Marketing me dhembjen?!


Nga Fatbardh Rustemi

Ilir Spata, nga fshati Blliqe i Peshkopisë, sikurse shkruhet: më i persekutuari në Shqipëri, erdhi të bënte gjimnazin bashkë me ne në Lushnje, ku numëroheshin kampe internimi më shumë se kudo tjetër. Nga banga e shkollës përfundoi në bangën e të akuzuarit. Pas shumë e shumë vitesh, si nga fundi i botës më vjen një kërkesë prej tij në fb. “Pastaj erdhe ti tërë ikje.”-do thoshte poeti Reshpja. Në statusin e Ilirit shihja vazhdimisht poezi të postuara, nuk e dija që shkruante, të cilat: i lexoj sistematikisht, ngaqë janë të tijat, shtyrë dhe prej detyrimit moral për të njohur kalvarin e një shoku të klasës, që sipas regjimit nuk i përkisnim së njëjtës klasë. Edhe ai më ndiqte po me të njëjtin interes. Gjëja e parë që më ra në sy: poezive u mungonte “uni”, ku si zakonisht nënkuptohet heroi lirik apo autori, por jo se i mungon individualiteti, që tek ai shfaqet në forcën e karakterit, sfidant: si ndaj totalitarizmit ku askushi bëhej dikushi dhe demokracisë së tranzicionit, ku tjetri bëhet krejt tjetër. Në poezinë e tij sheh vendlindje, vuajtje shokësh të burgosur, heronj baladash, legjendash, figura historike, fatet e kombit, ku autori e fsheh veten si për t`na thënë: më latë vetëm në fatin tim, më llogaritët tek të zhdukurit, nëse u ha meraku për mua, më gjeni ndër vargje. Fundja u mësuat pa praninë time. Është po ajo vështirësi që të krijohet tek panteizmi i Naimit, ku e ke të vështirë të gjesh se ku ndodhet zoti dhe ku poeti i fshehur.
Këto ditë shihja shumë shkrime përkujtimore në nderim të poetëve të vrarë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, ndërkohë që Ilir Spata riposton pas 12 vitesh poemën “Heshtja që vrau”, ku ndihet revolta ndaj të gjithë atyre, të cilët bëjnë marketing me dhembjen. “O heshtja ime,/Sa jetë ka vrarë!/Dhe heshtja juaj,/Vrarë po ka?”-një padi kjo, për të gjithë ata të kohës së “gojës së kyçur”, që u morën me ekspertiza, letra anonime, fjalë në vesh, që, tek “komploti i heshtjes” gjetën mjetin komod, për të hequr qafesh sa e sa, pa e ditur se kush i vrau. (Ma do mendja se tek “komploti i heshtjes” duhet ta kenë origjinën armët me silenciatorë.) “Të vrasin shokët se u bën hije”-do shkruante Kuteli në letrën amanet lënë së shoqes. Nëse dje fabrikohej heroi, tani fabrikohen autorë. (Personalisht nuk e quaj akt nderimi ndaj poetit të varur Havzi Nelaj, veçse një shembull se si abuzohet me dhembjen, duke bërë marketing me të, sikurse e ka për zakon politika e ditës, e cila e përdori poetin për të sulmuar kundërshtarët. Poeti kuksian u var në kohën e Ramiz Alisë, të cilit, Lubonja dhe Ngjela i shkruanin letra nga burgu, ndërsa Meta dhe Saliu s`kanë reshtur së komplementuari, si presidentin e parë të pluralizmit shqiptar.) “Pa vlerë të bëhet,/Ndjenjë e pendesës./Ndaj dole Ti/Lart në tribunë;/Turma amorfe/Mbledhur përreth…/Ti i zgjedh fjalët,/Të mprehtat fjalë,/Të shpojnë e vrasin/Ku dhemb më shumë.”-shkruan Ilir Spata me vargje shpotitës kundër ndjesës hipokrite të atyre që me lot krokodili përgërin altarin. Ai që reflekton është më i besueshëm kundrejt një tjetri, i cili e përdor ndjesën, sikurse përdorej dikur autokritika. Si reflektim mu duk një shkrim i Sazan Golikut kushtuar poetit të përndjekur Pano Taçi, ndërkohë që Pandeli Koçi njihet si nënshkruesi i ekspertizës, që u përdor si akt-akuzë për dënimin e poetit Visar Zhiti. I vendosur midis dy poetëve të përndjekur: ku njërit i shkruan letër lavdëruese, dhe tjetrit ekspertizën e kthyer në gjëmë?! A duhej marrë shkrimi i tij, si një reflektim apo thjeshtë një marketing me dhembjen? Unë i qëndrova besnik parimit tim, reagoj nëse një shkrim më pëlqen, pavarësisht autorit, ndërsa humoristi i njohur, Jani Duri, do komentonte: “O Pano, o djalë, sa ishe gjallë nuk t`i thanë këto fjalë”,- duke i dhënë të drejtë autorit të poemës “Heshtja që vrau”. Mos vallë morali më shumë predikohet se sa ushtrohet? (45 vjetori përkujtimor i vrasjes së poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, nën përkujdesjen e një poeti, i cili s`ka reshtur së shkruajturi për ta, si i nderuari Sadik Bejko, ia ndërroi faqen nderimit: ku nga një ceremoni zyrtare, sikurse ishim mësuar të shihnim, duke e kthyer në një përshpirtje. Dikur kërkohej që dhembja të kthehej në forcë, ndërsa grekërit e vjetër me katarsin e famshëm: me dhembjen kërkonin të pastronin shpirtërat.)
Kur lexon poemën e Ilir Spatës nuk mund të mos na kujtohen sallat dhe sheshet që oshëtinin dikur nga kënga “Enver Hoxha mprehu shpatën, edhe njëherë, o për situatën!”, ku gëzimi pervers se po afronte fushata e spastrimeve me “koka turku”, të ngjethte mishtë. Përkundër gëzimit të klakeve, shpataraku ankohej: “Të mos e dëgjoj këtë këngë që më ndjek pas, ngado që shkoj.” Halli i merrej për modesti. Meqë i priste shpata nga të katër anët, kënga me mprehje shpate u jepte krimeve autorësinë e tij. Në një farë mënyre po damkosej, duke i kënduar e mburrur. Kënga duhet të ketë qenë makthi i tij, pavarësisht ngazëllimit që krijonte tek brohoritësit. Edhe pse kishte qëllim lartësimin e tij, ajo po e damkoste si vrasës. Pikërisht këtyre brohoritësve u drejtohet Ilir Spata në poemën “Heshtja që vrau”, pasi janë po të njëjtit që brohorisnin në sallat e gjyqeve, ku dënoheshin “armiqtë” e sajuar me dëshmitarë të rremë. Këta duhet të jenë etërit e fake njuzit. “I doje turmat,/Dhe prapë i don./Të frymëzojnë/Që të bësh art./Dikur mbërthyer/Për idealesh;/Sot “disidenca”/Të vjen për shtat./…Çast mallëngjyes,/U preke shumë…/Kërcitje eshtrave/Çfarë të kujtoi?/Duartrokitjet/Dikur në sallë./Mësuar ishe,/S’bëje pa to;/Vite karriere,/Brenda e jashtë./Vargjet mes tyre/I recitove,/Me afsh e shite/Atë tëndin art.” Dihet që arti mediokër është brohoritës, njiheshin poetët kalendarik të kohës, avazexhinjtë e pushtetit, të gjithë ata që merrnin bekimin e autoriteteve, ata që botonin libra pa i penguar kush, që lavdëroheshin nga kritika dhe merrnin çmime, sikurse kishte dhe të tjerë, që ngecnin në sirtarët e redaksive për “gabime ideologjike”, apo u ktheheshin librat në karton. Nëse duam të jemi të drejtë me shkrimtarët dhe artistët e kohës së socializmit, së pari: nuk duhet të përdorim dy standarde, që, njërit t`i kujtohet krijimtaria kompromentuese me regjimin dhe të tjerët të anashkalohen. Së dyti: nuk të falet t`i shohësh bardhezi, sikurse u panë dhe nga kritika e kohës. Meqë shembulli Kadare është bërë bozë, ata që e tregtonin bozën në Stamboll ishin shqiptarët, po marrë dy autorë të tjerë. Nëse do i referohesh romanit “Përsëri në këmbë” të Dhimitër Xhuvanit e ke për kollaj ta quash shkrimtar të realizmit socialist, por, nëse ndalesh tek “Tuneli”, rast unikal në historinë e artit botëror, ku bashkë me autorin të dënohet dhe personazhja e tij, shtrohet pyetja: në ç`lloj letërsie do e përfshish?! Po kështu dhe për Fatos Arapin, poetin e rivierës që shkroi poemat “I përkasim komunizmit” dhe “Alarme të përgjakura”?! Enver Hoxha për t`u treguar zemërgjerë këshillonte censorët e tij: “Të mos ia japim armikut” Ndërsa ju me kollajllëkun më të madh ia jepni diktatorit, mjafton të gjeni një krijim që i shkon për hosh regjimit?! Heshtja nuk vret vetëm në diktaturë, ajo vret dhe tani në demokraci, nëse ti bën sehir se si denigrohen shkrimtarët, poetët dhe artistët.
Prometeu u kryqëzua në malet e Skithisë, sikurse dihet: ngaqë u dhuroi njerëzve zjarrin, por, të heshturit, ia bënë edhe më të rëndë dhembjen, duke çuar dhurata dhe bërë flijime në tempullin e Zeusit, ndaj i kryqëzuari lëshon rënkimin që vjen deri në ditët tona: “Unë që ndjeva dhembje për të gjithë, askush për mua dhembje s`ndjeu.” Dhembja ka kohën e vetë. Nuk qahet i varuri apo i pushkatuari, pasi vdes xhelati, ndaj poeti Frederik Reshpja shkruan: “Unë për fatin tim pikëllohem vetë/S`duhet që dikush të pikëllohet për mua.” Por, kjo nuk të ndal ty, të reflektosh. (Iliri krahas poezive publikon dhe të dhënat e krimeve të komunizmit. Unë zgjodha t`i ndërthur mes tyre: statistikë dhe vargje. 6800 varre të humbura. “Turma e mbledhur,/Gjithë sytë në vaj;/Një grumbull eshtrash/E dheu i zi./Pikojnë ca plumba/Që dikur vranë;/Zinxhirë të ndryshkur/Kërkëllojnë përsëri…/Pikojnë përdhe/Plumbat që vranë,/Në vend të lotëve/Që s’i lëshuat.” Nëse loti nuk lëshohet atëherë kur duhet, tani është lot krokodili, por për ndjesën dhe reflektimin koha nuk ikën. 6023 persona të ekzekutuar. 1065 persona të vdekur në burgje. “Kam mall t’i mbush këto shkretina;/Nga jeni e s’jeni t’ju sjell këtu!/Po s’më lenë korbat, suferina,/E dashunia që kam për ju./Po rojat vallë ku i kanë nisun?/Kapteri roje pse s’gërrhet?/Mbi derën thyer e rrëzuar/Një korb që endet e krraket./Postblloku anash s’don t’ja dijë;/Se hyj e dal, askush s’më flet?”-kujton poeti në një vizitë në godinën e shkatërruar të burgut. 34.135 të burgosur. 260 u çmendën nga torturat. 59.517 të internuar deri në 1954-ën. 100 mijë të internuar deri në 1990-ën. 9.000 të vdekur në internim. 23 burgje në kohën e diktaturës. 48 kampe internimi. “Kungim i fundit,/Lave gjynahet/Me lotë që motesh/Shteruar, tharë;/Hodhe, vërtite,/Turmës pa sy/Të gjithë gjynahet/Veç me një fjalë:/”Më falni se heshta/Kur Ju u vranë!”Ti kurrë s’ke heshtur,/Ishe në ballë/Është e natyrshme/Të reflektosh./Se si më vjen/Pendesa jote.” Në vend që të ngrenë gurin e pendesës, gurin e provës e hedhin në lum. Duke parë shifrat tmerruese, dhe pas 30 vitesh dëgjon të flitet për dënimin e krimeve të komunizmit, kur krime të padënuar ndodhin dhe në demokraci. Mos duhet që reflektimin të mos e shohim vetëm tek mëkatarët, por tek e gjithë shoqëria, që ende sillet me egërsi? “S`gjen një vend të botës ku katili të nderohet si në Shqipëri.”-thotë Konica. (Kam ndjekur intervistën e pilotit që hodhi bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki. Ai ndjehej krenar për detyrën që kishte kryer, bile falenderues, që atë ditë qielli ishte i kthjelltë duke ia lehtësuar kryerjen e detyrës.) Krime monstruoze po ndodhin në Ukrahinë. Droneve që vrasin u ngrihen këngë. “Kur flasin spiunët më vjen të përzier;/Diçka më mbështillet e ngelet në fyt?/Mes makthesh, vegimeve, një nofull e shqyer/Gjakosun lëshon hijen mbi murin e ndytë…/Bien fasadat./Kultet rrëzohen./Buste të thyer;/Rrëmujë e zhurmë./Të gjithë heronj/Na trimërohen:/”Unë e përmbysa,/Tiranin, unë!”/Gjokset gufosin/Lart në tribunë.” Jo çdo varg duhet të komentohet, pasi dhe komenti më i gjetur veçse ua zbeh fuqinë. (Në jetën time kam marrë pjesë vetëm në një proces gjyqsore, ku dikush akuzohej si vjedhës pulash nga fqinji i tij. Në atë kohë salla e gjyqit dhe biblioteka ishin në një vend. Ende s`ishin hequr avokatët mbrojtës. Lake quhej avokati, një burrë i hijshëm, studiuar jashtë, i cili e mbrojti klientin e tij dhe ai u lirua në sallë. Bashkë me të tjerët e përqafova dhe unë. Kisha fobi për gjyqet, ngaqë në fëmijëri radio Tirana i jepte seancat gjyqësore me orë të tëra. Të gjithë vraponin në stadium ku varën një ushtar, i cli vrau dhunuesit e të atit. Edhe pse stadiumin e kisha afër shtëpisë, nuk shkova. “Lave gjynahet/Me lotë të vonë;/Qenë të shpëlarë,/Ishin pa shije./Se patën rrjedhur/Në salla,/sheshe,/N’qarje masive.” Nëse poeti Trifon Xhagjika kërkoi një top t`i binte komitetit qendror, i biri i hetuesit që e dënoi u bë deputet i PD-ës.)
Nëse një hetues, sekretar partie, gardian burgu do ti lexonte poezitë e Ilirit, ish të burgosurit të tyre dhe të ballafaqoheshin kundrejt të qenit patriot, armiku do u rezultonte atdhetar? Në këtë moral të përmbysur na gjeti demokracia, ku ia hodhën paq të gjithë ata që bën marketing me dhembjen. “Sa shumë mbledhur!?/Mbledhur sa shumë!?/Ku qenë atë ditë/Gjithë këto vallë;/Kur gjallë i çonin/Në pushkatim?” Nikoll Lesi tregon se kur politikanëve u tha të ngrinin gurin e pendesës në Vatikan, ata e morën për makinën e së vërtetës dhe e shmangën. As Lesi vetë nuk guxoi ta ngrinte. “S’të lënë demonët;/Ndaj s’ke si hesht?/Po heshti Poeti/Ku t’i marrim zërat?/Thirrjet e buçimat,/Këngët plot zjarr?/Meloditë e ëmbla/Që bredhin me rimat?/Vallëzimet e hijshme/Që enden në varg?” Nëse poetët do kishin heshtur, nuk do i burgosnin, nuk do i pushkatonin, nuk do i çonin për riedukim në gjirin e klasës punëtore dhe kooperativistëve, nuk do ua hiqnin të drejtën e botimit, nuk do i kritikonin në plenume famëkeq, nuk do ua kthenin librat në karton, nuk do i frikësonin me gabimin e mundshëm ku mediokrit flisnin sa për të qenë brenda, nuk do i akuzonin për gabime ideologjike, lakra në kokë, apo të ndikuar nga arti borgjezo-revizionist, duke dëshmuar kështu një përballje dhe jo nënshtrim, ndaj në fund të kësaj beteje: dështoi metoda dhe jo letërsia. Letërsinë e shpëtuan të talentuarit. Ky është dhe mesazhi që vjen nga poema e Ilir Spata, “Heshtja që vrau”, si një akuzë ndaj të gjithë atyre që bëjnë marketing me dhembjen.
Marrë nga profili i autorit në FB