Vajkali, porta perëndimore e Dibrës


Vajkali ka qenë historikisht baza e minierës së kromit në Bulqizë dhe vetëm nga ky fshat kanë lënë jetën në minierë mbi 20 vetë.

Nga Adriatik Balla*

Vajkali është fshat famëmadh e historik në qarkun e Dibrës. Aktualisht përfshihet në njësinë urbane të Bashkisë Bulqizë. Fshati në fjalë shtrihet në pjesën më të sipërme të luginës së Bulqizës, në të dy anët e saj, në lindje të qafës së Buallit, në lartësinë 740-800 m (territori i fshatit shtrihet nga 720 m në zalli tek Pishat e deri në 2101m që është maja e Kreshtës së Balgjait).
Vajkali kufizohet në veri me njësinë malore të Balgjait, mal që bën pjesë në vargjet e Lurës, e në jug kufizohet me malësinë e Martaneshit, konkretisht me njësinë malore të Dhoksit. Në perëndim mbyllet me qafën e Buallit e në lindje mbyllet tek Gurët e Skënderbeut, duke pasur kufij mjaft të qartë natyror, duke u shtrirë në afro 40 km².
Vajkali ka një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, që lidhet drejtpërdrejt me qafën e Buallit, si urë lidhëse midis lindjes e perëndimit, lidhëse midis pellgut të Dibrës dhe atij të Matit e të Tiranës. Madje Vajkali është simboli më domethënës i rrugës së Arbrit.
Është katund që i përket Bulqizës së vjetër e që mbart mbi shpinë një histori magjepsëse. Nga gërmimet arkeologjike janë gjetur objekte me rëndësi e që sot ndodhen në muzeun e Dibrës. Këto objekte flasin për një “kulturë të Vajkalit”, por ende nuk ka gjurmime të mjaftueshme arkeologjike për të zbardhur plotësisht në çfarë shkalle ka qenë ky zhvillim.
Referuar Eqerem Çabej, Vajkal vjen nga latinishtja (Valis-Callis ose Vallis-Callis), që do të thotë rrugëkalim, rrugë kryesore ose rruga e luginës. Besoj se ky është interpretimi më i saktë që i është bërë këtij toponimi, edhe pse vendasit e lidhin me vaj (vajtim)-kali e disa të tjerë si lugina e kalit (kuajve).
Vajkali është vendi i dy prej betejave gjakatare që Skënderbeu zhvilloi e fitoi kundër ushtrisë osmane të drejtuar nga renegati Ballaban Pashë Badera (1465). Në këto beteja të fituara me gjak dëshmorësh, ka spikatur deri në madhështi shpirti liridashës shqiptar dhe arti ushtarak skënderbejan.

Vajkali ka një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, që lidhet drejtpërdrejt me qafën e Buallit, si urë lidhëse midis lindjes e perëndimit, lidhëse midis pellgut të Dibrës dhe atij të Matit e të Tiranës. Madje Vajkali është simboli më domethënës i rrugës së Arbrit.

Sipas një raporti të misionarëve italianë rreth vitit 1650, Vajkali ishte një fshat me popullsi myslimane dhe të krishterë, madje kishte 20 shtëpi të krishtera.
Në veprën “Kënga e Sprasme e Balës”, të Gavril Dara i Riu, përshkruhen mjaft saktë toponimet e vjetra që korrespondojnë të gjitha me emërtimet e sotme, përfshi dhe emrat e heronjve Nik Peta e Pal Golemi që kanë varret në Vajkal, pylli i Gropës, maja e Plakthit, plaku Bal, Gjergj Mirëshpaja (Mirëshpia) etj, etj.
Vajkali është vendlindja e Baba Fejzë Bulqizës (1803-1860), “Nderi i Kombit” dhe “Dëshmor i Atdheut”, klerik dhe patriot i madh shqiptar, i cili udhëhoqi një rebelim të armatosur kundër Perandorisë Osmane më 1860.
Vajkali është fshati ku i madh e i vogël, burra e gra, u rreshtuan në llogore gjatë luftës 9-vjeçare të Dibrës 1912-1921, gjë që na e shpreh mjaft mirë edhe raporti i komandantit qeveritar, kapiten Ali Rizait, që raportonte nga qafa e Buallit për qeverinë e Tiranës. “250 bulqizakë gjenden në vijën e parë të përplasjes. Kur nga Tirana nuk na vjen as buka, këtu nuk janë kursyer për ta ndarë kafshatën me ne. Jo vetëm burrat, por e shumta e grave bulqizake kanë rrokur armët dhe janë rreshtuar me burrat dhe vëllezërit e tyre për të ruajtur emnin e hymnueshëm shqiptar”. Në këtë vend, Bajram Curri dhe udhëheqës të tjerë kanë organizuar rezistencën antiserbe.
Vajkali është vendlindja e patriotit Mehmet Duriçi (1852-1925), udhëheqësit të çetës bulqizake midis viteve 1912-1921.
Në Vajkal u regjistrua një nga aksionet e para antifashiste në Shqipëri dhe kjo ndodhi para se Haxhi Lleshi të kthehej nga konferenca e Pezës në shtator 1942. Ky fshat ka dhënë, pra, një kontribut të rëndësishëm gjatë LANÇ-it.
Vajkali nuk ka qenë një vend i banuar dendur për shkak të kushteve jo të favorshme pedologjike. Fusha e tij ka natyrë ligatinore, gjë që kushtëzon toka jo shumë pjellore, plus që, duke qenë në fundin perëndimor të luginës së Bulqizës, në Vajkal konkretizohet gjithë forca e erës (murlani) që vjen nga lindja, duke bërë që Vajkali të jetë një prej zonave më të ftohta në Shqipëri, me temperatura që zbresin gjatë dimrit nën 20 gradë celcius, mesatarja vjetore afro 10 grade celcius. Sasia më e madhe e reshjeve 24-orëshe është regjistruar në stacionin e Bulqizës më 02.11.1957 dhe është 100.1 mm, e dyta shifër më e madhe është 75 mm (27.11.1983).
Në regjistrimin e popullsisë të vitit 1923 dhe në defterin e Teki Selenicës, Vajkali jepet bashkë me fshatrat e tjerë të Bulqizës e jo i ndarë. Bulqiza ishte fshat në nënprefekturën e Zerqanit me afro 2500 banorë. Por të dhëna më të sakta jep regjistrimi austriak i vitit 1916, ku Vajkali regjistrohet me lagjet Suroçaj, Aliaj, Ahmetaj, Duriçaj, Sallakaj, me një popullsi 787 banorë. Pas vitit 1960, Vajkali inkuadrohet si pjesë përbërëse e qytetit minator të Bulqizës.
Vajkali është fshat me shumë monumente natyrore, si Gurët e Skënderbeut (të dëmtuar disi në fillim vitet 90-të), Gurra e Kuqe, 6 liqenet akullnajore të Dhoksit që janë një perlë e vërtetë, ujëvara e Duriçit, kreshta e mprehtë e Balgjait që bie mjaft pjerrët mbi qytezën e re të Bulqizës, masivin pyjor me ahishte dhe halorë në Gatelli i Bulqizës rrëzë majës së Dhoksit, qafën e Buallit për vlerat didaktike të saj etj.

Vajkali është fshat me shumë monumente natyrore, si Gurët e Skënderbeut (të dëmtuar disi në fillim vitet 90-të), Gurra e Kuqe, 6 liqenet akullnajore të Dhoksit që janë një perlë e vërtetë, ujëvara e Duriçit, kreshta e mprehtë e Balgjait që bie mjaft pjerrët mbi qytezën e re të Bulqizës, masivin pyjor me ahishte dhe halorë në Gatelli i Bulqizës rrëzë majës së Dhoksit, qafën e Buallit për vlerat didaktike të saj etj.

Vajkali është fshat që ka burime uji të konsiderueshme, përrenj me ujë të vyer si ai i Duriçit, i Sharrës dhe përroit të Thellë.
Këneta e tij në zemër të fushës së Vajkalit është 10 hektarë.
Vajkali ka qenë historikisht baza e minierës së kromit në Bulqizë dhe vetëm nga ky fshat kanë lënë jetën në minierë mbi 20 vetë.
Vajkali është fshati nga ku kanë dalë inxhinierë të spikatur, ushtarakë të zotë e me funksione madhore, mjekë të shquar, piktorë, skulptorë, e deri biznesmenë të suksesshëm.
Sot, në Bashkinë Bulqizë, Vajkali prezantohet me dy lagje (Vajkal 1 në qytetin e vjetër dhe Vajkal 2 në qytetin e ri). Ky fshat ka sot mbi 1 mijë banorë.
Vajkali është vendi i basenit më të madh krommbajtës të Shqipërisë, njohur si masivi i kromit Bulqizë, që i ka dhënë vendit mbi 15 milionë tonë mineral kromi. Në territorin e Vajkalit, pranë qafës së Buallit, ndodhet gjithashtu fabrika e pasurimit të kromit.
Në trashëgiminë e zonës hyn veshja popullore mjaft e spikatur, e ruajtur prej të paktën 500 vjetësh, por Vajkali është, gjithashtu, vendburimi i shumë këngëve të famshme popullore, përfshi “Vajkaloren”, “Sheh Fejza…”, si dhe “Bareshën”, kjo e fundit këngë himn e folklorit shqiptar.
Nga kjo paraqitje e shkurtër enciklopedike kuptojmë që Vajkali i ka dhënë shumë Shqipërisë, por është vlerësuar shumë pak. Dhe, në fakt, sikurse e ka thënë një autor, historia e Vajkalit (rrjedhimisht Bulqizës), nuk është histori lokale por është histori kombëtare.
Ngjyrat që përshkruajnë Vajkalin janë:
E kuqja e gjakut, e zeza e kromit, e bardha e dëborës, jeshilja e pyjeve dhe livadheve, e kafenjta e kreshtave dhe shumëngjyrëshja e veshjes tradicionale dhe e jetes së banorëve të saj.
* Adriatik BALLA është Doktor i Shkencave Gjeografike.