Poezia si shprehësi lirike dhe bartëse e unit origjinal


Nga QAZIM D. SHEHU

Jaho Delia, prej kohësh e ka spikatur veten si poet i afirmuar me zërin e tij origjinal, duke na dhënë një poezi të ngrohtë plot emocione njerëzore, me një verb të thjeshtë ritmik e mjaft të pëlqyeshëm. Në librin e tij të ri, ai i ngrë më lart këto cilësi dhe cilido që do ta lexojë këtë libër do të mbetet i kënaqur, do të ndjejë jehonën e historisë, këngët për trimat e motit, këngët e reja elegjiake për të birin e Jahos, Floranin, Dëshmor i Atdheut, këngët për njerëz të zakonshëm plot virtyte e njëherit edhe një lirikë që thuret përmes vargjeve të çiltëra e me finesë.Si poet, ai qëndron mes rapsodisë dhe lirikës dhe e ke të vështira t`i ndash këto dy forma të të shprehuri gjuhësor , ndonëse ato kanë një ndarje të mirëfilltë.
Rapsodia e Jahos, edhe pse siç e ka natyrë rapsodia, zotërohet nga toni epik-heroik, merr një ndryshim dhe përpunim të rëndësishëm ndjesor; në të, krahas tonit epik shprehet dashuria dhe malli për njeriun , për kohërat, adhurimi dhe respekti për aktet trimërore, të gjitha këto të kaluara nëpër filtrin e një shpirti të ndjeshëm.Kjo ndodh , se heronjtë apo njerëzit e zakonshëm, që u bënë emra të nderuar dhe mbetën në kujtesën popullore ishin njerëz të mirë, të dashur, paqësorë, që e donin jetën dhe, për ta mbrojtur atë, u ngritën e lufuan trimërisht kundër armiqve të ndryshëm që shkelën tokën shqiptare.
Jaho është nga Kala e Dodës, nga Radomira, Dibra, një zonë që mbart histori dhe kjo histori peshon sa malet e saj.I rritur në këtë trevë bujare e të mençur, ai nuk kishte sesi të mos mëkohej pikërisht me tamlin e rrëfenjave dhe legjendave, të mos i bridhte mendja pas trillit të historisë , të mos kapte pikërisht me imagjinatën e tij kohërat e shkuara, për të spikatur ato virtyte të të parëve.Kjo jo vetëm ndihet në poezinë e tij, por është një vlerë që ai e realizon përmes vargjeve plot vibrime të tonaliteteve të ndryshme, duke shprehur krenari e besim se fjala e tij do të dëgjohet.Elementi i këngës e bën poezinë e Jahos mjaft të konceptueshme dhe ndikuese.
Ai merr nga ajo vijën melodike dhe ritmin, nga melosi popullor merr çka më të mirë ai jo si një imitim të rëndomtë, por si një përthithje të tij.
Jo më kot, vargje të tilla të bëjnë për vete:”Dibrën e burrnisë se ku është e dini/Roje i bën Korabi, hije i bën Drini/Rrënjët në histori, të futura thellë/Nëpër shekuj çdo gur kish kështjellë”.
Por mund të vazhdojmë edhe me vargje të tjera, të cilat shprehin ndjenjën e adhurimit dhe shpalosin bëmat e heronjve e luftëtarëve të lirisë:”Më njëzet, pa hy vjeshta/Nji gjamë përcjell bjeshka/Pse Korab kaq fort je nxi/Ku po ngjitet kjo urdi” ; vagje të tilla plot thirrma , apostrofa e tonalitete kushtruese , na afrojnë gjithnjë me vijën melodike të këngës.
Poezia është një pasyrim i dinjitetshëm historik i atyre ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, ku zonat e para të ekspozuara ndaj armikut iu bënë barrierë atij, për të mos hyrë në thellësi të tokës shqiptare e këto ishin Dibra, Ploshtani, Kalisi, Luma , me trimat dhe luftëtarët zëmëdhenj, që meritojnë të gdhenden në vargje .
Jaho këndon natyrshëm.Bukur i flet ai me fjalë mallëngjyese djalit Floran:”Fort me zor bllokun e mora/Për atë peng që në zemër kam/Kurrë ma fort nuk m`u drodh dora/Më fal për lotët, o Floran!”.
Malli dhe dashuria për të birin përshkohen nga forca burrërore e një prindi zemërcopëtuar, i cili, përmes notave elegjiake, ngrë lart vlerat e rinisë dhe të bukurisë së të birit, që lartësohen me cilësitë e larta morale në shërbim të atdheut.Një poezi e bukur, prekëse dhe aq brishtë, delikate.
Edhe pse autori në rapsoditë e tij frymëzohet nga ngjarje reale, ai nuk është një përshkrues i thjeshtë i tyre. Ngjarja kalon në plan të dytë kur është fjala për të nxjerrë nga sharmi i saj frymën poetike, tharmin burrëror, për të përshkruar tiparet fizike e morale të protagonistëve.Dhe fjalët janë të zgjedhura, ndonëse herë- herë kemi ndonjë paradigmë apo stilemë të njohur, gjë e cila nuk mund të shmanget dot jashtë tipologjisë së rapsodisë.
Nuk mund të shmanget edhe një fjalor tipik si:urdi, allti, zanë, martinë, kollan, vatan, kuvend, tabe(llogore) etj, etj ; një fjalor që sjell ngjyrimet historike të kohës, të cilat poeti i njeh mirë dhe po aq me zotësi di t`i ndërfusë e t`i përcjellë përmes rrjedhës së frymëzimit poetik.
Poezia është e veçantë , sepse ajo ngrihet mbi besimin se kulte e vlerësime të tilla morale, dëshmojnë për qëndresën historike të një populli, i cili nuk iu nënshtrua të huajit dhe diti t`i vlerësojë ato deri me gjakun e vet.
Lirika e tij është një përvijim i atyre dridhjeve shpirtërore plot intonacione të buta dhe këndellëse.Ai ka shfrytëzuar mirë këngët e dasmave, psikologjinë e popullit në konceptimin e gëzimit të jetës, ka ditur dhe ia ka arritur që këto veçori t`i transfigurojë poetikisht dhe, po ashtu, t`i përcjellë në vargjet impresionuese.
Poezitë e tij lirike i kushtohen nënës, gruas, babait(Poezia” Mandolina e babait”), një dashurie të vjetër që rizgjohet dhe koha mundohet të mbushë mungesën, po kjo është e pamundur;kurbetit, natyrës, vjeshtës, qershisë, kohës që ikën, njeriut të sotëm, po me ato ndjenja si të njeriut të hershëm, dhe kësisoj ajo fiton një vlerë gjithëkohore.
Poeti ngrë në kultin e bukurisë cucën malësore me gjithë tiparet e bukura morale të saj, pa përjashtuar ato fizike , që ndërthuren dhe krijojnë harmoni.Si Çajupi , ai është konkret në këngëtimin e dashurisë, nuk lëngon prej mungesë së saj , edhe pse nuk i mungojnë nuancat e trishtimit prej kësaj mungese.”A e ke lidh shaminë fitoz/Ti moj lulja e Serezit/Dimri i gjatë nuk u sos/Tue prit ditën e Shëngjergjit”…
A nuk ngjet kjo pyetje e shkëlqyer retorike me një këngë dasme në trevat tona kur gratë dhe vajzat i drejtohen nuses në valle dhe ajo kthen përgjigje vetëm me bukurinë e saj, pa fjalë.Këto intonime di t`i sjellë vetëm një poet i lidhur ngushtë dhe perceptues i natyrshëm i imazheve të tilla që sjell folku..
Motivi i vetmisë, i mungesës, shprehet në vargje të tilla si:”Sa herë letra të kam çue/s`mu përgjigje, pa u ndjerë/a do ketë pranverë për mue/A do shihemi ndonjëherë?”…e të tjera vargje vijnë si një klithmë e heshtur e një shpirti të ndjeshëm, që vuan nga mungesa, trilli, koha, vitet e njohjes që lënë vragë etj, etj.
Me mall e frymëzim i këndohet nënës, babait, gruas.Kuptohet , ato janë figura që nuk mund të mos u thuren vargje , veçse nga thellësia e shpirtit.Antologjike mbetet poezia “Mandolina e babait”, ku përmes veglës muzikore poeti shkon te njeriu, përmes sendit të drunjtë sjell një refleks nderues ndjenjash:”Heshtjen mandolinës shpesh dua t`ia prish/Jap e marr t`ia shprush të lashta melodi/Ngazëllehem, dështoj, ia filloj sërish/Me ikjen e babait, iku e shenjta magji”…Kjo ta kujton një poezi të Martin Camajt:”Lahuta pushon në tra/Se nipat nuk dinë me i ra”, ndonëse poezia e përmendur ka tjetër koncept ideor.
Si poet i peizazhit ai e sjell atë me ato detaje që vijnë përputhshëm dhe natyrshëm me ndjenjën, peizazhi është nuk vjen si dekor i thjeshtë, por funksionalizues:”I shoh të ronitura gjethet e vjeshtës/Si zogj të përhumbur po i degdis era/Venitur në stinë të tretë të jetës/Se u zverdh e blerta që u fali pranvera”.Detaje filigramiste mund të gjesh gjithandej në këtë vëllim duke ia zbukuruar kostumin natyrës, por edhe gjendjeve poetike të subjektit lirik.
Shumë herë poeti e merr shtysën-frymëzuese nga ngjarje konkrete dhe, përmes tyre, ndërton minifabulën, ndaj vargu i tij është sintetik e aspak rrëfyes.
Poezia e këtij libri vjen nga zëri vetjak i një poeti në sendërtimin e saj organik plot rima, ritme me vetvetishmëri, larg çdo synimi për të shkruar diçka që të bjerë në sy dhe, për këtë shkak, ajo bie në sy dhe pëlqehet.Nuk ka gjë më të rëndësishme për një poet sesa të jetë vetvetja, të këndojë me zërin e tij dhe këtë e gjen te Jaho Delia Selmani, një poet i natyrshëm që i rri besnik tematikës dhe shtjellimit të saj, motiveve dhe procedeut krijues të vetvetes…