“Pëllumbat nuk janë të qetë”, libri i ri poetik i Naim Berishës


Nga Halil RAMA

Njëmbëdhjet vëllime me poezi për të rritur, katër libra me poezi për fëmijë, pesë libra me fabula e poema, tre me hajke, dy me sonete, një me tekste këngësh, tre libra me përkthime të soneteve të Shekspirit, gjashtë romane dhe dy vëllime me tregime, si dhe tre albume me këngë, padyshim që përbëjnë një bilanc mjaft të pasur të poetit, prozatorit dhe kanautorit të mirënjohur Naim Berisha. Kësisoj, nga laboratori i tij krijues, në tridhjet vite janë botuar e promovuar 37 libra, të cilët zënë vend nderi të fondin e artë të letrave shqipe.
Botimi më i ri tij, vëllimi poetik “Pëllumbat nuk janë të qetë” me 138 vjersha dhe një poemë, në 206 faqe, për vetë tematikën mjaftë të larmishme, vjen si një befasi në tregun tonë të librit.
Ritmi në poezitë e këtij libri lëviz për shkak të përdorimit të natyrave të ndryshme strofore. Në të hasim pa ndonjë rregull të caktuar poezi dyshe, treshe, katërvargëshe apo monokolonë, ka edhe të përziera, etj. Për këtë shkak ato kanë edhe veçori të ndryshme. Poezia dyshe “Brenda bukurive” është më koncize, ajo treshe “Pa dashuri” ndërtohet me pak subjekt, ndërsa të tjerat, si ato të titulluara: “Ish mëngjes a mbrëmje”, “Në qytetin e Budit”, “Gjer te parku i pëllumbave”, e ndonjë tjetër kanë dimension kohor dhe vendor. Disa poezi, here pas here, janë si këngë të vogla gazmore, jo nga motivet, por nga gazmimi që përcjellin. Sikur luajnë fushave, fshatrave, etj, sikundër ato të titulluara: “Malli për bregun”, “Do vish një ditë” dhe “Pse ngadalë”, e të tjera, ku kemi peizashe fshati lëvizës dhe ku jeta, vdekja, ëndrra, rendja, qetësia, koha, garojnë së toku. Më së miri këto reflektohen në poezinë e faqes 50-të: “Do vish një ditë”, “Sa shumë vjersha për ty kam thurur/ Bri lumit Drin, fushës së gjerë/ Se të kam dashur, jo për t’u mburrur/ për ty përmbysja një mal të tërë …”
Një nga poezitë më të bukura është ajo “Letër motrës” ku përditshmëria, jeta e gjallë, janë vizioni i botës për Naim Berishën. Ndaj dhe shkruan vargjet: “Ndaj, motër/ të të mos mbetet hatri/pse bos s’më bëka as Anglia/ S’thosh kot/ I madhi Sartri/ -Tek e thjeshta asht dhe madhështia”.
Nga leximi i këtij libri mrekullohesh gjithashtu nga dhjetëra poezi, ku lirika e tij është filozofia e jetës, e kultit të së bukurës e çastit ekzistencial, e lindur nga mrekullimi i njeriut të thjeshtë përballë paradokseve dhe mrekullive të natyrës, si te “Lektisje”, “Kur e bukur asht zemra”; “Para teje zbehet hëna”, “Loti i dashurisë”, etj. Naim Berisha, të cilin në qarqet letrare të kryeqytetit shqiptar, por edhe në Londër, ku jeton familjarisht prej më se dy dekada, e cilësojnë si një poet të pajisur me talent dhe dije, i gatshëm estetikisht për të rivitalizuar, midis të tjerash, lirikën shqipe të dashurisë, me librin e tij të 37-të “Pëllumbat nuk janë të qetë”, shënon një ngjitje të dukshme në shkallaren e letërsisë.

Lexo shkrimin e plotë në lidhjen më poshtë:
http://www.panorama.com.al/nga-driteroi-te-laco-e-arapi-si-e-vleresojne-poezine-e-naim-berishes/?fbclid=IwAR2wuY10hEy3VdWogbuJifTJBwOJyDtkeLpLrZ6RUXcl5YhmP7rE4XWsyTY