Lutfi Manjani, kapiteni i përjetësisë!


Nga Defrim Methasani

Lutfi Manjani (në rreth) me ekipin e Korabit

Lutfi Manjani ishte futbollisti dhe mësuesi model, qytetari i devotshëm dhe familjari korrekt, njeriu që përmes punës dha shembullin e duhur për të shkruar emrin e mirë me germa të arta në historinë e një klubi të njohur si Korabi dhe një qyteti, po të tillë, si Peshkopia.
Më 5 janar 2023 zemra e tij ndaloj së rrahuri në SHBA në moshën 88 vjeçare, por ai la pas rrugëtimin e suksesshëm, ku padyshim vitet te Korabi i Peshkopisë në futboll janë kryefjala e kontributit në sport, pa harruar përkushtimin si edukator i brezave të shumtë në cilësinë e ish mësuesit dhe kujdestarit në shkollën e mesme “Nazmi Rushiti” në Peshkopi. Pasi mbaroi shkollën pedagogjike, djaloshi që vinte nga fshati Homesh i Shupenzës gjeti vetveten duke u angazhuar në disa ekipe sportive, si në futboll, volejboll e ping-pong, ku shquhej për aftësitë e tij tekniko-taktike, egon pozitive dhe luftën sportive për ta fituar çdo sfidë. Manjani do të mbahet mend edhe si kapiten i Korabit në vitet ‘62, kur skuadra arriti suksesin e parë historik të ngjitjes në kategorinë e parë. Për afro një dekadë ai ishte një lojtar kontribues, i cili me seriozitetin dhe korrektesën e tij kish fituar edhe shiritin e kapitenit. Qendërmbrojtësi stoik me Nr. 3 ishte një barrikadë e pakalueshme edhe për sulmuesit më të mirë të kohës në vend, si Pano apo Resmja, por edhe mjaft të tjerë që u përballën me skuadrën dibrane dhe duelet e tij në mbrojtje. Së bashku me kushëririn e tij Shemsi Manjani ata përbënin një duet të bukur dhe të forte për ngjyrat e Korabit, duke arritur edhe suksese të niveleve të tilla historike, pra, të ngjitjes në kategorinë e parë.
Ai ishte po kaq i suksesshëm edhe në volejboll, madje Korabi në këtë sport vetëm për një pikë skualifikohet në Sarandë përballë Butrintit, sepse ndryshe do të ngjitej në kategorinë e parë nëse do të fitohej ajo pikë e fundit dhe ai takim dramatik. Ky pasion e shoqëronte Lutfi Manjanin edhe në sporte të tilla të maleve dhe terreneve të vështira, si alpinizëm apo ski, sepse ai ishte njeriu i sfidave dhe djaloshi i guximshëm. Por një pasion i tij i jashtëzakonshëm ishte edhe ping -pongu, duke qenë një raketë fituese dhe një sulmues i frikshëm me goditjet e forta e të papërballueshme edhe me veteranët. Pasionin për këtë sport ai e vijoi edhe në moshën e tretë, duke marrë pjesë edhe në mjaft turne kombëtarë dhe mbarëkombëtarë së bashku me Shkëlqim Hoxhën, ish sportist dhe njëherësh edhe organizator i disa aktiviteteve të tilla dhe mjaft ping-pongistë të tjerë.
Luti të impononte respekt me atë buzëqeshjen dhe sjelljen e tij shembullore prej një dibrani burrnor dhe të mençur, duke shëmbëllyer me korrektesën e pashembullt në vendin e punës dhe jashtë saj. Ai punoi për shumë vite në shkolla të ndryshme të rrethit të Dibrës, në fshat dhe qytet, duke dhënë më të mirën e profesionit dhe duke lënë gjurmë kujtese për ish nxënësit dhe kolegët e tij. Edhe në konviktin e shkollës së mesme “Nazmi Rushiti” në Peshkopi punoi me përkushtim si kujdestar. Luti ishte vërtet një kujdestar i kujdesshëm për qindra nxënës, vajza e djem, duke luajtur rolin e një prindi të dytë, ku jetoi me hallet dhe problemet e tyre, pasi të gjithë konviktorët vinin edhe nga fshatra të largët të Dibrës, por edhe rrethe të tjera në veri të vendit.
Lutfi Manjani sot pushon në qytetin pa jetë, duke pikëlluar bashkëshorten e tij Sabrijen, por edhe fëmijët e tij, Gëzimen, Halilin, Afrimin dhe Meribanin, nipërit dhe mbesat, të cilët e deshën kaq shumë dhe bënë gjithçka sa ai ishte gjallë në respekt të njeriut të tyre të shtrenjtë. Po ashtu dhimbje ndjejnë edhe vendlindja e tij Dibra, ish nxënësit, ish kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e nderojnë edhe sot me respekt, për atë çfarë dha dhe për atë çfarë ishte në çdo dimension profesional, njerëzor dhe human. I paharruar qofsh profesori ynë i dashur! Prehu në paqe, sepse paqja dhe mirësia ishin dy anët e tua cilësore, krahas shumë gjërave pozitive që ti dhurove në jetë.