KESH publikon draft projektin e vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe social


Raporti Mjedisor dhe Social konsiderohet si një çështje e rëndësishme në vendimmarrjen për ndërtimin ose jo të hidrocentralit të Skavicës.

Shkurt 2023 – “Golder Associates S.r.l.” dhe “Gr Albania” kanë dorëzuar te Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) një draft të projektit mbi vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social.
Ky draft, i hartuar që në shtator 2022, është firmosur nga ekspertët e GR Albania më 7 shkurt 2023 dhe është publikuar në faqen e internetit të KESH në fillim të shkurtit.
Raporti është një përmbledhje e shkurtër prej 56 faqesh, në të cilën përshkruhen disa tema që kanë të bëjnë kryesisht me mjedisin dhe ndikimet që do sjellë rezervuari i Skavicës mbi të.
Në studimin e publikuar evidenton disa lloje bimësh dhe speciesh, të cilat mbrohen nga Direktivat Europiane të Habitateve dhe janë në listën e Librit të Kuq, në zhdukje ose drejt zhdukjes.
“Disa lloje bimësh me interes kombëtar dhe ndërkombëtar (Lista e Kuqe Shqiptare dhe Lista e Kuqe e BNRN – IUCN) u identifikuan gjatë studimeve në terren dhe janë të përfaqësuara mirë në zonën e studimit”, shkruhet në raport (f.8).
Në raport thuhet se “gjatë vëzhgimeve në terren, të kryera tashmë, u identifikuan disa lloje bimësh mjekësore me rëndësi ekonomike dhe shëndetësore për banorët vendas. Prania e ndikimit njerëzor në zonat e studimit ka krijuar mozaike me habitate të ndryshme që janë më të prekurat nga llojet e huaja dhe pushtuese”.
Në kapitullin për habitatet natyrore dhe të modifikuaram raporti thekson se “peizazhi përgjatë lumit Drin, në zonën e studimit, është kryesisht natyror me zona më të vogla të karakterizuara si bujqësore (të modifikuara). Karakteristikat natyrore të peizazhit konsistojnë në shtratin e lumit, bimësinë natyrore dhe morfologjinë, e cila nuk ndikohet nga strukturat e krijuara nga njeriu me përmasa të konsiderueshme. Zona konsiderohet me vlera të larta estetike”.
Duke folur për tokat bujqësore, raporti thekson se “Habitatet e tokave bujqësore të modifikuara dhe të rigjeneruara ndodhen brenda zonës së studimit. Zakonisht, ato mbillen me misër, perime dhe pemë frutore (kryesisht mollë dhe kumbulla). Në disa raste, si në Fushë Çidhën, produktiviteti i tyre është i lartë për shkak të pranisë së tokës aluviale të pasur me sedimente”.
Raporti evidenton se “disa habitate të tokave bujqësore janë braktisur për sa i përket menaxhimit produktiv. Duke qenë se janë në djerrë, ato kanë filluar të gjysmë-natyralizohen, duke u kthyer ne livadhe dhe te dominohen nga shkurre” (f.18)
Në raport listohen disa faktorët kryesorë të ndikimit që lidhen me projektet si emetimi i gazeve serrë; emetimi i substancave që shkatërrojnë ozonin; emetimi i pluhurit dhe grimcave; ndryshimet në morfologjinë lokale; heqja e sipërfaqes së tokës; kërkesa për ujë; shkarkimi i ujërave të zeza; ndryshimet në cilësinë e ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore;ndryshimi i veçorive të peizazhit; ndërtesat dhe infrastruktura të reja; heqja e bimësisë natyrore; ndryshimi në përdorimin e tokës; humbja e mjeteve/menyrës së jetesës; humbje ose dëmtim i drejtpërdrejtë i trashëgimisë kulturore dhe burimeve arkeologjike etj.
“Vlerësimi formal i vlerave të parametrave të lartpërmendur, duke përfshirë kohëzgjatjen e mundshme të ndikimeve negative të identifikuara, do të bëhet në një fazë të mëvonshme të procesit të VNMS-së, pasi të përcaktohen projekti përfundimtar, vendndodhja, zgjerimi i rezervuarit, kushtet e të dhënave të komponentëve,dhe kuptohet ndikimi i plotë i krijuar nga aktivitetet e Projektit”, shkruhet në raport.
Raporti ka evidentuar disa efekte negative përsa i përket gjeomorfologjisë, tokës dhe ujit.
Në raport thuhet se mund të ketë ndikim negativ erozioni i tokës, degradimi i cilësisë së tokës dhe të ujit, degradim i cilësisë së ujërave nëntokësorë, etj.
Në aspektin e biodiversitetit evidentohet humbja e drejtpërdrejtë e bimësisë ose modifikimi i saj si dhe zhdukja e disa lloje speciesh.
Të kapitulli “Komponentët sociale” (f.18-20), në çështjen “Përdorimi i tokës dhe zhvendosja fizike” evidentohen si ndikim negativ fakti se “Zona e ndikimit të projektit është në një kontekst rural, ku jetesa e komuniteteve lokale është shumë e varur nga bujqësia dhe aktivitetet e bazuara në tokë”. Evidentohet gjithashtu se “ jetesa e familjeve që jetojnë në zonën e rezervuarit do të ndikohet ndjeshëm”. Por për këto dy çështje, evidentohen edhe zgjidhjet pozitive të mundshme, si p.sh. fakti që “do të ndërtohen shtëpi dhe infrastruktura të reja dhe do të përmirësojnë nivelet e përgjithshme të jetesës së familjeve të zhvendosura dhe komuniteteve përreth”. Në raport thuhet se “do të zbatohen programe të restaurimit të mjeteve/mënyrës të jetesës, të tilla si programe bujqësore për të mbështetur adoptimin e pajisjeve dhe metodave të modernizuara”.
Përsa i përket trashëgimisë kulturore, studimi thekson se “trashëgimia kulturore e njohur dhe e panjohur brenda rezervuarit do të preket drejtpërdrejt dhe, në disa raste (objekte të paluajtshme) do të humbasin përgjithmonë’. Por ndërkohë evidenton se “gjetjet arkeologjike mund të kthehen në njohuri të shtuara mbi historinë e zonës së impaktuar nga projekti dhe të përfaqësojnë destinacione të reja turistike”.
Edhe përsa i përket infrastrukturës, “projekti do të ndikojë shumë në rrjetet ekzistuese të infrastrukturës duke përfshirë rrugët, shpërndarjen e ujit, shpërndarjen e energjisë si dhe komuniteti që përdor infrastruktura të tilla do të ndikohet drejtpërdrejt”. Raporti evidenton një rrjet ekzistues të dobët të kësaj infrastrukture dhe thekson se “infrastrukturat e reja do të jenë të standardeve të përmirësuara”.
Të njëjtin vlerësim ndan edhe për objektet sociale, si shkollat, klinikat shëndetësore etj., të cilat do të përmbyten, por “projekti mund të përfaqësojë një mundësi për të ndërtuar shkolla të reja, rrugë, kopshte dhe objekte të tjera sociale me standarde të përmirësuara”.
Në lidhje me turizmin, në raport theksohet se “disa aktivitetet turistike mund të shqetësohen gjatë fazës së ndërtimit” si dhe “disa destinacione turistike do të preken drejtpërdrejt nga përmbytjet”. Ashtu edhe si për komponentët e tjerë, në raport vlerësohet se “projekti mund të përfaqësojë një mundësi për të gjeneruar aktivitete të reja turistike dhe për të përmirësuar ofertën turistike”.
Për varrezat dhe objektet fetare ekzistuese brenda pellgut do të preken drejtpërdrejt dhe për këtë nuk ka zgjidhje pozitive.
“Ky identifikim i ndikimit rrjedh nga një fazë fillestare e analizës dhe do të përpunohet më tej gjatë aktiviteteve të ardhshme të VNMS-së bazuar në informacionin bazë më të saktë dhe informacionin më specifik dhe më të detajuar të projektit”, shkruhet në fund të raportin e publikuar.
Gjithashtu, në fund të raportit jepet edhe një draft përmbajtje e raportit përfundimtar të VNMS-së, i cili pritet të publikohet gjatë muajve në vazhdim.
Aktualisht Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është duke konsultuar me institucionet e tjera Raportin e Studimit Mjedisor dhe tashmë është një afat më pak se 1 mujor, ku raporti do të konsiderohet i përfunduar. Më pas, do të planifikohet dëgjesat me publikun, i cili duhet të njoftohet paraprakisht përmes mediave, me poster pranë njësive të qeverisjes vendore apo në faqet e internetit të kompanisë, KESH dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Pas konsultimeve me publikun, raporti i nënshtrohet një vlerësimi final nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, merr komentet online nga publiku deri në marrjen përfundimtare të firmës së Ministrit.
Raporti Mjedisor dhe Social konsiderohet si një çështje e rëndësishme në vendimmarrjen për ndërtimin ose jo të hidrocentralit të Skavicës.

Nëse jeni të interesuar për raportin paraprakt të vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe social, klikoni në linkun e mëposhtëm:
https://tinyurl.com/27ec9v56

Përgatiti: Bujar Karoshi