Shungullime malli dhe dritëhijet e kohës


Shënime nga Firence

Nga Selman Mziu

Selman Mziu dhe Haki Përnezha

Ecja i menduar, pasi zbrita nga autobusi urban. Koka më shungullonte. Trotuaret ishin me gurë të skalitur. Kujtesa më çoi atje, te vendlindja. Te ato blloqe mermeri që skaliteshin nga muhuraku, brezhdanasi, luznaku, çidhnaku deri te bellovasi dikur patateprodhues. Ato nuk janë ma. Edhe unë veç lëshoi kamerat e kujtesës. Miniera më shfaqet si një përbindësh prehistorik i zgavëruar nga tretja, kalbëzimi. Nuk do të kalojë shumë kohë dhe uji, bashkë me llumin, baltën e kuqe do t’a mbulojnë. Po, kuota 443 m ashtë vendosur në projekt. E shkruar e zezë mbi të bardhë. Projekti asht gati. Dibranët në gjumë, ose të çarë në një mijë ashkla. Unë tani jam te sheshi “Republika” në Firence, Itali. Poshtë një dere me hark gjigant. Mijëvjeçarët veç e zbukurojnë. Unë, shqiptari i vogël, e vështroi çuditshëm.
Ulem në tavolinë me dy djelmosha, ndërkohë përqafoi fort Hakiun. Ky mysafir më ftoi mua për një kafe. Nuk e di pse i dua e admiroj pa kufi këto njerëz me emrin Haki. Ndoshta ndonjë emëruesi i përbashkët. Ndoshta fuqia atomike e disa elementëve të Mendjelevit. Ndoshta ngarkesa pozitive e elektroneve. Ndoshta shpirti dhe zemra e ndjejnë thellë dashurinë për dijen. Karriget, tavolina, kafeja e trupi im që dridhet pak sa. Ndoshta emocionet. Ndoshta buzëqeshja lulezonje e Përnezhës. Ndoshta fjalët e tij të ngrohta, mbushur me nektar përkujdesje, çiltërsie, dashurie të sinqertë. Ndoshta ujëkthjellti Drini i Zi, që i lirshëm udhëton e na bashkon. Po, tani, se më vonë vargonjtë do t’ia hedhin. Mjerisht. Fatkeqësisht. Dikush nuk arrin t’a kuptojë. Dikush pëlqen strukjen. Një tjetër kërkon të shtrëngojë fort lavdinë apo karrigen. Të tjerë kanë mbetur si pula të trullosura..
I qeshur pranë meje Hakiu, historian. Projektet e tijë. Piketat e studimeve historike. Shpurpurosen mendime autorësh shqiptarë e të huaj. Mirëpo kërkon, atje te trualli i ngjarjes, të gjejë fijet lidhëse. Toponime, kujtime, legjenda, rite, zakone. E kërkon epokat t’i lidh me mjeshtëri, këmbënguljesh në fakte. Unë dëgjoj i emocionuar nga gëzimi, nga malli që më merr për vendndodhjet e Kishave të Shenjtores Mari, të Gjergjit, Salvadorit (Shpëtimit), Dimitreos, Vasilit, Shën’tat. Balli me ndriçon nga lumturia që më zbut dhimbjet e trupit. Më shërojnë emra të tillë. Më miklojnë kujtimet e vegjëlisë. Më rritin besimin për t’i materializuar në letër edhe unë diçka për krahinën e Muhurrit ku shkulmon historia.
Por një mizë e jeshiltë, siç e përsëriste babai kur ndiente rrezik, po i sillet akolles (rreth e rrotull). Diga. Skavica. Fundosja në ujë. Po, pse? Për prodhim energjie, sigurisht. Që të shpëtojë fshatrat e Shkodrës. Edhe kjo e shkruar në projekt. Po dheun tim kanë ato. Po në mijëvjeçarët ma mori uji nga kodrat e Shumbati, nga Draj Reçi, nga Hoteshi, Ushtelenxa, Zimuri, Gjorica e Poshtme e kështu në pafundësi. Ne i mbrojtëm nga serbi e turku e derdhëm gjak. Po ne duhet të vdesim, të zhdukemi, që të shpëtojnë ata. Ah, qeveri mushkonjash! Ah, kohë e hakmarrjes mizore! Tani nuk ju duhem ma. Varroseni, ka mbetur shterp Dibra, thonë ato, qeveria e bandillave barkdhjamosur. E lotët më bien në pllakat e gurit te sheshi “Republika”. Nuk bien e të treten mbi tokën time. Jo, se ashtu deshën ato që përgatitën varrosjen time. Po edhe të varreve. Edhe të shpellës Zgjorgj, ku u gjet sopata prej guri e eshtrat e një gruaje mijëra vjeçare. Po, u ba kurban edhe ajo. Edhe mua e qindra mijëra buzëdrinasve po na bëjnë e na kanë bërë kurban. Po eshtrat e mia ku do gjinden?!
Eh, dibranët e mi! Eh, Haki kërkimtari, i pa lodhuri i etnokulturës, traditave e historisë dibrane! Kemi ramun në hekurat qark të kohës. Disa tallen. Disa qeshin me ne. Disa kanë zgjedhur mjerimin e një populli e mbi këtë kanë ngritur lumturinë e vetë. Të bëjmë ç’është e mundur për veten tonë, që të rifitojmë buzëqeshjen. Për brezat e ardhshëm që të ngrenë ngrehinën e jetës. E lumit Drini i Zi të mos e zhdukim, burgosim, tradhëtojmë.
Ndahemi me mikun tim dhe të Firences, Hakiun. Korrëm mendimet e njëri-tjetrit. Kënaqësia na lehtësoi. Fytyra e shpirti na buzëqeshi. Mallimi u shua. Por jo i gjithi. Të sotmen t’a jetojmë, të ardhmen t’a ëndërrojmë. Të përpiqemi të projektojmë atë.
Mirë u pafshim herë tjetër, këtu ku kam trupin ose atje ku më kanë mbetur rrënjët.