Burimi i Ujit të Ftohtë në fshatin Vleshë


(Koordinatat: 41° 48’ 13” Veri, 20° 25’ 51” Lindje).

Ky burim gjëndet pranë fshatit Vleshë, 800 – 830 m mbi nivelin e detit dhe 800 m në jug të tij. Kur udhëton nga Peshkopia për në Kala të Dodës, 500 m pa vajtur në Vleshë, tek Përroi i Mullirit, në krahun e djathtë rreth 300 m larg ndodhet burimi në fjalë. Ai del prej formacionit gjipsor, kryesisht i lloit gjips – anhidrit me ndërmjetësime lentore dolomitesh dhe materiali organik të përzier me atë argjilor me ngjyrë të murrme në të zezë. Sipas studimit (Hoxha, 2001) ky është një burim tipik i lloit karstik në formacionin evaporitik të gjipseve në Njësinë e Dibrës, që mendohen si pjesë e Zonës tektonike të Krujës. Me prurjet e tij të mëdha, ujin e pastër dhe shumë të ftohtë, burimi krijon mjedis tërheqës me vlera shkencore hidrogjeologjike, didaktike, gjeoturistike dhe mjeksore, në shërimin e disa sëmundjeve, kryesisht atyre reumatizmale.

Nga dy pamje në kohë të ndryshme nga Burimi i Ujit të Ftohtë në Vleshë. Në dy fotot anësore mund të dallohen gjipset, anhidritet si dhe ndërfutjet e dolomiteve bashkë më formacionet e imta argjilo – ranorë me lëndë organike dhe një trashësi e vogël e deluvioneve të shpatit. ku del dhe burimi karstik evaporitik.

 

Vesel Hoxha, Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës, f. 551