Oda dibrane


Ende sot e kësaj dite ajo vazhdon të mbetet një thesar i pazbuluar, një arkiv i gjallë i historisë. Këtu dhe vetëm këtu në një odë mesatare, shtruar bukur me mutaf e herë-herë me sixhade shoshiteshin mendjet. Këtu dhe vetëm këtu ishin të gjitha bashkë alegoria dhe fjala e mençur, anekdota dhe tregimet historike, legjendat dhe pse jo edhe vetë përrallat. Padyshim institucioni i Odës dibrane është një nga vlerat më të mëdha të Dibrës. Shumë veta që nuk e njohin Dibrën, me të drejtë mund të shtrojnë pyetjen: Pse Oda dibrane? Çfarë domethënie ka kjo? Shqiptarë e të huaj e kanë quajtur Odën dibrane si një universitet. Universiteti i Dibrës e ashtu vazhdon të quhet përsëri .Të huajt kanë ardhur në Dibër e kanë pyetur të habitur: Ku është godina e Universitetit? Kush janë profesorët e tij? Përgjigjen e kanë marrë vetëm kur janë ulur shtruar në Odën dibrane me pleqtë qeleshebardhë ballë përballë.
Kuvendet në odat e Dibrës ishin skena e tribuna të thjeshta. Aty dhe vetëm aty shoshiteshin e siteshin mendjet, ngjarjet e ditës, historitë dhe heronjtë, alegoria e anekdotat dhe legjendat. Oda dibrane ishte tamam si një arkiv që ruante materiale me vlera, thesare dhe stoli që ishin dhe mbetën pronë e Dibrës. I vetmi burim i tyre në Dibër ishte dhe vazhdon të mbetet Oda dibrane. Sot nuk mund të themi se alegoria kishte lindur në Dibër dhe i përkiste vetëm asaj, dhe pse mjaft studiues që janë marrë kohët e fundit me alegorinë, lënë si vendlindje për të, Dibrën. Kjo nuk mund të jetë e vërtetë.
Unë autori i këtyre radhëve kam lexuar disa tregime ruse të Tolstoit dhe me të vërtetë më kanë mahnitur. Ato ishin të gjitha alegori. Alegori kam gjetur dhe në Kosovë, e cila praktikohej shpesh nëpër konaqe. Alegori ka dhe në Kukës, në ato fshatra që kufizohen në fakt me Dibrën.
Pleqtë tregojnë se para dhe gjatë epokës së Skënderbeut alegoria nuk përmendej në Dibër. Njerëzit atëherë ishin disi ndryshe. Nuk bënte efekt as çifligu, as paraja, por i kishin dhënë besën kryetrimit të shporrnin njëherë e përgjithmonë murtajën e huaj nga trojet e tyre. Më vonë, kur dhe vetë njerëzia filluan të tjetërsohen, lindi dhe alegoria, që të huajt Dibrën e quanin një shkollë të vërtetë, një shkollë në të cilën nuk mund ta kalonin të gjithë klasën. Njerëzit me anën e alegorisë kuptoheshin qartë njëri me tjetrin edhe në një konak, ku aty kishte njerëz të dyshimtë apo të shitur te pushtuesi.
Bartësit e tregimeve alegorike ose, më saktë, profesorët e Universitetit të Dibrës ishin pleqtë, por nuk përjashtoheshin as moshat e reja.
Janë shkruar për Odën dibrane, për folklorin aq të pasur të Dibrës, janë botuar studime e libra mjaft me vlerë. Është gërmuar me kujdes në kujtesën e popullit për të dalë në dritë ai thesar që quhet sot folklori i Dibrës. Dhe unë nuk jam i vetmi që kam punuar për të mbledhur atë që ishte fshehur vite me radhë. E kanë mbledhur, studiuar dhe botuar folklorin dibran pena të njohura si Haki Stërmili, Haki Sharofi, Xhelal Ndreu, Haziz Ndreu, Hilmi Kolgjegja, Naim Plaku, Xhafer Martini, Shaban Sinani, Agron Tufa, Hajri Mandri, Mevlud Buci, Sakip Cami, Sami Shehu e plot e plot të tjerë. Falë këtyre, që vërtet kanë punuar me përkushtim e profesionalizëm, sot shumë nga thesaret e Odës dibrane i kemi të botuara dhe i mbajmë si libra tavoline në shtëpitë tona. Por një fakt është në Dibër, se nuk ishin vetëm pleqtë, profesorë të alegorisë. Në të shumtën e rasteve kishte dhe mjaft gra fisnike, që mund t’ua kalonin dhe burrave për nga zgjuarsia. Në përgjithësi, arsimi u mungonte, por dhuntitë e inteligjencës popullore i kishin tepër të spikatura. Nëpër odat e Dibrës shprehej gjykimi dhe zhvillohej mendimi i pavarur, shprehej e folura me nëntekst të fuqishëm e me ngarkesë emocionale, përsosej kultura e parashtrimit të mendimeve. “Tematika e tregimeve alegorike është shumë e gjerë dhe e larmishme, pothuaj nuk ka sferë të jetës që ato nuk e rrokin. Të pastra dhe me nivel të lartë janë ato tregime alegorike që pasqyrojnë probleme të mprehta politike”-1).
Po të hulumtosh sot në “arkivin e Universitetit të Dibrës”, ato janë shumë. Aq shumë sa mund të mbushen vëllime të tëra. Disa nga profesorët më të njohur të odës dibrane janë Dine Hoxha, Tafë Kola, Maliq Nikolli, Sulë Dika, Selim Sula, Mane Kacani, Selim Dika (Mandri), Demir Skarra etj. Falë kësaj alegorie dhe fjalës së mençur dibrane, këto janë bërë të njohur jo vetëm në Dibër, por dhe jashtë saj. Thëniet e tyre nga kujtesa popullore nuk shuhen lehtë. Ato ende gjejnë përdorim në odat dibrane, pasi alegoria nuk ka fund. Ajo krijohet në çast në mexhelisin ku ndodhesh sipas situatës që krijohet. Kur gjakrat nxehen e muhabeti fillon e prishet, atëherë dhe tregimtari i alegorisë hesht. Hesht edhe kur tjetri që e ngacmon nuk kupton fare nga alegoria.
“Odat dibrane ishin mjedise, ku alegoria jo vetëm përdorej, por edhe prodhohej, përpunohej, afroheshin fakte dhe ngjarje rreth një ideje, dhe përzgjidhej, fiksohej në memorie rrëfenja më e bukur, më e përpunuar artistikisht”2).
Alegoria dhe tregimet popullore dibrane as janë shuar, as do të shuhen kurrë. Ato i ushqen përherë oda dibrane, ky “universitet popullor”, që ka mahnitur jo vetëm vendasit, por dhe të huajt. “Unë kam mbaruar universitetin e Oksfordit, por mbarova dhe një universitet të dytë, atë të Dibrës” – shkruan studiuesi anglez Riginald Hibbert në gazetën “Albania life”.
Në këtë “shkollë” u rritën breza të tërë burrash e grash, që veç trimërisë e zgjuarsisë, trashëguan në shekuj atë kulturë, atë pasuri të madhe të folklorit në tërë përmasat e tij, duke fituar kështu vlera të veçanta, që po i gjallëron për çdo vit “Oda dibrane”-3)
1-Xhafer Martini. “Dibra dhe etnokultura e saj”
2-Hajri Mandri “Shëmbëlltyra në folklor dhe letërsi”, faqe 56
3-Nga albumi “Oda dibrane”, botim i Qendrës Kulturore Peshkopi me rastin me rastin e dhjetë vjetorit të saj .Tiranë 2005