Luiza Gega – flutura kuqezi


Rrugëtimi i një vajze dibrane nga Okshtuni – një fshat i thellë, deri në Mynih, pedanën e Kampionatit Europian të atletikës si kampione dhe medaliste e artë. Luiza Gega nuk është thjesht një krenari, por një pasuri kombëtare.


Nga Defrim Methasani

Rrugëtimi i saj është i gjatë dhe i vështirë, por i bukur dhe emocionues për një kampione të re Europe, e cila bëri historinë dhe shkroi emrin e saj me germa të arta si medaliste e artë dhe rekordmene Europe në garën e 3000 m me pengesa, me kohën e re 9.11.31. Luiza Gega ose flutura kuqezi, qëndis për herë të parë emrin si mbretëreshë Europe në sportin mbretëreshë të atletikës.
Ajo iku nga fshati i thellë Okshtun i Dibrës në moshën 7 vjeçare, një fshat ky me shumë histori nga lufta dhe erdhi së bashku me familjen e saj, prindërit Abazin dhe nënën Zgarifete, (një ish shoqja ime e shkollës së mesme në Peshkopi), me tre motrat dhe vëllain në Durrës për një jetë më të mirë. Aty hapat e saj të shpejtë ranë në sy të trajnerit Azbi Dauti, njëherësh edhe djali i tezes së saj dhe filloi rrugëtimin e pistës në garat e gjata. Pasi mbaroi shkollën e mjeshtërisë në Durrës erdhi në Tiranë në Universitetin e Sporteve, duke bërë hapat galopantë të saj tashmë me një super profesionist si trajner, Taulant Stermasi. Falë punës së tyre titanike, titujt rezultatet dhe medaljet e Shqipërisë, Ballkanit dhe Mesdheut u bënë pronë e saj, por viti 2022 ishte kulmi i kampiones së jashtëzakonshme. Pasi u shpall kampione Ballkani dhe Mesdheu, ajo doli e pesta në botë dhe vetëm pak ditë më pas vullkani i saj ndezi vlagën në Mynih në Kampionatin Europian të Atletikës. Tashmë ajo është kampionia e parë e pistës europiane si shqiptare dhe konsiderohet jo vetëm krenari, por edhe pasuri kombëtare. Por cila ishte rruga që ndoqi në pistën e atletikës kjo vajzë kaq e thjeshtë dhe punëtore, e cila ndërtoi lumturinë e saj dhe miliona shqiptarëve, mbi sakrificat e panumërta në sport, duke arritur deri në podin e nderit. Luiza pas vitit 2010 erdhi në Tiranë, ku edhe ndoqi studimet e larta. Këtu ajo gjeti një harmonizim të përsosur me trajnerin profesionist Taulant Stermasi, me të cilin punoi pareshtur drejt majave të ndryshme. Rezultatet e saj në harkun e dhjetë viteve, nga 2012 e deri në vitin 2022 janë vërtet mbresëlënëse. Në 10 vitet e fundit ajo ka arritur të fitojë 10 medalje, prej të cilave 6 të arta dhe katër të argjendta, pa llogaritur disa vende nderi në mitingje apo turne të ndryshëm. Kulminant mbetet padyshim viti 2022, ku në katër evente ballkanike, mesdhetare, europiane dhe botërore arrin të marrë tre medalje ari në Kampionatin Ballkanik, Mesdhetar dhe Europian dhe vendin e 5-të në botë. Gara e saj e preferuar është 3000 metra me pengesa, por edhe në 5000 metra është dalluar dhe disa herë fituese. Kuriozitet është fakti që Luiza Gega stërvitet në një vend si Shqipëria, pa asnjë rivale në pistën e atletikës në garat e saj dhe ia del të ngjitet në majë të Europës. Veçmas gara e fundit ishte spektakolare në stadiumin olimpik të Mynihut, sepse ajo udhëhoqi gjatë gjithë kohës, duke lënë pas dy atlete brilante të vendeve të tilla superfuqi në këtë sport, si Gjermania dhe Britania. Luiza tregoi shprit gare dhe qëndrueshmëri gjatë gjithë garimit, duke e kontrolluar pistën si një snajpere dhe lidere e saj dhe me një nuhatje profesionale bëri diferencën dhe la pas kundërshtarët e saj, duke e mbyllur me kohën rekord 9.11.31.
Vendosja e flamurit pas garës në trupin e saj ishte një tjetër moment që përloti jo vetëm Luizën, por edhe miliona shqiptarë që e ndoqën anembanë botës.
Pas garës Luiza ka marre mijëra mesazhe, saqë telefoni i saj ishte i bllokuar. Në një bisedë telefonike me trajnerin Stermasi zbulojmë faktin që urimet i kishte nga personalitete të rangut të lartë europian në sportin e atletikës dhe gjysma e drejtuesve të federatave europiane në atletike, ndërkaq që nuk i kanë munguar urimet dhe vlerësimet edhe nga drejtuesit dhe personalitetet e jetës politike dhe shoqërore në vend, pa harruar ata të familjes dhe sportit, të njohur dhe të panjohur.
Pritja e saj në Rinas ishte emocionuese e po aq edhe fjalët e saj të para në Atdhe, duke ia dedikuar këtë medalje të gjithë atyre që e mbështetën fluturën kuqezi të pistës.
Tashmë Luiza Gega do të vazhdojë të vlerësohet dhe nderohet në Tiranë dhe në rrethe, por për të shuar kuriozitetin e lexuesit, ju përmend faktin se vlera zyrtare e shpërblimit të saj pas kësaj medalje është e tille, që për medaljen e artë merr 40 milionë lekë të vjetra dhe për rekordin europian shpërblehet me 60 milionë lekë të vjetra.
E thënë ndryshe, zyrtarisht pas këtij suksesi, ajo shpërblehet nga shteti me shifrën 100 milionë lekë të vjetra, por pa llogaritur shpërblimet nga sponsorë ose institucione apo individë të ndryshëm.
Menjëherë pas garës, këshilli bashkiak i Bulqizës ka vendosur që Luiza Geges t’i jepet titulli “Qytetare Nderi”, ndërsa trajnerit Taulant Stermasi “Mirënjohje e Qytetit”.
Luiza Gega ka një tjetër event të rëndësishëm ndërkombëtar me 15 shtator në Bruksel dhe dëshira e saj është të vijojë ta vazhdojë këtë ritëm, edhe pse është 32 vjeç, por që për energjitë dhe mënyrën se si garon në pistë të duket sikur është në moshën e 10 viteve më e vogël.
Për gazetën “Rruga e Arbërit” ajo ka deklaruar se ka një tjetër qëllim tashmë, për të përsëritur këtë sukses që arriti si kampione Europe dhe për të marrë medalje olimpike. Përvoja e saj është e ndërthurur me mjaft element të rëndësishëm sportivë dhe njerëzorë, të cilët janë edhe baza e suksesit të kësaj kampionieje të jashtëzakonshme, që nderoi Dibrën, Bulqizën, familjen, shoqërinë dhe Shqipërinë.
Të ruajt Zoti, moj heroinë e heshtur! Ti e bëre tënden, tashmë na mbetet ne, shtetit, medias dhe popullit shqiptar, të bëjmë tonën në respektin dhe vlerësimin ndaj një ylli si ti…! Ti vlen Luiza Gega!

Arritjet më të mëdha të Luizës në vite

2013 – Medalje Argjendi në lojërat mesdhetare në Mersin, Turqi.
2013 – Medalje Argjendi në universiadën e zhvilluar në Kazan, Rusi.
2015 – Medalje Ari në garën e 1500 m në lojërat europiane në Baku, Azerbajxhan.
2015 – Medalje Argjendi në garën e 800 m në lojërat europiane në Baku, Azerbajxhan.
2016 – Medalje Argjendi në Kampionatin Europian, zhvilluar në Amsterdam.
2018 – Medalje Ari në lojërat mesdhetare në Tarragona në Spanjë në 3000 m me pengesa.
2022 – Medalje Ari në kampionatin ballkanik në Krajova Rumani në garat 5000 dhe 3000 m me pengesa.
2022 – Medalje Ari në lojërat mesdhetare zhvilluar në Oran të Algjerisë në 3000 m me pengesa.
2022 – Medalje Ari në Kampionatin Europian zhvilluar në Mynih të Gjermanisë në garën e 3000 m me pengesa dhe rekord europian me kohën 9.11.31.