Petrit Bajra, mësuesi i Dibrës së Madhe


Nga Osman Xhili

Familja e tij mendohet të ketë ardhur nga Macukulli i Matit, për tu vendosur në rrethinat e qytetit të Dibrës së Madhe. Ky qytet, në atë kohë ishte një qendër e rëndësishme diturie, zejtarie dhe me toka mjaft pjellore në rrethinat e tij. Të gjitha këto ishin arësye të mjafta, për të marrë vendimin e stacionimit të familjes Bajra në këto troje.
Petriti, djali i vetëm i kësaj familja e u rrit te dajat, në Sollokiç, një fshat i bukur fare pranë lumit të Drinit. Erdhën më pas vitet e shkollimit. Djali i ri e kuptonte, se pa dije dhe një formim të mirë të përgjithshëm, nuk mund të bënte përpara në jetë, ndaj gjithmonë përpiqej të ishte tek më të mirët. Por krahas mësimit, sporti u bë një mik i ngushtë, që do ta shoqëronte për gati gjithë jetën. Ishin vitet e gjimnazit ato që shpalosën dhuntitë e Petrit Bajrës për dy gara të bukura e burrërore, hendbollin dhe futbollin. Profesori i tyre i fiskulturës, gjeneral Gëzim Ostreni u dha energjinë, frymëzimin dhe teknikën për këto dhe shumë sporte të tjera të kohës. Bashkë me Nuri Kolecin dhe shokë të tjerë ato konkuruan në kupa e kampionate në këto dy gara të bukura, duke korrur shpesh dhe trofe të rëndësishme.
Shkollimin e lartë e kreu në Prishtinë. Krahas nxënjes së leksioneve, që do ti shërbenin për mësimdhënien, ndjenja të larta patriotizmi u ngjitën dhe u ngjizën në shpirtin dhe personalitetin e tij. Shihte shqiptarët të ndarë e të përçarë në shtete të ndryshme dhe një brengë e mundonte shpesh. A do të vijë dita, që t’i fitojmë të drejtat e mohuara? A do të jetë e largët dita, kur kombi shqiptar të ketë fuqinë e tij reale? Ndaj ai nuk u tremb të bëhej pjesë e demostratave dhe e tubimeve të mëdha në Prishtinë, në Prizren dhe deri në Itali dhe deri në Amerikë.
Petriti kujton një nga demostratat madhështore, që u mbajt në Prizren, tamam aty , ku qe mbajtur Lidhja shqiptare e Prizrenit. Ishin momente solemne. Adrenalina e patriotizmit i kishte kapluar të gjithë pjesëmarrësit  dhe sikur plumba të përdoreshin, nuk do ti trembnin ata mijra njerëz, të tubuar pranë flamurit shqiptar. Drejtuesi i demostratës, i ngritur në podium, kishte marrë në dorë një flamur dhe po i fliste turmës: “Kemi lindur me flamur, jemi rritur pa flamur dhe tani po e vendosim sërish, që të valojë në shekuj”. E vuri tamam aty ku e kishin vënë të parët e tij gati njëqind vjet të shkuara, ndërsa turma brohoriste dhe këndonte … E, ky Skënderbeu…, si dhe këngë të tjera patriotike.
Petrit Bajra punoi për katër vite si mësues në rrethinat e Prizrenit, në fshatrat Gjonaj dhe Pllanej. Bashkë me disa mësues të tjerë nga Dibra, ata rrezatuan kulturë dhe sjellje model. Aktivitetet e shumta artistike dhe sportive, që organizonte shkolla, ndikuan mjaft tek banorët, duke e ringjallur atë zonë. Ngjashëm me këtë do të ndodhte dhe pas transferimit të tij në Verbjan dhe Zhirovnicë të Rekës së Epërme. Regjimi i kohës nuk e kishte me sy të mirë, që nga pjesëmarrja në demostrata, ndaj donte ta mbante sa më larg qyteteve e qendrave të populluara. Verbjani kishte një histori të ndritur, që nga koha e të madhit Jusuf Bagerit, por prapë ishte lënë në harresë. Vetëm katër klasë mund të ndiqnin nxënësit në gjuhën shqipe e më pas të kullotnin lopët e të bënin  punë të tjera të rëndomta. Mësues Petritit i sëmbonte në shpirt kjo situatë dramatike. Ishin gati 40 nxënës të kombësisë shqiptare, që diskriminoheshin në këtë mënyrë. Bashkë me të ishin dhe tre mësues të tjerë shqiptarë, Nuri Koleci, Qerim Duka, Fehmi Mustafaj. Ata dëshironin me të madhe që të tu krijohej mundësia këtyre fëmijëve të vazhdonin arsimin tetvjeçar. Më pas, shanset për tu arsimuar më tej do ti kishin më të mëdha.
Petriti u merr nënshkrimin të gjithë prindërve të këtyre fëmijëve dhe e dërgon te kryetari i Komunës së Gostivarit, Destan Sulejmani. Ai e përcjell tek shefi i arsimit e pak kohë më vonë, një grup pune nisen që aty për të verifikuar shkollën në fjalë, nëse ishte e mundur, që të plotësohej kërkesa. Në fillim, thanë se nuk kishte kushte, më pas shtuan se nuk kishte kuadro të nevojshëm për zgjerimin. Falë përpjekjeve të paepura të grupit të arsimtarëve shqiptarë, u bë e mundur hapja e shkollës tetvjeçare në këtë zonë, që aq shumë e donte arsimin dhe diturinë.
Sërish transferohet në një shkollë tjetër, në atë të Zhirovnicës. Mësues Petriti indinjohej dhe ngrinte zërin, sa herë që shikonte, se shkeleshin të drejtat e shqiptarëve. Këtë gjë bëri dhe në Zhirovnicë, ku hapi klasën e parë për fëmijët shqiptarë. E dinte që ishte i survejuar nga rregjimi. E dinte që këto përpjekje për çeshtjen shqiptare paguheshin shtrenjtë. E dinte që kishte një familje për të ushqyer e për ti shkolluar dhe sërish nuk ndalej në betejën për hapjen e promovimin e arsimit shqip.
Data 25 maj e vitit 1981 është fiksuar mirë në memorien e Petrit Bajrës. Mësuesi patriot kishte përgatitur një program të bukur me fëmijët në gjuhën shqipe. Ishin vendosur parrulla, si dhe flamuri shqiptar në një vend të dukshëm. Nxënësit e vegjël këndonin këngë  për mëmëdheun dhe për gjuhën e ëmbël shqipe. Drejtori i shkollës e shikon gjithë këtë skenë i revoltuar dhe niset andej nga ishte flamuri. U përpoq ta heqë atë nga vendi dhe ta ulte poshtë. Po të ulte flamurin i kishte ulur të gjitha,kishte ulur shqiptarinë. Mësues Petriti e ndjek me të shpejtë dhe i bllokon dorën drejtorit përpara se të kryente veprimin. Nuk do ta lejonte atë të hiqte atë flamur, që frymëzontë një komb, gjithnjë në luftra, gjithmonë të përgjakur, por kurdoherë krenar e të vendosur. Ky ishte caku, ishte kufiri që kishte shkelur Petrit Bajra dhe rregjimi nuk e toleronte më. Dy ditë më vonë, disa policë vijnë në shkollë dhe e prangosin mësuesin në sytë e fëmijëve. Teksa trupa policore po e çonte drejt makinës, që do ta përcillte për në burg, mësuesi ktheu dhe njëherë kokën drejt shkollës dhe fëmijëve, të cilët do ti mungonin për një kohë shumë të gjatë. U dhuroi atyre një buzëqeshje të madhe, që ta kishin kujtim për gjithë jetën, si një simbol i rezistencës dhe qëndresës kombëtare.
Ndoshta do të vuante gjatë nëpër burgje, sikur të mos e ndihmonte një mik i tij. Vetëm dy muaj zgjati burgimi, por i kumtuan një vendim të ashpër:  “ Sa të jetë në këmbë shteti jugosllav, ti nuk do ti shohësh me sy dyert e shkollës”.  Vërtet, ashtu ndodhi. Ishte ky një mesazh i shtetit jugosllav për të gjithë ata arsimtarë, patriotë dhe atdhetarë, që do përpiqeshin në të njejtën mënyrë si ai.
Një ekuacion me shumë të panjohura shpërfaqet përpara arsimtarit në lirim. Ku do të shkonte tani dhe me se do të merrej? Si do t’i ushqente tre fëmijët, që ishin akoma të vegjël? Ai kishte bërë plane dhe për ti shkolluar dhe planet nuk po i dilnin, por jo për faj të tij. I vetmi faj i tij kishte qenë se qe treguar më shumë patriot se duhej, më shumë trim se duhej dhe kish guxuar të ndeshej me një makineri ushtarake, që i kishte të gjitha në dorë.
Provoi punë të rëndomta, që nga bërja e betonit, deri tek ndërtimi i çative. U end nëpër Europë e jo vetëm. Provoi dhe të nxehtin e Irakut, ku punoi kompania, ku ishte punësuar. Shkoi dhe në Amerikë për katër vite, duke plotësuar gati një dhjetëvjeçar në emigracion. Malli për familjen e ktheu sërish në vendlindje. Kishte ardhur viti 1990 dhe kohrat po ndryshonin. Shteti jugosllav po shkërmoqej. Hapësira të reja po krijoheshin, ëndërra të reja po thurreshin.
Petrit Bajra inkuadrohet sërish në armatën e arsimtarëve shqiptarë, i aftë dhe i gatshëm për të mësuar nxënësit, që aq shumë i kishte dashur dhe aq shumë kishte bërë për ta. Për tre vjet punoi në shkollën e fshatit Hame, në kufi me Shqipërinë dhe më vonë transferohet në qytet, te shkolla Seit Najdeni. Kështu vazhdon për gati njëzetë vite të tjerë, derisa doli në pension në vitin 2011.
Petriti e priti me shumë kënaqësi pluralizmin dhe ardhjen e demokracisë. Ai ishte ndër nismëtarët e krijimit të partive politike shqiptare, duke qenë dhe në kryesi të tyre. Por shpejt e kuptoi se loja nuk shkonte ashtu siç e pati menduar. Liderët e tyre dhe jo vetëm, shpesh i humbnin rrugës idealet, linin në baltë luftëtarët, votuesit e kështu me rradhë. Ndaj  ai u tërhoq në qetësinë e tij, për të mos e prishur atë dinjitet, për të cilin aq shumë kishte luftuar. As paratë që i afroheshin dhe as ndonjë post të rëndësishëm  nuk e pranoi, në këmbim të baltosjes së karaktetit të tij të paepur.
Petrit Bajra ka një vilë të bukur, diku në periferi të qytetit dhe një oborr gjigand. Ai është plot me kajsi rrush, lajthi mollë e shumë pemë të tjera. Mbjell dhe pak perime, për të kaluar kohën dhe u shërben me përkushtim. Pret dhe përcjell miq të shumtë intelektualë, nga të gjitha anët në rezidencën e tij.
Zoti i fali tre fëmijë të mrekullueshëm. Gëzimi  punon e jeton në Bolzano të Italisë, kurse Dritani është shef guzhine në një nga restorantet më të mira të Belgjikës. Vajza e tij, Besa, ka mbaruar për gjuhë letërsi dhe gazetari. Është e punësuar në ministrinë e arsimit në Bruksel, ku jep kontributin e saj modest. Petriti ka shumë dekorata të fituara me punë dhe shumë shkrime që flasin për jetën e tij të trazuar. Ai është një njeri me shpirt poeti dhe ndoshta shumë shpejt mund të nxjerrë një libër me poezi, që nuk janë tjetër, vetëm mbresa të jetës, ku ai dha më të mirën në dobi të shoqërisë dhe çeshtjes shqiptare.