Djavoliada bashkëkohore e Ramiz Gjinit

Nga: AGRON TUFA

Pas pesë vëllimeve me tregime dhe romanit të parë “Rrëketë”, i konfirmuar si një ndër mjeshtrat e prozës së sotme bashkëkohore, shkrimtari Ramiz Gjini vjen këtë herë me romanin e dytë “Bibollasit”, i cili është vazhdim në frymën e romanit të parë, apo më saktë, përbën dylogjinë satirike mbi Bibollin.
Bibolli është një topos letrar alegorik i sajuar prej autorit, në akord me traditat aluduese të shumë shkrimtarëve që vendosin koordinatat e atdheut të tyre letrar eksperimental, sikundërse, fjala vjen, Yaknapatofa e Folknerit.
Situatat dhe skenat e shumta komike në romanin “Bibollasit” përshkohen nga humori i zi, absurd, plot elemente fantastike e demonologjike, duke krijuar një strukturë shumështresore dinamike të një rrëfimi të gjallë e sugjestionues. Është një roman që përfshin universalet absurde, nonsensin e përditshmërisë, kaosin psikologjik të një shoqërie të dalë nga diktatura. Afreska rrëfimore të rrëmbën me një galeri tipash naivë, megallomanë, mashtrues, simulakër e psikopatë, por që secili bart të vërtetën e tij. Para nesh kemi një penë mjeshtërore, një rrëfimtar të lindur, që zbulon nëprmjet humorit të zymtë, plot poezi, diavoliadën shqiptare të kaosit individual e shoqëror. Edhe pse personazhet janë thuajse të gjithë negativë, antiepikë e kontradiktorë, këta antiheronj janë përshkruar me dhimbje, përvujtni e dashuri, një karakteristikë e hershme që i dallon të gjitha krijimet e Ramiz Gjinit.
Bibolli i Ramiz Gjinit është një kategori kohë-hapësinore marrëzish saturnale, ngërdheshëse, një bashkësi që ka dalë nga ploja diktatoriale, një pluhurnajë njerëzore psikopatologjike, e cila me thërmijat e rrënojave të diktaturës, kërkon të ngjizë planetin e vet, ekzistencën e vet autentike, të disiplinojë kaosin individual dhe shoqëror në një farë rendi e regulli. Dhe pikërisht në këtë rrekje hapet paradoksi i madh i greminës, që nxin e thëthin konstruktet mendore, shpirtërore e utopike të protagonistëve të romanit, pa ia dalë dot t’i japin trajtë e formë kaosit në kozmos. Në këtë kuptim sarkazma e romanit fikson dështimin spektakolar, bëhet apoteoza e dështimit mu përmidis euforisë, shpirtit luftarak që ushqehet me sllogane dhe mbështetet mbi stërkëmbsha. Egoizmi i sëmurë, përpjekjet sizifiane të protagonistëve krijojnë veçse një shtijani, simulakrum, fiktivitet shoqëror, duke përfunduar në një bufonadë patësosur. Duket se qyteti që shtrihet poshtë “malit të Hidrës me shtatë krenja”, më parë se nën hijen e një demoni mitologjik, gjendet në grackën e një mallkimi që i vjen nga e shkuara, prej së cilës çlirohen impulse fatale, siç ndodh rëndom me shoqëritë e keqvendosura, që hedhin shtat të zi në ekzistencën e vet. Duket se vështrimi nga “mali i Hidrës me shtatë krenjë” është i vetmi horizont perspektiv që mbyllet kërcënueshëm për çdo ardhmëri shpresëdhënëse.
Ka një personazh konstant që shoqëron aktet dhe motivimet e bibollasve, një personazh që shkakton çrregullimet, anarkinë, perversitetet e përditshmërisë, që është kryeshkaku, neuroza, pengu që s’le askënd të qetë dhe që në roman dhe ndikon si sëmundje lënguese pa shërim. Ky personazh është mërzia e thellë. Ajo modulon formën e monologut, arsyetimit, bëhet shkak depresionesh dhe befas shpërthen në suicide qesharake m’u përmidis entuziazmit të heronjve. Mërzia e thellë është një brengë e trashëguar në kodin psikogjenetik të heronjve të Bibollit. Ajo ngre krye dhe teptis në minuta fatale në fatin e heronjve, si diçka e dhënë, së cilës nuk i shmangesh dot. Madje edhe marrëzitë, aventurat e trasha, sharlatanizmat, batakçillëqet – të gjitha bëmat qesharake e të turpshme të protagonistëve, sprapsen para pllakosjes së mërzisë së thellë: gazi shuhet dhe në vend të ngërdheshjes, vërshon proza e zymtë, analitike e meditative me pikëpyetjet e zeza që nxijnë brenda kokës së heronjve. Vjen pikërisht ai çast kritik zbulese kur personazhi qendror prek natyrën iluzore të gjithçkaje ekzistuese: bota shndërrohet në ëndërr, vegulli, fanitje dhe s’ka asgjë të qëndrueshma përveç ndoca aludimeve të tretura në hamendje. Hamendje janë bëmat, fjalët, gjestet, veprimet, opinjonet; hamendje është krejt realiteti dhe vetë ekzistenca tkurret në një hamendje.
Çfarë përfaqëson letrarisht Bibolli dhe bibollasit e Ramiz Gjinit? Mua më duket se kemi të bëjmë me farsën e një utopie ideologjike shoqërore. Në thelb parodia e romanit rrok çarjen fundamentale midis ideologjisë slloganore të korrupsionit dhe praktikave të neveritshme për ta mishëruar realisht atë. Njeriu si më parë është po ajo krijesë egoiste e ideologjizuar nën diktaturë, e cila ka përshtatur në mënyrë politkorrekte një ideologji tjetër (të demokracisë dhe lirisë), e cila është po aq shtypëse dhe e hidhur sa e para. E në këtë kuptimi kjo vepër e Ramiz Gjinit është një model, ndonëse përmes humorit të zi, i romanit antiutopik apo utopisë së keqe.

II

Fijet e bëmave (çka përbën dhe shtratin e historisë së romanit “Bibollasit”), shtjellen rreth protagonistit qëndror të rrëfimit, Zav Tarrotës, një hero arketipal i “popullit të madh”, i pashkollë, i zgjuar e dinak, por tepër i sinqertë në heroikën e tij të përditshme për mbijetesë familjare. Atij i duhet të përshtatet që të fitojë “bukën e përditshme” për familjen e tij të madhe, andaj, pa ndonjë profesion të qëndrueshëm, ai bën çfarë i vjen ndoresh në kushtet e “ligjit të xhunglës”. Për të ideologjitë dhe bindjet politike partiake nuk kanë vlerë, nëse nuk i shfrytëzon për të siguruar ekzistencën e familjes së vet halleshumë. Prandaj zanatet dhe punët e tij janë aq të larmishme, sikundër është spontane vetë përditshmëria konjukturale e Bibollit. Zavi lufton me armët e tij, duke u shtyrë në “rrymë” nga njëri interval në tjetrin, nga njëra situatë në tjetrën, si një qenie itenerare. Logjika e kësaj përditshmërie është po aq absurde, sa edhe zanati që ushtron ai në faqet e romanit: zejen e kapjes së mizave dhe buburrecëve nëpër shtëpitë private. Maksimumi i perspektivës së kësaj pune absurde, është shpresa e Zav Tarrotës mos këtë punë, me ndërhyrje e miqësi, e zhvendos nga sfera private në atë shtetërore. Një status i tillë do ta bënte Zavin të ndjehej më legjitim. Më saktë kemi të bëjmë me një metaforizim të nonsensit, sipas idiomës popullore “me vra miza”. Kjo llojë pune e shpie Zavin nëpër shtëpi të ndryshme të qytetit, nëpër personalitetet e shtetit dhe nëpërmjet këtij truku narrativ, përftojmë dhe një guidë njohëse me personat që përbëjnë “ajkën” e Bibollit. Rrëfimet ndjekin njëri-tjetrin duke u dërdhur së bashku në një rrjedhë dinamike, derisa ky hero i “heshtur”, pasi ka shitur “enigmat e veta në trajtë pikëpyetjesh të zeza”, i zbrazët e tëhuajësuar, dehet për shkak të mërzisë së thellë, bie në një gropë me beton të freskët në mes të sheshit dhe mbetet ashtu të nesërmen, i betonuar për së gjalli, përmendore e gjallë, mu në ditën kur në shesh çelet panairi i ushqimeve.
Pikërisht atëherë ky personazh i pavënëre, bëhet çështje publike dhe shteërore. Rreth tij grumbullohen sehirtarët, elita politike dhe shoqërore e qytetit; të gjithë kërkojnë një zgjidhje, sikundërse gjithkush kërkon të nxjerrë përfitime politike apo projekte paradoksale biznesi. Parimi “panair” rreth heroit të betonuar për së gjalli deri në gju, dendësohet me figura të reja, duke e shpërhapur rrëfimin në rrathë koncentrikë, në spirale nivelesh të reja, duke e zgjeruar vazhdimisht tablonë. Shteti, policia, feja, artistët e kundrojnë spektaklin tragjikomik, duke vënë në lëvizje mekanizmat e “shpëtimit”, që janë veçse përrënj të një retorike shterpë, të cilat ngadalësohen nga teka e një bosi të huaj të një fondacioni bamirës (njëkohësisht dhe një lloj çiçikovi modern, që është marrë me blerjen e kufomave) – atij i ka shkrepur ta filmojë ngjarjen nga një këndvështrim filozofik, për t’ia shitur një kanali të huaj. Me gjithë masat e marra në shkallë shtetrore, Heroin nuk e çlirojn shteti nga betoni (edhe këtu - një zgjerim ironik i idiomës frazeologjike mbi shtetin, i cili “nuk nxjerr dot qimen nga qulli”), por vetëm ndërhyrja konkrete e të nipit. Heroi kthehet në shtëpi i shfytyruar dhe i neveritur nga marrëzia kolektive, për të ndjekur i shtangur e pa fjalë spektaklin vetshkatërrues të bibollasve. Raporti i njeriut me shtetin, ndonëse në rrëfim kemi një prani të dendar e sunduese të të gjitha formave të mundshme të prezencës së shtetit. Mbetet raporti i një shprese të hedhur dëm, i një pritjeje të zbrazët, pa dalëzotës, i braktisur në një botë kërcënuese, jetime. Pikërisht jetimësia është ndjenja zotëruese në fatet individuale, por vini re, autori përmes paraqitjes së bëmave dhe qëllimeve të tyre, na e jep të gjallë kapërthimin e gjindjes, e cila përpiqet t’i zërë frymën njëri-tjetrit, duke hapur një gropë të madhe për vete dhe të tjerët. Ata nuk janë veçse një turrmë pa ndjenjën e perspektivës, një makth i verbër që rrokulliset drejt greminës. Dhe ky qëndrim kritik i autorit, na paraqet larg formave pseudohumaniste, se nuk mund të ketë shpresë në popull, pasi ai është një koncept amalgamë i shume heterogjene konfuzionesh. Një popull pa ndërgjegjen e elitës, është trup shumëgjymtyrësh pa kokë, pra, turrmë.

III

Romani “Bibollasit” tipologjikisht i përket asaj paradigme të veprës satirike, që origjinën e saj e nis me stërgjyshen e gjinisë së romanit “Gargantua dhe Patagryeli” të Rabëlesë, mandej me “Don Kishotin” e Servantesit, “Shpirtra të vdekur” të Gogolit dhe më vonë, me “Shvejkun” e Hashekut. Pra formalisht romani i Ramiz Gjinit është brenda një tradite klasike shekullore në formën dhe tipin e të qeshurit brenda peisazhit tradicional të kulturave gaztore popullore të Europës. Krahasimi, vetëkuptohet, ka të bëjë me traditën e zhanrit. Në kulturën tonë letrare, nëse lëmë mënjanë minuset ideologjike, e kanë praktikuar Qamil Buxheli (“Nën hijen e Dordolecëve”, “Kariera e zotit Maksut”), Kolë Jakova (Fshati midis ujërave”), Dritëro Agolli (“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Arka e djallit”) deri tek Virion Graçi (“Shpata e ndryshkur”, “Bijtë e zotit majmun”). Nga pikëpamja jashtëformale e të qeshurës, sigurisht, romani i Ramiz Gjinit, përfshij dhe paraardhësin e tij, romanin “Rrëketë”, nuk hyn në marrëdhënie krahasimore me autorët e përmendur, por shënon një stad të një ironie në letrat shqipe, e kjo është cilësia e të qeshurit me pafuqinë, sepse ironia është nëna e pafuqisë për ta ndryshuar rendin e gjërave.

Një ndër virtytet e prozës së Gjinit është krijimi i skenave komike që përshkallëzohen pasforcueshëm në një të qeshur totale, gjithëpërfshirëse, e cila vjen si kundërvënie dikotomike midis së lartës dhe së ulëtës, midis frymës së qëllimit dhe praktikës banale, midis retorikës së lartë dhe fiziologjisë poshtëruese, shpirtit dhe materies etj. Ligjërimi artistik hapet sipas ligjeve tradicionale me situata kinse të rëndomta dhe përfundon duke depërtuar nga shtersat objektive, në shtresa tepër të individualizuara e subjektive kohërash e situatash, në kërkim të një thelbi metafizik e irracional, në misterin e personalitetit të protagonistëve. Struktura narrative është e nginjur me një mori detajesh, përshkrimesh, peisazhesh psikologjike, ëndrrash, vegimesh, shajnish, dialogjesh e monologjesh që përimtojnë një shtresë të tretë, minimaliste e subjektive të personalitetit. Por kemi një shtresë të katërt, që përbën një ndër risitë autentike të autorit, të cilën mund ta quajmë “dimensioni okult, demonologjik”, me faktorizimin e “djajve mikroskopikë”, të cilët krijojnë alibi, punojnë rrengje dhe nxjerrin fate e nga binarët. Personazhët janë të dubluar në vazhdimin e projksionit të tyre nga djajtë e vegjël, të cilët, herë pas here e rrëmbejnë vetë në dorë rrjedhën e ngjarjeve. Metafizika e kësaj shtrese fantastike (e cila rëndom ka qenë një truk i veprave epike popullore), është përshkallëzuar më tej, sipas një teknike surreale, me një organizim onirik të jetëve paralele, të pavarur, pasi në sasinë e shejtallëqeve të tyre, ata ngrihen në gradë shkencore, në master dhe doktor shkencash, me komisionet vlerësuese përkatëse. Hierarkia plurale e realiteteve në roman ndërlikohet duke zbritur në rrafshe minimaliste, çka e radikalizojnë natyrën karikatureske të personazheve. Djajtë e vegjël që kanë pushtuar hapësirat hipokrite, servile e të korruptuara të Bibollit, duken madje simpatikë në rrengjet që u punojnë njerëzve. Ata i shtijnë në ngasje mendjet e njerëzve dhe krijojnë një spektakël humoristik më vete e për vete. Duket se në realitetin bibollas, edhe bëmat e djajve janë më simpatikë se ato të njerëzve. Përmasa demoniake ala faustiane e djajve mikroskopikë, që me emrat e tyre thellojnë karikaturën e thelbit të deformuar njerëzor, të kujtojnë suitën e personazheve të Djallit në romanin “Mjeshtri dhe Margarita” të Mihaill Bullgakovit dhe misionin e tyre në Moskën staliniste. Në “Mjeshtri dhe Margarita” ka një epigraf nga “Fausti” i Gëtes: “...Kush je ti fundja më në fund? Unë jam pjesë e asaj force, që tërë kohën nisem të bëj keq e që përfundoj duke bërë mirë”. Edhe në romanin e Ramiz Gjinit ekuilibri i së Mirës dhe së Keqes është prishur, por djajtë ruajnë vetëm karakterin përqeshës “përtej së mirës dhe së keqes”. Njeriu në romanin e Ramiz Gjinit “kapet gafil” në momentin diskret dhe atëherë pas maskës së tij, del kafsha e maskuar keq. Një vërshim i aq i fortë i kafshërores i bën një rradhë episodesh romaneske të ngjashmë me monstrat e përçudnuara në pikturat e Hieronim Boshit, duke i dhënë të përpjetë elementit surreal në vepër. Bibolli na del edhe si metaforë e qytetit të shthurur në mëkate të trashëguara, një lloj qyteti i mallkuar, i dënuar të vuajë – antiteza e qytetit të shenjtë e të bekuar, Jeruzalemit – qyteti lavire i Babilonit (gjykoni mbi ngjashmërinë Biboll – Babel – Babilon). E nëse është kështu realizmi fillestar e formal, rrëshqet pandalshëm në elemente të forta të estetikës postmoderniste, siç janë hiperteksti, autocitatet, pastishi, lojërat me kohën, përshendetjet e maskuara, parodia, fetishizmi, fragmentariteti, përmasa virtuale dhe okulte, kodimi i dyfishtë etj, të cilat përbëjnë një formacion stilistik të nginjur të lojës dhe tillit imagjinar.

IV

Nocionet dhe kategoritë kuptimore, racionale në vepër nuk arrijnë të kenë konstrukt të qëndrueshëm. Rënia, shthurja, degradimi dhe shpërfytyrimi përbëjnë një proces entropik që përfshin rrafshin individual. Metamorfoza humbet kontrollin. Mendja, në dukje e shëndoshë, pëson difekt në detaje të vogla, derisa e fut personazhin në kriza depresive. Dezintegrimi i vetëdijës merr shkak nga humbja e kontrollit mbi kujtesën. Romani hapet me një rrjedhje anormale të kohës. Ajo ecën sipas një ritmi epileptik, me konvulse, shpejtësi e bllokime të papritura. Është vetë kjo rrjedhë dhe përjetim i kohës, që nuk u jep mendjeve të Bibollit kthjelltësinë e duhur e të shëndoshë në arsyetim (personazhi i pushtetit për pak sa nuk vdes nga çmërsi i kujtesës, që nuk e lejon të gjejë mbiemrin e një prej shtëtëmbëdhjetë Filave të vdekur. Herë tjetër protagonistit nuk i kujtohet emri i djalit të tij të sapolindur dhe nëpunësi i gjendjes civile për pak sa s’e vret në kriza nervozizmi). Kujtesa si metaforë është difekti që ka pësuar “shigjeta e kohës”; ajo nuk shërben më si orientim për të lidhur kohën me hapësirën, njeriun me historinë, brezin me brez, traditën me traditë, ideologjinë me humanizmin. Qenia individuale dhe shoqërore gjendet e shkëputur nga çdo proces normal, e izoluar me ekzistencën e saj të vetmuar e në krizë.
Autori ka krijuar afreska psikopatologjike sociale plot kolorit dhe poezi absurde. Vërshojnë shembëlltyra kohërash të tjera në rrëfim, idhuj masovikë, sikundër vjen vizita e “hazretit Lenin” në kasollen e plakës Xhabie, e cila s’ka pranuar të hyjë në kooperativë, dhe grindja absurde e tyre mbi drejtësinë e ndarjes së një kokrre lajthie. Apo entuziazmi i personazhit të sapopranuar në parti, që sulet dhe përqafon njerëz, kafshë e sende, kush t’i dalë përpara... Një efekt të fortë komik që e përbashkon sociumin e Bibollit është epidemia e kruarjes. Gjatë gjithë romanit personazhet kruhen, kruajnë njëri-tjetrin sa i nxjerrin gjak. Në bazë të afërsisë apo tarafëve, krijohen grupe e sekte të mbyllura njerëzish që kruajnë njëri-tjetrin, aq sa metafizika e kruarjes themelon edhe etikën e saj, sipas së cilës rrjedh postulati: “më kruajte, të kruaj” - një tjetër zgjerim metaforik i idiomës “me u krujtë me njeni-tjetrin”.

V

Gjuha e romanit “Bibollasit” është qartë, por jo e thjeshtë. Me një organizim sintaksor të rrjedhshëm ku mbizotërojnë fljalitë me periudha të shkurtëra, Gjini të ndërmend stilin e bukur klasik floberian. Thyerjet e shpeshta që ndodhin në përputhje me natyrën heterogjene të teksteve, karakteristikat tipizuese në ligjërimin e personazheve, përshkrimet dhe vërshimi i dialektit, e ngjyrosin stilistikisht miksturën e tekstit në përputhje me statusin social, prejardhjen krahinore dhe manierizmin zyrtar e profesional me bazë klishenë. Vetë shfrytëzimi i klisheve dhe idiomave përbën një humus eksperimental për efektin komik të veprës. Një ndër personazhet që mishëron incestin frymor të diktaturuës dhe postdiktaturës, ish-sekretari i partisë në brigadën e madhe të plehut, tani i bekuari hoxhë Rrahimi, ruan këtë pleksje të shartuar ligjërimi, me të cilën u drejtohet gjatë gjithë romanit njerëzve në minutat e tyre kritike për jetën: “Selam alejkum! Salvatet dhe përshëndetjet tona, qofshin mbi shokun tonë të dashur, Muhametin alejhi selam, mbi familjen, shokët e organizatës dhe mbi ata, që e ndjekin këtë rrugë deri në ditët e kiametit. Një melek agjent, që punon për ne, më raportoi, që ti more i shkretë, e lave borxhin. Megjithatë, Allahu, udhëheqësi ynë i lavdishëm, e di më së miri”. Është pikërisht ky personazh, të cilit shejtani Ibilis e lakmon më shumë, për kënaqësinë që do t’i japë duke e torturuar.

VI

Romani “Bibollasit” nuk ka personazhë klasikë pozitivë. Personazhet të gjithë janë një shumë katastrofash të personalitetit, që nga bracët e vegjël, zyrtarët, të huajtë, politikanët, gratë, artistët e shkrimtarët e deri tek djajtë e vegjël. Në roman lëvizin në një rrjedhë të pleksur njerëz e djaj. Kemi vetëm një engjëll dhe ky është engjëlli Azrail, që vjen për të marrë shpirtërat. Në fund të romanit ai vjen i maskuar si hidraulik në apartamentit e shkrimtarit Nurçe Tarrota, të cilit ia nxjerr shpirtin me tel nga hunda, e vetëm pasi e hedh në shishkë kupton se ka gabuar, duke e ngatërruar me një tjetër, por engjëlli i vdekjes nuk e vret mendjen. Në këtë skenë kemi takimin dhe bisedën e tij me kryeshejtanin Ibilis, me të cilin hahen për shitjen e shpirtrave. Djalli Ibilis kërkon t’i blejë engjëllit Azrail disa shpirtra të zgjedhur, por ata hahen për çmimin. Pikërisht në këtë skenë kemi një pasazh të mrekullueshëm autoironik:
“...Shejtani Ibilis deshi t’ia mbushte mendjen engjëllit Azrail t’i krijonte mundësinë, që të blinte shpirtin e autorit të këtyre rradhëve, por engjëlli Azrail i tha: vetëm atë shpirt mos ma kërko, sepse nuk mund ta shes kurrën e kurrës. E kam parë se si, teksa shkruan, digjet me flakë të zjarrta si ari, pa kurrëfarë tymi. Kam urdhër prej vetë Zotit, që kur ta marr, ta dërgoj se s’bën drejt e në parajsë”.
Nga gjithë kjo diavoliadë që parakalon nëpër 407 faqe të romanit, ia vlen, edhe pse me humor, të mbrohesh nga energjia gjuhësore e botës së krijuar, nga kjo “bombë” artistike në miniaturë. Dhe sigurisht, edhe lexuesi do ta miratojë heshturazi me kokë, të vetmen bindje të padiskutueshme të engjëllit Azrail.