gëzim Ismaili, mbeti i kënaqur nga angazhimi i gjimnazit duke bërë një vizitë në ambientet e këtij institucioni.
Në gjithë këto aktivitete mbresëlënëse binte në sy një organizatore e talentuar dhe e palodhur, profesorja e fizikës në gjimnazin e Maqellarës, Zamira Gjeleshi. Ajo udhëhiqte me shembullin e saj. Shpesh kapte thesin me plehra për ta dërguar në destinacion, bashkë me nxënësit e saj. I duhej dhe të paguante nga xhepi i saj për të sponsorizuar aktivitetet e shumta. Shpesh i duhej të linte një pjesë të gjumit të natës për të menduar e projektuar, që eventi që do të zhvillohej të nesërmen, të dilte sa më bukur.
Disa vite pune të saj qenë me një destinacion pak më ndryshe, e shkëputur nga nxënësit. Por nëse u shkëput prej tyre për pak kohë, nuk u shkëput nga bashkëpunimi me organizata dhe partnerë të ndryshëm, në rolin e koordinatores së Bashkisë Dibër. Ato vite i shërbyen për njohje dhe eksperienca të reja dhe sërish kthehet tek gjimnazi “Fiqiri Dine”, që aq shumë e donte.
Vitin e kaluar, në javën e fundit të marsit, ajo pati një ide që nxënësit të njiheshin me fermat e kafshëve. Në oborrin e shkollës zbritën lloje të ndryshme kafshësh e shpendësh, të ndara e të sistemuara shumë bukur. Ishte një mesazh se zona dhe Shqipëria po humbisnin disa lloje autoktone kafshësh si delja Rudë, dhia e Bulaçit, dhia e Misirit, fazani e shumë specie të tjera. Ishte ky një mesazh për gjimnazistët, se kudo që të shkonin, sado kohë të kalonte, ata duhej ta donin tokën dhe kafshët, aleatët e njeriut gjatë gjithë jetës.
Çdo vit që vjen e që kalon e shton ndjeshmërinë e nxënësve dhe të komunitetit për lëvizjen “Ora e tokës”. Organizatore Zamira e konceptoi si “Ora blu e Drinit” dhe si e tillë nuk mund të zhvillohej diku tjetër, përveçse në luginën e Drinit. Kjo ide kishte ardhur nga dy të rinj, Drini Xhafa dhe Aurora Zylaj, që sensibilizonin njerëzit dhe komunitetin në Shkodër për mbrojtjen e basenit të liqenit dhe të lumit të Drinit. Bujtina e Pajtim Beçës, në krahun e djathtë të urës së Topojanit, u përzgjodh për të pritur mysafirët. Ishte një grup i madh prej 60 gjimnazistash, por dhe miq të tjerë të ftuar nga zona dhe më gjerë. Prezantonin çifti Karafil dhe Lirije Rexha, të talentuar në prodhimet tradicionale, biznesmeni Baftjar Kurtulla, zonja Teuta Qosja, doktori Rubin Kosiqi, Edi Truka, Pajtim Vraniçi në rolin e guidës turistike, Roland Doda, specialisti i zonave të mbrojtura… Merrnin pjesë dhe grupi i biologut, nxënës të shkollës së Majtarës, me mësuesen e tyre Zana Qoku.
Aktiviteti ishte shumë i larmishëm.Mesazhet për këtë ditë të veçantë jepeshin nëpërmjet materialeve organike, si kashtë gruri, bimë, lule, dërrasë e zezë dhe të tjera si këto. Roland Doda nëfjalën e tij tregoi se si po përpiqen ADZM, që nënkupton zonat e mbrojtura për të përfshirë sa më shumë nxënës të shkollave në projektet e tyre. Kështu të rinjtë, jo vetëm do të shtojnë njohuritë e tyre rreth natyrës, por do të jenë kontribues të rëndësishëm në ruajtjen e mbrojtjen e saj.
Një tjetër specialist i pyjeve, Durim Kaba, u ndal në disa nisma të marra për mbrojtjen e gjallesave të ujit. Nisma antidinamit është një nga ato më të rëndësishmet. Tregohet se në disa vende si Zvicër dhe Amerikë, të pasionuarit e gjuetisë me grep, kanë të drejtë të marrin me vete vetëm dy tre peshq, të katërtin duhet ta hedhin sërish në lumë apo në det. Po të krahasosh një shembull të tillë me dinamitin e hedhur, kur jo vetëm gjallesat e mjera, por nganjëherë vetë autorët e këtij veprimi janë dëmtuar deri në vdekje, konkluzionet janë mëse të qarta.
Të gjithë lektorët, përfshirë dhe mësuese Zamirën ngrenë alarmin se shumë gjëra e shumë tregues janë përkeqësuar, në lidhje me natyrën, florën dhe faunën. Pemë të tilla, si manat, vidhat e lisat gati po zhduken. Shumë janë dëmtuar dhe llojet e peshqve, si krapi dhe trofta. Ngjalat po shihen rrallë e më rrallë.
Ashtu si Pajtimi, pak kilometra më sipër, Shaban Beça është munduar që të shtojësa më shumë drurët e shkurret rreth bujtinës së tij. Falë këtij meraku e kujdesi janë shtuar ndjeshëm patat e egra, qukapiku dhe pëllumbat e egër. Bile këto të fundit janë bërë më miqësorë e nuk tremben kollaj nga njeriu. Është shtuar dhelpra, kunadhja dhe derri i egër. Ndoshta ka ardhur momenti, që krahas këtyre masave spontane të mendohet ngritja e një rezervati me një apo shumë kafshë të egra, që do të rriste mjaft fluksin e turistëve.
Lugina e Drinit të Zi është një thesar i pashfrytëzuar. Flora dhe fauna shumë interesante, mundësitë për të bërë rafting, kanionet dhe ujvarat që të ftojnë për ti vizituar, toka pjellore për bimë, perime e pemë frutore, janë vetëm disa nga shumë më tepër arsye, që duhet ta vlerësojmë këtë potencial të jashtëzakonshëm. Janë këto arsye për ti thënë një “Jo” të madhe Skavicës e për të gjetur mjaft mënyra të tjera alternative për energjinë.
Aktiviteti nuk kaloi vetëm me ligjërata e me soditje, por u bë një veprimtari konkrete për pastrimin e luginës dhe grykëderdhjen e përrenjve nga plehrat dhe mbeturinat e shumta. Falë një bashkëpunimi me Bridge plast Alb, këto mbetje u dërguan për përpunim dhe riciklim, duke treguar se ku ka vullnet, vizion e dëshirë për të punuar gjërat rregullohen dhe jeta bëhet e bukur. Ndoshta ne nuk mund të ndalim luftën në Ukrahinë e nuk mund të mbrojmë pyjet e botës, ama mundemi të mbrojmë ambientin dhe natyrën rreth nesh.
Profesore Zamira ka shumë projekte në mendjen e saj, të cilat gjithmonë i dërgon në udhën e zgjidhjes dhe të realizimit. Ata kanë aplikuar si gjimnaz i Maqellarës në panairin e shkencave në Tiranë, të iniciuar nga universiteti “Marin Barleti, në një konkurrim ndërkombëtar mes shkollash të mesme. Ata kanë zgjedhur të paraqesin një projekt interesant, pikërisht me “Orën blu të Drinit”, ku gërshetohen biologjia, fizika dhe artet.
Suksese Zamira, suksese ju nxënës, miq ambientalistë, të dashuruar me natyrën. Projektoni e ndërtoni kështu të ardhmen tuaj, më të bukur e më të mirë se realiteti i sotëm!