Fisi Doda në Reç të Dibrës


ORIGJINA
Dy vëllezër Dod Gjaksi dhe Mark Gjaksi ishin me origjinë nga Shkodra dhe mbiemri Gjaksi atëherë u kishte ngelur se me shumë shtëpi e fise në Shkodër ishin vra e kishin ra në gjak. Duke qenë se në Shkodër kishin më shumë se tridhjetë gjaqe dhe në të njëjtën kohë, ata i ndiqte për t’i arrestuar dhe Qeveria Osmane. Dy vëllezërit Doda dhe Marku u larguan nga Shkodra dhe u vendosen për të jetuar në fshatin Ploshtan të Dibrës. Edhe këtu Doda dhe Marku u sulmuan disa herë si nga ata që ishin në hasmëri, ashtu edhe nga qeveria Turke, por ata asnjëherë nuk u dorëzuan. Ishin trima dhe luftëtarë të papërballueshëm dhe të pathyeshëm. Nisur nga lufta e vazhdueshme që bënin aty ngeli emri Kalaja e Dodës. Edhe pse ka rreth 250-300 vjet nga ajo kohë edhe sot ai vend quhet Kalaja e Dodes. Më përpara qendër lokaliteti, pastaj qendër e kooperativës bujqësore dhe sot njësi administrative me të njëjtin emër: “Kalaja e Dodës”. Të gjithë ne që kemi mbiemrin Doda jemi trashëgimtar dhe pasardhës të këtij burri të madh që me emrin dhe historinë e tij, e la të përjetshëm këtë emër për brezat që kanë kaluar dhe për brezat që do vijnë. Çdo djalë e çdo burrë i Fisit Doda është krenar për historinë dhe mbiemrin që kemi. Doda dhe Marku disa herë u rrethuan nga ushtria Turke dhe në luftim e sipër ushtria Turke arriti të arrestonte Markun, ndërsa Doda çau rrethimin dhe u largua. Markun, ushtria Turke e mori për ta dorëzuar në komandën e tyre në Prizren, por gjatë rrugës, te ura e Lapave në Bushtricë, ai tentoi të ikte dhe turqit e vranë. Në këto rrethana Doda e kishte të pamundur të qëndronte në Kala. U largua prej andej dhe u vendos në Reç për të jetuar. Ku u pranua dhe u përkrah nga të gjithë fiset. Në Reç, djemtë e Dodës dhe në vazhdimësi të tjerët u kthyen në besimin Mysliman dhe emri i Dodës u mbajt për mbiemër, në vazhdimësi e deri sot. Në besimin mysliman si të parët e fisit njihen Selman Doda e Taf Doda.

BANIMI NË REÇ
Si familje erdhi gjithnjë duke u rritur e fuqizuar si nga ana ekonomike ashtu dhe në numrin e pjesëtarëve të familjes. Deri në vitin 1905 ishin një familje e madhe prej 97 pjesëtarësh, të gjithë në një familje të pandarë, prandaj dhe sot kur takon ndonjë që e njeh historinë e këtij fisi të thonë: “Ku je shpia e Dodës?”.
Nga ana ekonomike të ardhurat kryesore e mjaft të mëdha ishin nga sejmenlliku. Në kohën e Turqisë kishte grabitje shumë të mëdha. Grupe 20-30 vetë të armatosur në mes të ditës grabisnin gjithë fshatin dhe i pari që i organizonte këta grabitës quhej Bylykbash. Ata që ishin të pamundur për t’u mbrojtur kërkonin mbrojtje te persona apo fise të tjera. Ato fise që i merrnin në mbrojtje ato fshatra quheshin Sejmen. Shtëpia e Dodës ka qenë Sejmen vazhdimisht në shume fshatra si në Rekë, Shkup, Dibër të Madhe etj. Ato fshatra që i merrte në mbrojtje Shtëpia e Dodës i bënte të njohura në të gjithë zonat si Mirditë, Lumë, etj. dhe në ato fshatra nuk mund të ndodhte dhe nuk ka ndodhur asnjë plaçkitje. Këto fshatra organizonin dhe në fund të vitit çdo familje sipas mundësive bashkonin një sasi të ardhurash, të cilat ja sillnin shtëpisë së Dodës. Kjo ishte e ardhura kryesore e shtëpisë së Dodës. Shtëpia e Dodës në ato vite kishte 30 djem e burra, të gjithë të armatosur. Ata ishin të organizuar dhe të pathyeshëm si me qenë një repart ushtarak. Në librin e saj, Brenga e Ballkanit, Edith Durham shkruan: “Po kaloja nga Arrni për në Lurë. U ndalova tek një shtëpi që ishte më e madhja e më e fuqishmja e këtyre anëve. Ajo kishte 72 vetë, të gjithë në një familje, 28 djem e burra të armatosur, shumë pasuri e disa kulla trekatëshe për banim. Kjo ishte shtëpia e Dodës”.
Shtëpia dhe fisi i Dodes, autoritetin dhe forcën që kishte asnjëherë nuk e ka shpërdoruar me fshatrat dhe fiset e tjera, por ajo ishte vazhdimisht në mbrojtje të tyre dhe sa herë ishte nevoja për mbrojtjen e Atdheut ajo organizonte dhe u printe e para për në luftë kundër turqve dhe serbëve. Shtëpia (fisi) i Dodës në çdo rast kishte mundësi të grumbullonte rreth 350-400 burra të armatosur për në luftë. Në Dibër dhe në Lumë (Kukës), në megjelis ose në rrethe të ndryshme me burra të mençur e patriotë të këtyre krahinave vlerat dhe historinë e fisit të Dodës e kanë përkufizuar me dy fjalë:
1. Shtëpia e Dodës sa gjysma e Turqisë
2. Shtëpia e Dodës, shtëpi pushke e lufte brez pas brezi
Të shkruajmë ngjarjet dhe të vërtetojmë thëniet e mësipërme. Dibra në historinë e vet asnjëherë nuk e ka pushuar luftën kundër Turqisë. Nga fisi i Dodës, që nga fillimi i vitit 1800 deri në fund të viteve 1900 burrat dhe djemtë kane qenë ata që kanë organizuar sa herë që ka qenë nevoja për tu ngritur në lufte si në Reç, Arrën dhe Lurë. Ata i organizonin njerëzit për në lufte dhe ishin vetë që ju prinin të parët dhe në ballë të luftës. Duke qenë se për këtë fis janë shkruar dy libra, do të shkruaj shumë shkurt vetëm për disa nga burrat e këtij fisi.
I pari që njihet si prijës e luftëtar nga ky fis ishte Taf Doda me reçnjanët e tjerë që luftoi kundër Turqisë dhe u vra në luftë në vitin 1844. Po kështu dhe Selman Doda ka qenë luftëtar në ushtrinë e Ali Pashë Tepelenës. Pas Selmanit dhe Tafës vjen brezi i dytë dhe ishin Suf Doda dhe Bajram Doda. Të dy ishin vëllezër, të dy luftëtarë që janë shumë të njohur në historinë e fisit Doda në luftë kundër Turqisë. Suf Doda me luftëtarët që kishte arriti të thente ushtrinë Turke në fushën e Karadakut dhe me dorën e tij arriti që të merrte dhe flamurin e ushtrisë turke, flamur të cilin e kemi pasur deri në vitin 1960. Ushtria turke, pasi kishte marrë informacionin se kush e mori flamurin dhe kush ishin prijësit e luftës në frontin që u thye, organizoi forcat e veta ushtarake dhe me artileri sulmoi kullat e Dodës për 5 ditë rresht dhe pasi u bind se janë larguar nga shtëpia burrat e armatosur, dërgoi ushtarët këmbësorë dhe i dogji kullat. Në atë kohë gjithë burrat e armatosur kishin dalë në mal dhe gratë me fëmijët kishin shkuar te njerëzit e afërt. Përveç pjesëmarrjen në lufte kundër Turqisë, Suf Doda dhe Bajram Doda ishin të dy në Lidhjen e Prizrenit. Në librin e tij “Historia e Dibrës”, Kristo Frashëri shkruan: “Një nga figurat kryesore të Lidhjes së Prizrenit përkrah Iljaz Pashe Dibrës ishte ajo e Suf Dodës (fq. 267). Me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizerenit për meritat dhe kontributet e dhëna janë dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Duke qenë se Sufa e Bajrami ishin të moshuar vjen brezi i tretë, Baftjar Doda e Xhafer Doda, të dy luftëtarë e prijësa në luftë kundër Serbisë. Edhe Xhafer Doda edhe Baftjar Doda ishin gjithmonë në një front bashkë me Elez Isufin në luftë kundër Serbisë dhe ishin bërë tmerri për ushtrinë serbe. Në vitin 1913 kur Luma kishte kërkuar ndihmë nga Dibra, Baftjar Doda e Xhafer Doda ishin bashkë me më shume se 300 reçnjanë të armatosur dhe ishin të vendosur në Qafe të Kolosjanit, të gatshëm për të filluar luftën. Por paria e Lumës nuk ishin dakord, sepse luftimet do zhvilloheshin në fshatra e dëmtoheshin familjet e pambrojtura, pasi nuk ishte bërë largimi i popullsisë, por Xhafer Doda u thotë: “Mu më keni dërguar fjalë për luftë dhe nuk kthehem prapa”, dhe u hodh i pari në sulm kundër serbëve. Kështu lufta filloi e vazhdoi për dy ditë me rradhë dhe forcat serbe u thyen e kaluan matanë Qafë Morinës. Prandaj edhe këngës i thonë: “Xhafer Doda po len nam,/ po i hyn serbit në istikam./ Kur po vikat Baftjar Doda,/ dridhen male, dridhen kodra.” Ushtria serbe arriti ta arrestojë Xhaferrin dhe gjatë rrugës për në Prizeren, në përleshje e sipër e kan therur me thikë. Për trimëritë e tyre në luftë të dy janë dekoruar dhe në Qafë të Kolosjanit për Baftjar Dodën është ngritur një lapidar. Në luftë kundër Serbisë kanë marrë pjesë dhe shumë djem e burra të fisit Doda si: Sadik Doda, Cam Doda, Sali Doda etj..

Pas luftës me Serbinë vjen brezi tjetër dhe lufta për çlirimin e vendit. Nga fisi i Dodës në luftë për çlirimin e vendit thuajse ishin gjithë djemtë e këtij fisi. Riza Doda, Rexhep Doda, Hamdi Doda, Osman Doda, Murat Doda, Liman Doda ishin partizanë e kuadro në luftën Nacionalçlirimtare. Po nga fisi i Dodës ishin edhe me Ballin Kombëtar: Sali Doda, Ramadan Doda, Mer Doda, Selim Doda. Të dyja palët ishin vëllezër dhe kushërinj të parë, por në luftë ishin kundërshtarë e ball për ball. Si ato që ishin partizanë dhe ata që ishin me Ballin Kombëtar janë shumë të njohur në historinë e Luftës Nacionalçlirimtare. Nga partizanet Riza Doda u vra dhe është dëshmor i atdheut.
Duke marrë në konsideratë periudhën e luftës kundër Turqisë vërtetohet ajo që thamë më larte: “Shtëpia e Dodës sa gjysma e Turqisë”.
Me tej duke marre në konsiderate luftën kundër Serbisë dhe luftën Nacionalçlirimtare, vërtetohet dhe thënia tjetër: “Shtëpia e Dodës, shtëpi pushke e lufte brez pas brezi”.
Nga fisi Doda jo vetëm në luftë por në vazhdimësi ka pasë dhe kuadro në detyra të ndryshme e gjatë gjithë periudhave.
Në kohën e Zogut: Sadik Doda – kapedan; Sali Doda – kapedan; Ramadan Doda – kryetar komune; Zenel Doda – oficer; Mer Doda – kryetar komune Shpal, Mirditë; Myftar Doda – xhandar; Dali Doda – oficer me ushtrinë Italiane; Xhem Doda – nëpunës; Xhafer Doda II – komandant xhandarmërie në Prizren.
Në kohën e Partisë së Punës, të gjithë drejtuesit nga fisi Doda ishin me arsim të lartë: Rexhep Doda – kryetar i Komitetit Ekzekutiv Dibër dhe Rektor i Universitetit Bujqësor, Hamdi Doda – komandant Brigade; Murat Doda – shef seksioni në Komitetin Ekzekutiv Tiranë; Osman Doda – kryetar dege; Liman Doda – oficer; Fatmir Doda – pedagog në Universitetin e Mjekësisë, drejtor spitali; Mesila Fatmir Doda – deputete; Piro Doda – inxhinier mekanik; Albert Doda – inxhinier ndërtimi; Xhemal Doda – inxhinier pyjesh; Gazmend Doda – mjek; Agim Suf Doda – shkolla e Partisë, kryetar i Degës së Kuadrit në Sharre, kryetar i Degës së Tregtisë Pukë; Kujtim Doda – shef Seksioni në Komitetin Ekzekutiv Pukë; Besnik Doda – shkolla e Partisë, shef Kuadri; Qemal Doda – Financë, shef Finance + Tatime; Arben Doda – Finance, shef Finance + Tatime; Petrit Doda – Financë, institucione të ndryshme; Femi Doda – Finance, institucione të ndryshme; Halil Doda – drejtor shkolle; Dashamir Doda – arsimtar; Muhamed Xhafer Doda – arsimtar; Ali Xhafer Doda – arsimtar; Edison Dida – inxhinier; Ergin Doda – Universiteti i Sporteve; Rraman Doda – kryetar kooperative Reç; Misim Doda – kryetar kooperative Tejmalle; Agim Ramadan Doda – arsimtar; Vesel Doda – arsimtar; Haqif Mus Doda – llogaritar; Muhamed Gani Doda – agronom; Sabri Halim Doda – teknik ndërtimi; Ismail Doda – teknik ndërtimi; Nezir Doda – ekonomist (llogaritar); Sahit Doda – arsimtar; Asllan Doda – kryetar komune Reç; Llam Doda – teknik ndërtimi.
Duke filluar që nga Doda I e deri në brezin e sotëm, ato që kanë marrë pjesë në lufte, e këta që kanë punuar në administratë, jemi të gjithë deri në gjashtë breza.

2 komente

  1. Kam pasur nderin dhe kenaqesine ta njoh Z.Agim Doda nje intelektual i respektuar me nje inteligjence e urtesi per tu admiruar…Lexova me kersheri historine e fisit Doda dhe mund te them qe duhet te jene krenare te gjithe per mbiemrin qe mbartin…krenare qe jane Dibrane e faleminderit z.Agim per kete histori te shkruar,pasqyruar per gjithe ne qe nuk e dinim preardhjen e ketij fisi kaq te degjuar….
    respekte

Komentet janë mbyllur.