Për librin poetik të Basir Bushkashit ”Nëpër valë malli”.


Nga MEVLUD BUCI

Duke lexuar në vite krijimtarinë poetike të poetit matjan e mbarëkombëtar, Basir Bushkashi, hetojmë me kënaqësi sesi rritet e bleron kjo krijimtari, nga libri në libër.Trinomi shpirt-vlerë-dashuri shfaqet edhe në librin e fundit, të gjashtëmbëdhjetë, botuar në këtë fillim viti, 2022. Basiri dallohet për një verb të frymëzuar, realist, të thjeshtë, komunikues, të urtë, ai shfaqet në dashamirësinë e tij dhe me lirikën e vet edhe si ëndërrimtar, gjurmues e ngulmues, që fjala të ketë peshën e vet artistike.
Te çdo poezi e këtij libri, pasqyrohen çaste të kohës përmes testamentit të mirësisë, në një këndvështrim liriko-poetik, larg çdo mode apo të dukuri. Poezia shkon në fillesën dhe ngjyresën e vet më origjinale si një lirikë e pastër. Kryemotivi i poezisë së Basirit është dashuria për njeriun, zbulimi i vlerave të tij përmes të thjeshtës, prandaj poezia e tij rrezaton dritë dhe një harmoni të butë. Delli i tij poetik shpreh krenarinë për këto vlera, që mund t`i zbulojë një poet i vërtetë. Dhe këto vlera transmetohen natyrshëm përmes mesazheve filozofike, ku toni lirik i vendos ato në atë drejtim që e meritojnë, në kahun e komunikimit të drejtpërdrejtë, si një urtësi, këshillë, si zbulime poetike. Malli, sinqeriteti, është një cilësi e rrallë në poezi, cilësi që vjen natyrshëm te ky poet, ku vargu buron prej frymëzimit dhe harmonisë që ai e ndërton në shpirtin e tij. Melodiciteti, ritmika, tonaliteti i butë lirik, transparenca, kthjelltësia dhe drita e shquajnë poezinë e Bushkashit dhe mbeten tejet të veçanta. Livadhi i blertë i poezisë së sotme ka shumë lule, por në këtë livadh nuk mund të hysh, pa zgjedhur një lule nga poezia e Basirit.
Basirin do ta quaja dritë-kënga e urtësisë, një zbulues i thesarit të fjalës, që këtë thesar nuk e mban për vete, por ua dhuron lexuesve të tij të shumtë me bujari. Ndaj, poezia e tij këndohet dhe mbahet mend, jo vetëm për detajet, por edhe për organizimin e saj ritmik dhe zgjuarsinë intuitive në kapjen e detajit, pa e anashkaluar dhimbjen njerëzore.
Si çdo poet i vërtetë, edhe Basiri diagnoztifikon kohën, por pa e nxirë atë. Ka aq shumë mirësi, humanizëm dhe dritë, në poezinë e tij, sa edhe e keqja, fenomeni negativ, sikur turpërohet para kësaj mirësie. Poeti nuk e godet të keqen me satirë, as me nervozizëm, por me butësi, duke e nxjerrë këtë cilësi në kontrast me të shëmtuarat e jetës.
Libri hapet me poezinë “Fisnikëri” dhe me një faksimile nga Bajram e Drita Gjoni, të cilët midis të tjerash shkruajnë:””I dashur Basir! Kontributi juaj në botimin e librave është shumë i madh. Sipas mendimit tonë, ju nuk i përkisni vetëm Matit, por krijimet tuaja kanë jehonë në rang kombëtar”.
Dhe poeti shkruan me dëlirësi shpirti:
Njeriu i bukur
Kudo bën dritë,
Qoftë në Mat,
Qoftë në Amerikë.

Bajram Gjoni
Aq zemërflorinjtë,
Bashkë me Florën
N`pension, n`Amerikë.

Po aq njerëzisht
U kish shkrep në shpirt,
Një librin tim
Ta nxjerrin në dritë.
Nderim për ju
Nderim për fëmijtë…
Si modest edhe mirënjohës, cilësi të një poeti të vërtetë, Basiri do ta shfaqë këtë edhe në poezi të ndryshme për njerëz të tjerë, sepse poezia e vërtetë vjen nga dashuria për njerëzit, nga përditshhmëria e të jetuarit me ta. Ndaj në vargjet e tij shfaqet ky mision aq konceptual:
Shkruaj për t`i thënë qiellit
Me ty kaltëroj,
Për t`i thënë detit
Me ty dallgëzoj,
Për t`i thënë lules
Me ty erëmoj,
Për t`i thënë zogut
Me ty fluturoj
Për t`i thënë jetës:
Sa shumë të çmoj!
Poezitë e tij:”Rrathët e shpirtit “, ”Fjala”, ”Nëpër kohë”, ”Veç mos kujto”, ”Asgjë”, ”Si nëpër mjegull”, ”Ismail Kadaresë”, ”Eh, kjo botë”, ”Për pakëz qiell”, ”Vijnë ca pëllumba”, ”Bora”, ”Përpëlitet fjala”, ”Vehbi Skë nderi”, ”Ashtu çapngadalë”, ”Rrënjët e gjakut”, ”Dhembshurisht”.., ”Mbi çdo ligësi”, ”Zef Serembes”, ”Pa femra”, ”Nëpër valë” etj, pasqyrojnë imazhe drithëruese plot sharm e kuptim. Shfaqet aty-këtu, në poezitë:”Zef Serembes”, ”Me njëqind ngjyra “etj; shpirti lirik që trazohet nga një rebelizëm i beftë
Në poezinë e Bushkashit natyra merr një gjallëri të veçantë, ajo ripërtërihet dhe shfaqe t në pamje të ndryshme. Herë jepet si idil, e herë në trazimin e vet përmes detajeve e peizazheve të llojllojshme. Natyra nuk vjen si element dekorativ, po ajo përthithet dhe shpaloset aq natyrshëm, sikur frymon.
Në për gjithësi poezia e Basirit është e shkurtër, e koncentruar me fuqi goditëse të mendimit dhe të imazhit. Ajo zbulon enigmat e shpirtit, kontrastet dhe të befason me nxjerrjen në dukje të tyre, përmes fjalës së zgjedhur e të kujdesshme. Melodia vjen si shushuritja e përrenjve malorë, flladi si era e freskët e verës dhe poeti i rrethon e u afrohet me shpirt jo vetëm sendeve, objekteve, por më së shumti njerëzve.
Ai është poeti që e ndërton fabulën përmes së thjeshtës, zbulon gjëra që shfaqen çdo ditë para syve tanë, që flasin me praninë e tyre, por poeti i vërtetë i bën më të bukura këto zbulime përmes fuqisë së tij të fjalës. Dhe poeti skanon këto vlera, të cilat mbulon herë -herë nga indiferenca e të tjerëve ose pazotësia e vëzhgimit të disave.
Me pak vargje ai sjell një poezi që portretizon. Dhe në këto portrete lëvizin si në kaleidoskop gjurmët e thjeshtësisë, brengave, dhimbjeve, mirënjohjeve, kujtesës:
Ahmet Beshiri
Iku nga kjo jetë,
Zemërpërvëluar,
Se s`i erdhi jeta
Siç e kish ëndërruar.
U prehtë në paqe
Lulembuluar!…
Në këto vrulle të dashurisë për njeriun, moshën, jetën, bashkëshorten, prindërit, shokët, miqtë, figurat e ndritura të kombit e të letërsisë botërore, nuk mund të mos ndalesh herë pas here për të kuptuar dhe ndjerë pulsin e poezisë së Basirit, që frymon si një organizëm i gjallë. Kjo duket te poezitë:”Në krahët e moshës”, ”Mikpritja italiane”, ”Kësaj bote të çuditshme”, ”Petrit Ruka”, ”Zogjtë shtegtarë”, ”Agim Dervishi”, ”Me zemër të bardhë”, ”Lumturisht pi”, ”Nëna ime”, ”Si shpirti yt”(babait), ”Dehur nëpër këngë”, ”Dashuritë”, ”Si një manushaqe”, ”Vilat”, ”Brengat” e të tjera. Nga poezitë e Basirit mund të krijosh buqeta me ngjyra të ndryshme, ku nuk mungon dhe i përbashkon vetëm një ngjyrë;ngjyra e dashurisë.
Figura në poezinë e tij vjen spontane, pa e kërkuar, pa lodhje. Dhe kështu mund të gjejmë paralelizmin figurativ, metaforën, krahasimin, inversionin etj, një tërësi figurash që nuk e rëndojnë mendimin, përkundrazi e mbajnë atë në këmbë me fuqinë e tyre të natyrshme .
Po Nënë Tereza,
E ndritura shenjëtore,
Ka ngritur vilat
Më madhështore.

Eh, ne të varfërve
Krejt të harruar,
Ajo vila gëzimi
U ka dhuruar.
Tematika e gjerë që vjen në përthyerje motivesh, gjetjet, pathos në frymëzim, fjalor i pasur, nuk janë zbukurime të rastësishme, por vijnë domosdoshmërisht si shenjë talenti. Ai tashmë është një poet i konsoliduar, një zë lirik i veçantë, vetvetja, por edhe në vazhdën e poetëve më të spikatur lirikë, si një Esenin i Matit, që u këndon brengave, dhimbjeve, mirënjohjes dhe që shpalos vlera, thjesht, pa bujë, në mënyrë të natyrshme.
Redaktori Kujtim Stana, recensenti Gegë Tusha, mjeshtri i kopertinës, Agron Sejamini, grafisti Artan Dilaver Kurti, figura të njohur të artit, me emrat e tyre, ndihen mirë në këtë libër, ashtu siç u ndjeva dhe unë si lexues dhe poet, dhe kam besim se, mirë do të ndihet me këtë libër çdo dashamirës i artit dhe i poezisë.