Rexhë Rexha, një jetë me stetoskop dhe zemër në dorë…


Nga Dukagjin Hata

Në ata vite të trazuar që lame pas, ku gjithçka tollavitej në vorbulla ankthi dhe depresioni kolektiv, të paktë ishin ata që me modelin e sjelljes së tyre lanë gjurmë të mira dhe do të përkujtohen me mall e dashuri nga të gjithë ata që i njohën dhe përfituan nga shërbimet e tyre.
Një ndër ta është dhe Rexhë Rexha nga Sllatina, mjeku i përkushtuar dhe pasionant, që gjithçka e vuri në shërbim të njerëzve ku shërbeu me përgjegjësi e dashuri.
Bir i një familje të ardhur herët nga Gjakova e më tej në Sinë të Dibrës, familja Rexha gjeti në Sllatinë, ku erdhi dhe u ngul, përkrahje e respekt dhe vetë i dha ato me tepri, duke u shquar si familje bukë e besë, arsimdashëse e liridashëse.
Rexha u rrit në një familje me tradita të ngulitura atdhetarie e ku sofra e bukës dhe mikpritjes ishte sofër dinjiteti dhe projeksion i hijes që lëshonte dera e Rexhëve në prehër të maleve.
I ati, Rexhepi, ishte një burrë me sqimë, i etur për dije, siç kishin qenë të parët e tij, të shkolluar në Europë e Perëndim. Ai ishte njeri i ngritur për kohën dhe punonte në Peshkopi, në sektorin e Tregtisë. Donte që i biri të bëhej dikush në jetë, ndaj e nxiste dhe inkurajonte që të mësonte sa më shumë, gjë që djaloshi Rexhe Rexha e bënte me zell e pasion.
Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të ciklit fillor e shtatëvjecar, me shumë vështirësi për shkak të konjukturave partiake të kohës, i ati ia doli ta regjistronte të birin në Shkollën e Mesme Mjekësore në Tiranë, me dëshirën që ai të bëhej mjek i shquar dhe t’u shërbente me zemër në dorë bashkëfshatarëve të tij.
Në shkollë Rexha shkëlqeu për zgjuarsi dhe intuitë, për zell në përvetësimin e dijeve e veçmas të atyre dijeve që lidheshin me profesionin për të cilin studionte… Por, megjithëse ia doli ta mbaronte këtë shkollë me rezultate shumë të mira dhe me gjithë dëshirën dhe këmbënguljen e të atit që i biri të vazhdonte studimet e larta për Mjekësi, konjukturat partiake të kohës, me ndasitë dhe paragjykimet e një kohe të sëmurë, nuk e lejuan. Por djaloshi energjik dhe plot zell për dituri, nuk e ndali asnjë çast hapin dhe kudo që e çuan për të shërbyet, pati si busull jo vetëm dashurinë për njerëzit, por dhe leximet e thelluara dhe gjithë pasion në librat dhe dijet mjekësore.
Ai ishte i dashur, i çiltër me njerëzit, këmbëngulës dhe pasionant në punë, duke e konsideruar mjekësinë më shumë se sa një profesion, një mision.
Në fillim e emëruan në Muhurr, ku shërbeu një vit, vitin e stazhit. Më tej e çuan në Kalanë e Dodës, një zonë në prehër të maleve e ku nevojat për dorën e mjekut ishin më urgjente se kurrë.
Ishte fillimi i viteve 1960 dhe për të kryer punën e tij, Rexhës do ti duhej të bridhte derë më derë, me çantën dhe stetoskopin në dorë, duke u ngritur mbi mjaft paragjykime të kohës që kishin ngritur krye, dhe qenë kthyer në mendësi në këtë trevë të largët dhe disi të izoluar për kohën.
Bie fjala, një mentalitet prapanik ishte refuzimi që i bënin ofertës mjekësore femrat, veçmas vajzat dhe gratë e reja, për shkak të mendësive frenuese zakonore. Mjekut të ri do t’i duhej të ushtronte jo vetëm profesionin e tij, që ai e konsideronte mision, por edhe atë të agjitatorit për iluminimin e këtyre banorëve, që të mos kishte tabu dhe barriera midis tij dhe atyre.
Puna në Kala të Dodës e bëri me shumë miq e shokë që e donin dhe çmonin për atë çfarë bënte dhe marrëdhëniet me këta njerëz të mirë e fisnikë do t’i ruante deri në frymën e fundit te jetes …
Aty nga mesi i viteve ‘70, pas një kohe të gjatë vështirësishë e sprovash larg shtëpisë, e emëruan në Shumbat. Në këtë fshat të madh gjeti besë e mikpritje në çdo derë dhe ai ua shpërbleu shumbatasve me gadishmëri për të qenë pranë tyre në çdo kohë, shpesh duke sakrifikuar gjumin dhe hallet e tij familjare. Vinte shpesh në shtëpinë tonë, jo vetëm për nevojat tona mjekësore, por dhe për shkak të miqësisë me gjyshin tim Zane Hata, me të cilin flisnin për orë të tëra me gjuhën nën mutaf, që përmbante kode që vetëm ata dinin ti zbërthenin. Rexha ishte me intuitë të hollë dhe dinte të dallonte në morinë e gjërave që e rrethonin ato çfarë qenë të qenësishme dhe çfarë sekondare e kalimtare. I donte njerëzit dhe sakrifikonte për to, duke u bërë i dashur për të gjithë. Nuk u përzie kurrë në qerthullin e intrigave të kohës, ku shpesh mplekseshin kuadrot e paaftë e mediokër, por mbeti gjithmonë demokrat në shpirt dhe idealist në marrëdhënie me profesionin dhe njerëzit që e rrethonin.
Megjithë diferencën e moshës, jam ulur shpesh në kafe me Rexhën, sidomos në Sllovë, ku unë vajta mësues në shkollën e mesme në fund të viteve ‘80, dhe ai punonte në spitalin e Sllovës. Dinte të bënte muhabet të përzgjedhur dhe me një zgjuarsi natyrale që të suprizonte, respektonte më të rinjtë dhe nuk anashkalonte as dhe një fëmijë…
Muhabetin e bënte “me rrotulla’ ose “nën mutaf”, duke prekur me intuitën e tij të hollë telat e shpirtit njerëzor…
Lexonte shumë dhe me intuitën për të vështruar tej fasadave të epokës, në çdo bisedë bëhej zëdhënës i një mendësie të re për kohën dhe njerëzit.
Rexha kishte një besim të madh në profesionalizmin e tij, aq sa thoshte shpesh se po të kishte mundësitë dhe kushtet minimale teknike mund të kryente operime sado të vështira edhe këtu, në këto vise nën këmbë të maleve…
Ai punoi çdo ditë të jetës së tij me një përkushtim shembullor, duke bërë gjithçka që mundi për të kuruar e parandaluar sëmundjet, për t’ua lehtësuar dhimbjet të sëmurëve. Pas daljes në pension, për shkak të lodhjes e stresit pas një periudhe të gjate e të vështire sprovash shërbimi orar e pa orar, pësoi paralizë të plotë pas një ataku në zemër dhe qëndroi rreth dhjete vite i shtrire në krevat, nën shërbimin e përkryer të bashkëshortes dhe të tetë fëmijëve të tij.
Ndërroi jetë në paqe të plotë me veten dhe me të gjithë, në Tiranë ku patën ardhur për të jetuar familjarisht, duke lënë pas nderimin dhe respektin e të gjithëve, një emër midis njerëzve, të cilët nuk do ta harrojnë kurrë dhe do ta kujtojnë me dashuri për gjithçka që ai ishte dhe bëri për ta…