HEC-i i Skavicës – tradhti ndaj Dibrës dhe interesave kombëtare


Në territorin e Dibrës janë ndërtuar dhjetëra hidrocentrale të vegjël si ai i Setës, i Okshtunit, i Lladimericës, i Tuçepit, i Ostrenit të Vogël, i Trebishtit, i Strikcanit, Krajkës etj., që padyshim ka dëmtuar faunën e florën e kësaj treve, ka prishur ekuilibrat mjedisorë. Shkurt, ndërtimi i HEC-it të Skavicës është shkatërrimi i Dibrës.

30 vitet e fundit nga treva e Dibrës është shpërngulur rreth 45% e popullsisë dhe po të shpërngulen edhe 30 mijë banorë të tjerë do të thotë që Dibra çpopullohet. Atë që nuk e kanë bërë armiqtë po e bëjnë pushtetarët tanë. E kujt i shërben kjo? Vetëm antishqiptarëve.

Nga Kadri Dauti

Pamje nga punimet në Skavicë. Foto: Majlinda Hoxha

HEC-i i Skavicës ka një histori mbi 60 vjeçare mjaftë të debatuar. Ideja për këtë projekt ka nisur që në 1957 dhe sot përbën një çështje serioze për Dibrën dhe interesat kombëtare. Lidhur me të janë dy palë: njëra anë qëndron qeveria, që niset vetëm nga interesi i ditës dhe nga ana tjetër populli dibran, atdhetar e patriotik, autokton, i mbron me shpirt trojet e veta, historinë, etnokulturën e krahinës dhe interesin kombëtar.

HEC-i i Skavicës është i dobishëm

Nisja e punimeve më 2 tetor 2021 për ndërtimin e HEC-it të Skavicës nga kompania amerikane “Bechtel” fakton qëndrimin antikombëtar të qeverisë së sotme, qartësisht e korruptuar dhe e papërgjegjshme. Pavarësisht kundërshtive dhe protestave të shumta e të herëpashershme të popullsisë së zonës dhe të dibranëve, pavarësisht peticionit të drejtuar nga dibranët, kompania vazhdon punimet për ndërtimin e HEC-it.

Projekti lidhet me shumë probleme ekonomike, shoqërore, sociale, mjedisore, historike, kulturore, gjeopolitike, interesat kombëtare etj. Por siç duket për qeverinë nuk kanë asnjë rëndësi këto probleme të mëdha për Dibrën, popullsinë e fshatrave që përmbyt liqeni i këtij HEC-i dhe fshatrat përreth. Për kryeministrin Rama nuk kanë asnjë rëndësi se zhduken 34 fshatra dibrane, gjurmët arkeologjike të vendbanimeve të lashta, varrezave të të parëve të banorëve të këtyre fshatrave, pyjet, shpërngulen të paktën 15 mijë banorëve, humbasin 12-15 mijë ha tokë bujqësore që do prodhonte të paktën 100 milionë euro në vit, pa llogaritur të tjerat. Ramës i intereson vetëm teka, egoizmi i tij dhe qoka që duhet t’i bëj kompanisë “Bechtel” dhe ndoshta ndonjë qeveritar që mbush xhepat.

Nuk ka një studim tekniko-ekonomik, nuk ka një kosto të vërtet ekonomike për projektin e HEC-it, sepse nuk i intereson kjo një qeverie antikombëtare. Sidoqoftë, asnjë kosto nuk ka vlerë para kostos historike, arkeologjike, etnologjike, kulturore të kësaj treve. Më kot mundohen pushtetarët që të japin shifra përfitimi. Asgjë nuk përfitohet, veçse humbet gjithçka. Humbet Dibra, humbet Shqipëria.

Projekti zyrtar i aprovuar me vendim qeverie të vitit 1961 dhe i ratifikuar në 2 marrëveshjet e ujërave me Jugosllavinë të vitit 1956 dhe 1961, nuk u ndërtua nga regjimi i atyre viteve, për arsyen se ishte i padobishëm ekonomikisht dhe gjeopolitikisht. Qeveria e asaj kohe, e përgjegjshme për misionin e saj në shërbim të vendit, të interesave kombëtare dhe të popullit, nuk e miratoi ndërtimin e këtij hidrocentrali se dëmtonte rëndë historinë, etnokulturën, mjedisin, shkatëron Dibrën.

Projekti për ndërtimin e HEC-it të Skavicës nuk është projekt me interes kombëtar. Çdo dibran i ndershëm e atdhetar, çdo shqiptar duhet të ngrihet në mbrojtje të luginës së Drinit të Zi, kundër ndërtimit të HEC-it të Skavicës, kundër marrëveshjes së 3 tetorit 2020. Indiferentizmi, heshtja ndaj kësaj çështje është vrastare për Dibrën dhe Shqipërinë. Drini i Zi duhet të mbetet ashtu natyror siç është të paktën tani. Ai nuk është vetëm i dibranëve, por i gjithë shqiptarëve. Lumi Drini i Zi është lumi krenar i trojeve shqiptare, që e kemi trashëgim nga paraardhësit tanë ilirët, arbrit. Ndaj mbrojtja e kësaj pasurie është detyrë e çdo shqiptari atdhetar.

Dëmi më i madh shkaktohet jo në planin ekonomik, por atë gjeopolitik, historik e etnokulturor. Sepse do shpërbëhej Dibra si trevë etnokulturore; Dibra e Poshtme nuk do ekzistonte më. Dibrën e sakatoi Konferenca e Londrës duke e ndarë në dy pjesë në 1913. Ajo ndau Dibrën e Sipërme nga trungu amë, duke lënë pjesën juglindore të Dibrës në Maqedoni. Ndërtimi i HEC-it do bëj që të mos “kishte më as Dibër dhe as Nantë Malet e Dibrës të traditës së hershme etnike.” Do shuhet kështu një trevë që ka qenë historikisht në qendër të historisë dhe trashëgimisë së kombit shqiptar. Tani u dashka ta zhduk qeveria e vetë, njëlloj si të ishte armikja e Dibrës dhe Shqipërisë. Duke ndërtuar HEC-in e Skavicës, Dibra do të zhdukej, lugina e Drinit të Zi do të zhdukej përgjithmonë. Nga 149 km gjatësi e përgjithshme e luginës mbi 92 km ose mbi 62% e saj (nga 30% që është tani) do mbytej nga uji dhe gradualisht do tjetërsohej.

Në anën e Maqedonisë, dy hidrocentralet e ndërtuara kanë mbytur përgjithmonë toka të shumta dhe objekte historike si urën e Spiles (e njohur si Ura e Vezirit), e njohur për arkitekturën e saj dhe luftërat heroike të dibranëve kundër pushtuesve osman dhe serb.

Kujtojmë se qeveria maqedonase, për interesat kombëtare të atij shteti, ndërtoi kanale për të marrë ujin e Radikës së Sipërme dhe dërguar në liqenin e Mavrovës duke dëmtuar   të prurjet e të lumit Drini i Zi. Ndërsa qeveria shqiptare thuajse nuk reagoi ndaj kësaj padrejtësie jo vetëm ekologjike, por edhe ndaj interesave kombëtare shqiptare.

Për projektin e HEC-it të Skavicës nuk është bërë as studimi i fizibilitetit, që të argumentohet dobia e tij. Ose më saktë, nuk duhet bërë sot, se e kanë bërë specialistët në vitet 80-të dhe ka rezultuar projekt i padobishëm, sepse siç argumentojnë ekspertët, “ndërtimi i një rezervuari kaq të madh do të sillte pasoja të rënda në mjedis dhe në ekosistem, ndërsa popullata e zhvendosur do të vuajë pasojat sociale”. Pretendimet e qeverisë se HEC-i i Skavicës se “ai e shlyen vlerën e investimit brenda dekadës së parë pas vënies në funksionim” apo   “do të ketë ndikim në operimin e të gjithë kaskadës” janë vetëm justifikime, propagandë për qëllime përfitimi të vetë qeverisë dhe kompanisë amerikane. Aq sa të turpshme argumente të tilla se do ketë punësim, do zhvillohen sektorë të tjerë të ekonomisë, si turizmi apo peshkimin, një infrastrukturë të përmirësuar.

Është cinike dhe fyerje e rëndë për dibranët dhe shkodranët e Lezhianët kur thuhet se do reduktohen përmbytjet në zonën e Nën-Shkodrës dhe Lezhës. Pra, Dibra kurban për Shkodrën e Lezhën. Argumenti për mos përmbytjen e Shkodrës dhe Lezhës është një tjetër justifikim bajat, se në kohën e sistemit një partiak të njëjtat prurje të Drinit të Zi ishin dhe ato nuk përmbyteshin.

Në territorin e Dibrës janë ndërtuar dhjetëra hidrocentrale të vegjël si ai i Setës, i Okshtunit, i Lladimericës, i Tuçepit, i Ostrenit të Vogël, i Trebishtit, i Strikcanit, Krajkës etj., që padyshim ka dëmtuar faunën e florën e kësaj treve, ka prishur ekuilibrat mjedisorë. Shkurt, ndërtimi i HEC-it të Skavicës është shkatërrimi i Dibrës.

30 vitet e fundit nga treva e Dibrës është shpërngulur rreth 45% e popullsisë dhe po të shpërngulen edhe 30 mijë banorë të tjerë do të thotë që Dibra çpopullohet. Atë që nuk e kanë bërë armiqtë po e bëjnë pushtetarët tanë. E kujt i shërben kjo? Vetëm antishqiptarëve.

Projekti për ndërtimin e HEC-it të Skavicës nuk është projekt me interes kombëtar. Ndërtimi i HEC-it përmbyt një nga vendbanimet më domethënëse të historisë tonë kombëtare, vendlindjen e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Qeveritarët shqiptarë nuk duan ta dinë se ndërtimi i HEC-it të Skavicës zhduk rrënojat historike të krahinës, vendbanim që nga koha e Neolitit të hershëm. Kjo është e pamoralshme, e papranueshme.

Marrëveshja për ndërtimin e hidrocentralit antikushtetuese, antikombëtare

Ndonëse HEC-i i Skavicës është realisht i padobishëm ekonomikisht dhe shumë i dëmshëm historikisht e etnokulturalisht, më 3 tetor 2020, qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë amerikane “Bechtel” për ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Duket hapur se qeveria nuk mbron interesat e vendit, ndaj dhe procedurat e kryera për këtë janë jotransparente, më saktë korruptive. Po të ketë vërtet qeveria vullnet të mirë, po të ndërtohen projekte efektive për shfrytëzimin e potencialeve të vendit të energjisë diellore dhe të erës në Shqipëri mund të ndërtoheshin vepra prodhimi energjie që jo vetëm do sigurohen nevojat e vendit por do eksportohej jashtë. Duket hapur që qeveria nuk e ka hallin vërtet te prodhimi i energjisë. Asaj i intereson tenderi.

Nuk është marrë mendimi i popullit të Dibrës, as dakordësia e banorëve të fshatrave që përmbyten, që u mohohet vendlindja, shtëpia, prona e tyre, që është një shkelje e hapur e të drejtave të tyre kushtetuese. Ka dy dekada që dibranët protestojnë me të drejtë kundër ndërtimit të HEC-it. Por zëri i tyre bie në vesh të shurdhër për shkak të interesave të dikujt në pushtet dhe me të cilën qeveria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje më 3 tetor 2020 për ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Sikurse është shprehur Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi në një peticion drejtuar institucioneve më të larta shtetërore e Ambasadës Amerikane, “Marrëveshja … është krejtësisht e paligjshme, antishqiptare dhe antikombëtare. Marrëveshja bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë edhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, e cila theksohet se “Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare …”. Marrëveshje të tilla mund të lidh vetëm një qeveri antishqiptare, antikombëtare; një qeveri që nuk është besnike ndaj vendit dhe interesave kombëtare.

Në këtë drejtim qeveria përdor dy standarde. Para lidhjes së kësaj marrëveshjeje, qeveria ka miratuar një vendim për mbrojtjen e lumit Vjosa si park natyror dhe e ka axhendë që ta shpall park kombëtar. Përse nuk ndodh kështu edhe me lumin Drini i Zi, që është lumi më i madh dhe më i pasur në histori, etnologji, arkeologji dhe gjeografi në Shqipëri?!

Qeveria e vitit 2008 nuk e lejoi ndërtimin e këtij hidrocentrali. Por edhe në vitin 2017, në emër të qeverisë, Gjiknuri u tha dibranëve se “nuk do të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës”, sepse kuptoi dëmin e madh që i bëhej Dibrës dhe Shqipërisë nga ndërtimi i kësaj vepre, pa vullnetin e popullit dibran.

Çdo shqiptar në këmbë për mbrojtjen e luginës së Drinit të Zi

Projekti për ndërtimin e HEC-it të Skavicës nuk është projekt me interes kombëtar. Çdo dibran i ndershëm e atdhetar, çdo shqiptar duhet të ngrihet në mbrojtje të luginës së Drinit të Zi, kundër ndërtimit të HEC-it të Skavicës, kundër marrëveshjes së 3 tetorit 2020. Indiferentizmi, heshtja ndaj kësaj çështje është vrastare për Dibrën dhe Shqipërinë. Drini i Zi duhet të mbetet ashtu natyror siç është të paktën tani. Ai nuk është vetëm i dibranëve, por i gjithë shqiptarëve. Lumi Drini i Zi është lumi krenar i trojeve shqiptare, që e kemi trashëgim nga paraardhësit tanë ilirët, arbrit. Ndaj mbrojtja e kësaj pasurie është detyrë e çdo shqiptari atdhetar.

Çështja nuk shtrohet kush do fitojë në këtë betejë: populli i Dibrës apo qeveria. Interesi kombëtar është mbi gjithçka. Më shumë se energjia, Shqipërisë i duhet Dibra dhe dibranët. Energjia fitohet, por Dibra asnjëherë më. Dibranëve nuk mund tu mohohet e drejta e tyre themelore: të jetojnë në truallin dhe të gëzojnë trashëgiminë e tyre historike e etnokulturore. Prandaj, në këtë betejë duhet dhe do fitojnë dibranët.

Pushtetarët tanë janë të pandershëm, nuk janë patriotë, që të mbrojnë interesat tona të mëdha, kombëtare. Këta të korruptuar, të papërgjegjshëm, që nuk i vret ndërgjegjja për asgjë, nuk do të marrin nëpër këmbë dot Dibrën dhe dibranët. Propaganda e tyre, fryt i reminishencave të natyrës së tyre djallëzore, kërkon t’a mashtrojnë opinion publik, duke theksuar djallëzisht aspektin ekonomik; synon të përligj aferën e tyre korruptive dhe të padobishme. Por dibranët, që kanë mbrojtur me gjakun e jetën e tyre trojet e të parëve të tyre, do bashkohen dhe do dinë ta mbrojnë edhe nga pushtetarët tanë keqbërës.

Qeveritë janë të përkohshme dhe kanë interesat e ditës e të forcës politike që përfaqëson, jo interesat e përhershme kombëtare. Qeveria shqiptare nuk mund të injorojë dhe sakrifikojë trevën e Dibrës, këtë pasuri gjeopolitike, historike dhe etno-kulturore e rëndësishme të kombit shqiptar, me kontribute të mëdha. Nuk ka të drejtën legjitime të nëpërkëmbë vlerat e Dibrës në historinë e çështjet kombëtare. Se energjia elektrike mund të përfitohet në forma të tjera që janë të bollshme në Shqipëri: energji diellore, të erës apo gjeotermike. Kjo vepër do ketë një jetëgjatësi deri në 100 vite dhe vdes, nuk prodhon më energji. Porse Dibra dhe Shqipëria do të ekzistojnë përjetë. Dhe nëse shpërbëhet treva e Dibrës humb një herë e përgjithmonë gjithë kjo trashëgimi e madhe kombëtare, humb Dibra, humb Shqipëria. E çfarë u lemë pastaj brezave që do vijnë?!

Reagimet, deklaratat, protestat e popullit, aktivistëve, intelektualëve, shoqatave dibrane, OJQ-të apo organizatave mjedisore në mbrojtje të Drinit të kanë qenë të vijueshme, por duket se nuk kanë dhënë efektin e duhur për pezullimin e ndërtimit të HEC-it. Qeveria duket moskokëçarëse ndaj këtij problemi madhor, sepse nuk është pezulluar vendimi i qeverisë për të. Duhet një reagim më i ashpër domosdo, më shumë veprim. Është imperative kalimi në revoltë popullore për kauzën e tyre deri në anulimin e vendimit të qeverisë dhe ndalimin e ndërtimit të HEC-it të Skavicës. Për këtë kauzë të kërkohet mbështetja nga organizatat ndërkombëtare si Riverwatch, EuroNatur, WWF Adria, Westland International Europe, International Rivers dhe The Nature Conservancy etj., të cilët kanë mbështetur edhe mbrojtjen e lumit Vjosa.

Format e veprimit duhen të gjithanshme, deri të paditja e këtij vendimi në gjykatën kushtetuese, si një vendim që shkel interesat kombëtare dhe shkel të drejtat e qytetarëve, të popullit dibran për jetën dhe pronën. Në mbështetje të Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi duhet të mblidhen gjithë dibranët, shoqatat atdhetare dibrane e shqiptare.

Drini i Zi duhet mbrojtur medoemos. Për vlerat natyrore, arkeologjike, historike, etnike e kulturore që mbart lugina e Drinit të Zi, ajo duhet të shpallet “Par Kombëtar”, sikurse lumi Vjosa. Dibra duhet mbrojtur me çdo kusht nga sipërmarrja antikombëtare e qeverisë. Kështu i shërbejmë Dibrës, interesave kombëtare dhe brezave që do vijnë. Ky është një status ndërkombëtar që e mbron përfundimisht luginën e Drinit të Zi dhe Dibrën nga dëmtimet që mund t´i bëjnë qeveritë e sotme dhe ato ardhme apo bizneset kushdo qofshin.

Le tua lemë brezave tanë këtë luginë të bukur dhe këtë pasuri të vyer, këtë trevë fisnike e të çmuar të kombit, të historisë, etnisë dhe kulturës tonë kombëtare.

Jemi shtet demokratik.

Jo HEC-it të Skavicës! Po Dibrës!

Tiranë, më 03 gusht 2022