Hidajet Lahu, Atdheu është i bukur në çdo cep të tij


Hidajet Lahi promovon dy librat e tij

Këto ditë janari 2023, autori Hidajet Lahi, një intelektual i njohur dibran, promovon në Tiranë dy librat “Atdheu është i bukur në çdo cep të tij” dhe “Ujemuja”, monografi, etnografi kushtuar vendlindjes. Një vështrim historik shkruar me fakte e dokumenta, me ngjarje e njerëz të kësaj treve të njohur.
Në promovim morën pjesë banorë nga zona e Ujemujës, por dhe nga zonat përreth e më gjerë. Ishin të pranishëm shumë intelektual të njohur, disa prej tyre kishin ardhur dhe nga larg, posaçërisht për këtë veprimtari.
Për librin foli dr. Hajri Mandri, njëherësh dhe redaktor i librit. Për një panoramë të librit foli më gjërë dhe autori Hidajet Lahi. Pati pyetje dhe diskutime, por do të veçonim diskutimet e z. Selami Gjoka ardhur nga Elbasani, Elmas Lala, Dogjani Dervishi, Qatip Bara e të tjerë.
Libri ju dhurua të pranishmëve me autograf nga autori Hidajet Lahi. Për të pranishmit, u dha dhe një koktej, shoqëruar me muzikë nga grupi i rapsodëve, kryesuar nga Veseli Shehu dhe Fatjon Dervishi.
Atmosfera e gëzuar dhe miqësore ju dha mundësi të takohen me njëri-tjetrin, të bisedonin jo vetëm për librin, por dhe më gjëre. / I. Dervishi

(Zakone, tradita, gjenealogji / lagjja “Pashnjarë, Sllovë), Tiranë, 2021

Libri është një dritare për të parë Sllovën. Libri ka fakte; ka të dhëna arkivore dhe historike; ka të vjela nga njerëz të gjallë e nga folklori. Faktet vijnë nga fusha e autorit – bujqësia, mjedisi, blegtoria etj. Dhe lexuesi mund t’i shohë drejtpërdrejt në libër. Mund të shohë edhe statistika nga prodhimi. Të dhënat arkivore dhe historike i ka qëmtuar nga burime autentike.

Libri na josh edhe ne të tjerëve të shkruajmë. Për çfarë? Për shumë gjëra. Në libër thuhet se deri nga fillimi i viteve ’50 sllovasit e bënin pazarin në Tiranë. Për kripë e vaj guri shkonin. Nga Bulqiza e tej – nëpër Rrugën e Arbrit. Nëpër këtë rrugën, që sot është automobilistike e që e presim të përurohet sa më shpejt. Zakonisht, shkonin vargan. Dhe, në këto udhë me varganë kishte edhe biseda, humor, histori. Mund të shkruhet edhe për to. Edhe për shqipet.

Nga PROF. DR. HAJRI SHEHU

Dy fjalë hyrëse për autorin: Është burri simpatik, shumë i edukuar, fjalëpak e vullnetshumë. Model modestie. Lindur e rritur në këtë Pashnjarën, që e ka aq shumë për zemër, në një familje aq fisnike e aq punëtore. Ka një karrierë të spikatur pune e punësimi në fushën e agronomisë e të drejtimit të bujqësisë në ish-rrethin e Dibrës.
Libri na sjell pranë Pashnjarën e Sllovën, por edhe vetë autorin. Libri përshkohet nga ndjenja të thella dashurie e dashamirëse dhe vlerësimi për Pashnjarën, për Sllovën, për krahinën. Pashnjara dhe Sllova janë si pjesa me të tërën. Të dyja – të mira e të dashura. Gjithnjë brenda krahinës e Atdheut. Dhe sinteza e përfundimi na vjen nga titulli i librit: Atdheu është i bukur në çdo cep të tij. Le ta bëjmë pjesë të mendësisë sonë dhe të zemrës sonë këtë postulat. Dhe, sidomos mërgimtarët tanë.
Sllova – dhe bashkë me të, Pashnjara – njihet në shkallë kombëtare, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Sllova ka qenë (disi – edhe sot) kryeqendra e gjithë Ujemujës (në vitet ’50 të socializmit – edhe për Kalanë e Dodës). Jo, thjesht, në kuptimin si qendër administrative e krahinës (lokaliteti), si qendër ekonomike (kooperativa), si qendër arsimore (shkolla fillore / 1921, shkolla 7-vjeçare/1947 dhe më pas – shkolla e mesme), si qendër shëndetësore (spitali), si qendër kulturore (shtëpia e kulturës).
Sllovës e Pashnjarës ia japin emrin e mirë njerëzit. Sepse gjithherë, bashkë me vendin dhe me viset janë njerëzit; bashkë me njerëzit janë ngjarjet e historitë e bëmat – të vjetra dhe të reja. Dhe në libër, bashkë me autorin dhe audiencën e tij – më së pari, pashnjarasit e sllovasit, na vijnë njerëzit trima, fisnikë e punëmirë – me emra e me mbiemra: Elez Isufi e Sufë Xhelili; Dali Ndreu e Beshir Ndreu – të dy vallezër të mirë, patriotë e trima; Nuz Mala – mjeshtri për punim dërrasash, njeriu model e Zure Lahu – mjekja e shquar popullore (në parantezë: Unë nuk e shërova dot qimëzën në spital në Tiranë, ma shëroi Zurja në Pashnjarë); Halil Lahu (babai i autorit) – kryetari i parë i këshillit antifashist nacionalçlirimtar dhe Sabedin Nakja – bujku i dalluar i zonës. (Në parantezë: Unë kujtoj me nostalgji livadhet e Sabedinit në Ligjatas / Paradin). Nuk e di a mund të ketë në botë aq shumë lule erëndshme, sa ç’kishte në livadhin e Sabedinit.
Libri është një dritare për të parë Sllovën. Libri ka fakte; ka të dhëna arkivore dhe historike; ka të vjela nga njerëz të gjallë e nga folklori. Faktet vijnë nga fusha e autorit – bujqësia, mjedisi, blegtoria etj. Dhe lexuesi mund t’i shohë drejtpërdrejt në libër. Mund të shohë edhe statistika nga prodhimi. Të dhënat arkivore dhe historike i ka qëmtuar nga burime autentike. Një shembull: Mbase ndonjë mund të mos e dijë që në arkivin e Institutit të Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike është Defteri kadastror i vitit 1467. Nga Defteri ka të dhëna. Të vjelat nga njerëzit e folklori vijnë nga fshati, nga Ujemuja, nga përtej Ujemujës. Lexuesi mund të lexojë për dasmën për e zakonet e dasmës; për këngë dasme; për festat e motmotit e festimin e tyre. Në punë të dasmave e të nuseve duam të përveçojmë Kalin e Daud Sulës. Kali i Daudit në Pashnjarë ishte i bardhë. Dhe nuset merreshin vetëm me kalë të bardhë. Vetëm me Kalin e Daudit. Dhe kushedi sa nuse ka sjellë ai Kali i Daudit. Daudi e mbante dhe e ruante me kymet (po përdorim një fjalë bisedore të vjetruar të krahinës). Kur merrnin nuse, Kalin e zbukuronin. Dhe ai bëhej edhe më i hijshëm. Daudi vetë nuk pati fëmijë. Dhe Kali nuk i solli nuse në kurt. Por ai gëzohej me zemrën e tij të madhe kur ia lypnin të tjerët Kalin për nuse. Në libër mund të lexohet edhe si e varrosën Kalin kur vdiq. Miranda Shehu (Xhilaga) ka një poezi për këtë Kalin e nuseve. Ai meriton një film dokumentar.
Meqë jemi te folklori i pasur i krahinës, nuk mund të rrimë pa përmendur tri fjalë të urta që jepen në libër. Ato janë:
Babë e djalë – besë e fjalë.
V(ë)llai me v(ë)lla – kullë e kala.
Burrë e grue – mish e thue.
Është botuar do kohë përpara një libër me folklor nga Ujemuja. Më vjen keq që nuk janë zbuluar dot atëherë, që të ishin në atë libër. Ani. Ja që u zbuluan e na u dhanë nga Hidajeti. Fjalët e urta janë mençuria e popullit. Të shkruash bukur, – thotë një i urtë, – do të thotë të ndiesh bukur, të mendosh bukur, të shprehesh bukur. Fjalët e urta janë ndihmëtari ynë për të ndier bukur, për të menduar bukur, për t’u shprehur bukur.
Vetëm pak për vlerën konceptore të këtyre tri fjalëve të urta: Ato janë një sintezë e përkryer dhe një traktat i shkëlqyer për rolin e pazëvendësueshëm në jetë të familjes (së madhe), për komunikimin brenda familjes (edhe fisit, lagjes etj.), për moralin, marrëdhëniet e dashurinë brenda kësaj njësie bazë të shoqërisë, për besën e traditën. Këto koncepte materializoheshin në jetë. Kujtojmë bashkëmarrëdhëniet për punët e stinës, kur ndërtoheshin shtëpi të reja, në dasma e në morta, në raste fatkeqësish natyrore e mbi të gjitha, besa-besën kur luftohej për vatan. Nëntitulli i librit u shkon këtyre vlerave konceptore. Ai është Zakone, tradita, gjenealogji. Mund t’i shtohej edhe mitologji dhe gojëdhëna sepse ka edhe të tilla. Shihni, p.sh., në libër atë Përroin e Dervishit.
Sllova njihet në të gjithë Shqipërinë. E kemi edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Një vlerësim shumë i lartë ky. Edhe shkolla e Sllovës njihet në shkallë vendi edhe për historikun e saj (në fillim, në Trojak, ndër më të parat në Shqipëri – më 1914; më 1921 – te Përroi i Botës; më 1947 – shkollë 7-vjeçare, tani – e mesme e përgjithshme), por edhe për rolin e madh zhvillimor në krahinë. Shumë mund të flitet për këtë shkollë dhe për mësuesit e saj. Ne do të përmendim vetëm një moment: Në vitin 1987, në Sllovë u mbajt një sesion i madh shkencor në shkallë rrethi për gjuhën. Dhe e dini çfarë tha profesor Androkli Kostallari, akademik, që e pati mbrojtur doktoratën në universitetin “Lomonosov” të Moskës para dy korifenjve të gjuhësisë botërore – Vinogradov e Budagov, atëherë (1987) – drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kryeredaktor i Fjalorit kombëtar të gjuhës së sotme shqipe, shef i Sektorit të leksikologjisë dhe të leksikografisë dhe i Kartotekës së leksikut të shqipes? Ja çfarë tha: Sot dëgjova fjalë (nga kumtesat), që nuk i kam hasur as në leximet e mia dhe as në Kartotekën me 5 milionë skeda. Në Sllovë i tha. Shkolla 7-vjeçare (më pas – 8-vjeçare) ishte qendra kulturore-artistike e zonës. Sllova ka marrë gjithnjë çmime të para në festivalet në shkallë rrethi.
Shkolla e Sllovës – Pashnjara dhe vetë Sllova – është pjesë e historisë së shkollës kombëtare. Edhe për hershmërinë e saj e historikun e saj, siç u cek, edhe për rezultatet e saj, por edhe për mësuesit e saj. Ka pasur mësues që janë figura kombëtare: Haki Sharofi, Abdulla Çanga, Ismail Strazimiri, Naim Plaku, Sejfulla Kata etj. Kaq pasur edhe mësues të tjerë: Mikeli, Lorenci, Eqeremi, Xhema, Femiu, Enveri. Këta nuk janë vendës. Ka edhe vendës. Mësues edhe drejtorë të shkëlqyer. I kemi në libër.
Jemi te njerëzit e Sllovës. Ata e duan dhe e ruajnë shumë natyrën, kujdesen shumë për arat e për livadhet, për mezhdat e për përrenjtë, për drurët e për shkurret, për mollët e për kumbullat. Në libër i kemi këto. Në libër na thuhet se pemëtaria e Ndreve ka mbi 100 vjet jetë. Kush ka qenë ai Miçurin, që i pati bërë ato blloqe me pemë, aq të lakmueshme për këdo që i kundronte a u shijonte frutat? Sllova dallon nga të gjithë fshatrat e tjerë në punë të pemëve. Duket sikur Zoti e ka bërë kasten të tillë. Ajo që mund të shtojmë është kjo: Në vitin 1959, specialistë çekë për mollët, njohës dhe hulumtues të kësaj frute në të gjithë Europën, paskan thënë: Aromën e këndshme të mollëve të Sllovës nuk e kemi hasur në asnjë vend tjetër. Libri na sjell edhe dëshirën e sotme për zhvillim të mëtejshëm të Sllovës e të zonës.
Historia e lagjes Pashnjarë. Themeli është familja Lekë Lahi. Leka, me besim katolik. Nga Shkodra: 1530-1590. Zë vend në Sllovë. U kthye në mysliman. Pra, rreth 500 vjet më parë. Deri tani – 14 breza. Njëri nga djemtë e Lekës, i kthyer në Islam, ka themeluar teqenë e Peshkopisë. Ka edhe fise të tjera ardhëse në Sllovë, si Nakja, Ndreu etj. Në libër ka të dhëna të qarta gjenealogjike për fisin Lahu.
Po e përsërisim thënien: Njerëzit ia japin fytyrën një vendi. Sllova ka pasur burra, që ia kanë përndritur fytyrën. Ka burra Sllove, të cilëve u këndohet këngë: Elez Isufi e Sufë Xhelili. Ka pasur këngë edhe Tafë Çorja. Edhe Faik Cala. Besojmë të ketë këngë edhe për burra të tjerë me emër. Dhe vijmë te një thënie tjetër: Të shkruash për Sllovën, nuk është e lehtë. Sepse Sllova është e madhe. Bash sepse është Sllovë. Vetëm një libër nuk e nxë Sllovën. Gjithkush e ka provuar: Përkundër dëshirës së një autori për të thënë sa më shumë, mundësisht – gjithçka, është kufizimi që vjen nga vetë libri si libër. E, atëherë, me siguri, autori do të bëjë librin e dytë, me siguri. Dhe kemi mësuar se e ka bërë. Tashmë, për Ujemujën, pjesë e së cilës është Sllova. Dhe atje do të ketë vend më shumë për gjeneral Dali Ndreun, njëri ndër udhëheqësit kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, komandant i Korparmatës I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Nderi i Kombit; për Esat Ndreun – komandantin e çetës së Sllovës; për Beshir Sufën, burrin sybojëqiell, komandant i vendit. Por burrënimi i Sllovës shkon më tej. I kemi në libër. Do të përmendim bashkë me ta edhe ndonjë tjetër. Për burrëri, për bëma:
– Halil Lahu – kryetari i parë i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit Sllovë.
– Malok Lahu, postieri shembullor e besëtari, që për ndodhi e kërkesa të veçanta e bënte rrugën Pashnjarë (Sllovë) – Tiranë në këmbë për një ditë. E paimagjinueshme.
– Përmendëm pak më parë Zure Lahun, Daud Sulën e Nuz Malën. Shtesa ime: Sa mirë do të kishte qenë, sikur ndërgjegjja e sotme masive të ishte si e atyre! Shtesa e dytë: Sabedin Nakja – bujku i dalluar (kështu quhej sepse kështu vlerësohej). Në vitin bujqësor 1955 ose 1956 (nëse nuk gabojmë) mbolli pambuk dhe pambuku i dha boçet fjollë të bardha. Pambuk në Sllovë! Një me një me të shkonin dy vëllezër – Haqif e Rufat Lahu. Dhe të tjerë. Te Naket përmendet në libër Abdullah Nakja. Unë do të shtoj: Abdullahu bënte një lloj mushti, që nuk e kam parë e pirë askund tjetër. Duke vijuar më tej, kemi Sabri Loçin. E kujtoj me mëngët përveshur, kur punonte në arë e në klubin e Sllovës. Dhe e di çfarë them? Me ato krahë e shpatulla, ai mund të ngrinte globin. Dëshira, e bija, bashkënxënësja me ne në shkollën 7-vjeçare, ishte vajza e zgjuar e gjithë klasës. Te Zhugrret ka shumë për të thënë. I kemi në libër. Unë do të përveçoja Idriz Zhugrrin. Ishte i sëmurë nervor. Ishte sëmurë në luftën e Çanak Kalasë. Topat. Gjëmimet. Lufta. Qe dijetar i madh i fesë. E kam parë shumë shpesh në verë llërëpërveshur, me kmesë në dorë. Me atë kmesë mund të bënte të pabërën. As edhe një mizë nuk e ka prekur.
Para se të dalim në Ratke e Çore, do të kthehemi përsëri te Ndretë e Sllovës (Pashnjarës). Janë mësuesit nga një familje: Xhetani – babai dhe Remziu e Mirushi – të bijtë. Nga ajo shtëpi – bashkënxënësja jonë, Donika. Ajo dallonte nga shoqet e saj dhe nga të gjithë ne të tjerët. Për qytetarinë e saj. Me flokë të prerë shkurt, pak poshtë bulës së veshit, gjithnjë e pastër, gjithnjë sqimatare. Xhelal Ndreu dhe Avni Ndreu – shkrimtarët tanë të pazëvendësueshëm. Nga libri “S’ka qetësi në Lisivalle”, një libër i shquar dokumentar–letraro-romanistik, kam vjelë mbi 300 fjalë e shprehje të rralla të gjuhës shqipe për Kartotekën kombëtare të Fjalorit kombëtar të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhësisë. Janë fjalë Sllove e fjalë Dibre. Na i ka sjellë Xhelal Ndreu. Më tej, te Ndretë na vijnë emrat Mahmut Ndreu e Hasan Ndreu. Kemi edhe Ajet Ndreun, emrin e të cilit mban shkolla e mesme e Sllovës. Unë kam një shtesë: Lavdërim Ndreu. Në shkollën 7-vjeçare një vit më lart se unë. Ruaj në kujtesë diçka mbresëlënëse. Në një veprimtari festive ai këndoi këngën përmetare. “A kanë ujë ato burime?”. Pse qe mbresëlënëse? Sepse ishte këngë qytetare. Sepse melodia na u duk tjetërlloj. Sepse mësuam fjalë që nuk i kishim në fjalorin tonë vetjak; por, as në fjalorin shkollor. Kemi edhe Lavdie Ndreun. Njerëzit kthenin kokën për ta parë. Sepse ishte e bukur. Nxënëse? Besoj – e dalluar në klasë. Unë kam njohur rastësisht Rizahun e Cen Elezit – Hysen Ndreut. Pasi kishte bërë burg, ishte kthyer në familje, në Tiranë, në Rrugën e Barrikadave. Një burrë shumë i edukuar. I pata treguar dy ngjarje me Elez Isufin, siç i kisha dëgjuar. M’i pëlqeu shumë. Bënte punime artistike të shkëlqyera me kashtë gruri.
Në Pashnjarë ka jo vetëm burra të shquar. Ka edhe gra e vajza. Zure Lahu, siç thamë. Dhe Kumrije Lahu. Në libër kemi disa faqe për Kumrijen. Kumrija është e para vajzë në krahinë që ka shkuar në shkollë të mesme e larg familjes. Kumrija ka titullin “Mësuese e merituar”.
Libri i Hidajet Lahut është për Pashnjarën. Por edhe për Sllovën. Dhe pjesë e Sllovës janë edhe Ratket e Calet. Në Ratke është një krua, që s’ka të dytë në krahinë e më tej. Nga Ratkët na ka ardhur një libër mjaft i mirë nga Feriti. I rrënjës së përmendur të Ferateve është. Calet janë ata që morën pjesë të gjithë në Luftën Nacionalçlirimtare. Për ish-kryetarin e kooperativës, Qatip Calën, thoshin që tyta e pushkës i dilte mbi krye. Ishte aq i ri. Në punën ndërtimtare: Në Cale ka një dëshmor pune: Është traktoristi Faik Cala – Hero i Punës Socialiste. Kurse, i ati, Mustafa, ishte terzi. Ai i vishte burrat e krahinës me tirq e koparane (jakuce).
Ngjarjet e vogla bëjnë ngjarje të mëdha. Shihni në libër, për shembull, ndodhinë me Elez Isufin në Pashnjarë. Dhe zgjidhjen aq të mençur të Elez Isufit.
Jemi përsëri te burrat e burrërorët. Libri na çon pak si në skaj të Sllovës, në juglindje të saj. Janë burrat Selman, Halil dhe Dan Ndreu. I pari – farkëtar me emër. Kudhra e çekiçi i tij njiheshin edhe përtej krahinës. I dyti – Halili ishte violinisti virtuoz. I treti, Dani ishte valltari virtuoz që kërceu në Festivalin Botëror të Rinisë në Moskë.
Po të vijmë më këtej, janë Çoret. Një lagje gjithë pemë. Autori i librit përmend mjaft emra. Më së pari, tre dëshmorët e Luftës: Dalip Çorja, Naxhi Çorja, Telat Çorja. Janë vrarë nga nazistët gjermanë. Brenda një dite. Dhe brenda një dite – tri xhenaze e tri morta në lagjen e atëhershme të vogël. Dalipi pati qenë agronom. Një Miçurin i vërtetë. Dengu i Abedin Çiçit dhe i Xhavit Hysës. Në revistën “Bujqësia” (revista “Bujqësia socialiste” është shumë më e vonshme) ka shkruar edhe agronomi i ri nga Sllova. E kam lexuar vetë. Diku autori thotë në libër që sllovasit janë fodullë. Fodullë do të thotë sqimatarë. Çoret i njoh më shumë. Këta më duken shumë fodullë. Edhe trima. Me Luftën Nacionalçlirimtare u angazhuan në forma të ndryshme të gjithë.
Më ka thënë Hidajeti që kur të bëjë librin e dytë – mbase, në trajtë fjalorthi enciklopedik, me më shumë hollësi e përimtime, do të rreshtojë edhe emra të tjerë nga Sllova. Nga Pashnjara, për shembull, bijat, vajzat pashnjarase. Nga Calet: infermierin e palodhur Hamdi Cala. Edhe në punë, edhe në rrugë ai ishte si një parisien. Nga Çoret: Tafë Çorja (ka këngë si luftëtar kundër osmanëve; Mudë Çorja (i zënë nga serbët në Kaush, konfrontuar burrërisht me ta); Nuri Çorja (gojëtari), të cilit i ngjante i biri – Shemsiu; Shaqir Çorja (pasaniku në Stamboll); Hazis Çorja e Sadik Çorja (bujq të përmendur); Brahim Çorja (partizani); Shukri Çorja – kuzhinieri i spikatur i konviktit të shkollës pedagogjike në Peshkopi; Ismet Çorja (mësuesi model); Din Çorja (shitësi që nuk ra asnjëherë deficit, derisa doli në pension); Nazmi Çorja (kryetari i kooperativës); Hasan Çorja e Dilaver Çorja (mjekë të përkushtuar); djemtë e Xhevdet Çores (sot, firmë ndërtimi në Greqi) e shumë të tjerë. Lashë për në fund dy emra të nderuar – dy vëllezër: Sulë Çorja e Xhelil Çorja. Sula qe mjeshtër sporti në qitje. Ka përfaqësuar Shqipërinë në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare. Xhelili qe elektricist. Mjeshtër. Hidrocentrali i parë në Dibër, për qytetin e Peshkopisë (me ujin e Përroit të Llixhave) është bërë nga Xhelil Çorja. Dhe, e dini si? Me “turbinë” me fletë si të mullirit. Djem Sllove qenë. Te Zhugrret: dy vëllezërit – bletërritësi i përmendur, Qaniu dhe oficeri i nderuar, Rexhepi e vëllezërit e tjerë, Xhevati e Ekremi – me një kulturë pune shembullore. Në Ratke: Abazi e Bezati. Dhe Feridi i sotëm. Letrar e historian. Samiu – valltari virtuoz. Dhe ka kërcyer në skenat e Moskës. Po te Kaçakët? Mbajmë mend dy mjeshtër ndërtimi – babë e bir: Islami e Fiqiriu.
Autori flet për veshjen e burrave dhe të grave. Na tërhoqi vëmendjen fjalia: Në Sllovë është përdorur fustanella. Sigurisht, autori e ka të vërtetësuar këtë. Dhe atëherë, Sllova nuk mund të jetë rast i veçuar, çka do të thotë, që fustanella duhet të jetë përdorur në të gjithë krahinën e më gjerë. Etnografët kanë vërtetuar se fustanella është përdorur edhe në Veri. “Fustanella dokumentohet që në lashtësi me disa gjetje arkeologjike të shekullit IV-III p.e.r.” (Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 296). Dimë që grekët e kanë huazuar fustanellën nga ne shqiptarët. Thuhet që fustanellën e kanë huazuar edhe skocezët (keltët nga ilirët). Kilt është fjala angleze për fustanellë. Edhe një fjali për fustanellën: Në një letër që Bajroni ia çon së ëmës, i thotë: “Shqiptarët kanë petkun më të bukur në botë – fustanellën e gjatë, të bardhë.” Do të ishte interesante të zbulohej më tej cila ka qenë veshja me fustanellë. Vishej mbi tirq apo mbi kofsharë? Ka qenë e bardhë, e murrme apo e zezë? Ndoshta, e bardhë sepse është pëlqyer e bardha (kemi parasysh këmishën e bardhë dhe tirqit e bardhë). Deri kur është mbajtur? Dhe, sigurisht nuk bëhet fjalë vetëm për Sllovën. Gjurmimi është edhe për më tej.
Sllovasit (Pashnjarasit) janë fodullë, – u tha pak më sipër. Ja ç’thotë në libër një këngë dasme:

Ne kjo Sllova me lëndina,
Për m(j)edisi kalon maqina;
Kalon maqina e shkon vetura,
Gjem (= djem) e nuse janë fodulla.

Fodullë, por të punës. Emil Zolá (1840-1902), shkrimtar e publicist francez thotë: “Unë kam pasur të vetmin besim, të vetmen forcë – punën, punën … Puna është i vetmi ligj që drejton botën. Jeta nuk ka qëllim tjetër. Ekzistenca nuk ka kuptim tjetër. Të gjithë ne vijmë në këtë botë vetëm për të marrë pjesë në punën e përbashkët…”. Sllovasit i kemi të punës. Nuk janë vetëm fodullë. Dhe punën e tregojnë arat e pemët.
Sllovasit janë besnikë të kodit zakonor. Shih në libër atë që ndodhi me Elez Isufin. Edhe i fuqishmi ulet para rregullit e itifakut. Unë jam nga Vlesha. Vlesha është fqinje me Sllovën, më saktë, me Pashnjarën. Është fqinje në fushë, tek ujërat, te përrenjtë. Dhe pashnjarasit janë ai fqinji i mirë që nuk të cyt as me dorë e as me fjalë.
Libri na josh e na kënaq edhe me fotot. Aty sheh Kaushin – atë pikën e veçantë të vrojtimit, Gurin e Zi – një pikë tjetër më e lartë vrojtimi, rrugën e asfaltuar automobilistike, toka të sistemuara e pemëtore, trumza e tërfil, shkollat e shtëpitë, një mjedis të shëndetshëm e plot ajër e dritë. Në Sllovë ka diell, – thotë autori, – se ka relievin për diell. Ka edhe vlagë. Dhe rrënjët e pemëve zgjaten drejt vlagës; majat zgjaten drejt diellit. Prandaj ka aq pemë. Duket sikur pemët, sidomos kumbullat shtohen vetiu. Mollët i kultivojnë. Çekët patën thënë (po e përsërisim): “S’kemi hasur askund në Europë mollë kaq erëkëndshme”. Ndoshta këtë aromë ua jep vlaga dhe dielli. Kundroni fotot, të bindeni për këtë. Nganjëherë, fotot flasin më shumë se fjalët. Dhe na bëjnë t’i hapim zemrat natyrës që na rrethon dhe ta sjellim bukurinë e saj brenda vetes. Le ta shohim bukurinë natyrore të Sllovës e të pasurohemi me të! Le ta shohin e të pasurohen me të – dhe të çmallen, sidomos ata që përkohësisht jetojnë larg Sllovës e larg Pashnjarës! Te paktën, të flladiten me të në feisbuk e jutub.
Për Pashnjarën e krejt Sllovën flet Kaushi. Flet Lapidari. Flet memoriali për dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare. Flet edhe ky libër i zotit Hidajet Lahi. Po t’i perifrazonim me një fjali këto që u thanë për librin e Hidajet Lahut, fjalia do të ishte: Kjo është Pashnjara. Kjo është Sllova.
Libri na josh edhe ne të tjerëve të shkruajmë. Për çfarë? Për shumë gjëra. Në libër thuhet se deri nga fillimi i viteve ’50 sllovasit e bënin pazarin në Tiranë. Për kripë e vaj guri shkonin. Nga Bulqiza e tej – nëpër Rrugën e Arbrit. Nëpër këtë rrugën, që sot është automobilistike e që e presim të përurohet sa më shpejt. Zakonisht, shkonin vargan. Dhe, në këto udhë me varganë kishte edhe biseda, humor, histori. Mund të shkruhet edhe për to. Edhe për shqipet. Dhe shqipet, – thotë autori, – fluturojnë në trajtë gjysmërrethi: Gjipsi i Vleshës – Kalis. Me zë të çjerrë. Me krrau-krrautë. Tani na duket se nuk ka më shqipe. Edhe për këtë mund të shkruhet. Mund të shkruhet për këngët që këndohen aq gëzueshëm në dasma. Mbi të gjitha, mund të shkruhet për njerëzit. Për njerëzit që gjejnë të mirën dhe gëzimin. “Mundohu të gjesh gëzimin në jetë, – thotë Benjamin Franklin (një udhëheqës i luftës për pavarësi në SHBA (1706-1790). Kjo është mënyra më e mirë për të të ardhur lumturia.” Libri i Hidajetit na ka çuar te njerëz të tillë.