Pritja dhe vlerësimi


Rinasi ishte zbukuruar si asnjëherë tjetër mesditën e 22 gushtit, kur në aeroport zbriti për herë të parë si kampione Europe Luiza Gega, e cila ia doli të triumfonte në garën e 3000 m me pengesa në pistën e stadiumit olimpik të Mynihut në Gjermani në prani të 70-të mijë spektatorëve. Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi, presidenti i KOKSH Fidel Ylli, presidenti i Federatës së Atletikës Gjergj Ruli dhe mjaft personalitete dhe të ftuar kishin dalë për ta pritur fluturën kuqezi, e cila bëri të mundur të ngrihej dhe të valëvitej flamuri ynë kombëtar dhe të këndohej himni ynë në zemër të Europës. Atmosfera ishte festive dhe kampionia është ndjerë super e vlerësuar. Ndërkaq që mjaft media e kanë intervistuar duke i marrë emocionet e rastit.
Një ditë më pas kampiones Luiza Gega iu rezervua një pritje publike dhe institucionale edhe në sheshin para Kryeministrisë dhe në ambientet e brendshme të saj ku edhe u dekorua me Kordonin e madh me Yllin për Mirënjohje Publike.