Valle dibrane


Nga Mikaela Minga

Ka mënyra të ndryshme si mund të hysh në dialog me vepra të caktuara arti, madje edhe të rrish gjatë me to. Kjo më ndodhi me Valle dibrane, vepër e piktorit Bajram Mata. Ngacmimi fillestar erdhi gjatë një bisede rreth veprës, organizuar në kuadër të ekspozitës “Tirana Patience”, hapur rreth dy vjet më parë në Galerinë e Arteve. Pa pretenduar të vesh petkun e studiuesit apo kritikut të artit, kjo vepër ftonte që, nën petkun e etnomuzikologut, të hulumtoja aspekte të kulturores, muzikores, po aq sa edhe të antropologjikes e folklorikes.
E fillova këtë lloj hulumtimi duke u përpjekur të njoh fillimisht autorin. Bajram Mata zë një vend relativisht diskret në historinë e artit shqiptar. Ai i përkiste brezit të artistëve (muzikantë, shkrimtarë, kineastë) që u formuan midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë. Kreu dy vjet studime në Shën Petersburg (Leningrad) të cilat, për shkak të prishjeve të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik i përmbylli në Tiranë, në vitin 1965. Pas mbarimit të studimeve, Mata u caktua në Peshkopi, ku punoi si mësues e skenograf në Shtëpinë e Kulturës, duke qenë njëherazi anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. [1]  Për familjarët, kthimi në provincë rezultoi kufizues në shumë drejtime. Prapëseprapë, ai arriti të mbajë lidhje aktive me Tiranën, duke u bërë pjesë e asaj atmosfere të veçantë kërkimi e eksperimentimi që karakterizoi artin figurative shqiptar në fund të viteve ’60 dhe fillimin e viteve ’70, ndonëse jo krejt i evidentuar, do të vërente Ermir Hoxha:
Ndër rastet e parrahura në shtyp, çudit rasti i Bajram Matës, pasi në vitet në fjalë [‘69-’74, shënimi im] artisti realizon disa nga krijimet e tij më të mira. Në një kërkim personal mbi formën, që në vitin 1969, ai nis të shpalosë tendencën e tij për evidentimin e ngjyrës. Kërkim si ai në tablonë “Aksionistet”, ku ngjyra e ndezur e perëndimit të diellit, duket sikur për një çast ka ndezur vrullin revolucionar të vajzave të reja. Dinamizmi i figurave duket sikur vallëzon drejt hapësirave të reja të jetës, mbështjellë nga një optimizëm ngjitës. Përveç realizmit karmin të aksionisteve, Mata realizon dhe disa tablo me temë nga qyteti i lindjes, ku atmosfera e gjallë e aktiviteteve folkloristike merr peshën kryesore. Kështu ndodh në tablotë “Valle dibrane” dhe “Dasmë në fshat”, ku perceptimi artistik i asaj që po ndodh, duket sikur reduktohet thjesht në përçimin e ndjesisë së të tërës. Ajo që paraqet artisti nga ajo që sheh, është vetëm një miks ngjyrash e linjash. Ekspresiviteti kromatik kap kulmin. Zhduken tiparet e portreteve, linjat ndarëse të turmave e ndërtesave. E kuqja flakëritëse shpërndahet ngado si shenjë identiteti e veshjeve karakteristike, ndërsa turma e elektrizuar duket sikur jeton një ditë të gjatë sa një jetë.[2]

Marrë me shkurtime nga Peizazhe të fjalës
Lexo shkrimin e plotë në linkun e botimit origjinal:
https://peizazhe.com/2022/08/12/valle-dibrane/