Imam Rushiti i Radomirës


Nga Osman Xhili

Atij i pëlqen ta thërrasin Rushit Radomira dhe pse mbiemri i tij i vërtetë është Ferati. Jo se nuk është fis me emër, përkundrazi. Stërgjyshi i tij, Emin Ferati, ka qenë një nga ato burra që i dolën zot vatanit. As gjakun dhe jetën nuk e kurseu për këtë kauzë të madhe. U vra nga serbët në Ceren të Kalasë së Dodës dhe emri i tij është i përmendur krahas dhjetra dëshmorëve të tjerë. Dy djemtë e tij, mulla Vehbiu dhe mulla Tahiri, ecën në mësimet dhe gjurmët e tij. U edukuan me punë, patriotizëm, por dhe me besimin e palëkundur te i madhi Zot, pasi kështu bëhet më e plotë figura njerëzore. U bënë teologë të shquar dhe imamë të nderuar. Pas viteve shtatëdhjetë, kur feja u ndal me ligj dhe besimi në Zot ishte një herezi për sistemin komunist, në shtëpinë e mulla Tahirit erdhën përfaqësues të pushtetit. I thanë se nuk mund të ushtronte më aktivitetin fetar dhe duhej të hiqte mjekrën. Mulla Tahiri u përgjigjet, se për pikën e parë nuk mund të shtyhej me qeverinë, kurse kërkesën e dytë nuk j’ua plotësonte dot. “Mjekra ime or miq, hiqet vetëm atëherë, kur të hiqet koka ku gjendet ajo”.

Shkollimi
Në një familje të tillë atdhetare, punëtore dhe të shkolluar, lindi dhe u rrit një tjetër filiz, po kaq i denjë, sa të parët e tij, Rushit Radomira Ferati. Ai e mbaroi shkollën tetëvjeçare me rezultate të shkëlqyera dhe i thanë të vazhdonte shkollën e mesme në Peshkopi për teknik ndërtimi. Ndoshta dega që nuk i pëlqeu dhe aq, por dhe kushtet ekonomike të disfavorshme, bënë që djali i ri të linte shkollën për disa vite. Mbase geni i të parëve që kishin studiuar për teologji e thërriste dhe Rushitin për ta përtërirë traditën e parë.
Kishte ardhur viti nëntëdhjetë, viti i kthesës së madhe, me kufij të hapur dhe për shqiptarët.Me ndihmën e një kushëriri të tij nga Tetova, Rushiti paraqitet në Medresenë e “Isa beut”, në Shkup. Pas shumë peripecish dhe situatash të vështira, hezitimit të drejtorit, Bahri Aliut, ëndrra e djalit tëri u realizua. Tashmë dhe ai ishte një nga shtatëqind studentët e kësaj shkolle me aq emër në rajon.
Kaluan dy vitet e para dhe kishin hyrë në të tretin. Në zgjedhjet studentore, që bëheshin çdo vit, djali nga Radomira zgjidhet kryetar i Unionit për gjithë studentët e kësaj shkolle. Në një fjalë të shkurtër përshëndetëse, drejtor Bahriu thotë, se në fillim nuk kam dashur ta regjistroj në shkollë Rushitin. Kisha frikë se na bën probleme me studentët e tjerë dhe se nuk do të arrijë t’i kapë mësimet, pasi i kishte ndërprerë ato për disa vite. Sot, vazhdoi ai, ju e shihni, ku ka arritur ky njeri, falë vullnetit e këmbënguljes së tij të admirueshme.
Rushiti mbaroi studimet në vitin 1996 dhe shkoi në vendlindje, në Kala të Dodës. Vetëm një vit më pas e emëruan imam në Radomirë, në atë tempull, ku kishin ligjëruar dhjetëra dijetarë të fesë para tij. Ishte një peshë e rëndë, një amanet i madh, por imami i ri besonte se do t’ia dilte mbanë me sukses. Ishte shumë i lidhur me njerëzit, me hallet e problemet e tyre, duke u përpjekur mjaft për ti zgjidhur ato. Në bisedat dhe ligjëratat që mbante, me zërin e tij si bilbil, që i kishte falur Zoti, ai i bënte njerëzit për vete. I ftonte për të qenë të bashkuar, siç kishin qenë të parët e tyre.

Bujari dhe humanizëm
Ishte koha e luftës në Maqedoni. Shumë ushtarë ishin stacionuar në portat e Korabit. Një ditë, një djalë i ri, që sillte qumështin nga bjeshka e thërret mënjanë imam Rushitin.
– O hoxhë! Të kam sjellë një letër nga një shok shkolle, Servet Jusufi.
– Servet Jusufi? Po ku e gjete mikun tim?
Ishte në mal me shokët e luftës. Më pyeti se cili ishte fshati më i afërt. Kur i përmenda Radomirën, më pyeti për ty, nëse të njihja apo jo. Pastaj më dha këtë letër. Djali u largua dhe imam Rushiti hapi letrën e zhubrosur që vinte nga fronti: “Jemi nis për në dasëm të madhe – shkruante miku i tij. – Unë jam nën urdhra e nuk lëviz dot. Nëse don, më takon te porta e Korabit”.
Të nesërmen niset për te vendi, ku i thoshte shoku i tij. I njihte mirë ato vise që nga fëmijëria. Kishte korrur bar, kishte mbledhur lule, kishte kullotur bagëtinë. Ja tek u nis sërish atë mëngjes prilli. Zogjtë cicëronin dhe bora ishte vende-vende, akoma e pashkrirë, sa më lart që ngjitej. Kishte marrë me vete dhe një lëkurë qengji, që miku i tij ta kishte për shtroje.
-Dikush i tha të ndalonte, duke e shkëputur nga mendimet. I tha rojes se donte të takojë komandantin, Tahir Sinanin. Pak çaste më vonë ata takohen në një shpellë aty pranë. Pasi pyeten për shëndetin e familjet, Rushiti e pyet komandantin nëse kishin nevojë për ushqim e batanije. Komandant Tahiri i thotë, se për momentin jemi në një situatë të vështirë. Furnizimet nuk kanë ardhur akoma dhe jemi katër ditë pa bukë.
Nuk ishte nevoja për ta zgjatur bisedën më tej. Mesazhi ishte i qartë. Koha, jo vetëm që nuk priste, por dhe me aq ishte tepruar. Jeta e atyre njerëzve vihej në rrezik. Ky popull, mendoi, Rushiti, gjithmonë është shquar për mikpritje. Madje, jo vetëm me njeri-tjetrin, por ka strehuar dhe hebrenjtë, duke marrë vlerësimet e botës për këtë akt. E si të mos i ndihmojmë vëllezërit tanë të një gjaku? U takua dhe me Servetin, shokun e tij të shkollës. U çmallën dhe kujtuan ato kohëra të bukura, që nuk vinin më. I tha se do të binte poshtë në fshat dhe do të takoheshin sërish, për të ndenjur më gjatë.
Me këto mendime ra në fshat. Shumë njerëz e prisnin për të bërë një mevlut. Pasi mbajti një ligjëratë për sadakanë dhe humanizmin u kërkon nga çdo shtëpi të gatuajnë bukë dhe të sjellin batanije. Në mëngjes ishin sjellë 180 bukë, sheqer, vaj, makarona e plot ushqime të tjera. Nëntë kuaj u ngarkuan me të shpejtë dhe u nisën për te vëllezërit shqiptarë në Korab, që përballeshin prej ditësh me urinë dhe mbijetesën.
Komandant Tahir Sinani u befasua, kur e pa atë karvan me ushqime në aq pak kohë. Ai që nuk ishte përlotur nga luftërat e gjëmimet e topave, ndjeu ti njomen sytë nga kjo bujari e pashoqe.
“Unë, – tha komandant Sinani, – kam qenë në Bosnje, Kosovë, Preshevë e shumë vende të tjera dhe nuk e kam parë askund këtë lloj humanizmi. Nëse nuk do arrij ta shkruaj vetë, do ta lë amanet që ta shkruajnë të tjerët”. Ndoshta amaneti i komandant Tahir Sinanit mbeti pezull për pak kohë. Më pas, ai shkoi në vend. Nëse nuk arriti ta përcjellë vetë atë mbresë, nëse nuk e kanë përcjellë të tjerët para meje. I hodha unë ca rreshta mirënjohje për ato banorë të mrekullueshëm të Kalasë së Dodës dhe për mikun tim, imam Rushitin. Vetëm një muaj më vonë, komandant Tahiri u vra nga një minë e fuqishme dhe trupi i tij u shpërnda në qindra copa. Ai mbeti në histori, u skalit në këngë e në vargje për heroizmin e tij të pashoq. Bashkë me të u plagosën dy vajza tropojane, të cilat u përcollën në spital, falë ndihmës së pakursyer të popullit të kësaj zone.
Vetëm pak kohë pas mbarimit të luftës, imam Rushitin e thirrin në policinë e shtetit. Do ta pyesnin në lidhje me implikimin me luftëtarët shqiptarë të Maqedonisë, por mund dhe ta arrestonin. I vetmi faj i tij ishte se kishte ndihmuar vëllezërit shqiptarë në ato ditë të vështira. Bashkë me banorët e zonës u kishin dërguar batanije dhe ushqime. Ahmet Çaushi, në atë kohë myfti i Dibrës, e mori vesh se si po shkonte puna dhe paraqitet në polici, bashkë me imamin. U thotë përfaqësuesve të rendit se ishte gati të futej ai në burg në vend të Rushitit. U thotë se ndihej krenar, që kishte imamë të tillë të besës, të qëndresës, të humanizmit dhe luftëtarë të çështjes kombëtare. Pas kësaj gjërat marrin udhën e normalitetit dhe Rushiti shkon i qetë dhe i patrazuar në Radomirën e tij të dashur, ku e priste xhemati.

Roli i pajtimtarit
Nuk kishte vetëm pak kohë, që kishte filluar detyrën e imamit të Radomirës, kur i’u desh të përballej me sprova të vështira. Disa plagë, që dukeshin si të mbyllura para viteve nëntëdhjetë, po rishfaqeshin e përkeqësoheshin akoma më shumë. Pesë lagjet e Radomirës rrezikonin të bëheshin pre e një konflikti të brendshëm. Tejza, Sërdoku dhe Rade pretendonin se dy lagjet e tjera, Çernjeva dhe Derbaçi nuk kishin të drejtë kullotje dhe pronësie në Livadhin e gjatë, një tokë me sipërfaqe gati 80 hektarë. Arsye për këtë ishte se shumë kohë më parë, dy lagjet në fjalë nuk kishin dalë në mbrojtje të kësaj prone, kur ajo rrezikohej t’ju merrej. Kur ishin mbaruar argumentet nga secila palë dhe kur nuk shihej dritë në fund të tunelit, dikush propozoi ta linin këtë çështje në dorë të hoxhës për ta zgjidhur. Barrë e rëndë për shpatullat e njoma të imamit të ri.
Fillimisht, ai mori informacionin e duhur nga pleqtë e vjetër dhe të mençur. Jo vetëm kaq, por u kërkoi dhe ide se si mund të zgjidhej konflikti. Pas tre muaj përpjekje, diskutime e ligjërata me tema të kësaj natyre, u arrit dhe rezultati i shumëpritur. Radomira nuk ishte shumë e madhe për tu përçarë. Bashkë do të ishin në kullotje të bjeshkës, bashkë në pronësi, bashkë në të mirë e në të keqe, siç kishin qenë gjithmonë. Autoriteti i imam Rushitit fitoi kuota të reja në sytë e njerëzve që e rrethonin.
Pak kohë më vonë një tjetër situatë e rëndë u krijua në zonë, dhe pse jo e atyre përmasave, si e para. Pesë familje nga tre lagje të ndryshme të Radomirës, pretendonin secila se duhej të ishin trashëgimtarë të një toke prej rreth pesë dynymsh. Pronari i vërtetë i tokës kishte ndërruar jetë dhe tani pesë familjet që kishin lidhje gjaku me të kërkonin pronësinë. Asnjëra palë nuk lëshonte pe dhe situata po acarohej përditë e më shumë. Problemi kishte shkuar dhe në dyert e komunës dhe të autoriteteve shtetërore në rreth, pa arritur ndonjë rezultat konkret.
Sërish ju besua hoxhës zgjidhja e këtij konflikti. Ai ju drejtua dhe njëherë familjeve që pretendonin tokën, se a vërtet e kishin lënë në dorën e tij. Ato e siguruan se cilado të ishte zgjidhja e tij, nuk do ta kontestonin. U caktua një datë e afërt për tu mbledhur. Në takim kishin ardhur të gjitha palët në konflikt, pleqtë e vjetër të zonës, përfaqësues të këshillit e të komunës. Asnjeri nuk e dinte se çfarë kishte menduar imami në kokën e tij. Vetëm kur ju dha fjala, u njohën me vendimin që kishte marrë. Sipas tij, asnjëra nga palët në konflikt nuk kishte të drejtë pronësie dhe toka do ti kalonte vakëfit të xhamisë. Për më tepër, asnjëra prej këtyre familjeve nuk kishte të drejtë ta marrë as me qira për një periudhë prej të paktën dhjetë vjet, derisa të harrohej përfundimisht ky problem.
Sa e sa pajtime e ndërmjetësime bëri imam Rushiti gjatë kësaj periudhe. Njerëzit e linin gjithnjë zgjidhjen në dorën e tij, pasi kishin bindjen e plotë, se ajo do të ishte e drejtë dhe e pëlqyer nga të gjithë.
Ai i qetësonte zemrat e njerëzve me fjalën e tij, me zërin e tij si të bilbilit. Ai shëron dhe syrin e keq e magjinë dhe ka plot raste konkrete për ti treguar. Por ndoshta për këto do të flasim ndonjëherë tjetër.
Arsye të shumta e detyruan imam Rushitin të lerë vendlindjen dhe të banojë në Farkë të Tiranës. Ai po njësoj vazhdon aktivitetin e tij të ngjeshur në kontakte të shumta me njerëz. Në shpirt e ka vendlindjen e tij, ndaj e ka ngjitur fort tek mbiemri i tij, si pjesë e pandashme e identitetit.