Mesazhi i kampiones pas suksesit Gega: Të rinjtë mund t’ia dalin!


Emocionues ka qenë mesazhi i Luiza Gegës pas suksesit të saj dhe ardhjes në Atdhe. Unë ia dola, por edhe ju mund t’ia dilni, – ka pohuar atletja kampione në Tiranë.
Kjo medalje është jo vetëm e imja personalisht, por e një populli që meriton të nderohet kudo, brenda dhe jashtë vendit. Kur kam mbaruar metrat e fundit të garës, gjëja që mendoja ishte se si do të ndiheshin shqiptarët e mi, sa të lumtur dhe krenarë. Ndaj finishi m’u duk si një kulm lumturie dhe si një fillim ëndrre për mua dhe miliona shqiptarë. Bota kuptoi se sa vlejmë ne, që shpeshherë na injorojnë ose nënvlerësojnë. Vërtet s’kam qenë ndonjëherë më e emocionuar dhe e lumtur se këtë radhë. Akoma vazhdoj të jetoj me mbrëmjen e Mynihut dhe shkëlqimin e saj. Unë kam vite që punoj, veçmas në dekadën e fundit dhe kur fitova medaljet e para në vitin 2012, kuptova se mund të arrij gjithçka. Tashmë ja ku jemi dhe unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që më mbështetën dhe kurrë s’më braktisën. Trajneri im është heroi im, sepse pa Taulantin, ndoshta s’do isha kjo Luiza kampione. Por edhe institucionet apo individët që më kanë qëndruar pranë meritojnë një falënderim special, sepse më kanë mbështetur për të arritur këtë ditë. Veçmas këto dy vitet e fundit, interesimi ka ardhur në rritje dhe falë këtij suporti edhe unë ia dola.

D.Methasani