“Pasqyra e thyer” nga Xhafer Martini


Janë disa njerëz me të cilët nuk ke kontakte të vazhdueshme, nuk i merr dhe nuk të marrin në telefon çdo ditë, nuk i thërret për kafe dhe për evenimente të tjera jetësore, nuk i ke, pra, në rrethin e ngushtë e as të gjerë familjar, miqësor e shoqëror, por, ama, sa takohesh, të duket se je ndarë dje me ta dhe gjithë biseda, përveç përmbajtjes, ka brenda mallin dhe dashurinë. Kjo ndodh për faktin se ti je takuar me ta në pika kulmore të jetës tënde ose “të kanë dalë në shteg” atëherë kur nuk e prisje dhe ti kishe nevojë për dorën e ngrohtë të një njeriu dhe ata ta kanë dhënë këtë dorë me sinqeritet dhe dashuri. Këta njerëz mund t’i takosh fort rrallë në jetë, ose takimi i parë ka qenë edhe i fundit, por harresa nuk vepron mbi ta, siç nuk vepron lima mbi një gur diamanti. Dashuria dhe mirënjohja për ta është si zjarri i dushkut, që mbulohet me hi, por nuk shuhet. Këta njerëz, për të cilët do të shkruaj këtu poshtë, të tillë janë. Ata kanë hyrë shumë tangent në jetën time, por nuk kanë dalë më prej saj. Ata mund të mos mendojnë kështu për mua, sepse, kur jemi takuar, kanë qenë në pozita superiore, janë ata që më kanë ndihmuar mua dhe jo e kundërta. Këta e kanë konsideruar tjetrin si të barabartë çdo shoqëri, edhe në shoqërinë më të keqe, në regjimin më despotik, ka forca të gjalla dhe përparimtare që, po të lidhen, dhe të bashkohen me njëra-tjetrën, krijojnë modelin e ri të jetës dhe u japin një bukuri të re marrëdhënieve njerëzore. Këta burra, siç kanë vepruar me mua, me siguri kështu kanë vepruar edhe me të tjerë si unë. Kështu duhet kuptuar se hapësira e së mirës vjen duke u zgjeruar, kurse hapësira e së keqes vjen duke u ngushtuar. Sikur secili prej nesh të jetë i pajisur me këtë prirje- të bëjë mirë ku të mundet dhe sa të mundet,- e mira do ta kishte mundur të keqen.
Ky libër është mirë të lexohet duke filluar nga figura e parë e deri tek e fundit, ashtu siç janë renditur ato. Edhe pse janë figura krejt të pavarura nga njëra-tjetra, i lidh zinxhiri i ngjarjeve, i cili pa dyshim që ka kronologjinë e vet. Një ngjarje, episod, veprim që del te një figurë, jam përpjekur që të mos e përsëris te figurat e tjera, veç në rastet kur kam pasur nevojë për thellim dhe zgjerim të mëtejshëm. Del, pra, që secila nga këto figura, meqë kanë të bëjnë me jetën time, kanë edhe “koherencën” e vet në shtjellimin tërësor të ngjarjeve. Mjaft prej tyre i kam takuar para se të shkoja në shkollë të lartë, të tjerë i kam takuar ose kam pasur të bëj në periudhën e shkollës së lartë, kurse pjesën më të madhe, gjatë gjithë kohës që kam qenë në punë. Ka prej tyre që i kam takuar në dy ose më shumë periudha kohore, por në këtë libër kam mbajtur në fokus takimin më me ndikim në jetën time.
Të gjitha episodet dhe ngjarjet, me ndonjë përjashtim të rrallë, janë të periudhës së sistemit totalitar. Këto ngjarje kanë të bëjnë me jetën time, por nuk janë e gjithë jeta ime. Thënë me figurë, ky libër ngjan me një pasqyrë të thyer, që, kur e vë para syve, nuk ta jep tërë fytyrën me saktësi dhe hollësi, por vetëm disa pjesë të saj, aty ku copëza e thyer nga e tëra ka qenë më e madhe dhe më e pagërvishtur. Në një kuptim, por më figurativ dhe më të përgjithshëm, ky libër dëshmon që jetët e njerëzve u ngjajnë pasqyrave që pak prej tyre kanë mbetur të pathyera.
Dallimi qëndron në faktin se disa janë thyer shumë dhe janë shndërruar në grimca, kurse disa më pak janë shndërruar në copëza.

(Marrë nga hyrja e librit)