Botime të reja


Xhafer Martini
100 personalitetet
e gomarit të madh
Roman
Shtëpia botuese: M&B
Numri i faqeve 104
ISBN 978-9928-353-93-1
Çmimi: 600 lekë

 


Një roman satirik mbi shoqërinë e ditëve të sotme. Përmes karrierës në ngjitje të një gomari këmbëngatërruar, – nga mësues në një shkollë të provincës deri në gradimin si akademik, – pasqyrohet një histori shqiptare tranzicioni, që më shumë se të bën të qeshësh, të bën të mendohesh dhe të reflektosh.
***
Kronikën për promovimin zyrtar të librit, që ishte ai i sallës kryesore, do ta mësoni më vonë nga shkrimi përmbledhës në formë eseje filozofike që bëri Kau Zrrak në gazetën Ushtima e Zabeleve, kurse grupin e dytë që hyri në sallën tjetër, po e ndjekim nga afër, se ngjarjet rrodhën shumë më shpejt se ç’mendohej dhe me një zgjidhje të habitshme që erdhi nga ai që nuk pritej. Këtu nuk kishte as presidium, as referat, as diskutime. Dikush në këmbë, dikush ulur në një kolltuk, shanin me të madhe Gomarin e Madh dhe e ngrinin zërin në kupë të qiellit. Me këtë mënyrë sjelljeje komprometohej qëllimi dhe pjesëmarrësit kryesorë, ata që ishin tamam shkencëtarë dhe që në të vërtetë nuk e kuptonin përse kishin ardhur këtu. Ata vetëm rrinin si të hutuar. Mbështetësit e tyre bërtisnin dhe grindeshin, madje Derrkuci i Vogël dhe Ujku Qimendritur, që njiheshin për gjaknxehtësi, bënë thirrje që të shkonin në sallën ku ishte mbledhur grupi “zyrtar”, t’ua prishnin mbledhjen dhe t’i shpërndanin me forcë. Nuk dihej si do të shkonte kjo punë, po të mos kishte shkuar Bufi i Kënetës te tryeza ballore dhe, si kapi mikrofonin, tha do fjalë që nuk do të harrohen kurrë:
– Mua më ka bërë nder Gomari i Madh që nuk më ka futur në atë palo librin e tij.
Me të thënë këto fjalë, doli jashtë. Mbas tij dolën tërë personalitetet e larta shkencore e politike. Dolën edhe mbështetësit e tyre. Nuk u zhvillua as mbledhja tjetër për arsyen e thjeshtë se askush nuk e kishte lexuar librin e Gomarit të Madh…
(Fragment nga romani)

Librin mund ta porosisni online:
Email: mbbotime@gmail.com
Cel (Whatsapp) 068 65 08 441