Lunada Methasani: Punoni shumë në heshtje, lini suksesin të bëjë zhurmë për ju


Lunada Methasani

Luna, ju njiheni si vajza e mjeshtrit të gazetarisë sportive, Defrim Methasanit. Çfarë mund të thuash më tepër rreth vetes për lexuesit tanë?
Te jesh vajza e një personazhi publik ndonjëherë duket se i ke thënë të gjitha, por në të vërtetë nuk është kështu, pasi duhet punë e dyfishtë të krijosh emrin tënd. Ky epitet më ka ndjekur gjithmonë dhe jam e lumtur për këtë fakt, pasi kam ndjekur rrugën e tim eti dhe dua që një ditë t’i ngjaj atij, duke qenë se kemi pasionin e përbashkët për gazetarinë. Përpos kësaj, më pëlqen të jem në kontakt të vazhdueshëm me njerëz, të krijoj ura bashkëpunimi, ndaj edhe aktualisht jam në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar si Koordinatore e Marrëdhënieve me Publikun. Për të tjerat t’ia lemë kohës…

Si ka qenë fëmijëria juaj dhe sa e lidhur ka qene ajo me Dibrën?
Unë kam lindur në Peshkopi dhe për këtë fakt jam shumë e lumtur. Edhe pse u largova foshnje disa muajshe drejt Tiranës (ku jetoj sot) gjithmonë e kam pas kokën pas, sepse me këtë vend më lidhin shumë gjëra. Mbaj mend sa shpesh udhëtonim drejt Dibrës me mamin kur isha e vogël, sepse kam ende të afërm që jetojnë atje. Mezi prisja verën, të lahesha në lumin Drin. Më jepte një emocion dhe kënaqësi të veçante çdo gjë, duke filluar që nga ajri i pastër dhe natyra piktoreske e deri te mikpritja tipike dibrane apo gatimet tradicionale bio që gatuante nëna. Këto, por edhe njerëzit më bënin të kthehesha sërish me shumë mall.

Mund të na thuash si nisi dhe si vazhdon karriera juaj si gazetare dhe moderatore?

Gazetaria dhe moderimi kanë qenë një ëndërr që ndoshta do të mbeteshin në sirtar gjithmonë pasi unë ndoqa Universitetin për Ekonomi dhe më pas Masterin Shkencor për Marketing. Kjo zgjedhje ishte disi e ndikuar edhe nga prindërit, pasi profesioni i gazetarisë të detyron terrenin dhe nuk ofron komoditetin e nevojshëm për femrat. E tillë mbeti derisa këtë dëshirë ia shpreha mikut tonë të familjes nga Kosova, Milaim Krasniqi, kryeredaktor në RTK dhe ishte i pari që besoi në aftësitë e mia dhe më mundësoi që të moderoj një event mode në Tiranë me të ftuar të rëndësishëm. Duke parë performancën time, pasi mbaroi me sukses eventi, me kontakton një producente shqiptare për një tjetër spektakël ndërkombëtar dhe kështu ndoqën njëra-tjetrën modelimet, të cilat janë transmetuar edhe në ekran. Mund të them që kam pasur mbështetjen e vazhdueshme të familjes time, veçmas babit, për çdo spektakël që kam pasur në Shqipëri dhe Kosovë. Dalëngadalë ju afrova TV, ndërkohë që vazhdoja edhe studimet e larta, të cilat nuk i kam ndërprerë asnjëherë. Në ekran kam marrë eksperiencë në TVSH dhe Ora News në programacion, por edhe në lajme. Gazetaria, sidoqoftë, mbetet një profesion të cilin e bëj me pasion të madh.

A ka qenë e lehtë të arrish deri këtu dhe cilat kanë qenë vështirësitë që ke hasur në rrugën drejt suksesit tuaj?
Natyrisht që çdo profesion ka vështirësitë e tij, por gazetaria ka shumë elemente që ta bëjnë më të vështirë punën. Emocionet para kameras, të gjesh fjalët e duhura në moment (pasi kam qenë gjithmonë drejtpërdrejtë jo me regjistrim), korrektesa me oraret dhe të ftuarit, vrapimi të kapësh lajmin i pari etj., etj., më kanë skalitur. Por televizioni është një luftë për mbijetesë, duke marrë parasysh se je në konkurrim thuajse çdo minutë nga gazetarët e rinj që shtohen çdo ditë dhe kjo është gjë e mirë. Por më ka shërbyer shumë kjo eksperiencë.

Sa ka ndikuar babi juaj në karrierën tuaj?
Babi ka qenë shtylla ime, gjurmët që i kam ndjekur e sigurt. Që e vogël mbaj mend që më aktivizonte shumë në përshkrime, fjalime dhe kurrë nuk m’i bënte hartimet në shkollë (madje ndonjëherë mërzitesha me të). Kështu më ka nxitur të shkruaj dhe të mendoj vetë. Edhe pasi u rrita dhe nisa të bëhesha aktive, më merrte gjithmonë me vete në shfaqje dhe koncerte, sportive dhe jo vetëm… Ka qenë me mua në moderimin e parë dhe çdo herë tjetër. Nuk më ka parë si vajzë, por si kolege, gjithmonë i gatshëm për ndonjë vërejtje të vogël, pasi donte të shihte tek unë më të mirën. Nuk më ka imponuar kurrë një zgjedhje apo bindje. Thjeshtë ka respektuar zgjedhjen time. E kam shok, me shumë sesa baba…

Ju jeni një nga personazhet të cilët nuk e keni harruar prejardhjen tuaj, përkundrazi jeni promotore dhe krenare për të. Përse e bëni këtë?
Kur isha më e vogël, gjithmonë jam paragjykuar si “malokja e Dibrës” ose “ja, erdhi kjo nga Dibra të bëhet e para në mësime këtu në Tiranë” etj. Kur e kujtoj, më vjen të qesh. Në fillim mërzitesha, por kjo më bëri të vazhdoj më tej e fortë, sepse nuk e kisha kurrë për turp që kam lindur atje. Madje gjithmonë në hartime apo projekte në shkollë flisja për Dibrën. Një meritë të madhe kanë edhe gjyshërit e mi, veçmas Shuaipi, i cili më bënte gjithmonë kurioze të dëgjoj tregimet dhe alegoritë dibrane në dialekt. Duke u rritur, rritej edhe malli për atë vend, ndaj sa herë mundem, flas për të dhe shumë shokë dhe shoqe në universitet apo punë bëhen kuriozë për ta parë Dibrën. E bëj këtë nga malli për dibranët dhe atë vend, që mua më duket se është i bekuar nga natyra…

Cili është mendimi juaj për të rinjtë dibranë dhe çfarë mesazhi do t’ju jepje si një njeri i suksesshëm?
Faleminderit për konsideratën nga ana juaj. “Dibranët janë shumë punëtorë”. Këtë shprehje e dëgjoj nga njerëz të qyteteve të ndryshme dhe e pohoj plotësisht. Gjithmonë jam ndjerë krenare për shumë suksese te tyre në çdo fushë dhe them dibranët mund të arrijnë shumë. Kemi shumë të rinj dibranë që kanë çuar jehonë deri në Amerikën e largët për sukseset e tyre. Madje gjej rastin të të përgëzoj shumë edhe ty Samet, si një i ri dibran që ka premisa të shkojë larg. Mesazhi im për të rinjtë dibranë është i thjeshtë, ashtu siç janë dibranët: “Punoni shumë në heshtje dhe lini suksesin të bëjë zhurmë për ju”.

Çfarë ndjesie të jepet kur intervistohesh nga një gazetë e vendlindjes? Çfarë do t’u thoshe lexuesve dibranë?
Gazetën “Rruga e Arbërit” e dua shumë, sepse është promotorja më e mirë e Dibrës. Familja ime ka abonim vjetor dhe gjithmonë e shfletoj me dëshirë, pasi dua të di çdo herë e më shumë për vendin tim, por nuk më kishte shkuar kurrë në mend që do të jem pjesë e intervistave të saj, aq më pak si një e re e suksesshme nga Dibra. Madje, lajmin e parë për suksesin tim në moderim e ka nxjerrë gazeta “Rruga e Arbërit”, ndaj jam dyfish e lumtur dhe falënderuese ndaj stafit të palodhur që bëjnë një punë të shkëlqyer. Kjo gazetë është një copëz nga Dibra, pavarësisht vendndodhjes në çdo skaj të botës…

Nje koment

Komentet janë mbyllur.