Uji derdhet, toka thahet


Liqenet e Kacnisë. (Foto e marrë nga Sektori i Bordit të Kullimit dhe Vaditjes, Peshkopi

Fermerët presin, në një pritje që nuk dihet sa zgjat. Pa ujin, të gjitha teknikat e teknologjitë shumëzohen me zero.
Janë 22 rezervuare që funksionojnë sot, me një kapacitet total 4,4 milion metër kub ujë. Këto liqene, vadisin mbi 12 mijë hektarë, kurse pjesa tjetër vaditet me kanale që e marrin ujin nga burime të caktuara uji.

Disa rezervuarë nuk funksionojnë më, si ai i Çernenës në Maqellarë dhe liqeni i Çetushit, për çështje pronësie; Liqeni i Vakufit ka të prishur saraçineskën dhe ushqyesi i tij është i dëmtuar, ai i Ndërshenës në Reç ka probleme me digën dhe ujëlëshuesin. Në total, këto liqene jashtë funksionit kanë një kapacitet ujëmbledhës prej 465 mijë metër kub ujë, që do të thotë se 155 hektarë nuk do të vaditen, për aq kohë sa ne jemi të pa aftë për të zgjidhur këto gjëra të thjeshta.

Sot, si kurrë ndonjëherë, bota është në kërkim të mënyrave dhe teknologjive të reja për të rritur rezultatet në çdo fushë të jetës. Nganjëherë, kaq e madhe është kjo dëshirë, saqë bëhet në kurriz të cilësisë, duke dëmtuar ndjeshëm vlerat organo – leptike të produktit, e për pasojë, duke dëmtuar dhe shëndetin e konsumatorit. Por, fatkeqësisht, njerëzit harrojnë, se para se të merren me shkencë për rritjen e prodhimeve bujqësore, duhet të mendojnë se si mund t’i vadisin kulturat e mbjella dhe të shtojnë sipërfaqen nën ujë.
Qarku i Dibrës ka një sipërfaqe totale të tokës arë prej 41 078 hektarë. Nga kjo, 23 128 hektarë sipërfaqe e mundshme për t’u vaditur apo më saktë që kanë qenë vaditur dikur, por në fakt vaditen 16 504 hektarë. Që te kjo panoramë e shkurtër lindin disa pyetje dhe përgjigjet janë të vështira për t’u kthyer, pasi janë një mori arsyesh e faktorësh, që në fund të fundit, kanë një gjë të përbashkët: neglizhencën njerëzore.
Për të marrë një informacion më të detajuar, ne shkuam në sektorin e bordit të kullimit dhe vaditjes në Peshkopi. Përgjegjësja Ornela Roçi, edhe pse e re në moshë, ka një përkushtim maksimal për punën. Eksperienca e gjatë e Petrit Laçit dhe Ramazan Doçit, dy bashkëpunëtorët e saj të ngushtë, e bën shumë efikase punën e këtij ekipi të vogël, në zyrë dhe në terren. Po cilat janë shifrat, realitetet, mundësitë dhe objektivat për të ardhmen?
Pas viteve nëntëdhjetë, kjo kohë sikur e ndan me thikë historinë, ca gjëra morën për mirë e ca të tjera për keq. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se gati të gjitha veprat e ujitjes e të kullimit, janë bërë në kohën e regjimit, dhe që atëherë, shumë pak. Bile, ca më keq akoma, një pjesë e tyre janë abandonuar e janë jashtë funksionit. Më konkretisht, situata është e tillë:
Janë 22 rezervuare që funksionojnë sot, me një kapacitet total 4,4 milion metër kub ujë. Specialistët e këtij sektori, këtë shifër e pjesëtojnë me tre, që do të thotë se për të vaditur një hektar tokë, gjatë gjithë periudhës së verës, do të duhen tre mijë metër kub ujë. Pra, këto liqene, vadisin mbi 12 mijë hektarë, kurse pjesa tjetër vaditet me kanale që e marrin ujin nga burime të caktuara uji. Thamë që disa rezervuarë nuk funksionojnë më, si ai i Çernenës në Maqellarë, për çështje pronësie, me një kapacitet mbajtës 45 mijë metër kub ujë. Për të njëjtën arsye nuk funksionon liqeni i Çetushit, i aftë për të vaditur 80 hektarë me 240 mijë metër kub. Liqeni i Vakufit me 120 mijë metër kub, nuk funksionon që nga viti 1991, pasi ka të prishur saraçineskën dhe ushqyesi i tij është i dëmtuar. Një tjetër liqen jashtë përdorimi është ai i Ndërshenës ne Reç, pasi ka probleme me digën dhe ujëlëshuesin. Në total, këto liqene jashtë funksionit kanë një kapacitet ujëmbledhës prej 465 mijë metër kub ujë, që do të thotë se 155 hektarë nuk do të vaditen, për aq kohë sa ne jemi të pa aftë për të zgjidhur këto gjëra të thjeshta.

Liqeni i Gramës. Uji derdhet, toka thahet

Nuk kanë munguar përpjekjet, sidomos në këto pesë vitet e fundit, për të rivënë në funksion objektet e dëmtuara. Në vitin 2011 u punua në dy vepra ujore, rezervuari i Kandrit me 450 mijë metër kub, dhe ai i Shumbatit me 600 mijë metër kub, ku është riparuar shkarkuesi katastrofik, si dhe nivelimi i kurorës së digës. Dy vjet më parë, në vitin 2015, u punua në rezervuarin e Gramës, i ndërtuar në vitin 1962, dhe që ka një kapacitet 600 mijë metër kub, i mjaftë për 160 hektarë. U rregullua shkarkuesi katastrofik, puseta e hyrjes, e daljes, saraçineska, si dhe nivelimi i digës.
Në vitin 1983 u punua në liqenet e Kacnisë, në Selishtë, duke krijuar një rezervë ujore prej 1,2 milion metër kub ujë. Këto nëntë liqene të bukura, pesë të Shtrungëzës dhe katër të quajtur Bataqe, nuk do të ishin vetëm qendër e vizituar turistike, por do të shërbenin si ushqyes për rezervuarin e Bllacës, nëpërmjet një kanali prej 22 kilometër të gjatë. Por, fatkeqësisht, që nga viti 1996, gjërat nuk funksionuan më. Problemet e pronësisë e gërryen atë investim, si ndryshku metalin, e tani gjërat janë mbuluar me pluhurin e harresës. Duhet pak punë, pak përkushtim, pak investim, për t’i bërë gjërat si më parë, apo akoma më bukur. Për liqenet e Kacnisë duhen tre saraçineska të reja, riparimi i shkarkuesve katastrofikë, si dhe pastrimi i mbetjeve të akumuluara në vite. Gjithashtu, duhet një mirëmbajtës vjetor që të paguhet nga bashkia apo kushdo tjetër.
Për rezervuarin e Bllacës ka kohë që është hartuar një projekt rehabilitimi. Ai përfshin punimet për pastrim e riparim të rezervuarit, si dhe riparim kanali, nga dalja e liqenit, deri në destinacion, në Maqellarë. E rëndësishme këtu është pjesa nga sifoni deri te ura e Topojanit, e në vazhdim, me një gjatësi prej 7,3 kilometër. Vlera totale e projektit është rreth 2,4 miliardë lekë, ose të themi më pak se dy milion euro. Kapaciteti ujëmbajtës i rezervuarit është 2,4 milion metër kub, që do të shërbente për 800 deri në 1000 hektarë të fushës së Maqellarës. Do të doja t’i referohesha vetëm rastit të fundit e të bëja një llogari të thjeshtë. Të supozojmë se nga një dynym tokë arë e vaditur do të përfitohen 100 euro të ardhura në vit, kurse nga një hektar do të kishim 1000 euro. Sikur të vadisnim 1000 hektarët në Maqellarë, me ujin e liqenit të Bllacës, të ardhurat do të kapnin shumën e një milion eurove, gjë që do të thotë se investimi i bërë prej dy milion eurosh do të shlyhej brenda dy vjetësh.
Ne i referohemi liqenit të Bllacës, meqë ai ka ekzistuar më parë, por unë mendoj që nuk ka pse të shkohet deri atje. Malet që i rrinë Maqellarës si një kurorë e bukur mbi krye, janë në gjendje të gjenerojnë jo aq ujë sa duhet, por dhe më tepër. Në fshatrat e Kërçishtit, Obokut, Popinarës, apo kudo tjetër mund të gjesh ujë me shumicë, mjafton të kesh pak njohuri dhe pak dëshirë t’u shërbesh atyre njerëzve në nevojë.
Gati e njëjtë është situata dhe me kanalet vaditëse, ku ka nevojë qoftë për ndërhyrje urgjente e po ashtu studime afatmesme, apo afatgjata. Kanali Llixha – Brezhdan, ndërtuar për 450 hektarë, aktualisht, vadit 350 hektarë, pasi ka nevojë për riparime në lagjen Kamen, në një gjatësi prej 800 metra.
Kanali Muhur – Brezhdan ka një gjatësi prej 17 kilometra dhe shërben për të vaditur 510 hektarë, por tani nuk përballon më shumë se 380 hektarë. Kërkohet investim nga vepra e marrjes, në pjesën e Gjaricës dhe në dy degëzimet, për në Brezhdan e Vakuf.
Kanali Çernievë – Shumbat, është i gjatë 22 kilometra dhe është planifikuar për 600 hektarë. Shërben për vaditjen e tokave të fshatrave Kallë, Vleshë, Sllovë, Lugje, Palaman, Trojak dhe Shumbat. Kryen funksionin dhe si ushqyes për rezervuarin e Shumbatit. Realizimi i projektit të tij, kap vlerën e 1,5 milion eurove.
Në vitin 2012 u investuan një milion euro, për kanalin Fushë Alie – Kandër, me një gjatësi prej 17 kilometër. Sot me të vaditen 550 hektarë.
Investime kërkohen dhe në kanalin Setë – Arras – Laçe, me një gjatësi 9,5 kilometër. Sot, me të vaditen vetëm 60 – 70 hektarë të fshatit Arras, kurse 200 hektarë të tjerë mbetën jashtë këtij shërbimi. Inxhinierët e ujërave mendojnë se 150 mijë euro do të ishin të mjafta, për të bërë të mundur vaditjen e tyre.
Rezervuarët dhe liqenet me ujërat që ato bartin, mund të kryejnë dhe një shërbim tjetër, jo pak të rëndësishëm. Nëse hedhim pak rasat peshku dhe nuk e ulim nivelin e ujit në fund të vaditjes deri në pikën e vdekjes, do të shtonim sasi të konsiderueshme peshku në tryezat tona, pothuajse pa asnjë lloj kostoje. Banorët e fshatit Bllacë, më tregonin se kishin kapur peshq me peshë mbi 20 kilogram, në kohën kur liqeni i tyre mbushej me ujë.
Janë këto probleme që akumulohen në vite. Ashtu siç i përmendëm më lart, disa e kanë prekur investimin dhe janë vënë në rrugën e zgjidhjes, të tjerat flenë në sirtarët e burokracisë shtetërore prej një çerek shekulli, si një i burgosur që nuk di kur i mbaron dënimi. Tokat presin me padurim ujin e bekuar që do t’u njomte buzët e thara. Fermerët presin, në një pritje që nuk dihet sa zgjat. Pa ujin, të gjitha teknikat e teknologjitë shumëzohen me zero. Kryeministri na bëri optimistë, kur tha se do të shtohen fondet për vaditjen e kullimin. Të shpresojmë që ka ardhur momenti i shumëkërkuar.

Nje koment

Komentet janë mbyllur.