Skavica – pikëpyetjet e një hidrocentrali që cënon Dibrën dhe luginën e Drinit të Zi


Në kushtet kur shkenca ka parashikuar që thatësira do të rritet gjatë këtij shekulli, është e pafalshme të bazosh perspektivën e energjisë së vendit vetëm nga hidrocentralet. Ndaj duhen gjurmuar alternativat, si energjia solare, ajo e erës etj, të cilat kanë më pak kosto, janë të pashtershme, e nuk sjellin dëme të tilla në mjedis e në ekonomi sikurse “Skavica”.

Nga Dr.ADRIATIK BALLA

Hyrje

HEC “Skavica” është një prej projekteve madhore të qeverisë shqiptare, një projekt që kërkon një investim midis 0.5-1 miliard euro, të cilat do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, me synim për të përmirësuar sistemin elektroenergjetik të vendit, me objektiv dy elementë thelbësorë: krijimin e një rezerve hidrike që i jep fund varësisë së vendit nga importi i energjisë (pra rritjen e prodhimit) si dhe evitimin e përmbytjes në zonën e Nënshkodrës. Por cilat janë të vërtetat shkencore në lidhje me Skavicën? Në çështjet e mëposhtme, duke dhënë argumentet tona dhe duke ngritur disa shqetësime qytetare, i mëshojmë faktit se Skavica nuk duhet ndërtuar, duke apeluar për gjetjen e burimeve të tjera alternative, që Shqipëria i ka me shumicë.

Disa të dhëna për hidrocentralet mbi lumin Drin dhe pikëpyetjet e Skavicës

Denatyralizohet lugina e Drinit të Zi, e cila ka një pjesë të rëndësishme të fondit bujqësor në Republikën e Shqipërisë dhe disa prej tokave më pjellore të vendit, si dhe shumë burime natyrore që janë mundësi zhvillimi shumë më tepër sesa një HC.

Kaskada e Drinit përmban disa hidrocentrale. HC i Vaut të Dejës, vënë në punë në nëntor 1971, ka 5 agregatë dhe një fuqi 250 MW. Prodhimi vjetor i tij është 1.1 miliard kilovatorë . Hidrocentrali i Fierzës është vënë në shfrytëzim në nëntor 1978. Ka fuqi të vendosur prej 500 MW dhe punon me 4 agregate. Prodhimi vjetor i tij është 1.8 miliard kilovatorë . Hidrocentrali i Komanit filloi ndërtimin më 1979 dhe përfundoi më 1985. Ka fuqi të vendosur 600 MW dhe punon me 5 agregate. Prodhimi vjetor i energjisë është 2 miliard kilovator . Nuk ka të dhëna të sakta se sa do të jetë fuqia e hidrocentralit të Skavicës, sepse deri tani është ecur me supozime ordinere (flitet për fuqi 250 MW, fuqi që nuk ndikon në mënyrë vendimtare në përmirësimin e sistemit tonë hidroenergjetik, pra dëmi i shkaktuar nga përmbytja është më i madh se fitimet).

“Të mbysim Dibrën, të shpëtojmë Shkodrën” përbën marrëzi shkencore

Shumë autorë insistojnë të ndërtohet Skavica për të shpëtuar Shkodrën nga përmbytja. Një qasje e tillë tërësisht e pabazuar në shkencë është në rastin më të mirë mosnjohje e problemit, e në rastin më të keq ligësi. Në asnjë vend nuk bëhen projekte për të sjellë lumturi në një zonë duke shkaktuar tragjedi në një zonë tjetër. Për t’ju kthyer argumentit, theksojmë se në periudhën ujëshumë dhe gjatë ditëve me shi intensiv, Drini i Zi kapërcen 1 mijë m3/s, dhe i bashkuar me Drinin e Bardhë para se të mbërrijë në Bunë, ata kapërcejnë 2-3 mijë m3/s, e një herë në 100 vjet mbi 4 mijë m3/s. Në këto raste të rralla, Drini i bashkuar me Bunën derdh në det një sasi mbi 6500 m3/s, duke ngjarë kështu me Danubin (Pano 2015). Atëherë, në kushtet kur prurjet janë maksimale si pasojë e zgjatjes së periudhës me shi, apo e korresponduar me shkrirjen e shpejtë të borës, detyrohen të hapen portat e të gjithë liqeneve, duke bërë që fusha e Nënshkodrës të jetë e rrezikuar nga përmbytjet. Duke njohur karakterin e reshjeve në vendin tonë, që bien kryesisht në periudhën nëntor-prill, si dhe rastisjet në 10, 20 50 e 100 vjeçare, bëhet e pamundur që Skavica ta luajë këtë rol, pra të evitojë përmbytjen e Shkodrës. Varianti më i besueshëm është që Drini, si pasojë e prurjes së madhe dhe derdhjes në Bunë me drejtim pingul me të, bëhet pengesë për Bunën në dalje nga liqeni, për pasojë rritet niveli i ujërave të vetë liqenit duke shkaktuar përmbytje. Por Skavica nuk mund ta evitojë këtë për sa kohë Buna, ka një kapacitet të vogël ujëpercjellës dhe aftësi të paktë për të zbrazur ujërat e shumta të liqenit. Kjo lidhet me shumë faktorë, por kryesisht cektësinë e shtratit të Bunës, apo mosgjetjen e një zgjidhjeje artificiale që ujërat e Drinit të menaxhohen sipas rastit duke aktivizuar edhe rrjedhën e vjetër të tij drejt Lezhës.

Mbi ndikimin negativ në tiparet fiziko-gjeografike

Nga 15 njësi administrative brenda Bashkisë Dibër, përfshi qytetin e Peshkopisë, preken plotësisht ose pjesërisht nga përmbytjet e Skavicës 9 njësi administrative, pra më shumë se gjysma e Bashkisë.

1. Ndikimi në proceset shpatore, pra ndryshimin e profilit morfogjenetik të shpateve si pasojë e ndryshimeve të nivelit bazë të erozionit për shumë degë të Drinit të Zi. Paqëndrueshmëria e shpateve do të çojë në rrëshqitje dhe ngopje me lagështi për t’i bërë shtresat më të paqëndrueshme dhe për shkak të denatyrimit të shtratit në rritjen e gjeohazardeve me shfaqje të reja e të panjohura më parë për këtë luginë.
2. Në aspektin gjeomorfologjik, liqeni krijon një ndarje të pjesës lindore të luginës me atë perëndimore. Kjo ndarje shënon edhe elementin më të rëndë negativ në tiparet natyrore, pasi, ndryshon tërësisht sistemi gjeomorfik i luginës së Drinit të Zi, me pasoja të pariparueshme në qindra e mijëravjeçar në mjedis.
3. Në aspektin klimatik, liqeni i Skavicës do të krijojë kushtet për një mikroklimë të rajonit, e cila do të specifikohet nga përmbajtja e lartë e lagështisë në ajër, për pasojë shtimin e fenomenit të mjegullës dhe rrjedhimisht ndikimin negative të treguesve të rrezatimit dhe treguesve të tjerë meteorologjikë, duke e bërë jetën e banorëve në pellgun e Dibrës më pak të shëndetshme.
4. Ndikimi negativ në pasuritë hidrike nëntokësore, pasi shumë burime aktuale me ndërtimin e Skavicës varrosen, po kështu ndryshojnë mjaft parametra të ujërave nëntokësore mbi pasqyrën e liqenit.
5. Ndryshime negative në tiparet pedogjenetike, ku tokat e begata të Dibrës si pasojë e denatyralizimit të elementëve të tjerë fiziko-gjeografikë, humbasin cilësinë e tyre për klimën ku janë formuar në mijëra vjet e për rrjedhojë do të ndryshojë tërësisht struktura e përdorimit të tokës, gjë që ka pasoja të rënda në prodhim dhe larmishmëri e për pasojë në shpopullim të vazhdueshëm.
6. Ndikimi në florë dhe faunë mund të llogaritet po ashtu katastrofik. Me qindra specie bimore e shtazore zhduken, për t’u lënë vend specieve që nuk janë karakteristikë për këtë luginë e për klimën e saj. Kuptohet, për këtë çështje kanë folur edhe autorë të tjerë.
7. “Skavica” shuan karakterin potamogjenik të lumit Drini i Zi. Digat e Vaut të Dejës, Komanit, Fierzës, si dhe 3 ujëmbledhësve të tjerë (HC) në pjesën e Maqedonisë së Veriut, kanë bërë që karakteri potamogjenik i lumit Drin të shuhet në pjesën më të madhe të tij. Ky karakter ruhet vetëm në sektorin nga Skavica e deri në Gjoricë. Nëse ndërtohet Skavica nuk do të kemi më “lumi Drin”, por do të kemi “kompleksi i liqeneve artificialë të Drinit”, shkurt “liqenet e Drinit”. Duke ruajtur të paprekur lumin Drini i Zi, mbrohet një nga pasuritë më të mëdha të natyrës shqiptare.

Ndikimi negativ demografik

Nga 83 fshatra gjithsej, që përmbyten plotësisht ose pjesërisht janë 35, të tjerët nuk përmbyten por dalin jashtë loje dhe zhduken sepse: ose u përmbyten tokat, ose u ndërpriten rrugën me qendrën administrative, u mungon komunikimi me pjesën tjetër, është e pamundur të riorganizohen me kushtet e sotme me të cilat ballafaqohen fshatrat shqiptarë në zonën verilindore të vendit.

Ky është një nga treguesit më tragjikë nga ky projekt. Skavica shpopullon Dibrën dhe këtu qëndron themeli i të gjitha çështjeve që ngrihen. Për shkak të pozitës gjeografike dhe rëndësisë së kësaj krahine në ngjarjet historike, Dibra është përballur me rrebeshe e fatkeqësi të mëdha përgjatë historisë. Tre janë periudhat kur është vënë në diskutim ekzistenca e saj. Fillimisht me pushtimin osman dhe masakrat e përbindshme të Sulltan Mehmetit në Çidhnë e në krejt Dibrën, duke bërë që krahina të humbiste pjesën dërrmuese të popullatës e të mbetej me pak mijëra banorë në fund të shekullit XV. Më pas me agresionin e egër serb ku llogaritet se nga treva e Dibrës u larguan deri në 70 mijë vetë dhe, së treti, shpopullimi si pasojë e emigracionit që po ndodh gjatë këtyre 30 viteve të fundit, e që sipas të dhënave që ka publikuar vetë Instat, është alarmant. Nga qarku Dibër gjatë këtyre viteve të fundit, është larguar mesatarisht çdo vit mbi 3 mijë banorë. Qarku ka humbur në 5 vjetët e fundit 12% të popullsisë. Skavica përshpejton zbrazjen dhe çon në shpopullim.
Shpopullimi dhe pasojat. Ndërtimi i Skavicës do të shpërngulë afro 20 mijë banorë. Por ndikimi negativ është për afro 50 mijë vetë. Kjo pasi dëmtohen interesat e 20-30 mijë të tjerëve që janë në emigracion por janë ende të lidhur me zonën. Ku do të sistemohet një numër kaq i madh njerëzish, çfarë pune do të bëjnë (kjo popullsi është e pakualifikuar për punë tjetër), cili do të jetë dëmshpërblimi i tyre? Çfarë do të ndodhë me varret e të parëve, me qendrat arkeologjike etj? Skavica nuk i përmbyt të gjitha vendbanimet e Dibrës, por përmbyt më kryesoret dhe ato më kryesoret (Fushë-Muhurr, Arras, Fushë-Çidhnë, Dardhë, Zall-Reç, Laçe, Katund i Ri, Vajmëdhenj etj), të cilat janë ekzistenciale për vendbanimet më në lartësi që janë të shpërndarë, të vegjël, me pak tokë, pa infrastrukturë etj.

Ndikimi negativ në infrastrukturë

Ndërtimi i HEC-it sjell një masë të madhe uji (mbulon një sipërfaqe mbi 55-65 km2), që e ndan luginën në dy pjesë, në lindje dhe në perëndim. Kjo e bën të pamundur lidhjen e tyre të shkurtër me ura dhe për të dalë nga një breg në tjetrin do të duhen tragete të vegjël apo varka, duke bërë që të humbasë koha, të rriten kostot e transportit, të mungojë lidhja e shkurtër e fshatrave me qytetin e Peshkopisë, praktikisht kjo çon në rrënimin përfundimtar të të gjithë fshatrave në të majtë të rrjedhjes, madje mund të shkohet deri aty sa të ndryshojë krejtësisht harta administrative.

Ndikimi negativ në ekonomi

Është fare e qartë tashmë se specialistët e dekadave më parë nuk kanë mundur të bindin se energjia e Skavicës do të sjellë më shumë fitime se produktet bujqësore e blegtorale të prodhuara në luginën e Drinit të Zi. Larmishmëria e produkteve bujqësore është mjaft e madhe dhe e dëshmuar në kohë. Lugina e Drinit të Zi është një hambar për Shqipërinë. Asnjëherë, në asnjë rrethanë, hidrocentrali i Skavicës nuk mund të prodhojë fitime sa ç’prodhojnë tokat e Dibrës. Analizat e specialistëve në atë kohë e në këtë kohë duhen marrë në konsideratë.

Shqetësimi qytetar dhe efektet negative social-kulturore e historike

Ky është një element i rëndësishëm që fokusohet në disa disa drejtime:
Shqetësimi juridik – Ndërtimi i një dige të tillë që përmbyt Dibrën, kërkon më së paku marrjen e mendimit të banorëve dhe në kushtet kur nuk ka marrëveshje dhe mirëkuptim, atëherë është kushtetuta ajo që paraqet nevojën e një referendumi lokal, ku populli i Dibrës të shprehet. Projekte të tilla që nuk dëshirohen nga banorët nuk mund të zbatohen. Ka plot shembuj në Europë dhe më gjerë të zbatimit të referendumeve lokale.
Shqetësimi që lidhet me historinë – Dibra është vendi i zbulimeve të mëdha arkeologjike, ku janë evidentuar shumë vendbanime prehistorike e historike me vlera të jashtëzakonshme, por për këto është shprehur më mirë arkeologu i njohur, profesor A.Bunguri. Lugina që përmbytet është baza e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme historike të popullit tonë dhe Dibra e ne të gjithë nuk mund të lejojmë të varroset poshtë ujërave të një hidrocentrali historia e saj/jonë.
Shqetësimi që vjen nga dëmtimi materialo-shpirtëror – Skavica përmbyt një kulturë, një qytetërim mijëravjeçar, përmbyt një histori, pra ajo përmbyt vlera historike, por edhe vlera materiale e shpirtërore të banorëve që i kanë të lidhura me tokën, shtëpinë dhe krahinën, me këngët dhe vallet, me veshjen, me traditat e çmuara të saj. Kjo dëmton lidhjen shpirtërore të banorëve të emigruar me zonën, pasi aty ndodhen varret e të parëve, ndodhet e shkuara e fisit, fshatit, krahinës dhe sikurse ka thënë autori francez Paul Claval, regjioni përcaktohet si një hapësirë ku fermentohet me natyrën ndjenja njerëzore e identitetit dhe Dibra e dibranët në veçanti, e kanë të shprehur këtë gjë.
Shqetësimi politik – i cili ka të bëjë me indiferencën e klasës politike, për më tepër që anashkalohet zëri i shkencëtarëve. Nëse ka një vendim për ta bërë ose jo Skavicën, atë vendim duhet ta marrin shkencëtarët e jo politikanët.

Konkluzionet themelore

Hidrocentralet janë gjë e mirë, energji e pastër, por ato ndërtohen atje ku logjika ekonomike është e shëndetshme. Të përmbytësh Dibrën ka pasoja të rënda.
Detyrohen të shpërngulen mijëra banorë (afro 20 mijë). Edhe sikur t’u ndërtohet gratis një qytet, shkohet në kolaps, pasi kjo popullatë nuk është e përgatitur (kualifikuar) për treg pune tjetër nga bujqësia dhe blegtoria, plus shërbimet që nevojiten kudo që t’i akomodosh.
Zhduken fshatra të tërë, 35 të tillë, dhe krejt toka e tyre bujqësore dhe lugina e Drinit të Zi është nga më pjelloret e Shqipërisë (4-5 mijë hektarë tokë shumë pjellore). Një hidrocentral më shumë nuk është më mirë sesa një hambar më pak. Hidrocentralet kanë një jetëgjatësi të caktuar (sepse vjen një ditë e mbathen nga depozitimet), kurse fusha (lugina) është brez pas brezi.
Dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme lidhja shpirtërore e banorëve me zonën.
Varroset historia e lavdishme e Dibrës, histori mijëravjeçare, ku spikat si “Olimpi”, Historia e Skënderbeut, heroit të vetëm kombëtar të shqiptarëve. Pra këtu bëhet fjalë për historinë e popullit shqiptar. Nuk ka Skënderbe pa Dibër e pa Dibër nuk ka Shqipëri.
Në luginën e Drinit të Zi, nuk mbetet më vend për të kujtuar luftërat skënderbejane të skalitura në historinë e Shqipërisë dhe ky është dëm kolosal, që shkel mbi amanetin e të parëve dhe shkërmoq identitetin e pasardhësve.
Denatyralizohet lugina e Drinit të Zi, e cila ka një pjesë të rëndësishme të fondit bujqësor në Republikën e Shqipërisë dhe disa prej tokave më pjellore të vendit, si dhe shumë burime natyrore që janë mundësi zhvillimi shumë më tepër sesa një HC.
Ndryshon krejtësisht skema ekonomike e zonës, deri në nivel qarku, ndërsa dendësia e popullsisë në më shumë se 2 mijë km2 midis Kukësit në veri, Mirditës e Matit në perëndim, Bulqizës në jug e kufirit shtetëror në lindje, bie në më pak se 20 banorë/km2. Në aspektin gjeostrategjik, ky do të ishte i dëmshëm për sigurinë e vendit, menaxhimin e resurseve dhe të ardhmen ekonomike të saj.
Nga 15 njësi administrative brenda Bashkisë Dibër, përfshi qytetin e Peshkopisë, preken plotësisht ose pjesërisht nga përmbytjet e Skavicës 9 njësi administrative, pra më shumë se gjysma e Bashkisë.
Nga 83 fshatra gjithsej, që përmbyten plotësisht ose pjesërisht janë 35, të tjerët nuk përmbyten por dalin jashtë loje dhe zhduken sepse: ose u përmbyten tokat, ose u ndërpriten rrugën me qendrën administrative, u mungon komunikimi me pjesën tjetër, është e pamundur të riorganizohen me kushtet e sotme me të cilat ballafaqohen fshatrat shqiptarë në zonën verilindore të vendit.
Popullsia gjithsej sipas regjistrit të zyrës civile dhe planeve të zhvillimit të vetë ish-komunave midis viteve 2005-2008, ishte 41558 banorë nga afro 80 mijë banorë në rang të Bashkisë Dibër (nga regjistrimi i censusit 2011 për këto 9 njësi administrative janë 29104 banorë). Natyrisht, në vitin 2022 ky numër është akoma më i vogël nëse ndjekim logjikën e migrimit masiv nga zonat malore drejt zonave fushore të vendit apo dhe emigrimit jashtë vendit. Kjo shifër, përafërsisht, në vitin 2022, për 9 njësitë administrative që morëm në analizë, është mes 15-20 mijë banorë.
Ndikimi i ndërtimit të Skavicës është për më shumë se 40 mijë vetë (që preken me dëmtimin e pronës, humbjet e lidhjeve familjare, kontaktet, bizneset etj), kurse që shpërngulen plotësisht është gati gjysma e tyre, afro 20 mijë vetë.
Pjesa që mbetet e paprekur, detyrohet të largohet vetvetiu pasi janë fshatra malorë pa të ardhme, me pak tokë bujqësore dhe larg qendrës urbane e administrative, larg shkollave, larg spitaleve, pa infrastrukturë rrugore e pa shërbime.
Shfuqizohet e gjithë veprimtaria e deritanishme në bujqësi, ku është derdhur djersë e gjak për ndërtimin e qindra kilometrave kanale, sistemimin e tokave, pyllëzime artificiale etj, një punë heroike ndër breza, e cila nuk ka çmim.
Në kushtet kur shkenca ka parashikuar që thatësira do të rritet gjatë këtij shekulli, është e pafalshme të bazosh perspektivën e energjisë së vendit vetëm nga hidrocentralet. Ndaj duhen gjurmuar alternativat, si energjia solare, ajo e erës etj, të cilat kanë më pak kosto, janë të pashtershme, e nuk sjellin dëme të tilla në mjedis e në ekonomi sikurse “Skavica”.
Skavica, sipas pretendimeve të zyrtarëve, përmirëson sistemin hidroenergjetik të vendit me maksimumin e vet 10-12%, ndërkohë që humbjet në rrjet si pasojë e abuzimit, vjetërsisë së teknologjisë, keqmenaxhimit, problemeve në sistemin e shpërndarjes etj, shkon nga 18-30%.

Marrë nga gazeta “Sot”. Botohet me shkurtime. Shkrimin origjinal e gjeni në:
https://tinyurl.com/45aa9htd