Mentor Muça, një shembull frymëzimi për brezat


Ndahet nga jeta dibrani i shquar Mentor Muça

Më 28 janar 2022, ndahet nga jeta Mentor Muça, një nga burrat më të nderuar të krahinës së Gollobordës të plejadës së shekullit XX-të, dibrani i shquar e fisnik që ka mbajtur postet më të larta në organet drejtuese nga viti 1971-1989, si sekretar i Parë i Partisë si edhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Lezhë. Mentori u nda nga jeta natyralisht në moshën 91-vjeçare, nën kujdesin e ngrohtë të vajzës së tij.
Largimi i tij nga kjo botë pikëlloi në rradhë të parë vajzën e të afërmit e tij, që aq shumë e deshën. La pa fjalë miqtë dhe shokët e shumtë, bashkëfshatarët e tij, dibranët, lezhianët dhe tiranasait që e kanë njohur atë në punë e në jetë, që e njohën si burrë me cilësi të mrekullueshme njerëzore, i dijes e kulturës, i punës e i kuvendit, i fjalës dhe i besës, i drejtë dhe i arsyeshëm, por edhe drejtues i spikatur dhe vendimmarrës dinjitoz, model i thjeshtësisë, dashurisë, mikut, shokut.
Mentori u martua me Vera Nurën, një intelektuale shembullore dibrane dhe bashkëshorte e denjë, që bashkë ia kushtuan jetën vendit e popullit.
Jeta e Mentor Muçës është një histori më vete. Ai u lind në Ostren të Madh, në vitin 1929, në një familje atdhetare shqiptare, me zë ndër miq kudo në zonën e Gollobordës, por edhe në zonat e tjera si në Martanesh, Çermenikë, Zerqan. Në vitet pas luftës së Parë Botërore, kur ende luftohej për kufijtë politik të Shqipërisë, xhaxhai i tij, Ademi, i cili shquhej për patriotizëm, një krye të përfaqësisë së Ostrenit të Madh, që shkuan në Trebisht, me mendimin për të hapur një shkollë shqipe, sikurse përfaqësuesit e fshatrave të tjerë, kurrsesi nuk pranoi kërkesën serbe për të hapur shkollë në gjuhën serbe, veçse në gjuhën shqipe.
Mentori ishte më i vogli nga tre djemtë e Hasan Ahmetit (se kështu vendoseshin mbiemrat atëherë me emrin e të atit) me bashkëshorten nga fisi Duka, Ibrahimi dhe Tufiku. Nëna e la të vogël, vetëm 4 vjeç. Nga babai kishte edhe dy vëllezër të tjerë, Aliun e Fisnikun, dhe një motër, Nafijen. Fëmijërinë e kaloi vendlindje, në Ostren të Madh, ku mori mësimet e para të dijes.
Çlirimi i Dibrës e gjeti në Peshkopi, ndërsa çlirimi i vendit në nënprefekturën e Zerqanit. Vazhdoi veprimtarinë me rininë antifashiste shqiptare në Dibër. Si delegat i Kongresit 1-rë të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare (BRASH) dhe instruktor i komitetit të rinisë së Nënprefekturës Zerqan, veproi në gjithë krahinën e Gollobordës, por edhe në zona të tjera, për të organizuar rininë për Kongresin e 2-të të BRASH-it, ku morri pjesë edhe vetë në të, në mars 1945.
Në kohën e rindërtimit të vendit, pas Luftës Nacionalçlirimtare, Mentori mblodhi mbi 100 të rinj nga krahina e Gollobordës dhe sëbashku shkonin në mëngjes në Zerqan dhe ktheheshin në darkë në shtëpi në këmbë, rrugë e pa rrugë. Kontribuonin vullnetarisht për rindërtimin, pastrimin e rrugëve dhe fshatrave nga bora etj.
Në vitin 1946 filloi punë në komitetin e partisë dhe më pas u emërua sekretar i dytë i Komitetit të Rinisë së Rrethit. Në 1948 u caktua në komitetin e partisë në Peshkopi. Ishte koha kur Shqipëria u shkëput nga Jugosllavia dhe filloi lufta e hapur kundër titizmit. E kthye për tre muaj në Ostren të Madh për të sqaruar arsyet e ndarjes nga Jugosllavia. Ishte koha kur u punua për forcimin e shtetit. Punë e vështirë në atë kohë. Pas disa kohësh emërohet sekretar i rinisë i Qarkut, detyrë që e kreu deri në vitin 1960. Në periudhën 1961-1965, ka qenë në funksionin sekretar i Komitetit të Partisë së Rrethit Peshkopi.
Mentori ishte një intelektual i spikatur. Në fillim të viteve 1950, ndjek shkollën e mesme pedagogjike natën në Peshkopi. Në korrik të 1955 shkon në Moskë për të ndjekur Shkollën e Komonuelthit, të cilën e përfundoi në shtator 1956. Kreu studimet në Shkollën e Lartë të Partisë, Tiranë, në vitet 1965-1968, gjatë së cilës u zgjodh sekretar të Komitetit të Partisë të Shkollës. Pas përfundimit të saj emërohet pedagog në atë shkollë.
Nga fundi i vitit 1969, ishte në funksionin sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit Dibër. Më 15 gusht 1971 u emërua sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Lezhës, funksion në cilin qëndroi deri në vitin 1985, kur u emërua kryetar i Komitetit Ekzekutiv të këtij rrethi. Në vitin 1987, përsëri u kthye në funksionin e mëparshëm. Në vitin 1989, shkon në Komitetin Qendror të Partisë, në Tiranë, si instruktor në sektorin e marrëdhënieve me jashtë, deri sa del në pension në vitin 1990.

* * *
Mes bashkëkrahinarëve tanë flitej e flitet për Mentor Muçën me nderim e respekt të lartë. Jo vetëm në krahinën tonë, por kudo që punoi e jetoi Mentor Muça, në Peshkopi, Lezhë apo Tiranë.
Mentori nuk ndjehej mirë të flaste për vete. Ai fliste me admirim për patriotë të vërtetë të përmasave kombëtare të krahinës së Gollobordës, si: Hazis Lila, Elez Koçi e Hoxhë Muglica, por edhe Hysen Matën, Sulejman Matën, Rifat Tolën, Rahman Kasa, Basri Halilin, Mersin Sahitaj, Nexhemedin Zajmi, Ismail Oshafi, Hysni Çelën, Ilmi Sadikaj etj., të cilët me cilësitë e veprimtarinë e tyre e nderojnë Gollobordën dhe mbarë Dibrën.
Mentor Muça ka bërë shumë për Gollobordën e popullsinë e saj, për shtetin shqiptar. Aktivitetin patriotik e ka filluar që në fëmijëri, në vitin 1943, në kuadrin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, që kishte marrë përmasa në Shqipëri. Bashkë me të deleguarin e komitetit të partisë të Zerqanit, Adem Rada, punoi për të aktivizuar dhe krijuar bërthamat e rinisë antifashiste në zonën e Gollobordës. Si sekretar organizativ i komitetit të rinisë antifashiste të zonës, me ndihmën e komandës së vendit në Ostren të Madh, organizoi dhe drejtori lëvizjen antifashiste të rinisë në zonë, duke i shërbyer lirisë së vendit, por kemi mbajtur lartë frymën patriotike e nderin e krahinës.
Për Gollobordën Mentori tejçonte te udhëheqja dhe organet drejtuese të kohës vlerat e Gollobordës dhe gollobordasve, si njerëz të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, patriotë të flaktë, që ushqejnë dashurinë për gruan, familjen e njerëzit, për ndershmërinë, për punën dhe atdhedashurinë e gollobordasve, për shpirtmirësinë e tyre, për burrërinë e fisnikërinë, si zonën vërtet më besnike të Shqipërisë, zonë e pastër, ku nuk dëgjon njeri për hakmarrje.
Mentor Muça është një emër i mirënjohur për qytetarët e Lezhës, si drejtues kryesor i organeve organeve drejtuese të rrethit në periudhën 1971-1989. Në jetë i ka pas vënë vetës qëllim të punojë me drejtësinë më të madhe me popullin, të sillet me mirësi, me mirënjohje të jashtëzakonshme. I priste edhe në rrugë njerëzit, popullin. Padyshim që i priste edhe në zyrë. U zgjidhte problemet ose u thoshte se kjo punë nuk bëhet për arsyet ligjore. “Më kuptonin e më falënderonin që nuk i sorollatja. Me hatër nuk kam vepruar. Ndaj kam respektin më të madh nga lezhjanët.” – do shprehej Mentori.
Mentori është ideatori dhe kontributori kryesor për miqësinë e madhe mes lezhjanëve dhe dibranëve. Në Lezhë thonë që duhet të pyesësh pesë dibranë të gjesh një lezhjan. Si drejtues në Lezhë tërhoqi shumë dibranë dhe padyshim shumë gollobordas për punë në Lezhë, ku edhe qëndruan familjarisht. Për lezhjanët ruante konsiderata të larta. “Janë punëtorë të mëdhenj, – thoshte Mentori. Është e vërtetë ajo që thonë se kam përkrahur dibranët. Dua të them se Lezha kishte nevojë për fuqi punëtore. Krahas nevojës për ndërtime, nuk kishte punëtorë për tharjen e kënetave dhe shtimin e sipërfaqeve të tokës prodhuese. Lezha kishte 70 mijë banorë dhe kishte nevojë të madhe për punëtorë. Kështu më jepej mundësia të ftojë dibranët. Po dibranët e krijuan vetë personalitet dhe miqësi të jashtëzakonshme familjare me lezhjanët.”
Mentor Muça ishte patriot dhe atdhetar i madh. Me dashuri për atdheun e tij, krenar deklaronte të vërtetën historike të gollobordasve: “Ne jemi me origjinë të pastër shqiptare. Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë e nga askush se kemi origjinë tjetër, siç thonë nga Bullgaria. Në asnjë mënyrë. Kjo është sajesë, madje e kohëve të fundit. S’kemi asnjë lidhje gjaku me bullgarët.” Para disa vitesh, ai refuzoi ftesën e ambasadorit Bullgar për të marr pjesë në një piknikë në Dajt me përfaqësues me prejardhje bullgare. “Kthejani këtë ftesë ambasadorit, i thash djalit që ma solli ftesën. Nuk kemi asnjë lidhje me bullgarët. Ne gollobordasit jemi shqiptarë. Hiqni dorë nga përpjekjet antikombëtare ndaj gollobodasve. Ua thash prerë.”, – tregonte Mentori. Kërkesës për ta përfshirë në listën e nënshkruesve të ankesës që Shoqata Atdhetare “Hazis Lila” i drejtoi Presidentit të Republikës, më datë 21 tetor 2017, kundër ligjit të minoriteteve, që diskriminon identitetin e vërtet shqiptar të Gollobordës, me shpirt atdhetar dhe me lotë në sy iu përgjigj: “Po shyqyr që paska ende frymë të lartë patriotike. Më gëzuat shumë me këtë.” Dhe e nënshkroi ankesën pa hezitim, jo vetëm ai, por edhe e bija e tij.
Mesazhi i këtij burri të shquar, fisnik, të ditur e patriot për brezat e sotëm edhe brezat e ardhshëm është kuptimplotë gjithnjë: respekti për njerëzit dhe vendin tënd. “Po e deshe vendin tënd, ke dashur Shqipërinë. Njeriu duhet ta dojë punën. Kanë filluar ta humbasin dashurinë për punën, por të punojnë këtu, për vendin e tyre. Të kthehen e të punojnë tokat e tyre bashkë me vëllezërit e tyre e të rrojnë së bashku. Ta duan jetën dhe vendin e tyre. Ta duan njëri-tjetrin dhe familjen mbi të gjitha.”

* * *
Mentor Muça ishte shumë i ndershëm dhe mjaft human, me shpirt të pastër, i dashur dhe miqësor me njerëzit, i drejtë, me përkushtim të lartë për shërbimin ndaj vendit e popullit, punëtor i palodhur për detyrën e shtetit. Motoja e jetës dhe e punës së tij ka qenë vetëm një: Shqipëria, atdheu. Për këtë punoi me gjithë energjitë dhe bëri çdo sakrificë. Edhe pushimet i bënte gjithmonë në dimër, se gjatë kohës tjetër kishte fushata të ndryshme të punëve dhe prodhimit. “Duhet të ishim kudo, në krye të punëve, në çdo sektor ku dilnin probleme.”, – thoshte ai.
Me cilësitë e tij të larta njerëzore dhe aftësitë intelektuale e drejtuese, Mentor Muça mbetet një personalitet i ndritur i Dibrës dhe i gjithë Shqipërisë, një shembull frymëzimi për brezat. Ai i shërbeu dhe i qëndroni besnik idealeve të vendit të vetë.
Mentori do u mungojë të afërmve të tij, shokëve e miqve të tij të shumtë, që e prisnin për të pirë kafen te lokali pranë banesës së tij pranë Bërrylit, në Bulevardin “Zhan Dark”, Tiranë, të cilët do e kenë gjatë në kujtesën e tyre.
Trupi i të ndjerit u përcoll me nderime nga shumë të afërm, miq, shokë e të njohur për në varrezat e Sharrës.
Për virtytet e larta njerëzore dhe përgjegjshmërinë për punën, Mentor Muça është shpallur qytetar nderi i dy bashkive ku ka punuar: i Bashkisë Lezhë dhe i Bashkisë Dibër.
Ramazan Hoxha, Arif Shutina,
Ferhat Gruja, Kadri Dauti