Poet, tregimtar, romancier, eseist, autor skenarësh për film e TV, njohës i gjuhës dhe i letërsisë frënge, nga e cila përktheu dhjetëra drama, klasike e moderne, romane, ese…; që nga fillimet i ushtron paralelisht poezinë dhe prozën; realiteti që e përfshin brenda tre llojeve letrare është konsistent dhe unik, në përmbajtje, në kohë, në hapësirë; ndjesia, perceptimi, artikulimi artistik i botës përreth është veçantia e parë e krijimtarisë letrare të Bashës; ritmi i botimeve i maturuar, – çdo 2-3 vjet me nga një libër, pa bujë, pa paralajmërime e paslajmërime; konstant si në jetë, si në letërsi, si në format dhe veshjet narrative, që nga botimet e para në poezi dhe tregime, këtu e 50 e më shumë vite; artin e vet e sjell me gjuhë plotësisht dalluese, në kuptim të drejtpërdrejtë të fjalës, të veçantë në letërsinë bashkëkohore të shqipes; groteskore, përqeshëse (qesh e ngjesh…), me tis të hollë, elegant absurdi; me optikë narrative të përthyer, të zhvendosur të botës, të përditshmërisë konkrete, gjithë nuancime të holla, estetikisht perfekte; gjithë duke ia lënë të hapur dritaren lexuesit që optikën zhvendosëse narrative ta kthejë në kënd real dhe ta shohë si në dritë të diellit hapësirën ku lëvizin personazhet, botën tonë përreth, të përditshmen, sidomos atë, pjesën e kontaminuar, agresiven dhe depresiven…
Gjithë në këtë rrafsh, skrupuloziteti mimetik i Bashës, qoftë i mbështetur në traditën narrative, poetikën lirike romanore dhe tregimtare dhe trendeve të saj; besueshmëri perfekte mes faktit dhe trillit, mes të thënës dhe të fshehurës, mes shtesës dhe shkurtesës, mes vënies dhe fshirjes së thojzave – e kisha me shaka dhe seriozisht, mes buzëqeshjeve ironike dhe refleksit brengosës, detajeve dhe tërësisë…
Çfarësia që e rrethon autorin ndërsa, përditshmëria e trazuar, ajo më acaruesja përballë, ka vlerat e lënduara, jo rrallë të kthyera kokëposhtë; shkelja pa skrupull e tyre nga një etje për pushtet – (etja për pushtet është më shqetësuesja, më e liga etje e njerëzimit…), që nga derivojnë etjet e tjera, – pushteti i lekut, pushteti i postit, pushteti i shthurjes së moralit dhe deri te agresiviteti, brutaliteti, injoranca, dhuna, kriminaliteti…; aq sheshit dhe të ushtruara thuaja publikisht në hapësirën tonë ballkanike… Këtë ngarkesë bartin në strajcat e tyre personazhet e shumtë të Bashës, që në fillimet krijuese të tij, gjithë me substancë të pasuruar edhe në tregimet e librit që kemi përpara; i gjen, tërë spektrin shtresor të njerëzve, që nga rruga, kafeneja, zyra, sheshi, tregu e kudo shfaqen personazhet që, me veshje, sjellje, gjuhë, e begatojnë prozën me rrëfim fare të veçantë, rrëfim që e identifikon autorin që në pasusin e parë të tregimit….;…
Lexo më shumë