Nga Dibra në Dibër, përmes Trebishtit, Gjinovecit, Steblevës, Llakaicës…


Nga: FITIM DIKA

Tre dibranë dashamirës të historisë, traditës, kulturës dhe normalisht maleve të Dibrës, Butrint Sela, Brezar Dibra dhe Fitim Dika, fundjavën e parë të 2023 vizituan pjesën jugore të vendlindjes së tyre ose Malet e Kuqe, që tashmë ndër popull njihen me emrin ruso-sllav Jabllanicë-Shebenik.
Pasi gjerbën ekspresin në kafen Retro 2, tre bjeshkatarët me arushën e maleve Jeep Grand Cherokee nisen drejt këmbimores për të këmbyer ca dollarë e denarë në lek dhe më pas drejt kufirit rajonal Xhepisht-Trebisht, ku na pritsin dy policë, disi të lodhur nga vetmia, përkundër ajrit të pastër që mbizotëron aty. Është kufiri i hapur në kohën e Nikola Gruevskit dhe ku mendohet se po nga kjo rrugë është larguar drejt Hungarisë.

Pas kalimit të kufirit arritëm në Trebisht ku një flamur i zbehtë shqiptar valonte afër shkollës në qendër të fshatit. Aty gjetëm një plak dhe shumë kafexhi, ku duheshim të pyesnim se, a mund të shkonim lirshëm drejt Klenjës nga Gjinoveci i braktisur. Plaku i urtë pasi pa veturën dhe gomat e saj off-road tha se mund të dilni, por kini kujdes se rruga është copë-copë.

Gjinovec

Nisëm përpjetëzën me kthesa deri 150 shkallë, ku vërtet rruga ishte si mos më keq, por kjo edhe e “arsyeshme” pasi në Gjinovecin me dy kisha nuk pamë shtëpi me tym dhe asnjë banor. Nëpër varrezat e mesfshatit kishte ca kryqe dhe emrat nënkuptonin se këtu jetonin edhe minoritarë ortodoksë sllavë. Poashtu, në kishë ishte shkruar diçka në alfabetin cirilik. Në dalje të fshatit pamë dy barinj dhe ca dele që kullotnin, tipike e Shqipërisë, ku në çdo zgrip mali përsëri takon ndonjë person. I pyetëm për fshatin dhe si ndjeheshin, kurse përgjigjeshin, se ishin “minoritarë bullgarë”, duke i nënkuptuar se kishin marrë së fundi “pasaportën bullgare”.
Dikur kjo zonë mbahej shqiptare, pas pluralizmit anonin më shumë nga maqedonasit, kurse së fundit gati të gjithë ndjehen bullgarë.

 

Klenjë

Pasi kaluam Fushë-Klenjën, ku një lum pasi lëvizte i vetmuar humbiste në thellësitë e maleve, ngjashëm si lumi në Fushën e Panairit – Korab, të tre arritëm në Steblevën e tokave të Ataturkut. Një lum që përfundon mes shkëmbinjve për të dalë e buruar tjetërkund!

 

Steblevë

Aty gjetëm një bar-kafe tipike e fshatit, ku një burrë na priti përzemërsisht duke na sjellë kafe. Ai na gostiti me hallvë. Mikpritje e veçantë, ku pasi mori vesh se ishim nga Dibra e Madhe, nuk na i mori paratë. Jetojmë prej shumë vitesh në kryeqendra europiane, por rrallë ose asnjëherë nuk ndodh që pronari të qerasë nikoqirin e sapo njohuar në kafe. Vlerë e fshatit, prapambeturi e kryeqendrës.
Më pas erdhën edhe ca banorë të tjerë të fshatit dhe biseduam. Në pyetjen për kishat në Gjinovec, ata thanë se aty janë gjetur ca dorëshkrime 200 vjeçare, se kishat janë bullgare. E kuptuam edhe më tepër se ndikimi bullgar këtu ishte më i fuqishëm sesa i sllavëve të tjerë.

 

Llakaicë

Për të mos humbur shumë kohë, grupi nga Stebleva niset drejt “Green Pass” për të kaluar “ilegalisht” kufirin në Maqedoninë Veriore. Pas disa vështirësive në ngjitje me off-road, arritëm në një pllajë ku një pemë ishte rrëzuar në mes të rrugës sikur tregonte se mbaroi Shqipëria dhe fillonte një shtet tjetër. Pak metra më tej ndodhej piramida e famshme e ndarjes mbrapsht të kufirit, kur disa dhjetëra metra më tej një postë kufitare ish-jugosllave për të mbrojtur kufirin nga banorë me tipare dhe mbase gjen të njëjtë.
Dikur këtu lëviznin dhjetëra ushtarë jugosllavë e shqiptarë për të ruajtur kufirin, sot s’ka as udhëtarë për ta ruajtur dhe as polic!
Llakaica (Llakavica) ndodhej më tutje dhe rruga ishte e ndarë veçmas. Nga larg vëreheshin disa shtëpi të saporinovuara, por natyrisht bosh dhe pa asnjë person. Vendosëm të kalojmë nga Llakaica drejt rrugës për të dalë në magjistralen Strugë-Dibër, por ndodhi ajo që kishte vendosur natyra dhe ligji. Rruga në mes ishte derdhur dhe nuk funksiononte më, pasi shirat e rrëmbyeshme të para një muaji kishin nxjerrë jashtë shtratit ujin e lumenjve. Nuk mund të rrezikonim dhe kthyem mbrapsht nga kishim ardhur.
Dikur Llakaica ishte pjesë e qarkut të Steblevës dhe këto të dyja bashkë pjesë të Dibrës. Në këtë udhëtim, natyra sikur kishte dashur me zor rilidhjen e dikurshme mes Llakavicës e Steblevës, përkundër kufirit londinez të 1913. Pak rëndësi nga historia, por kjo zonë do zhvillohet vetëm nëse kufijtë anullohen, por natyrisht, së pari të rregullohen rrugët me asfalt.

 

Fushë Studën/Orenjë

Liqeni në Fushë-Studen

Fati jonë dhe i Llakavicës në javën e parë të 2023 ishte Stebleva dhe kthimi nga Qafa e Thanës. Nga Stebleva arritëm në Fushë Studën, ku liqeni ishte vërtet i bukur në mes të natyrës magjepsëse të pyjeve të ahut. Nga aty kaluam drejt fshatit Orenjë të Hafiz Sabri Koçit, rimëkëmbësit të madh të fesë myslimane ndër shqiptarë.
Mali që përmendet më së shumti ndër mediat perëndimore, është Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Në këtë park gjendet një pasuri e madhe e florës dhe e faunës. Shumë bimë si murrizi, boronicat, dredhëzat e egra, ndodhet me shumicë në këtë zonë. Edhe në librat e Mithat Frashërit, përmenden shumë eksplorues gjermanë, që prej para disa shekujsh, u ka bërë përshtypje bimësia e këtij masivi malor.

 

Qafë Thanë – Dibër

Pasi arritëm në Librazhdin me pak rrugë asfalt mes tij dhe Fushë Studenit, shkuam drejt Qafë Thanës, ku pak para se të kalojmë kufirin edhe hëngrëm shijshëm. Polici nga Maqedonia, mbase nga informacioni, mbase nga Jeep-i, na pyeti nëse kishim ardhur maleve. Pas përgjigjes të sinqertë tonën, vazhduam tutje dhe arritëm në Dibër përmes Strugës.
Dibra është e madhe me shumë zona dhe krahina, ku njëra ndër to është Golloborda e fshatrave të lartpërmendur. Nga kjo zonë kanë origjinën figura të njohura si Hoxhë Moglica, Qemal Stafa, Dritan Hoxha, – themeluesi i ndjerë i Top Channel, Adnan Ismaili i Shtëpisë Botuese “Logos”, Armando Sadiku i Euro2016, e shumë të tjerë. Ky vend ka nevojë edhe për më shumë investime. Shteti duhet të investojë që këtij vendi ti vijë pak “erë” nga shekullit XXI dhe jo mesjetë, me gjithë ato rruga të paasfaltuara.